NAZA KRASNIQI – ZE I ANGAZHIMIT INSTITUCIONAL DHE PERFAQESIMIT QYTETAR
Bisedë e shkurtër, realizuar nga Pjater Jaku, për Revisten “Kuvendi” në Detroit, me Kandidaten për Deputete në Parlamentin e Kosoves, Naza Krasniqi, propozim i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pak biografi:
Nazë Krasniqi ka lindur në Prishtinë, qytet që historikisht ka qenë epiqendër e lëvizjeve për barazi, liri dhe të drejta politike të shqiptarëve të Kosovës. Që nga demonstratat e viteve 1968, 1981 dhe 1989, protestat studentore të 1 tetorit 1997, e deri te momentet vendimtare të vitit 1997 që shënuan rezistencën e armatosur, Prishtina ka qenë vendi ku është formësuar vetëdija qytetare dhe politike e Kosovës.
Në aspektin profesional, Nazë Krasniqi është e diplomuar në Drejtësi, magjistre e Shkencave Kushtetuese-Administrative, eksperte e pushtetit lokal dhe udhëheqëse në menaxhimin e divizioneve në Ministrinë e Pushtetit Lokal që nga viti 2006. Përvoja e saj shumëvjeçare institucionale e ka pozicionuar si një nga njohëset më të mira të funksionimit të qeverisjes lokale dhe marrëdhënieve ndërinstitucionale.
Në aspektin politik, ajo është anëtare e Degës III të Lidhjes Demokratike të Kosovës, degë ku themeluesi dhe Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e nisi dhe e përfundoi aktivitetin e tij politik. Nazë Krasniqi ka shërbyer si kryetare e Forumit të Gruas, ka qenë aktive në sindikata, autore e shkrimeve për zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovë, si dhe pjesëmarrëse e rregullt në media të shkruara dhe televizione kombëtare.Pas 25 vitesh angazhim të pandërprerë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit shënojnë herën e parë që ajo garon si kandidate për deputete, me besimin dhe mbështetjen e Degës III të LDK-së.Në vijim, po sjellim intervistën e shkurtër të Nazë Krasniqit për zgjedhjet parlamentare:
Intervista – Pyetje & Përgjigje
Pyetje:
Cilën zonë zgjedhore përfaqësoni në këto zgjedhje?
Përgjigje: Kosova është një zonë e vetme zgjedhore, prandaj përfaqësoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim rajoni apo komune.
Pyetje:
Sa i njihni problemet dhe nevojat e zonës që përfaqësoni?
Përgjigje: Prishtinën dhe rajonin e saj i njoh më së miri, sepse aty kam lindur, jetoj dhe veproj. Në të njëjtën kohë, përmes angazhimit tim institucional dhe politik, jam e njohur me sfidat që përballen qytetarët në mbarë Kosovën.
Pyetje:
Duke qenë se kanë mbetur pak ditë deri në përmbylljen e fushatës, çfarë u premtoni votuesve?
Përgjigje: U premtoj punë të ndershme, përfaqësim dinjitoz dhe angazhim serioz për ndërtimin e politikave që forcojnë institucionet dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Pyetje:
Cilët janë konkurrentët tuaj në këto zgjedhje?
Përgjigje: Në një zonë të vetme zgjedhore, konkurrentë janë të gjithë kandidatët nga të gjitha subjektet politike.
Pyetje:
A mendoni se LDK ka shanse reale në këto zgjedhje?
Përgjigje: Po, LDK ka shanse reale, sepse ka mobilizuar strukturat e saj dhe një pjesë të konsiderueshme të elektoratit të pavendosur. Vlerësimi përfundimtar do të bëhet pas 28 dhjetorit.
Pyetje:
A ka ardhur koha për rikthimin e LDK-së në pushtet?
Përgjigje: Ka ardhur koha për ndryshim dhe për rikthimin e një klime bashkëpunuese, që forcon unitetin shoqëror dhe raportet me diasporën.
Pyetje:
Çfarë u premtoni bashkatdhetarëve në diasporë?
Përgjigje: Angazhimi im do të jetë që të jem zëri dhe ura e komunikimit ndërmjet diasporës dhe institucioneve të Kosovës. Do të punoj për përmirësimin e bazës ligjore dhe heqjen e barrierave administrative e financiare për investitorët nga mërgata.
Pyetje:
Çfarë premtoni ju personalisht?
Përgjigje: Jam e përkushtuar në mbrojtjen e familjes si themel i shtetit dhe do të punoj me përgjegjësi, ndershmëri dhe respekt për çdo qytetar dhe për diasporën tonë.