U BOTUA LIBRI “APOLOGJI PËR UDHËN E KOMBIT”

“Apologji për Udhën e Kombit”, është libri më i ri, i shtati në radhë, i poetit dhe gazetarit Rexhep Shahu që sapo ka dalë në qarkullim.

Ky libër publicistik me polemika me ata që kanë kundërshtuar ndërtimin e kësaj arterie të kombit shqiptar, me redaktor Izet Duraku dhe recenzent Skender Zogaj, është i ndërtuar në tre kapituj, Apologjia ime, Apologjia e politikës dhe Apologjia e Miqve. Është një libër voluminoz me rreth 500 faqe, shtypur në shtypshkronjën “Geer”, Tiranë.

Kapitulli i parë “Apologjia ime”përfshin shkrime të autorit si “Nuk ishte luftë, ishte fjalosje”, “Dhe dashuria e Edi Ramës për udhën e Kombit”, “Deshpërimi nuk e çelë derën e pushtetit”,“Folkpatriotizëm”, “Gëzohu me mua zoti Lubonja”, “A flet si toskë Mustafa Nano”, “Shtribalizimi i Partisë Socialiste”, “Udha e Kombit po i shërben kombit”, “Sharës me pagesë”, “Replikë me hijen dhe hijet e hijes”, “Një metaforë me gratë vjeneze”, “Histori personale ku unë mund të jem ti”, “4 shkurt 2007 –shpërthimi i parë tek tuneli”, “Faqja e falenderimeve” etj, etj.

Kapitulli i dytë “Apologjia e politikës”, përfshin disa prej debateve më të nxehta politike në parlamentin shqiptar. Aty janë debatet kryesore të tri interpelancave për Udhën e Kombit. Si autorë janë të përfshirë, sipas radhës së diskutimeve, Erion Braçe, Sali Berisha, Lulzim Basha, Sokol Olldashi.

Kapitulli i tretë, “Apologjia e Miqve”, të cilët Rexhep Shahu i falenderon në libër si bashkëmendimtarë që e kanë frymëzuar dhe mbushur me dashuri e besim, është ndërtuar me shkrimet e 27 personaliteteve te njohur, shqiptarë e të huaj që kanë shkruar me dashuri për Udhën e Kombit Shqiptar, siç janë : Ndue Dedaj, Gjergj Marku, Elinda Marku, Jemin Gjana, Preç Zogaj, Eliot Engel, William Walker, Izet Duraku, Edison Ypi, Veton Surroi, Artan Fuga, Kastriot Myftaraj, Pandeli Majko, Kim Mehmeti, Benet Koleka, Aleksandër Çipa, Roland Qafoku, Shkëlzen Maliqi, Dalip Greca, Ramiz Lushaj, Agron Gjekmarkaj, Riza Hoxha, Sulejman Dida, Arbnora Dushi, Jean-Arnault Derens & Laurent Geslin, Karl-Peter Schwarz, Jonuz Hallaçi.

Që në ballinë të librit autori ka vendosur fraza të zgjedhura të thëna nga përsonalitete të ndryshme si :

Dritëro Agolli: Kjo udhë do të mbesë në historinë e vendit, për madhështinë e saj, për simbolikën dhe funksionin që ka si arteria kryesore e Shqipërisë me rëndësi të madhe kombëtare. Pas 20-30 vitesh nuk do të kujtohet njeri se sa ka kushtuar kjo rrugë, por vetëm do të mbahet mend koha kur është ndërtuar. Këto janë vepra të mëdha që mbeten në histori. Sepse kjo udhë nuk lidh vetëm Shqipërinë me Kosovën, por ajo lidh gjithë pjesën veriore të Ballkanit me jugun e tij.

Sali Berisha: Nëse do të duhet, ne do të shesim bizhuteritë e grave tona për të përfunduar këtë autostradë.

Ibrahim Rugova: Kërkojmë fonde nga Bashkësia Europiane për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës – Prishtinë.

Eliot Engel: Nga kjo rrugë, nuk do të përfitojë vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni. Do e bëjë Shqipërinë një qendër progresi në rajon.

Pandeli Majko: Ka pasur lobe kundër ndërtimit të rrugës. Të jemi të sinqertë, për mua e rëndësishme është që rruga të bëhet, që unë të ec në asfaltin e asaj rruge.

Lulzim Basha: Imuniteti është më e pakta që jap për këtë rrugë.

William Walker: Rruga Durrës – Morin bashkon Shqipërinë me Kosovën

Nga biografia e Rexhep Shahut

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960, në Bardhoc të Lumës, fshat i ngritur mbi rrënojat e Gabulit të lashtë, pranë kufirit me Kosovën, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër“Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.

Shkollën e mesme teknike – mekanike e kreu në Durrës në vitin 1980.

Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri… Ka jetuar e punuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.

Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej vitit 2005 edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare” organ i Ministrisë.

Veç librit“Apologji për Udhën e Kombit”,” ky autor ka botuar edhe gjashtë libra të tjerë, tre vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi, Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”,kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006; “Lis i Vetëm në Fushë”, poezi, Tiranë, 2011.

(fragmente nga libri i sapobotuar Apologji per Udhen e Kombit te Rexhep Shahut)

NUK ISHTE LUFTË, ISHTE FJALOSJE

Tridhjetë hapa larg derës së oborrit tim nga njëra anë dhe dhjetë hapa larg varrit të babës tim nga ana tjetër, kalon Udha e Kombit.

Ndokujt ky libër mund t’i ngjajë si një grumbull i madh gëzhojash a hekurishtesh të makinerive apo avionëve luftarakë të shkatërruara nga ndonjë luftë e pashpirt, ndokujt si ndonjë grumbull i madh eshtrash të ushtarëve të vrarë e të lënë pa varr, ndonjë tjetri si një grumbull i madh fjalësh të ndryshkura, të kalbura e të helmëta të një kronike lufte.

Nisur nga ajo shprehja se çdo shenjtor ka një të shkuar dhe çdo mëkatar ka një të ardhme, unë vetëm kam vëzhguar dhe nuk mund të gjykoj askënd për tërësinë e punëve e veprave të mëdha të tij, për tërësinë e përsonalitetit, për dashurinë apo urrejtjen ndaj vendit e kombit, por vetëm për pozicionin e mbajtur në një kohë dhe moment të caktuar siç ishte ai i ndërtimit të Udhës së Kombit, që është Ura e bashkimit të kombit shqiptar, si vepra më e munguar në njëqind vjetëshin e fundit të kombit, për të mos thënë më shumë.

Duhet të pohoj që në krye, siç më thotë miku im Izeti, se vështrimi im nuk ngjan me sytë e Zotit, nuk jam unë Zoti e si Zoti. Kjo Apologji, është krejt njerzore, punë e një njeriu me këmbë në tokë, me mish e gjak, me simpatitë, antipatitë, përkrahjet, kundërshtitë, zemërimin dhe idhnimin njerzor si çdo kush që ha bukë e pi ujë, si çdo kush që në mënyrën e tij e do vendin e vet dhe bën sa mundet për të, pa urryer askënd.

Është e vërtetë se që në krye të herës jam përfshirë plot pasion në luftën e fjalëve për Udhën e Kombit që e kam quajtë Ura e Dashurisë, Ura e Bashkimit të shqiptarëve.

Në të gjitha rastet vetëm jam mbrojtë dhe nuk kam sulmuar. Jam imponuar të mbrohem. Më është imponuar edhe fjalori.

Jam përpjekë për këtë libër fill pas luftës për Kosovën kur Udha Durrës– Kukës – Morin filloi të hyjë në fjalorin e politikës nacionale dhe ndërkombëtare më me intensitet se më parë në gjithë historinë tonë më të re.

Udha – Ura e Kombit, u bë. Kjo Udhë – Urë që u ngrit mbi mëritë, mosdashjet, frikat e pafundme, mbi urrejtjet, mosnjohjet, ndarjet tona, është udha – urë e dashurisë mes nesh.

Ndërtimi i saj shënoi edhe shembje të mëdha muresh e ngritje urash të tjera.

Lufta kundër Urës së Kombit, që nuk mund të justifikohet nga asnjë arsye, ishte ikje nga bashkimi dhe paqja e kombit, ikje dhe braktisje e paqes në rajon dhe më gjerë.

Idhnakët e dëshpëruar që luftuan kundër saj, po tretën e shuhen ngadalë në mbretërinë e harrimit, si përsonazhet e një ëndrre të ligë të natës së gjatë të ndarjes sonë.

Lufta idhnake kundër Urës së kombit nuk pati forcë e fuqi ta ndalte ndërtimin e saj, ta dëmtonte, t’ia minonte ndonjë këmbë, por as ta nervozonte atë, apo t’i shkaktonte dridhje, krisje a shembje.

Kundërshtarët e Udhës së Kombit nuk ishin si Don-kishoti që luftonte me mullinjtë e erës. Këta kundërshtarë të Urës së Kombit nuk fituan as përkrahjen e “armiqve” naty­ralë të shqiptarëve. Por fituan me tepricë antipatinë e miqve tanë të fuqishëm që kontribuan për ndërtimin e kësaj Ure bashkuese të kombit shqiptar.

Në këtë luftë fjalësh për ndërtimin e Urës bashkuese të kombit u lënduan të gjithë shqiptarët e vdekur që kanë ëndërruar bashkimin, gjithë të përmalluarit që s’i kalb dheu, që jetuan të ndarë prej vitit 1913 deri në vitin 1999.

Murosja …

Kush u muros…

U ndërtua një Udhë, u ngrit një Urë – u shemb një mur… muri ndarës mes njëri – tjetrit, mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Nuk u bë kurban nusja e re e vëllait të vogël…

Nuk u derdh gjak.

Rozafa mbeti, thjeshtë, legjendë.

Qumështi i saj i bardhë nuk ushqen djalin e mbetur jetim, por nevojën tonë të përhershme për harmoni e mirëkuptim.

S’ishte luftë, ishte fjalosje, që u nxit nga lakmia për pushtet, nga frika se mos ndërtuesi i kësaj Ure të Kombit do të çimentonte pushtetin e tij.

Pushteti i vetëm dhe mirësia e Urës së Kombit është bashkimi.

Kjo është arsyeja pse për Udhën – Urë të Kombit

betohen sot të gjithë dhe të gjithë duan të njihen, rrjeshtohen e pranohen si ndërtues dhe rojtarë e saj.

Urat kanë nevojë gjithmonë për roje. Aq më mirë për Urën tonë, aq më mirë për bashkimin.

Muret që na ndanin, që i kishim në kokat tona, ranë më në fund, u shembën.

Ky është flijimi, mbase.

Bëmë mirë që flijuam ndarjen.

Ra ky mort e u pamë, do të thoshte Kadareja.

U ndërtua, u ngrit kjo Udhë – Urë e Kombit dhe nuk u ndamë, do të thosha unë….

*****************************

SALI BERISHA

GJIGANDI I BOTËS NUK E PËRLYEN VETEN

NË SHPATET E KALIMASHIT

Së pari, më lejoni të falenderoj shumë përzemërsisht shtatë deputetët e Partisë Socialiste për nderin e veçantë që më bënë, duke kërkuar një interpelancë për projektin më madhor infrastrukturor të Shqipërisë në këtë shekull, projektin e të gjitha projekteve.

Unë si Kryeministër, jam gjithnjë shumë i ndjeshëm dhe shumë i vemendshëm ndaj të gjitha pretendimeve, në radhë të parë të opozitës, por dhe të qytetarëve, të medieve, të shoqërisë civile dhe të kujtdo, që vijnë. Por dua të jem shumë i hapur dhe i sinqertë me ju. Është hera e parë në jetën time politike që ndjej dhembshuri të vërtetë për opozitën e vendit tim, ndjej dhembshuri, se për mua opozita është një vlerë, është sinonimi i ekzistencës së demokracisë.

Por duke ndjekur qendrimin e saj ndaj këtij problemi, unë nuk kam kaluar në asnjë anë tjeter, veçse nga dhembshuria në dhembshuri, nga dhembja në dhembje. Pse? Kam ndjekur çdo deklaratë.

Një nga akuzat më kryesore që sillet, është se ky ka qenë një proces i paligjshëm, pasi vendimi i qeverisë për këtë është i paligjshëm. Këtë mund ta përdorë dikush për akuzë politike, por jo një deputet, as pesë deputetë, as dhe një forcë serioze politike që i thotë shtetit ligjor, shtet ligjor, sepse një vendim qeverie është një akt ligjor; përderisa ai nuk është rrëzuar, jo nga opinioni i një deputeti, apo i disa deputetëve, por nga institucioni vendimmarrës me tagër kushtetues për të rrëzuar vendimet e qeverisë, ligjet e parlamentit etj., dhe kjo është Gjykata Kushtetuese.

Të nderuar zotërinj,

I tërë procesi është bazuar mbi një vendim qeverie, i cili sot e kësaj dite është në fuqi, të cilin ju do të kishit patur mundësi ta dërgonit së paku 50 herë në Gjykatën Kushtetuese. Por në rast se ju, pa e gjykuar në Gjykatë Kushtetuese, e shpallni atë të paligjshëm, besoj se ju bëni një veprim jashtëzakonisht të dhembshëm dhe kundërproduktiv ndaj vetës suaj.

Argumenti i dytë: Unë i kam ndjekur me shumë vëmendje, të gjitha pretendimet e shkeljeve në këtë process, se qeveria ka prokuruar direkt firmën konsulente “Ecorys”.

Të nderuar zotërinj,

Në qoftë se i referohemi ligjit të prokurimeve publike, mbi të cilën bazohet praktika juaj, që sipas Bankës Botërore 70% e tenderimeve janë bërë direkt, ky ishte ligji që ne përdorëm. Ky është neni 17, pika 3, ky është neni 19; janë një seri nenesh në ligjin e vjetër, që autorizonin Këshillin e Ministrave për të bërë prokurime të drejtpërdrejta. Në të vërtetë u procedua me prokurim të drejtpërdrejtë për faktin e vetëm, do të vij më poshtë, se në rast se ne do të shkonim në muajin gusht në tendër për kompaninë e konsulencës, buxheti suplementar që bëri të mundur fillimin e punimeve në këtë rrugë digjej në fund të vitit, pa qenë e mundur, pa patur mundësi të hapnim tenderin.

Por një gjë do t’ju them: është staliniste dhe primitive të lidhësh shkollimin e Lulzim Bashës në Holandë me origjinën e kësaj firme holandezo-britanike, e cila nga të gjitha të dhënat, është e treta në Europë për konsulencën e këtij lloji dhe që ka konsultuar vepra më të mëdha publike në Europë. Atëhere, të mendosh se kjo u zgjodh për këtë është qesharake. Unë do të vij te procesi i zgjedhjes së saj. Më duket se nuk thashë kot që kalohet nga dhembja në dhembje. Një ditë dëgjoj përfaqësuesit tuaj të thonë se kjo kompani është prokuruar një muaj para se të dalë vendimi i qeverisë dhe argument merrej data gabim e vendimit të qeverisë dhe jo numri i vendimit të qeverisë, dhe jo numri i protokollit të vendimit të qeverisë. Atëhere, ishte ende më e dhimbshme.

Argument tjetër është se u spostuan fondet …

Të nderuar zotërinj,

Kjo rrugë është me katër korsi. Ka mjaft që thonë: pse me katër korsi? Rruga që lidh Fierin me Vlorën është me katër korsi; ka sërish që thonë pse duhet me katër korsi? Unë ju them juve, se kam një vetëdije, se sot per sot me kater korsi, perveç rrugës Tiranë – Durrës, ngutje nuk kemi, por rrugët nuk janë lodra fëmijësh në rërë. Rrugët janë vepra shekulli dhe ne do t’i ndërtojmë ato në standardet më të mira që duhen.

Tani do të vijmë pak tek i tërë procesi. Historia e rrugës është kjo. Në ‘96 para zgjedhësve të Kukësit, në një kohë, kur kufiri ishte i mbyllur me klone dhe me tela me gjemba nga Miloshevi, u kam premtuar atyre zgjedhësve se ne do të bëjmë rrugën e Fanit, rrugën e tyre tradicionale shekullore, me të cilën ata zbrisnin në Tiranë. Më pas, Kryeministri i vendit, në atë periudhë, u hap edhe kufiri, pra kishte një mijë motive më shumë, për mendimin tim, vendosi një taksë për ndërtimin e rrugës Durrës – Morin apo Durrës – Prishtinë.

Taksa në pesë vjet kap një shumë të paktën 200 milionë euro. Mirëpo, kur erdhëm në pushtet, unë, i bindur se ky projekt është jetik për Mirditën, për Kukësin, për Hasin, por është akoma më jetik për Shqipërinë, për Durrësin, për Vlorën, për ultësirën bregdetare shqiptare, për turizmin shqiptar, është jetik për Kosovën, që bëhet e pavarur, është fuqizim i madh i ekonomisë, është një nxitje e jashtëzakonshme, një rikthim i Durrësit në të gjithë forcën e tij në një port lidër të Adriatikut, e vura në përparësi të të gjitha përparësive. Nuk dua të ndalem në paranegociatat, por fakti është fakt, se ne në qershor ia dolëm të mblidhnim një buxhet suplementar. Nuk e dinim nëse do ta mblidhnim apo jo, por ai u mblodh dhe erdhi këtu.

Ne vendosëm që ato para t’i çojmë për rrugën. Ç’ndodhi? Që në këtë moment gjetëm kundërshtime flagrante, shumë të ashpra. Na u tha se rruga nuk mund të ndërtohej, sepse ajo prish ekuilibra rajonalë, gjeoportualë, politikë, etj, etj. Mirëpo, ministri, i cili ishte emëruar në atë detyrë, ditën e parë kishte marrë një porosi : zoti ministër, misioni yt është rruga, do të jesh ministër për sa kohë t’i qëndrosh këtij misioni dhe vëre hartën e rrugës në zyrë. Ajo do të bëhet. Madje një ish ministër i qeverisë suaj më çon fjalë e më thotë : “Rruga nuk mund të bëhet”. U informova për këtë dhe i them ministrit tim: transmetoje se rruga do të bëhet qoftë edhe me byzylykët dhe vathët e grave tona. Në qoftë se mbetemi te rruga, ne do ta ndërtojmë, sepse rruga është një arterie jetike për shqiptarët, për Shqipërinë, për Kosovën, për rajonin dhe nuk ka asgjë në botë që të na pengojë për të bërë rrugën. Rruga është e drejta jonë, nuk e bëjmë për të prishur asnjë lloj raporti gjeostrategjik, për të dëmtuar asnjë port apo aeroport, apo anije mallrash. Trafiqet rriten nga dita në ditë; ka plot për Durrësin, ka plot për Vlorën, për Pireun, për Selanikun, për Barin, për të gjitha portet. Ky është koncepti im, rruga do të bëhet.

Në këto kushte, duhet të jemi të sinqertë : as ekspertizë nuk kishim për të bërë rrugën, as projekt nuk kishim për të bërë rrugën, as fizibilitet nuk kishte për të bërë rrugën. Të trija këto mungonin. Në këto rrethana bën një vizitë i dërguari direkt nga presidenti i Bankës Botërore, zëvendëspresidenti i këtij institucioni, zoti Kacu. Pas një diskutimi të gjërë, zëvendëspresidenti ra plotesisht dakord me ne, por i thame : “Ne nuk kemi ekspertizë, nuk kemi potencial për të kontraktuar një vepër kaq të madhe. Kërkojmë ndihmën tuaj, kërkojmë të mbikqyrni çdo etapë të këtij procesi”.

Meqenëse tani u vendos të mbështeteshim, ramë dakord me ta të bëhej vlerësimi dhe vlerësimi u bë. Mbi bazën e vlerësimit rezulton se fitimi i munguar nga kjo rrugë ishte, të paktën, para dy vjetësh, 56 milionë euro. Sivjet, ju them që, është 100 milionë, 150 do të jetë vitin tjetër, sepse dilni, mos rrini këtu nëpër kafenetë e Tiranës, shkoni e takoni prodhuesit shqiptarë, nga Saranda gjer në Shkodër. Ku eksportojnë ata? Në Kosovë. Ku e eksportojnë shalqirin? Kryetari i komunës së Muzinës më thoshte: e çoj në Kosovë. Ku i eksporton grilat prodhuesi i Fierit? Në Kosovë. Ku e eksporton verën prodhuesi i Beratit? Në Kosovë. Ku i eksporton domatet fermeri i Beratit? Në Kosovë. Pra, inagjinoni se ç’po ndodh me hapsirën tregtare të vendit dhe sa e pengon atë mungesa e kësaj rruge.

Atëhere, ekspertët e mëdhenj lëshuan verdiktin se fitimi i munguar është 56 milionë euro. Nuk kishim projekt. Ka një praktikë ; në mungesë të projekteve njihen kontratat : çmim për njësi vëllimi. Ku e gjetëm ne këtë? E gjetëm në Rumani. Rumania kishte bërë po me këtë “Bechtel”-in një autostradë të madhe mbi bazën e këtij parimi dhe Banka Botërore i kishte dërguar një grup të madh ekspertësh për shqyrtim dhe kishte dhënë mendimin më pozitiv. Atëhere ne iu drejtuam kësaj praktike. Gjersa rumunët kanë punuar me këtë praktikë, edhe ne do të punojmë me këtë praktike. (I drejtohet një deputeti që flet nga vendi) Po, po, ta dish mirë, jo e anuluan, por sot ata që e përfolën si ju, kanë me

“Bechte1”-in një kontratë 5 herë më të madhe sesa paraardhësit e tyre. Ore shikoni, mos I fusni brirët aty ku nuk duhet, o opozita e vendit tim, se nuk keni brirë ju për “Bechtel”-in.Më dëgjoni mua, se nuk është gjiganti i botës për të përlyer veten e vet në shpatet e Kalimashit. Mos i beni këto gjëra. Do t’ju them unë si ju këshilloj të veproni, po ju veproni si të doni.

Pra, morëm kompaninë “Ecorys”, e cila na ndihmoi për të përgatitur termat e referencës së tenderit. Tenderi është i hapur, është ndërkombëtar, është një nga tenderat historikë më të përsosur e të organizuar të këtij vendi, i publikuar në “Financial times”. U paraqitën në konkurencë “Bechtel & Enka”,“Strabag”, gjiganti i Europës, “A1 Kharaf “, gjiganti i botës arabe,“Konstruktor”, një firmë e madhe kroate.

Të katërta këto kompani, firma “Ecorys” dhe ata që mbykqyrnin, sugjeruan një juri ndërkombëtare për vlerësimin e tenderit. U zgjodhën për këtë juri, ish-presidenti i Autoritetit të Autostradave të Britanisë së madhe, ishkryeinxhinieri i Ministrisë së Punëve Publike të Holandës, njëri nga inxhinierët më të shquar SHBA-së, ish-drejtori i Institutit të Projektimeve të Kroacisë dhe një shqiptar.

Një minutë, se gjuetarët duhet t’i dinë të gjitha. Këta zotërinj vlerësuan ofertat, nxorën të parën “Bechtel”-in, të dytën, nuk e mbaj mend,“Strabag” – un, me një diferencë, dhe kështu me radhë. Di një gjë, që i gjithë vlerësimi i tyre iu nënshtrua një vlerësimi tjetër ndërkombëtar.

E dyta, di një gjë tjetër, që nuk pati asnjë ankesë nga asnjëra prej kompanive pjesëmarrëse, as më të voglën ankesë, për shpalljen e fituesit. Dale, dale i keni futur brirët te “Bechtel”-i,

po nuk është mirë, se nuk dilni dhe aq kollaj. Ju them unë juve se nuk është mirë të përflisni. Prisni se do të vij unë aty e t’ju them se ç’do të bëni.

U shpall fituesi, projekti nuk ishte. U kontraktuan dy kompani shumë të njohura: “Scheatereux”, një nga projektuesit më të mëdhenj të autostradave të Francës dhe “Ital-Consant”, edhe kjo një kompani shumë serioze italiane. Po punojnë, punuan me tunelin, këto kohë po përfundojnë projektin, sepse ka pasur diskutime, ka pasur devijime, për shkak të shtëpive që duheshin prishur dhe fakte të tjera.

Tani, të nderuar zotërinj, do të vij te çeshtja e prokurorisë. Kjo çeshtje ka një origjinë; ka ca grupe mafioze, të cilat nuk hyjnë dot në këto punime. Jua them unë juve, ato nuk hyjnë dot në këto punime dhe nuk mund të hyjnë, sepse tunelet më të mëdha të Ballkanit janë vepra të mëdha. Me gjithë respektin që kam, po kjo punë do këllqe, do inxhinierim të madh dhe fuqi të madhe. Ato shpifin trillimin nëpër tavolina, mbas dy vjetësh, për projektin e shekullit. Kjo është e vërteta. Ato në mënyrë të verbër detyrojnë zëdhënësit tuaj të dalin e të thonë se ky vendim qeverie është i paligjshëm, në një kohë kur vendimi është në fuqi. Detyrojnë zëdhënësit tuaj të thonë se vendimi është marrë një muaj mbrapa, vetëm se ka një datë gabim dhe harrojnë numrin. Pra, çfarë ndodh në këtë mënyrë me ju? Jeni bërë zëdhënës të paimagjinueshëm të interesave më të mprehta kriminale, sepse rrugët janë për t’u ndërtuar. Më falni, pa dashje ose me dashje, është puna juaj .

Tani të vijmë te prokuroria. Ajo thirri zyrtarët e parë, më dëgjoni, zotërinj deputetë; a ka moral njerëzor mbi tokë, a ka moral shoqëror mbi tokë, a ka moral shtetëror mbi tokë, të marrësh të pandehur sekretaren tënde, se të ka përgatitur fjalimin e deputetit? Po, a mund të ndodhë kund, t’ju them juve me sinqeritet, pyes: Ore pse e thirrën atë, se njëri prej tyre e dija që nuk ishte marrë kurrë me rrugën? Ai ka pasur të bëje vetëm me Telekomin. I pyes, pse e thirrën atë? Cfarë pati ai, se nuk ka asnjë lidhje? Atë e thirrën për t’i komunikuar akuzën:“I pandehur”, se ke iniciuar vendimin e Këshillit të Ministrave. Dëgjoni, or miq! Po, të arrijmë deri këtu, ky është fundi i një institucioni. A mund të merret e pandehur kjo vajze, se shtyp ato që themi ne? Me thoni ju mua, si i bëhet me një moral të tillë? I thotë prokurori se ke iniciuar vendimin e Këshillit të Ministrave, që ka pasur pasoja. I kthehet ky dhe i thotë: “Shiko, dëgjo, ti prokuror se je edhe jurist. E para, ti duhet të skuqesh nga kjo që më thua, se si mund të më thuash ti mua, të marr të pandehur se ke iniciuar vendimin? Po, po e lëmë mënjanë këtë; pa më thuaj pak pasojat, cilat janë ato?” Ai u zbeh, desh i ra të fikët të ziut, absolutisht.

Zotërinj, veprat e mëdha janë vepra të mëdha dhe serioze. Në qoftë se doni, urdhëroni dhe krijoni komision hetimor parlamentar. Urdhëroni, t’ju japim çdo dokument që të deshironi! Urdhëroni, të paguajmë për ju ekspertët më të mirë ndërkombëtarë që të mbikqyrin projektin. Gjerat serioze kërkojnë përgjigje serioze; ato nuk mund të bëhen objekte kafenesh. Nuk mundet që me xhahilë t’i kundërvihesh kompanisë që ka inxhinieringun, ndoshta, më të mirë në botë. Të mos bëjmë gjëra të tilla. Keni dyshime, hajdeni të dashur, krijoni komisionin, futuni, gjeni ekspertët ndërkombëtarë më të mirë, i paguan qeveria një për një; të bëjnë studimin e projektit, të bëjne hetimin e projektit, por nuk bëni mirë që përbaltni, sepse ky projekt është me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse ka një vlerë të jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë e Jugut, Maqedoninë Perendimore. Pra, ky projekt lidh Durrësin me Korridorin 10, fuqizon Vlorën, Shëngjinin dhe të gjitha portet shqiptare.

Ku i gjetët ju akuzat? Vazhdoni, por unë nuk hyj fare në

çeshtjet e patriotizmit, sepse ajo është çeshtje e secilit. Një gjë dua të them: unë po të kisha qenë si ju, do ta kisha mbyllur gojen. Jane dy gjera: nga 250 milionë dollarë që inkasuat me taksën e zotit Majko, nuk shpenzuat qoftë edhe një milion për të bërë projektin, nuk shpenzuat qoftë edhe 500 mijë për të bërë studimin e fizibilitetit. U thatë shqiptarëve se për 5 vjet do ta ndërtojmë rrugën, u thatë paguani. Unë nuk iu thashë të paguajnë fare, nuk e ktheva taksën, por po e bëjmë rrugën. Rrugën po e bëjmë. Tani do ta mbyll duke ju garantuar ju se rrugën do ta bëjmë; do të bëhet edhe Rruga e Arbërit, do të bëhën të gjitha rrugët, të cilat e lidhin këtë Shqipëri me të gjitha vendet. Do të bëhet rruga e Konispolit, do të bëhën të gjitha rrugët që e lidhin këtë vend me vende të tjera.

Natyrisht, nuk mund të them që nuk ka përparësi të madhe Kosova dhe dëshira që ai vend në pavarësinë e vet të mund të ketë akses në det. Kështu që, çfarë ju mbetet ju nga kjo histori? Ju mbetet një shije e mjerë. Bëhuni seriozë! Doni hetim? Ju ndihmoj unë të hetoni. Doni hetim? Sa e doni fondin? Qeveria ju jep fondin. Doni 1 milionë dollarë për të kontraktuar ekspertët më të mirë të Europës? Merrini! Çojini te “Bechtel” – i, por me “Bechtel” – in nuk bëni mirë. Siç e dëgjuat, nga “Bechtel” – i, në një debat televiziv, u kalua tek ujesjellesi i Leklit. Tani nga “Bechtel” – i kalohet tek apartamenti i ministrit. Së pari, dua të theksoj një gjë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së sot ka nismën për të sjellë në Kuvend ligjin për kufizimin e imunitetit për korrupsionin. Kam marrë vesh se e keni mbështetur, ju kam duartrokitur. Urdhëroni, ta votojmë që sonte dhe të jeni të bindur se i bëni një shërbim më të vërtetë të madh vendit. Ndaj dhe ju ftoj të votojmë ligjin “Për kufizimin e imunitetit”. Për sa u përket shpifjeve, trillimeve, akuzave, mund të them se ky ministër ka pasur një shans, një shans nga më të mëdhenjtë: ka marrë pjesë në grupin që ka bërë hetime për Milosheviqin, që ka mbledhur dokumentacionin muaj të tërë për të formuluar akt-akuzën kundër Milosheviqit. Kjo është një e vërtetë, e cila është e regjistruar, e dokumentuar.

Por ju, zotërinj, jeni të nxitur nga një mafie që nuk mori dot tenderat. Por tenderat nuk ishin për mafien. Tenderat ishin për kompaninë më serioze në botë. Dhe të më lexohet këtu gazeta, të përmenden proceset për“Microsoft” – in, unë mendoj se asgjë nuk lëkund në kredibilitetin e“Microsoft” – it një proces gjyqësor që i imponon atij kufizime të caktuara mbi bazën e një koncepti të veçantë. Sërish “Microsoft” – i mbetet gigant. Mos doni të thoni që ta përzëmë se u bë gjyqi? Mos do të thoni se duhet të përzëmë“Bechtel” – in pse shkruan një artikull një gazetë?

Ne e mirëpresim çdo komision dhe për çdo tenderim. Është pozitive që të hapen të gjitha tenderimet e qeverive. Tonat i keni të sigurta. Por do të hapim edhe dosjen e taksës “Majko”. Ku shkoi dhe ku avulloi? Para se të bëjmë këto, hajdeni të zhveshim imunitetin njëherë, të dalim si burra para ligjit! Por jo të gjeni tre vasalë, që akuzojnë ministra se kanë iniciuar vendimin e Këshillit të Ministrave, për turpin e tyre, se s’kanë ku të kapen në asnjë fjalë, në asnjë akt, në asnjë proces e vendim.

A jeni dakord që pas një ore ta votojmë ligjin për heqjen e imunitetit? Qejfi jua ka, por nuk jua mban.

(Fjala e Kryeministrit Sali Berisha, në interpelancën e kërkuar nga deputetë të Partisë Socialiste për projektin e Rrugës së Kombit, me 17 shtator, 2007).

*****************************

FAQJA E FALENDERIMEVE

Dhe në fund falenderimet e mia! Me gojën plot falenderoj të gjithë taksapaguesit e këtij vendi me kontributin e të cilëve u bë i mundur realizimi i Udhës, falenderoj ideuesit e saj, ata të hershmit që nuk patën fatin ta shohin dhe ideuesit e rinj që guxuan t’u japin jetë ëndrrave ndër breza. Kjo Udhë është vepër e popullit dhe kombit shqiptar, realizuar me mundin, djersën dhe kursimet e tij.

Njëmijë falenderime për ndërtuesit, mijëra puntorë e specialistë të“Bechtel & Enka”, “Geci”, “Graniti” etj., mbi të cilët u hodh jo pak baltë, por tash të gjithë pajtohen se ata me këmbëngulje e pa bujë kanë ndërtuar një vepër sipas standarteve europiane.

Falenderoj qeveritarët shqiptarë, veçanërisht Qeverinë e Dr. Berishës që vullnetin e saj e materializoi duke marrë përgjegjësinë dhe duke përballuar presionet e vështirësive financiare, presionet e dukshme dhe të padukshme dhe që brenda një kohe të shkurtër ia doli të shembë malin e pengesave. Për herë të parë metafora “dritë në fund të tunelit” u bë realitet dhe të gjithë kuptuam se përmes kësaj Udhe ne hymë në shekullin e ri krahas me popujt e tjerë të familjes europiane, me të cilët na pati ndarë dhunshëm nata otomane. Për herë të parë u bëmë krejt optimist se ne shqiptarët jemi të aftë të ndërtojmë çdo vepër sado komplekse dhe e kushtueshme të jetë.

Deri në vitet 1940, për të shkuar në Kukës duhej të udhëtoje ose nga Maqedonia, në Prizren e në Kukës, ose nga Mali i Zi, në Pejë, Gjakovë, Prizren e Kukës. Rajoni, mespërmes të cilit u ndërtua Udha e Kombit, ka qenë rajoni më i lënë pas dore, më i përbuzuri, më i braktisuri. Falë kësaj Udhe, ky rajon tashmë është i hapur për të gjithë, shqiptarë, serbë, grekë, bullgarë, hungarezë, rumunë, italianë etj.

Duke falenderuar për ndërtimin e kësaj Udhe në mënyrë të veçantë doktor Berishën, shpresoj të jem zëdhënësi i gjyshërve e i prindërve të mi dhe i qindra mijë shqiptarëve të braktisur në fatin e tyre në kurthin e maleve të begata që prodhonin minerale dhe dritë edhe për të tjerët, por edhe jo pak përbuzje e ironi pushtetarësh që pollën slloganin poshtërues të ndihmës për zonën e varfër verilindore. Dhe në vend të ndihmës reale sollën edhe dublantët komikë që shtuan varfërinë dhe kastën burokratike të regjimit komunist.

Falenderoj presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugovën, i cili, si vizionar që ishte dhe si udhëheqës që e donte fort vendin e tij, nuk reshti së kërkuari ndërtimin e Udhës së Kombit, udhë që i krijon dhe ofron mundësi Kosovës, kombit dhe gjithë rajonit.

Falenderoj gjithashtu të gjithë ata që kundërshtuan ndërtimin e Udhës së Kombit, sidomos ata që përmes medias shprehën lirisht mendimet e tyre. Falenderoj ata që ndërruan mendje, u penduan dhe u pajtuan me Udhën dhe ata që nuk kanë ndërmend të pajtohen. I falenderoj sepse ata më nxitën të bëj këtë libër. Pavarësisht shkallës emocionale, polemika ime është krejt miqësore e vëllazërore.

Kjo Udhë – Urë pohoi në emër të secilit prej nesh, se aty ku bukës i thonë bukë e ujit i thonë ujë është një Hapsirë shqiptare e Bashkuar dhe e pandashme. Miqtë tanë që mbështetën ndërtimin e saj e kuptuan aftësinë tonë përbashkuese në kushte lufte dhe paqeje. Kjo aftësi na ka shndërruar në faktor përcaktues për fatin e rajonit. Kemi flakur kështu rolin e viktimës së planifikuar të dëbohej e të çfarosej nga trojet e veta dhe po marrim në dorë gjithnjë e më shumë fatin tonë.

Diskutime të mëdha e sherrnaja për vepra të tilla do të ketë gjithnjë në vendin tonë. Me sa duket kundërshtitë, mospajtimet e mospëlqimet sa të natyrshme dhe të brendshme edhe për një kohë do të nxiten nga duar të huaja që kanë hartuar memorandume çfarosje dhe ende kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët. Mirëpo mbas sherreve të rastit pasardhësit do të kthjellohen dhe do të reflektojnë duke u kujtuar për këtë Udhë që nuk zbriti nga qielli, por ua lanë trashëgim baballarët e tyre. Ata do t’i rikthehen kësaj kohe duke hyrë në sheshbetejën e fjalëve, shpifjeve, sharjeve, mallkimeve, do të shohin si ndërtuesit kombdashës kapërcyen terrenin e mjegulluar nga tymi i shashkave mediatike duke përshpejtuar ritmet e punës.

