Poezi nga Prof. dr. Zejnepe Alili Rexhepi – Tetovë

Më shumë se shpërfillje

Flokëshprishur pas shiut…, gjysmëdehur
e ëndërronjës më vjen.

Nën balluke të del shikimi i mprehtë
si smerald ndjellës,
përtej vrojton jetën e lodhur
që bart si relikt dhoma me vetmi shekujsh.

Heshtja flet për trazimin e motit
si apostujt në pikturë ngujuar.

Sa herë që era ta shpërprish ëndrrën,
strukesh në shpirtin tim
që të bën vend miqësisht!

Sërish mbetesh eremit i dalldisur,
gojëkyçur si mister,
shpërfillës në trishtimin tim.

Ike larg ku s’të zë shikimi i zjarrtë,
në eshkë dhimbjesh të shndërroi heshtja.

Intuitë gruaje

Papritur erdhe si yll i rënë nga qielli,
atë kohë kur e rëndë qe stina
në shtjellë ëndrrash vezullove.

Parajsë e ferr si në rrugëtimin e Dantes
përshkove kujtimet, por jo dhe mallin,
në shpirt endet imazh i lodhur
në ikje, ashtu si ardhja e papritur.

As bota nuk bie në harresë pa ty
me dhembjen që s’pran këtë çast,
sërish vjeshtë, sërish stuhi!.

Sa do të doja kjo vjeshtë të ishte në ikje,
tekdo ka hedhur brerimë malli e pritjeje,
në arenë dyluftimi lëvaret ëndrra…
Midis saj: një Njeri a Perëndi?!

Me arsyen X

Si qiell i kthjellët pas shplarjes nga shiu
derdh vështrimin ngrohës
mbi shpirtin e rrahur në breshërimë…
thellë meje,
jeta bëhet diell e dielli ndjenjë.
Bota më përket mua asokohe!

Më flet për parajsën,
mrekullitë e luleve me butësi mëndafshi,
fjalëmagjish të ëndërrta
këto puhiza ritmesh mbi hijet e pritjes.

Kristale malli ngrin në sy,
lehtas mbi to u derdh përmallimi
vegime dhembjesh u dukën po aty
se ëndrra e brishtë s’më solli tek ti.

Qelibar i flakëruar nga zjarret e shpirtit
digjesh fill midis petalesh të kuqëluara,
tek nisesh mendueshëm, në ikje…
mbi të zhubrosurën letër
hedh xhevahire ndjenjash…
Si gotë vere të zbrazet shpirti!

Vjeshtë në sytë e tu

Vjeshtën e parë si përhidhej
mbi supe tek çapitej e ndjeva,
kur ca gjethe lehtësisht binin
në të zhuriturin shpirt…
trazonin ëndrrat rubinore,
një gjeth s’dorëzohej, me ndjenjë purteke
drithërimash strukej në timin kraharor,
animizëm i disbalancit tënd ndjesor.

Shoh sytë e tu të ullinjtë
si flakërimë, lëngëzuar janë
grimca admirimi përçojnë
në mua, behari syth lëshon…
Kjo mjafton!

Një çast, më duhet të rimarr veten,
të grisurat mendime t’i flak tej,
të ndiej cazë diellishtën!

E, kësaj pranvere lozonjare
që vjen e brishtë, e ndrojtur,
t’i pëshpërit: “akoma ka dashuri”!

Ti e kupton, se jeta unazore është.
Në përkalime të ylberta përjetimesh
e ruan shikimin e syve të ullinjtë
që përjetshëm diellzohen…
Dhe e di!
E ndjej…
S’ka më vjeshtë në sytë e tu!

Duhet të kesh dëgjuar sa mall lë shiu

Në legjenda dashurish, dhembjesh e mëkatesh ngarkuar
për çaste kotësie me kohën fundosur,
shumë vite zvarritur në Katedralen e Parisit
valsit të zemrës i zbehet melodia, si (ç)ngjyrimi i tingujve.

Atëbotë, duhet ta kesh ndjerë mallin e shiut!

Sa demoniake kjo kujtesë stinësh të largëta
që pushtohet nën virgjërinë e natës yjëzuar,
me delikatesë hiresh të asaj gruaje të panënshtrueshme,
derdhen mëkate homazhesh të sajuara.

Loti shtegton me dhembjet, në largësi miljesh të pamatura.

Estetikën e shpirtit e (zh)varrosje…, edhe pa puthje malli peshon,
kokën e rënduar e mënjanoje si pelegrin i devotshëm
se Ema* ta trullosi imagjinatën dhe iku…, nga kjo botë!
Ti, eremit i penduar, riendesh rrugëve të Parisit.

Pa e vrarë mendjen sa rëndon malli i shiut!

Në kambanore katedralesh jep kumtin mashtrues,
ditëve me shi kur malli ta shton trishtimin,
rizgjimin e ndjenjave në eliksire zjarrmish
e derdh mbi pellgje lotësh të një gruaje.

Patjetër të kesh dëgjuar sa mall lë shiu…!
Çuditërisht, nuk lodhesh as në ndërrime stinësh
të ecësh në vetmi jete si kryqtar i penduar,
pasi e di se sa e trishtueshme është harresa.
Harresa! Kjo aleate e dashurive të lodhura.

Sa kujtime vitpritjesh, kur të gjata janë stinët e shiut?!

Dhe dimri po ikën

Ca ditë ruazore vargëzohen në mua
kur marsi të trokasë në portë
pranverash, e mbase ky behar
ka zjarrin e akullshkrirjes
mbi ngricën e zemrës sate!

Ti hesht…
e akoma s’dukesh gjëkundi.

Në grimca malli t’u ndrydhën ëndjet
pranverave të hareshme më le
të shtegtoja e vetmuar ditëve të hirta,
shpresëhumbur
në imazhet e përthyera.

„Më mungon“ si kurorë fjalëyjesh
me ato të ëmblat tua pëshpërima
për dashuri…
për ne të dy,
harruar ecejakeve të kohës.

Pres t’më vish si një yll nga qielli shkëputur
a ndonjë grimcë meteori që sfidon rrëmbimthi
mungesat e mbrëmjeve të lodhura
dhe lutjet e mëngjeseve të brishta.
Më mirë me heshtjen tënde, sërish joshëse…

Edhe ashtu, dimri po ikën!

Ç’ne ky trishtim

Këto ditë të brishta vjeshte
si duhmë ditësh fanfare…
dua të vërtetën mbi ndjenjën tënde
qoftë shpërfytyrim imazhi violine telkëputur.
Në këtë parandjenjë lodhëse,
të vakëta më janë ditët.

A ke mendim tëndin vallë, apo trishtimi
në shpirt të derdhet si shtrëngatë?!

Si rruzare përgjërimesh tek shuhet mëkati
shikimet ziliqare ta këpusin shpirtin
dhe jetën, si ditët e perënduara të Lorkës.
Luzmat e shpirtit mavijosur janë
ngjyer në trishtimin e stories tënde
që përvidhet hireve të jetës sime.

Varkëza ndjenjash të fundosura…
Ç’ne ky trishtim derdhur në oqeane lotësh?!

Poshtë lagjes, ecejaket tona të lodhura
mbi kalldrëme përshkohen, në dhembje ditët
numëruar prej vitesh në rrugën 180, kur
humbëtirave pështillje pikëllimin
që dremit mbi qepalla,
gjersa ethet dhe koha miqësohen.

Simfoni e heshtur dhembjesh

Në ngjyrat e pajetë të stinës së vonuar
ndihet fryma e fundit e dashurisë,
në fytyrën e bronztë si portret hyjnie
zjarrmon shikimi i qelibartë, klithje
dhembjesh lexohen tok me lundrimin
në ujërat e pashtershëm të jetës…

Në pragun e amshimit, si emblemë dhembja
mbështjellë në mua si këngë pikëllimi.

Erë malli bie fundi i heshtjes!

Nisesh… si kalorës legjendash, në fluturim
si mbi re lëshuar me flatrat e shpresës
për çastin e lindjes së yllit si dritë zemrash
me bardhësi hyjnore mbi lundrën e fatit,
ditën që erdhe me hir perëndish
sa net të pikëlluara kanë ikur.

Me penjtë e kohës arnojmë fatin e copëtuar,
nuk e di më, në duhet të qesh a duhet të qaj!

Bie erë malli fundi i dhembjes!

Heliografe malli

Nisesh larg, në udhë të gjatë pa kthim
me trishtimin sysh ngarkuar,
si valixhe brengash – më thua,
të joshet loti nëpër natë!

Në pikëllim qesh tretur unë!

Yjet përgjumen në pritje buzëqeshjesh
përtej çdo ëndrre mashtruese,
misteret mbyllur nën magji legjendash
enden si fije të pritshme fatesh.

Buzëqeshjen ku e humbëm?

Era fryn si për mot, gjithandej në xixa malli
fosile kujtimesh trazon, me ato ngjyrë bordoje
prek mallin nga afër që më bart tek ti…
me dridhma gishtërinjsh si flakë shandanësh.

Në ç’shteg përvidhet dashuria?

Shkëmbyem dy-tre shikime të ftohta
si kristale bore mbi liqene dashurish,
veç e zjarrta puthje mbi buzë më mbeti
as era e furishme, s’e mori, s’e treti.

Ah, kjo dehje amshimi si heliografe malli!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *