Poezi nga Rudina Muharremi Beja

Ndryshk!

Çirret rëra pa reshtur
plugjet e hekurt kanë gjithmonë uri-etje
e duar të padukshme ujdisin netëve dantellat e deteve,
ndërsa mokra e sëmurë
Bluan pa pushim, bollgur…
Gërxhe e brigje pa fotosinteza,
shpalosur në pergamena,
si trofe me vlera…

Ndërkohë pikëllimi tej, thellon hone,
mjerimin, gremis morisë së turmës
e territ që bie,
mbi shpinë i hedh një mal harresë…
Ka ftohtë një nënë,
sëpatën oborrit të lagësht
e ha ndryshku!

Ka ikur biri…
e një fëmijë që ka uri,
mjekërdridhur mezi mban një lot
që varet kërcënueshëm e më tremb
e me ca sy që shpojnë, ndizen e lypin dije…

Njerëzia …
ah, njerëzit,
Vëmendshëm vrojtojnë erën,
nga të kthejnë gunën…
Fali Zot, se s’dinë ç’ka bëjnë!

Prag apokalipsi

Lëngon toka, braktisur prej Zotit e dashurive,
rënë duarve të lakimve,
të paskrupullta e të padukshme,
që betejën e kanë humbur me ndërgjegjen
e sot luajnë një lojë të re me maska.

Një tis trishtimi mbulon horizontin
E ashtu shtrihet syve tanë,
pasqyrë e asaj që strukim në shpirt…

Rënkon dhe deti,
Nga vala e përjetshme përkundur piskamash…
Pa peshq e alga,
veç ujë që mbledh lumenj të njelmët,
e s’resht së lari mëkate!

Gjërat e rralla

Në fund,
të mëdhenjtë mbetën të mëdhenj,
të vegjlit, njëlloj.
U thelluan humnerat,
avionët krahët thyen,
direkë anijesh thërrmuan stuhitë,
u trembën dallëndyshet.
lavdia udhëtoi mbi shputa ere
pajtonëve imagjinarë,
ndërsa gjërat e rralla arna qepën bërrylave
e mbetën ashtu si një far,
nën vetullën e hënës!

VAJ NË TELAJO

-për nënën-

Symbyllur pikturoj portretin tënd, nënë,
e hapat magji më kumbojnë në mendje,
loti memec mbi buzë tek rrokulliset,
dhimbjen tek lidh me një fjongo shprese…

Shfaqet mbi telë imazhi yt prej ëndrre…

Si një Mona Lizë me syrin e zhveshur,
qepallat lodhur në të gjatët dimra,
pafundësi enigmash mbi buzën e heshtur…
Brymë përmbi flokë, brenda njëmijë ngjyra….

Frymon siluetë e imazhit tënd prej ëndrre…

Duart e arta bashkuar në lutje
tek pret alkimitë e filizave mbjellë
honit, monopatit, përtej oqeanit,
vetëm atëherë buzëqeshja jote çel.

Avitet ëmbëlsisht, imazhi yt prej ëndrre…

NË TRI KOHË

Nganjëherë,
përhumbej hapësirave
rrokullisur plasaritjeve të së shkuarës,
çelur stisjeve të stinëve të thata,
udhëkryqeve, ku çdo kah qarkullimi është i errët,
e nganjëherë,
në tablonë e së ardhmes,
ku shkëlqimi i roztë në pëlhurë mezi shquhej,
penguar grisë së reve…

Në mes qëndronte jeta,
ajo e vërteta…

Çapitet ajo pa zë ndjesive,
agut gjymtyrët ende pa shpirë,
drita këmbën sapo vënë në shteg,
mëngjeseve, ku trëndafili i vesuar shkëlqente,
e vështrimi i tij të mbetej mbi lëkurë,
rrezes që ngroh skajet më të fshehta të së tashmes,
ku lumturia flet përmes puhisë së erës,
e gjithçka përreth bëhet më e bukur.

KOHËVE TË HARRUARA

Mendime të turbullta vinin në mendje,
një shkëndijë që udhëtonte në krahët e një kujtese,
qenien e përshkoi,
e shkeli truallin e të kaluarës,
huazuar kohëve të harruara.

Belbëzoi,
dhe humbi në të tjera horizonte!

Ç’vend i rrezikshëm!
Plot me vendime që s’ mund të ndërrohen…
Yje që qiejt e mbrëmjeve vishnin,
valë të njelmëta trazuar lotit
e rreze që ditëve kurmin ushqenin…

Ç’vend i çuditshëm,
plot me fantazma e gërvishtje!

SHPIRTI IM

Shpirti im,
a i ndjen gjurmët e vitit që shkon
të festave që aviten me hapin e trishtë
përmes zhvendosjes ngjethëse të reve
athëtisë që udhëton me shputa ere
për të zbritur oxhakëve që vjellin tym
sofrave kërrusur në pikëllim
e rrëqethjes vizatuar në mornica,
teksa pema
përvjedhur nën një duhmë mjegulle
ndez dritat e përhumbet vezullimave
e rrek forcën e fundit të frymëve?

Shpirti im,
mos më braktis!
Mos u venit mbrëmjeve të kotura
tërsëllimës shurdhuese të thërrmimit të ëndrrave
as çjerrjes së heshtjeve,
shemb katakombet ku djajtë hedhin valle
e lyp agime pa dënesë
mos i tkurr krahët
murit të lartë të mjegullave,
mos u trishto mungesës së përqafimeve
as mpirjes së shqisave
mbyllur burgjeve me rrangullina
e xhama plot rrëzëllima,
atyre që vetë ndërtuam
me pragun më të akullt se kurrë…
Vish buzëqeshjen që për ty gdhenda
me smeraldë e lima
dhe frymën time,
e qëndro gjithmonë me mua!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *