POEZI NGA ELIFE LUZHA

PROF. DR. AGIM VINCA: ELIFE LUZHA ËSHTË NJË POETE E LINDUR

Elifja është poete e lindur: një shpirt i butë, lirik, subtil… Figurë qendrore e poezisë së saj është loti, aq sa mund të thuhet se kjo figurë, pra metafora e lotit, është shenjë identifikuese e poezisë së saj. Me të drejtë. Sepse loti, sikurse poezia, është akt i çlirimit shpirtëror. Në trajta kryesisht të shkurtra poetike e me vargje sugjestive, Elife Luzha artikulon shqetësimet e veta krijuese, që kanë të bëjnë me jetën, Kosovën, vendlindjen, mërgimin, gruan dhe motive të tjera, që përbëjnë botën e saj krijuese dhe njerëzore, me një fjalë identitetin e saj shpirtëror. “Mos ma vrisni lotin”, thërret poetja; lutet, përgjërohet, që në titull dhe përgjatë tërë librit. Dhe kjo është njësoj si të thuash: mos ma vrisni jetën, lirinë, dashurinë, poezinë…

IDENTITET

Kam mijëra vjet me erërat e shekujve që zgjohem

Mbretëreshë e hyjnive isha qysh në parahistori

Nën të njëjtin ujë pellazgë u pagëzova

Me fenë e flamurit e besën për shqiptarinë

O vend i bekuar me fushëqiell fole të shqiponjave

Nga lashtësia si në Motin e Madh rrugë gjaku ke bërë

Nëpër histori mbajte një emër një gjuhë një flamur si fe

Ti gurshkëmb i paluajtur me ngjyrgjakun tim atdhe

PËRMBYSJE

Rrëpirës së thepisur m’u rrokullis fati

Horizonti gri ditët m’i përmbys

Kujtimi më stolis me vetminë e Niçes

Marr si të gjallë një luledielli nga pikturë e Van

Gogut

Për ta ngrohur shpirtin me Valpurgitë e Vagnerit

IDENTIFIKIM

Rend e fërgëlloj rrjedhave të lumit rrëmbyes

Monopateve të frikshme lulekamelie mbjellë

Dallëndysheshëm u këndoj pranverave të zogjve

Mes luleve të lulëzuara zgjohem si flutur në flatrim

E në gemin e drurit erëmues butësisht ulem

Fillin e jetës ta ndiej si të gjethe fierit aromë

Gjithnjë e dashuruar në shkëlqimin yjor

Në mrekullinë e mirësisë besoj besoj

TINGËLLIMË VETMIE

E vetme jam

Në mesin e mizërisë njerëzore

Shëmti e shpërfilljes më trishton

Skutave të mendimit strukem

Me riga loti e vras pikëllimin

Duke jetuar jetën

Ndër rreze ylberesh të përgjakura

Sall hyu im më jep krah

Nga ishulli i largët i shpirtit

Gjithandej kërshëria

E mbrapshti kulmojnë

Vetëm një dorë miqësore

Që të fal pak ngrohtësi

Mungon

ECJA MONOTONE

Hëna shtrirë në trotuar

Kalimtarët me rreze spërkat

Në duar të shtrënguara

Të dashuruarve

Kujtimi bulëzon

Sërish

Unë fillikat vetëm

E zbukuruar me lotin

Shëtis nëpër Prishtinë

Si ballë hëne

E ndritur me shpresën

Sa shumë desha

Të të takoj ty

Si në planet tjetër ecja

Yje e hënë u tretën në sy

IDIL

Në çdo pjesë të ëndrrës emrin tënd e shkrova

Ti sikur nuk i vërejte përsëritjet e mia

Ndonëse jeta pa ty është si pa prani fryme

E ngushëlluar me lotin u mbylla në vetmi

IKJE E MËNDAFSHTË

Dalëngadalë më largohesh

Brishtësinë time e njeh

Ke frikë se më lëndon

Heshtur fshihem pas lotit

Fatin e pazemër mallkoj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *