NJË BEFASI E KANSHME!
Pjeter Jaku
Afër dy muaj më parë i kisha nisur Dom Fred Kalaj në mesenger videon e një predikimi të Dom Vlash Palaj në Kishën Katolike të Shkodrës! Më kishte pëlqyer shumë! Një predikim, sa filozofik, aq edhe moral e i kuptueshëm nga gjithëkush! Të kapësh tema të tilla, e ma e mira t’i trajtosh bukur e në funksion të një mesazhi, është art i rrallë komunikativ, që jo të gjithë predikuesit e kanë këtë aftësi!
Një ditë më parë, nëpërmjet face book, mësova se Dom Vlashi kishte ardhur në Michigan dhe do të ishte në meshën e së dielës, në Kishën e Shën Palit, në Rochester Hills! Thashë me vete: Sa mirë ma paska plotësu deshiren Dom Fredi!
Në mëngjes herët i shkrova Dom Vlashit se kisha deshirë ta takoja, para meshës së drekës, që fillonte, si zakonisht në orën 12:30.
Në hollin e Kishës, para sallës së meshës, Dom Vlashin e kishin rrethuar një grup besimtarësh, sa po vonohej për shërbimin, pasi të gjithë donin ta përshëndesnin dhe falenderonin! Mezi gjeta një sekuencë të lirë për ta takuar! Kur më tha se pasneser do të kthehej në Shkodër, nuk më erdhi mirë!
Dom Vlashi, në predikimet e tij, i cilëson ngjarjet me ton dhe ndjenjë, si fatëkeqësi që besimtarët i përjetojnë me vuajtje jo të nevojshme! Ndaj, të vërtetës që vë në dukje Dom Vlashi i shkon shumë thënia e Aristotelit: “ E vërteta është njëkohësisht e hidhur dhe e vlefshme.”
Bash verën e këtij viti, në mesin e korrikut, muajt më të begatshëm, me ngjarjet e hidhura të Thethit, Dom Vlashi u ba shumë ma i njohur, për deklarimin publik dhe të guximshëm të së vërtetës, që ndodhi me banorët e pafajshëm të Thethit: “ Më vjen shumë keq për ata njerëz të shkretë, sepse i joshën, i rrejten, i blejtën, i shfrytëzunen, i vjelën për nga ana monetare dhe në fund i hodhën, i tradhtune, i dogjën, i shkatrrun, do t’ i gjobisin e do t’i burgosin!”
A ka të vërtetë më të hidhur e dalë nga goja dhe mendja e një predikuesi të palekundur, kur ngjarjet antinjerëzore të Thethit i shihte dhe dëgjonte gjithëkush e, që për fatkeqësinë e tyne, i përjetonte një pakicë, që duhet mbrojtur nga dikush! E ku do ta gjëjmë këtë dikënin, ma shumë se te njeriu i Zotit?!
I dogji kjo thënie kryeministrit, kjo e vërtetë publike, ndaj u shpreh: “ Nuk është punë e një prifti të merret me vendime qeverie.”
Me punët e mbrapshta të qeveritarëve, është obligim i çdo qytetari, aq ma tepër i një shërbëtori të denjë, siç është Dom Vlashi!
Besoj se me Dom Vlashin, do të kemi një bisedë më të detajuar, për Revisten Kuvendi!
Meshën e ndoqën qindra besimtarë, me shumë vëmendje, ku në mesin e tyre ishim dhe unë e Martin Gjoci!
I urojmë ta ketë kryer me sukses misionin për të cilin kishte ardhur në Michigan, mundësimin e ndihmës për të rinovuar Katedralen e Shkodres, ( Kishen e Madhe), pasi prej vitesh nuk ishte vënë dorë në të!
Fotot: Martin Gjoci
Richester Hills,
23 Nëndor 2025



