Sa herë jam në fluturim, kam ndjesinë e nje çlirimi të brendshëm, kënaqësinë, etjen për të njohur vende të reja, për të takuar njerëz të dashur, dëshirën për t’u shkëputur pak nga realiteti jo fort i këndshëm e për t’u përqëndruar gjatë fluturimit tek vetja, t’i flas vetes e të gjej brenda meje atë frymëzim që duket ndonjëherë se përgjumet dhe pret shkëndija të tilla për t’u ndezur. Sa nevojë kam për këtë dehje të ëmbël, për këtë zgjim të butë që më çon në vende të mrekullueshme reale ose imagjinare që unë të mbushem me frymëzim e pastaj të shprehem në poezi. Sot po fluturoj drejt Miçiganit, tek Kafe “Kuvendi”, tek miqtë e mi Pjetër Jaku dhe Elinda Marku, tek të cilët tashmë jam mësuar të trokas me krijimtarinë time e të mbledh dashamirësit e letërsisë tek ajo sallë shqiptare për të promovuar krijimtarinë time. Kështu ndodhi në muajin shkurt të vitit 2015, kur unë promovova librin tim me poezi «Heshtje e kthjellët», botuar në shtator të vitit 2014 nga shtëpia botuese «Dudaj».
Ai promovim dhe festa e asaj mbrëmjeje do të mbeteshin gjatë në kujtesën time. Nga ky event do të kishte zanafillën miqësia ime me Pjetrin dhe Elindën duke qenë e ftuar dhe duke u bërë pjesë e disa aktiviteteve kulturore të organizuara nga Kuvendi, “Ditët e letërsisë shqipe”, në Miçigan.
Jam vlerësuar disa herë me çmime prej Kuvendit: Çmimi “Gjergj Fishta” Çmim Mirënjohjeje për pjesëmarrjen në aktivitete të ndryshme organizuar nga “Kuvendi” Çmim special per publikime cilesore dhe promovime me Revisten Kuvendi si dhe së fundmi, në vitin 2020 çmimin e parë në poezi, me librin “Botën ta prek”, botuar nga shtëpia botuese “Polis”, në shtator të vitit 2020.
Pandemia ka kushtëzuar shumë aktivitete kulturore, udhëtime, përditshmërinë tonë dhe evente të ndryshme. Së fundmi autoritetet amerikane vendosën të hapin kufijtë e mbyllur pothuaj qysh në fillim të pandemisë, me disa kushte mjaft të rrepta. Këtë nëntor po udhetoj nga Franca drejt Miçiganit për të promovuar me shqiptarët e atjeshëm librin tim të fundit me poezi, “Boten ta prek”.
Duhet të theksoj se një promovim i tillë është bërë edhe në qytetin tim të lindjes, në Maliq , organizuar nga Bashkia Maliq, nga Drejtori i Sektorit të Kulturës Festim Tomori dhe me shumë dashuri janë recituar poezi nga Mjeshtri Dhimitër Orgocka, pak kohë para se ai të ndahej prej nesh, duke më lënë kujtime të paharruara nga ai promovim, edhe pse nuk munda të isha e pranishme.
Gjithashtu mora vesh lajmin e mirë se libri im “Botën ta prek” do të prezantohet në Panairin e Librit 2021, nga shtëpia botuese “Polis”, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Nuk do të lë pa përmendur që, në Miçigan jeton një komunitet i madh shqiptarësh dhe prej tyre një numër i konsiderueshëm shqiptarësh nga vendlindja ime, Maliq. Njerëz, për të cilët kam mall, respekt, sepse në atë qytezë të vogël të gjithë njiheshim, respektoheshim si lidhje familjare, fëmijërie… Të gjitha këto lajme të mira për librin më ngrohën shpirtin dhe më bënë që atë pak ankth të situatës së vështirë që po kalojmë, ta përjetoja krejt ndryshe. Nga Franca kisha komunikuar shumë me Pjetrin, Elindën, Elonën e përkushtuar për organizimin e këtij aktiviteti deri në detaje.
Dita e promovimit, erdhi! Shkoj pak më parë për të takuar Pjetrin e Elindën dhe për të ofruar pak nga ndihma ime modeste, edhe pse gjithçka dukej tashmë gati. Pak nga pak ajo sallë e vogël dhe modeste filloi të mbushej me ardhjen e atyre njerëzve, të cilët kishin preferuar jo shplodhjen si ditë e shtunë, por të ishin me mua, të ndanim së bashku poezinë, kryefjalën e asaj mbremjeje, dashurinë, mallin dhe nostalgjinë për vendlindjen, Maliqin dhe atdheun tonë, Shqiperinë kaq larg nesh, por kaq pranë zemrave tona. Më nderuan me pjesëmarrjen e tyre: Konsulli i Nderit, biznesmeni i suksesshëm z. Ekrem Bardha, aktori Arben Dervishi, shkrimtari e poeti Zef Pergega, poeti pogradecar Ylli Çela, Elona me familjen, familja e Mamilit ( bashkëshortja dhe vajzat), familja e Milit së bashku me të bijën, Matildën, shoqja ime e Universitetit Ardiana me bashkëshortin Gentin, Anxhelën dhe Gjergjin etj. etj. (të më falin ata që kam harruar pa përmendur, por ju siguroj që jini me mua në mendjen dhe në zemrën time).
Nuk mungoi edhe prania e Kanalit Televiziv për të filmuar atë aktivitet e për ta transmetuar në televizion për disa ditë rresht. Secili kishte përgatitur diçka për të folur, për të recituar dhe emocionet ngjiteshin lart duke më shtrënguar ndonjeherë edhe gjoksin, grykën e pastaj si padashur shkëputej ndonjë lot emocioni dhe mallëngjimi. Sot duket sikur poezia ka mundur Covid-in dhe ne të gjithë së bashku, thotë Elinda. Mirë se ke ardhur Enkelejdë, – thotë Pjetri dhe të ftuarit. “Botën ta prek”, recituar nga Dhora në atë kohë të zymtë të karantinës, mundëm ta dëgjonim në sallë nga YouTube dhe u duartrokit shumë nga të pranishmit. Mikrofoni kalon dorë më dorë e secili shpreh fjalë zemre, fjalë shpirti. Nuk e di si kaluan ato orë, ajo kohë mes poezisë, mes bisedave të këndshme plot mall, nostalgjisë, por di të them që ajo mbrëmje ishte e imja, ishte e tyre, ishte e jona! Ishte mbrëmje e “Botën ta prek”! Ju falënderoj miq, shqiptarët e Amerikës!
Drejt Francës do të iki me dashurinë tuaj, me mallin dhe dëshirën për t’u rikthyer për evente të tjera!
ENKELEJDA KONDI