Mirënjohje Dom Prek Ndrevashes, vepres shqiptare të tij!
Me 02 Qershor 2012, në “ The Imperial House” dashamirë dhe njohës të Dom Prek Ndrevashaj u mblodhen për të nderuar Dekorimin e tij nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Me këtë rast, pothuaj të gjithë të pranishmit sollen kujtimet e tyre edhe një herë (si përherë) si e kishin njohur këtë njeri zemërgjërë, këtë predikues të Fjalës së Zotit, poetin dhe shpirtin e poetit brenda tij, dukagjinasin dhe shqiptarin e mire, Dom Prekë Ndrevashaj. Në të vërtetë një motivim i gjetur për vepren bamirëse dhe ndihmesën që Dom Preka u ka dhënë shqiptarëve gjithë jetën, sa me të drejtë Rita Gjelaj tha se ai kishte një shpirt prej Shejti, ashtu siç edhe tha para disa vitesh Papa Gjon Pali i II, se si mund të jenë shejtërit e kohës tonë.
Dekorata e dhënë pas vdekjes për Dom Prekën ishte një propozim i Shoqatës “ Dukagjini” këtu në Michigan, vendi prej nga vinte Don Preka. Promovimi i kësaj dekorate, theksoi njëri nga drejtuesit e kësaj mbrëmje, Dr. Gjekë Gjelaj, bëhët në kuader të 100 vjetorit të Pavarësisë, një ngjarje historike, për të cilen i ndjeri Don Prekë jetoi dhe punoi pa u vetëdukur, pa u vetëmburrur, pa dalluar askënd se nga cila krahinë e nga cili vend ishte, se nga cili besim vinte, se a ishte miku a kundershtari i tij, sa të gjithë ata që e kanë njohur e besojnë dhe ndjejnë vazhdimisht, edhe tani që nuk është me ne, se sa i gjanë ishte, se sa shqiptarë ishte!
Pëllumb Kulla, njëri nga moderatoret e këtij takimi, theksoi se kjo natë le të mbetët një moment historik për jetën dhe vepren e njeriut, klerikut dhe shqiptarit që punoi aq shumë për ne, pa e rrah gjoksin kurrë, pa e pranuar një levdtaë për vete. Pëllumbi, i cili e hapi këtë takim, foli pak më gjatë rreth veprës dhe jetës së Dom Prekës.
Deviza e tij, theksoi Dr. Gjekë Gjelaj ishte lutja shumë domethënse: “ O Zot, bashkona kudo që jena me dashninë tane!”
Don Fran Kola, famullitari i Kishës Katolike të Shën Palit, theksoi se nga jeta dhe vepra e Don Prekës del qartë Don Preka atdhetar e jo egoist. Ishte i tillë se e donte atdheun, se i donte shqiptarët. “ Nuk jeton as kishë as xhami, as njëna as tjetra, pa Shqipni.” – theksoi Don Frani, i cili si shembull mori edhe disa thënie brilante të Pater Anton Arapit.
Dom Ndue Gjergji, si përcjellës i veprës së Dom Prekës, theksoi se kjo dekoratë është një nder jo vetëm për Dom Prekën, por edhe për të gjithë ne. Dom Preka i sherbëu Zotit dhe u lut për ne, i sherbeu gjuhës dhe traditës, u shërbeu shqiptarve të gjakut të tij, krijoi famullinë e parë këtu, edhe pse në disa raste u sulmua dhe u pengua bash nga ata që i ndihmoi.
Edhe Dom Fred Kalaj solli disa momente nga jeta dhe vepra e Dom Prekës, duke theksuar se edhe bujaria e shqiptarëve që e përkrahen qe e madhe. “ Ata ( shqiptarët), para se të ndërtonin shtëpinë e tyre, ndërtuan shtëpinë e Zotit.” – theksoi në fund Dom Fredi.
Më pas, Ekrem Bardha, Konsulli i Nderit për Michiganin, theksoi rëndësinë e përcjelljes së mesazheve bashkuese të Dom Prekës e jo përçarëse, duke mos i përkrahur ata që mohojnë rolin e qendrave fetare, sidomos në emigrim. Nuk mund t’ua heqësh të drejtën klerikëve për të qënë patriotë e atdhetarë, për të drejtuar e prirë si çdonjëri prej nesh. “ Të jemi kryelartë që e kemi pasur një njeri si Dom Preka midis nesh.”- përfundoi zoti Bardha përshëndetjen e tij.
Alfons Grishaj, kryetar i Deges së Vatres për Michiganin, foli per disa veçori psikologjike te Dom Prekes, duke theksuar se Dom Preka meritonte nje dekoratë të një klasi më të lartë.
Takimin e përshendeten vëllezrit Genc e Mergim Korça, Kujtim Qafa, Luigj Gjokaj, Rafael Floqi, Ndrekë Guri, Zef Përgega, Nikolin Shyti etj.
Një rol i veçantë dhe një ndihmë për Dom Prekën ishte Ndrekë Guri, i cili iu gjend pranë në vitet e fundit të jetës së tij dhe, me rigorozitetin ma të madh e përshkroi jetën dhe punën e Dom Prekës në librin biografik për të, botuar pak kohë më parë.
Pjetër Jaku