Përmes këtij libri shpresoj të kuptohet më mirë se sa llogje janë bërë në kohën e luftës për Udhën – Urën e Kombit, sa nerva janë acaruar, sa qejfe të mëdha e të vogla janë prishur, sa buzë janë shtrëmbëruar, sa armata e taborre shpifësish, kundërshtarësh janë inkuadruar e motorrizuar kundër saj. Shpresoj gjithashtu të ndriçohet një e vërtetë me shumë vlerë për sot dhe nesër : Kjo udhë u bë shkollë për shqiptarët. Shkollë për ndërtuesit shqiptarë, shkollë për politikën shqiptare, gur prove për aftësitë dhe guximin tonë. Ajo do të na japë gjithë besimin e duhur se nuk ka gjë që nuk ndërtohet në këtë vend, mjafton të arrihet vullneti i duhur i vendimarrësve. Tash që u shemb muri shqiptar i Berlinit dhe u ça mespërmes mali i Rrunës me një tunel 11.6 km, që duke lidhë Mirditën me Lumën, lidh edhe pjesët e ndara të kombit, tuneli përmes

Kërrabës për në Elbasan duket një shaka e vogël, ngjan me një punë dukshëm më të vogël.

Udha e Kombit (epo e tillë është, mos i rrudh ende buzët ti kundërshtar i vogël…) na mbushi me optimizëm, me besim dhe shpresë.

Gjithkush e di dhe beson tani se edhe pse vërtetë në këtë vend janë bërë e bëhen edhe plot gjëra të gabuara ose të nxituara, edhe pse bëjmë e nuk bëjmë gjëra të vogla, jemi tani në të drejtën tonë e të Zotit të besojmë se këtu bëhen e mund të bëhen edhe gjëra të mëdha, punë të mëdha, nga ato që mund të bëhen një herë në njëqind vjet, siç është kjo Udhë – Urë që nuk e bashkon vetëm politikisht e administrativisht kombin shqiptar, por e bashkon shpirtërisht duke i afruar njerzit e një gjuhe e një gjaku, duke ua shkurtuar kohën dhe rritur komoditetin për të shkuar tek njëri – tjetri.

Kjo Udhë në fund të fundit tregoi forcën e shtetit shqiptar. Ajo është përmendorja e fuqive dhe aftësive tona.

Urime të ndjera zemre do të marrë përjetësisht Udha e Kombit nga gjithë biznesmenët shqiptarë e jo shqiptarë, nga gjithë prodhuesit shqiptarë e jo shqiptarë që synojnë treg rajonal, nga gjithë banorët e bregdetit shqiptar, për të cilët u çelen mundësi të mëdha, nga të gjitha periferitë e qyteteve shqiptare që do të dinë të krijojnë një agroturizëm të lakmueshëm.

Do të urojnë përjetësisht njerzit e çdo profesioni, rrace e kombi që do të kalojnë këtej pari. Kjo është Udha që do të paqëtojë rajonin. Edhe serbët që e kanë lakmuar përjetësisht detin Adriatik do të kenë mundësi të vijnë paqësisht nëpër Udhën e shqiptarëve, të cilët do të kenë mundësi gjithashtu që përmes Beogradit të shkojnë drejt Europës Qëndrore.

Udha krijon kushte e mundësi më të mëdha për të begatuar krejt vendin, që të mos e braktisim më, të mos e shkretojmë me ikje e ikje pafund. Mundësi punësimi shtohen, mundësi të mbërritjes lehtë te tregu shtohen. Ajo Udhë besoj do të ndikojë të na shtojë si shqiptarë, që të vijë dita të bëhemi më shumë brenda Hapësirës sonë në Ballkan se sa jemi të derdhur drejt zhdukjes në shtete të tjera për të rinuar e zdrrallur kombe që plaken me shpejtësi, për të mos u shndërruar në material gjenetik e biologjik për të tjerët.

Falenderoj ngrohtësisht redaktorin e këtij libri, mikun tim Izet Duraku, i cili për këtë libër, më shumë se për shkrimet dhe librat e tjerë të mitë, më ka kushtuar kohë, mund, përkujdesje, vëmendje të madhe, më ka nxitur të shtoj forcën e thellësinë e argumenteve.

Nderim dhe mirënjohje të thellë dua të shpreh për një grup intelektualësh të nderuar, miq të mi dhe miq të Udhës së Kombit, nga Vlora, Kavaja, Durrësi, Tirana, Elbasani, Kruja, Mirdita, Dibra, Puka, Kukësi, Hasi, Tropoja, Gjakova, Prishtina, etj, që u solidarizuan me mua dhe falë kontributit e ndihmës së tyre financiare u mundësua printimi i këtij libri. Faleminderit!

Falenderoj fëmijët e mi, familjen time, miqtë dhe të afërmit e mi, që më kanë mirëkuptuar pse ju kam munguar teksa merresha me këtë libër.

Falenderoj përzemërsisht gjithë miqtë e përfshirë në Apologjinë e Miqve si bashkmendimtarë që më kanë frymëzuar dhe më kanë mbushur me dashuri e besim. Faleminderit të gjithëve! Edhe atyre që i njoh përsonalisht edhe atyre që nuk i njoh nga afër.

Rexhep Shahu

Tiranë, prill, 2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *