“Poezia e vërtetë mund të komunikojë edhe para se të kuptohet.”
T.S. ELIOT
Pjetër Jaku
Të thëm të drejtën, nuk e shoh veten të mundshëm për momentin, kur ende s’jam njohur me krijimtarinë e plotë, të marrë përsipër nje shënim kritik, për krejt krijimtarinë poetike të Armenida Qyqes, me shtatë libra poetik e dhjetra vidio, të interpretuara nga autorja dhe artistët më në zë të fjalës! Kam realizuar recensa dhe shenime kritike, jo pak për libra poetik, duke marrë edhe vlerësimet e miqëve, por ende, dhe asnjëherë nuk i besoj vetes, se ato çfarë thëm unë, janë pikërisht opinionet më të sakta. Poezia mund te analizohet në shumanshmërinë e të kuptuarit individual, ndaj edhe jep mundësi komentesh, pa qënë i pranishëm autori. Poeti nuk mund të jetë pranë çdo lexuesi, ndaj bukuria e poezisë dhe artit në përgjithësi, është të të ngacmojë përjetime individuale, në atë masë, ku ndjen nevojen e të shprehurit, qoftë edhe me një ofshamë të vetme, “ Oh”! Në atë masë, saqë shprehja të vjen vetvetiu. Vetëm në këtë gjini të letrave, nuk mund të japësh rekomandime, si e qysh të ndryshosh një varg, nje titull, një figurë etj. Shkolla e vetme e të shkruarit poezi, është ndjenja, sa , si dhe ku ajo të ngacmon për t’u shprehur.
Poezinë “ Dy mijë vjet në sofren e prishur”, poetja e nis me darkën e fundit dhe dymbëdhjetë apostujt. Menjëherë lexuesi do ta përfytyroj autoren të ulur me Juden Iskarioti e, njëkohësisht me Shën Pjetrin, ndonëse e paftuar. Ajo dhe secili nesh, do ta deshironte atë ulje, me të cilën filloi njerëzimi. Që në krijesën e tij, njerëzimin e tërhoqi edhe poli negativ, pa të cilin nuk zhvillohet asgjë në planet, por laku i botës në qafen e autores, sa vinte e ngushtohej, duke i treguar portat dhe çmimin. Pra, në rastin më të parë, siç kishte hyrë edhe mund te dilte! Pulsin e kujt maste në vetëtimën e syve, një metaforë shumë e gjetur dhe funksionale, se mund të përdoret figurë për figurë, pa efekt emocional, duke e dobësuar poezinë. Juda i hedh monedhat, por i mbetet pesha e tradhëtisë, ndërsa Pjetri kthehet më i fortë se ç’ishte në krah të Jezusit!
Por, jo autorja, duke rënë, varg pas vargu ngjitet në zemrekun e kohes, bash në zemër të saj, ku kurdiset gjithëçka, për një periudhë të caktuar veprimi dhe, ajo kurdisje mund të thyej eshtra të hekurta/ të ndajnë burrërinë nga tradhëtia/ besimin nga frika/ jeten nga vdekja…
Për autoren ka dy mijë vjet në sofren e prishur, që kërkon një përgjigje, me zemrën e mbytur në grykë.
Në lexim të parë , një poezi biblike por, që në fakt është një poezi, që thotë shumë me një masë fjalësh të kursyer.
Poezinë e dytë “NË RRAHJEN QË VEÇ DASHURISË I FALET”, autorja fillon me një metaforë mjaft të gjetur, duke e befasuar lexuesin; “Nga lavjerrësi i hekurt, tundet ankthi”. Lavjerrsi i hekurt është koha, që nuk falë askënd dhe asgjë. Erërat dhe stuhitë mund ta tundin majtas e djathtas, por dhëmbët e historisë e mbajnë prenë, pa lëshuar pe. E mira nuk duhet të bjerë nga lartësia që e mendon poetja, edhe sikur të ketë mbetur në fijen e fundit të shpresës.
Në strofën e dytë, poetja jep zgjidhjen: të vish ti, që të dorëzohet ankthi. Pra të jemi bashkë për të mos pasur frikë, që natyra ta lëshoj zemren, për të funksionuar e qetë.
Dhe, më pas e më poshtë, në strofen e tretë dhe të fundit, lavjerrësi të jetë bërë njësh më natyren, ku funksioni i tij, tashmë, të jetë një shkarravitës i ajrit, pasi njeriu e ka krijuar bazamentin e tij tokësor!
Ndryshimet , sipas poetes, levizjet natyrore janë të pandalshme; një kohë rend e një tjetër ndalet. Ciklet biologjike i shërbejnë edhe krijimtarisë, ndaj përgjithësimet letrare, marrin formë emocionuese, kur ndjenja dhe mendja funksionojnë si një e vetme.
Autorja nuk e tepron me fjalën, në më të shumtën e rasteve, nuk ka poezi me më shumë se tre strofë katërvargëshe. Përgjithësisht, përdor poezinë e rimuar, nga ku ia del me sukses ngarkesës emocianale, që përcjellë tek lexuesit.
DY MIJË VJET NË SOFRËN E PRISHUR
Në darkën tënde të fundit
Sa herë jam shtruar,
I trembëdhjeti, mysafir i paftuar,
Herë Judë e herë Pjetër…
Ah, sa i ngushtë
Laku i botës, në qafën time!
Dymbëdhjetë ishin portat
Dhe çmimi, i lartë…
Pulsin tënd mas
Në vetëtimën e syve,
Zemrekut të kohës
I thyhen eshtrat e hekurta…
Pak çaste ndajnë
Burrërinë nga tradhëtia
Besimin nga frika,
Jetën nga vdekja…
Ti ha me të,
Bukën dhe verën ndan,
E sheh në sy
Dhe e puth në ballë…
Zemra ime mbytet në grykë…
A e di? A e di?
Përgjigjen kërkon
Dy mijë vjet, në sofrën prishur…
Gusht 2023
NË RRAHJEN QË VEÇ DASHURISË I FALET
Nga lavjerrësi i hekurt, tundet ankthi
Dhe dhëmbëve mban zemrën zënë pre,
Majtas-djathtas-majtas, përsëri e përsëri,
As koha e as ai s’lëshojnë fare pe…
Vetëm një zgjidhje të mundëshme ka,
Të vish ti, që të dorëzohet ankthi,
Ta lëshojë zemrën nga dhëmbët e veta,
Prehje të gjej, pak qetësi…
Ajrin le të zhgarravisë më pas lavjerrësi!
Majtas-djathtas-majtas, përsëri e përsëri,
Një kohë rend e një tjetër ndalet,
Në rrahjen, që veç dashurisë i falet…
Qershor 2023