ALFONS ZENELI-Antologjia poetike 91-23

S’KAM MUJT ME IK KURRKUND

Kam pas dalë çdo mjes
me shkue dikund
sa ma larg.
Le t`bante ftohtë,
minus nji akullnajë zemre
le t`ish temperatura.
Ose me dekë tuj i ikë vedit
deri nji frymësi larg,
njiqind frymësi
në drejtim t’ hapsinave pa ajër.
Ose dhe krejt ktu afër.
Sa me pi nji kafe,
sa me i ba mendimet tym
e me t’shkrujt
se si po m`mytë
drita e ftyrës
dhe enigmave të s’ardhmes.

S`kam mujt me ikë kurrkund.
Tash jam mesue k`tu.
Me klithë si kumona e kishës fshatit.
Po l`shoj tingujt e natës.
T`natës kur kjan sonatat e papagezueme.
Tel i tendosun kam mbetë
mes nji guri
dhe nji reje…

…se tana rrugët
po m`shkojkan përmas teje.



FUSTAN

Kujtim konstant a qeshje e lagësht
të lakohem, të ngjitem në trup
kur fshihesh e ujshme nën pasqyrë
me fustanin e kuq.

Shkëndij brenda vetes nëpër net,
shuhem ditëve të errëta, s`jam njeri
kur pik`llon mbi ikonën e kohës
me fustanin e zi.

Dhe rilind prej kujtimesh të vegjël,
që të bëhem pluhur, ylli që u zhduk,
drithërima jote mbi pasqyrë….
me fustanin e kuq.

Pastaj ngrij sërish, oh krejt statujë
stalaktit në fund të shpellës ngrij
kur si nata e pafundme më pushton
me fustanin e zi.


PERSHPIRT

Më përvidhet trupi si hije ndër shtigje
e ndahet prej meje ashtu pak nga pak.
Mendimet si pemë heshtojnë neper gjethe
mbushur plot me zemër, mollë dhe mëkat.

Motmotesh të kaltër me krye në duar
psherëtijmë himne prej zjarri, prej hiri.
Me kryqe si eshtra ngecur nëpër dhimbje
unë edhe trupi – Ati dhe i Biri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *