Poezi nga NIKOLL LOKA

Nikollë Loka poet dhe historian i arsimit. Lindi në 25 Mars 1960. Arsimin 8-vjeçar e vazhdoi në Sang të Fanit në Mirditë, ndërsa arsimin e mesëm pedagogjik në Tiranë. I diplomuar në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës(1983); studimet master në pedagogji në Universitetin e Tiranës(2007); doktoraturë në Histori arsimi në Universitetin e Tiranës(2021). Ka punuar mësues dhe drejtues në shkollën e mesme Klos-Mirditë dhe mësues në gjinazin jopublik “Drita e dijes” në Tiranë. Aktualisht drejton Institutin e  Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli” me qendër në Tiranë dhe është lektor i jashtëm në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. 

Nikolla shkruan poezi dhe publiçistikë. Autor i nëntë vëllimeve poetike në shqip dhe i tre vëllimve poetike në italisht(dy prej të cilave me bashkautor). Përveçse në shqip, poezitë e tij janë publikuar në revista letrare në  italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht dhe suedisht. Fitues i disa çmimeve letrare brenda dhe jashtë vendit.

Deri te ëndrra jote

Deri te ëndrra jote,
ngjitem
me fluturimin e zogut
në shtatë bjeshkë hirëplote.
Çlodhem
në shtatë lëndina shprese,
dhe vij
te hija jote
e të ulem mbi vetull,
pa të prekur,
qerpikhënë e bjeshkës.
Ndalem
ta prek ëndrrën,
dhe pi etje me ëndje.
Ndiej
se më tradhton loti,
kur ma përcjell
fryma jote
akullin që shpirti
ka brenda.

Përtej kohës…

Përtej kësaj kohe
që rrjedh e fshihet,
përtej të sotmes
… që bëhet e djeshme,
përtej të nesërmes
që plaket para syve,
përtej kësaj ore
që lëshon
pjalm ndjenjash,
përtej këtij minuti
që luan
valse ëndrrash,
përtej sekondave
të kaltra të zemrave,
përtej kësaj tërheqje,
që zbret
në arterie e shkrihet,
është koha
që ndal në pikën zero.
Një ëndërr
që na përsëritet
ditë pas dite.

Përmbytur nga një ndjenjë

Qiellin tim vesh
një re që sjell shi.
Shpirtin
ma tret era që fryn.
Me vështrimin tënd,
ringjallem,
ndoshta rizgjohem
ndoshta fle….
A ndihem më mirë unë
apo ti!

Je ti një horizont,
që lëviz
në pak hapësirë.
Një hënë e plotë,
që del ditën për diell.
Më djeg me një shikim
e më rrëmben me një brengë,
por shpirtin ma fsheh,
nën një qiell të ngrirë.
Në një mëngjes përtac,
dhe shpirti im
s’mundet të flasë,
përmbytur nga një ndjenjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *