MISTERI

Nga Muç Xhepa Bari. Muzg. Shpërthim i fuqishëm. Vila “Azzon” u shkund nga themelet. Xhamat e zyrës u thyen të tëra me zhurmë, të kërcitura. Majori rrëmbeu pistoletën dhe rendi jashtë. Porti ndriste nga flakët. Avionët gjermanë bombardonin anijet me një saktësi befasuese. “Si ka mundësi t’ju shpëtojnë radarëve të aleatëve?”, pyeti veten ushtaraku i shërbimit sekret. Edhe dy shpërthime të tjera. Njëri më i fortë se tjetri. “Janë anijet me municione”, mendoi ai dhe u kthye menjëherë në zyrë të telefononte shefin, Majorin Coon. Uashington. Majori Coon, komandanti i OSS-së për Shqipërinë, e kishte thërritur në zyrë.- Kam konsideratë të lartë për shqiptarët. I kam shkelur me këmbë bjeshkët e larta. Kam njohur malësorë trima. Kam bërë edhe shumë miq atje.Profesori i Harvardit e ftoi të ulej pranë tryezës. Kishte hapur një hartë ushtarake. Shqipëria. E vërtetë. Intelektualit njëzetetetëvjeçar i shkëlqyen sytë. Një valë gëzimi e përshkoi të tërin. Vështroi profesorin me admirim. – Luftëtarë ndër shekuj. Dëshira e Perëndisë që s’jeni zhdukur. Perandorive, që shkelën tokën tuaj, njëra pas tjetrës u humbi boja.Atë çast e desha profesorin më shumë se jetën time. Shqipëria e vërtetë… Hodha sytë në hartë. Ato mbetën të gozhduar tek emrat Sanxhak, Preshevë, Follorinë, Seleçkë, Grebenë, Prevezë… “Oh Perëndi!”, thirra me vete, “vonon por nuk harron!”.- Majori Post, humbët mbi hartë. Misioni që ju kemi ngarkuar është tepër i rëndësishëm, – zëri i tij m’u bë qiellor. – Nesër do të filloni një kurs intensiv. Në periferi të Uashingtonit. S’kisha ndjerë gëzim më të madh në jetë. Do të luftoja krah për krah Amerikës për çlirimin e Shqipërisë së vërtetë. Atdheun e shqiptarëve që kur Perëndia kishte krijuar njerinë.Uli receptorin. Duhej të nisej pa u gdhirë me motoskaf. Zbarkimi do të bëhej te gjiri i Sarandës. Filloi përgatitjet. Gjërat më të domosdoshme. Fund tetori. Lundrimi s’kaloi lehtë. Det me dallgë. Kur arriti në tokë, Saranda ishte zhytur në errësirë. Qëndroi një javë. Mori udhëzimet e duhura dhe shkoi në Berat. Te Komanda e Përgjithshme u takua me Sejfulla Malëshovën, Ymer Dishnicën… Enver Hoxhën. Mësoi se komunistët e kishin shitur Kosovën dhe po përgatiteshin të bashkoheshin me Jugosllavinë. U dëshpërua thellë. E kuptoi se kishte të bënte me një tufë ujqish që po shqyenin atdheun. Për ta larguar, Enveri e dërgoi në Tiranë duke udhëzuar ujqit atje, që këshilltarin politik pranë Misionit Amerikan ta mbanin nën survejim. Mehmet Shehu e caktoi pranë Brigadës IV, ku edhe tentoi ta eliminonte fizikisht.- Drita nesër do shkoj në Pojan, nëse ke diçka për të blerë më thuaj.- Llazi mirë që më kujtove. Do të vij edhe unë me ty.Drita Kosturi kishte vite e internuar në fshatin Shtyllas. Njërin prej Gulagëve shqiptarë. Ndërsa Llazi Papapostolin e kishin sjellë nga ferma e të internuarve “Çlirimi” të Fierit. Jeta për shqiptarin e madh, patriotin “Larry Post”, që kishte lënë Amerikën për të penguar pushtimin komunist, kishte filluar të merrte një rrjedhë tjetër. Pas dhjetë vjet burgimi të rëndë, ku tetë prej tyre në izolim të plotë, varr betoni, ai kishte mundur të ndërtonte një familje të mrekullueshme me bashkëshorten Liza dhe dy fëmijët e tyre engjëj, Gresi e Rudi.Liza, vajza e bukur, si “Jonne”, portreti në vaj i piktorit anglez Schofield, ra në dashuri me shikim të parë.- Nënë, Llazi m’u duk shumë i edukuar.E ëma u gëzua. Ishte hera e parë që e bija i fliste me admirim për dikë. Ishte rritur ashtu pa u kuptuar. Mes hallesh.- Inteligjent, Llambro e ka njohur nga afër në burg. Prandaj dhe i dha leje të na vizitojë.- Amerikan. Ashtu i kam parafytyruar. Të gjatë, të pashëm. Mbitokësorë. Llambro, sa shumë më ka marrë malli. Vëlla edhe në ferr mendon për ne. U afrua pranë dritares. Mëngjesi largohej bashkë me njeriun që i fitoi zemrën. Filloi të këndojë këngën fituese të Sanremos “Buongiorno tristezza”. “Mirëmëngjesi trishtimLe të bëjmë shoqëri sotTi e di rrugën, është ajo që ishte një ditë lumturie.Mirëmëngjesi trishtim Mik i melankolisë sime.”- Mama, kishte diçka nga këngëtari Tullio. Balli i lartë, e qeshura, sytë e bukur, flokët me valë.Priste më kot Dritën. Atë e kishin urdhëruar të mos e shoqëronte. Më së fundi u duk e shpërfytyruar.- Llazi të më falësh, ashtu më ka dalë një punë!- S’ka përse. Më thuaj çfarë mund të blej për ty.- Të faleminderit shumë, por nuk ka përse të mundohesh. Do të shkoj nesër vetë.Rruga kalonte përgjatë përroit. Me ulje e ngritje. Kodrina të vogla. “U gëzua Liza, i pëlqyen kërpudhat që kisha gatuar, nuk donte t’i merrte me vete. Bëra mirë që ngula këmbë, do të punojë tërë ditën në fushë, Bashtovë”, tha me vete dhe ndjeu një emocion të fortë. Si puthja e parë. E donte shumë.Kishte ditë që më torturonte. Ministri i Brendshëm.- Ora që i dhe Enverit është radiomarrës. Pranoje.- Është orë e zakonshme.Më lidhi në tubë hekuri të betonuar në mesin e qelisë. Godiste me shufër teli. U gjakosa. Më ra të fikët. Përbindëshi Xoxe më solli në vete me ujë të kripur. Plagët u ndezën. Si në ëndërr të tmerrshme më bëhej zëri i tij.- Hë, tek Enveri i keni varur shpresat? Kur e keni rekrutuar?“Përse më erdhi në mendje tani? Kishte kohë që e kisha fshehur në skutë të errët të kujtesës”, tha me vete. Filluan t’i dridhen këmbët. Në dorë mbante torbën me ushqime. Kthehej nga Pojani. Edhe një gjysmë ore udhë i kishte mbetur. Zbriti të ngriturën e parë. Këmbë njeriu nuk dukej gjëkundi. Filloi të ngjisë të përpjetën, larg i zunë sytë një të panjohur me biçikletë.- Liza, bijë e nënës, mbaje veten. Nuk ka vdekur nga zemra. Kur po e bëja gati për ta marrë nga spitali, gishti më hyri brenda një vrime në shpinën e kokës.Lizën e mbytën lotët. Kishte dyshuar kur i çuan rrobat e Llazit. Xhupi ishte me gjak. I tharë. Nuk kishte dashur ta besonte dhe e kishte larë me lot. Llazi Papapostolin, “Larry Post” e vranë pas shpine dhe kufomën ia kthyen familjes pas dy ditësh. Cili e vrau? Mehmeti, që Enveri e kishte urdhëruar kohë më parë. Enveri që mbulonte një të fshehtë të madhe? Përse në vitin 1974? Cili nga ujqit rrezikohej të zbulohej në atë kohë? Mister. Një gjë është e sigurt, emri i heroit antikomunist Llazar Papapostolit do të gdhendet me germa të arta në historinë e kombit tonë. Në mesinxher po flas me Gresin. Po i tregoj se po shkruaj diçka për babanë e saj. Plot emocion më thotë:- Po të lidh me mamanë. Liza e bukur, mbi të nëntëdhjetat, vë dorën në buzë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *