ARBEN PRENDI, ANTOLOGJIA POETIKE 1991-2023

PATJETER DUHET TE NDRYSHOJE BOTA

Sot duhet të shihemi patjetër,
Se o ç’mërzi jeta pa ty.
Më ngjan bota krejt e vjetër,
Më ngjan bota krejt pa sy.

Më lotojnë vargje krojet e mallit,
Sythet e dhembjes më lotojnë perla.
Fryn pastaj një furtunë e çmendur
Më hedh në ca stinë të shkreta.

Mirazheve, mirazheve vërtitemi
E s’dimë ç’duam e ç’bëjmë në këtë jetë,
E s’dimë në jemi ata që jemi
Në të vërtetë…

Por ka një gjë që nuk lëkundet më,
Sot do shihemi patjetër.
Më ngjajnë gjërat pa kuptim,
Më ngjan bota krejt e vjetër.


PERSPEKTIVE E MBYLLUN

Ka mashtrue dimni,
Kërcenjtë e gjelbër, gjethet viktima,
Dhe shinat e trishtimit.

Gjëmon në këtë anë,
Gjëmon në atë anë,
Qielli,
Prej mashtrimit…


MOTER, MOS U BAN QYQE BALADE

… Edhe këtë verë se mbajta fjalen
Që nanës i dhamë kur u martove,
se herë qeshë plagu nga trupi,
herë nga koka,
e herë s’po më len puna,
e herë s’po më del rroga,
e rruga për te ti,
tre-katër male kaptue
larg.

Nana edhe këtë verë
Ku vapa pëlcet gurin dhe shpirtin e saj,
Do të jetë në merak për ty.

Motër, qyqe balade mos u ban,
Po gjëje vet rrugën e humbun…

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *