ME STILISTEN EVA MANELLARI

ME STILISTEN EVA MANELLARI 

 

 Nga: Armela Hysi

 

Është karakteristike thënia në lidhje me emigrimin e shqiptarëve në tokën helene, që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar deri tanimë, që dëfton se brenda territorit grek do të gjesh bashkatëdhetarë tanë të suksesshëm, të cilët marrin pjesë energjikisht e janë komponent përbërës në çdo fushë, në çdo profesion, e në pothuajse çdo ndërmarrje a veprimtari që do hedhësh një sy për vëzhgim. Këtë mendoja sërithi kur u njoha më mirë me fushë-veprimin profesional të mikeshës sime të re Eva Manellari, me të cilën jemi prezantuar nëpër aktivitete të ndryshme të anëtarëve të komunitetit shqiptar në Greqi dhe jetën artistike të Athinës.

Do të veçonte dikush ëmbëlsinë që e karakterizon Evën, sytë e bukur dhe dritën që burojnë çiltërsisht e padyshim veshjen plot estetikë… Kjo qe përshtypja e parë, kur vura re Eva Manellarin, por ndërsa të parat shijohen në heshtje, komplimentet për veshjen nuk munda të mbetesha pa ia thënë, dhe pikërisht ky qe dhe shkaku që u njoha me profesionin e saj si stiliste, e me karakterin e saj plot hire. Në vazhdim, edhe për përpjekjet e saj si sipërmarrëse e pronare e biznesit të ri e të suksesshëm, që lidhet me këtë profesionm, stacion në karierën e saj që më bërë përveçse ta admiroj, edhe të dua ta pyes një sërë detajesh, të cilat me mikrobin e përhershëm të  gazetares e gjeta me vend të mundësoj këtë bisedë-intervistë modeste për këdo që interesohet për të njëjtat përgjigje praktike, apo për një histori më shumë suksesi, por dhe një njohje më shumë me bashkatdhetarët tanë të Athinës, jetën e devotshme dhe arritjet e tyre të përditëshme.

Armela Hysi: Përshëndetje zonja Eva Manellari! Faleminderit që pranuat ftesën time për këtë bisedë të hapur! Desha të pyesja në radhë të parë, si do të karakterizonit veten tuaj në lidhje me arritjet tuaja profesionale: jeni një stiliste, drejtuese biznesi, apo diçka tjetër?

Eva Manellari: Faleminderit shumë, Armela per ftesën dhe gjithë këtë përshrim të bukur që më bëtë. Unë veten time mund ta përshkruaj si një stiliste sepse unë të gjitha i bëj vetë, edhe modelin, edhe prerjen dhe qepjen sigurisht. Pyes klienten përkatëse se çfarë është ajo që kërkon, pastaj bisedoj me të, shikoj dëshirat e saj dhe stilin, e padyshim masim e i përshtatemi me çdo kliente edhe me format e trupit që ajo ka, në vazhdim jap mendimet e mia si specialiste, t’i diskutojmë, që kur të dalë përfundimi të jetë i përkryer si për klienten po ashtu edhe për mua dhe kërkesat e arta të cilësisë që kam ndaj vetes.

Armela Hysi: Eva, si përzgjodhët këtë profesion, a vallë mendon ndoshta se qe vetë profesioni që të përzgjodhi ty?

Eva Manellari: Mua të them të drejtën më pëlqente që e vogël të krijoja, të formoja në çdo çast, diçka me duart e fantazinë time. I bëja kukllës sime rroba që shumë e mitur. Mamaja ime me motrën e madhe qepnin dhe unë përherë u rrija pranë, më pëlqente çdo gjë që bënin ato. Sidoqoftë unë besoj se i kam ngjarë gjyses sime nga ky art. Gjyshja ime ishte nje artizanale e pa arritshme në kohën e saj, po për fat të keq u nda nga jeta herët, në lindjen e dytë që pati. Ajo bënte gjithçka, edhe pëlhurën në vegël e endte vetë me mjeshtëri dhe pastaj me duart e saj bënte ato kostumet kombëtare në mënyrë të rrallë. Unë me sytë e mi nga punët e saj kam parë disa punime, është një art i vërtetë. Edhe unë punimet e mia do i quaja art, sepse kur nxjerr modelin dhe e përfundoj me sukses një punim, ndjej një ndjesi magjike pasi nga duart e mia unë bëj njerëzit të gëzuar dhe të shprehen me anë të veshjes që u kam krijuar unë.

Armela Hysi: Eva, je një mëmë, dhe mëma për mua është përherë e personifikuar me profilin e qenies më krijuese. Të ka ndihmuar kjo për të ecur përpara? Të ka shtytur për më shumë ambicje dhe për fuqinë krijuese apo shtohet vështirësia për një grua me fëmijë të krijojë, dhe aq më tepër të ndërtojë një biznes të vetin?

Eva Manellari: Ambicjet e mia gjithmonë kanë qenë të mëdha, por unë zgjodha së pari të rris fëmijët t’i shkolloj, t’i nxjerrë në jetë, ndaj dhe punoja shumë, punoja atë që themi “për të tjerët” se me duheshin të ardhurat, që të arrija çdo gjë për familjen time, po kështu edhe bashkshorti.

Po gjithmonë në shpirtin dhe mendjen time vazhdimisht mendoja se unë një ditë do të hap  biznesin tim. Tani që fëmijët u rritën, vajza ime ka mbaruar  për Gazetari në Universitetin e Pandios  kurse djali për Menaxhim-Biznes në Irakleio të Kretës dhe kështu të kompletuar ata kanë marrë në duar jetët e tyre, fillova dhe unë të prek ëndrrën për ecurinë time profesionale. Ata studiuan shkëlqyeshëm secili edhe për gjuhët e huaja e të tjera specializime për nevojat e ndryshme të jetës e tregut të punës, e tani erdhi ora ime, madje duke më ndihmuar në këto hapa të parë me përgatitjen e tyre profesionale. Erdhi radha ime për ëndrrat e mia. Përherë doja që me të gjithë atë fuqi krijuese dhe dëshirën për art që kam, të kënaq njerëzit, t’u realizojë ëndrrat për fustanin që ëndërronin dhe personalisht të jem e zonja e vetes!

Armela Hysi: Eva, praktikisht sa e vështirë qe kjo ndërmarrje, të hapësh biznesin tënd e të jesh e pavarur, aq më tepër kur kryhet nga një grua, e nga një emigrante që ka relativisht pak vite në Athinë?

Eva Manellari: Sigurisht është e vështirë  po në qoftë se vullneti është i madhë nuk ekziston gjë që mos të arrihet. Kanë mjaft vështirësi edhe dokumentacioni përkatës, pa edhe  diçka  duhet te kesh mblledhur  në anë se duhet të investosh për biznesin; po tani ne jemi katër veta të rritur në shtëpi, burri dhe dy fëmijët. Sikush jep kondributin e tij  dhe i falenderoj për këtë. Po këtu desha te shtoj dhe shtyrjen nga një shoqja jonë emigrante. Edhe ajo  kishte hapur dyqanin e saj dhe nuk me linte rehat “hape, hape tendin!”, mund ta them dhe emrin e saj, ta përshëndes, Zyra Shahini, që e falenderoj shumë. Edhe unë tanimë jam e këtij mendimi. Kush ka talent të çaj e të mos rrijë të punojë për të tjerët. Të marrë guximin e të hapi punën e vet, të behet i pa varurua, veçanërisht kjo për gratë, që janë të zonja, këmbëngulëse, kërkuese ndaj vetes dhe thjesht duan pak kurajo e mbështetje. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur klientet mbeten të kënaqur dhe të falenderojnë ty personalisht, dhe jo tjetrin që merrte vlerën nga duart e tua, siç ndodhte më parë!

Armela Hysi: Eva, le të njihemi pak me për profilin e punës tënde. Cilin proces do të veçoje si më të dashur?

Eva Manellari: Për mua ky profesion është art, magji, kënaqësi tepër e madhe që nuk përshkruhet, pasi ndjej lumturi kur bëj një punim të bukur nga duart e mia dhe bëj njëherazi njerëzit të gëzuar për iventin ku duan të paraqiten, apo për jetën e tyre të përditshme me veshjet që u nevojiten.

Si stiliste dhe rrobaqepese procesi im me i dashur eshte kur rezultati i nxjerrjes se modelit përshtatet me karakterin dhe trupin e klientes dhe pastaj vjen ai çasti kur klientja e vesh atë fustan apo diçka tjetër që kam formuar me duar e mia, dhe i gjithë mundimi, e gjithë lodhja kthehet në gëzim dhe energji tek unë, teksa shoh fytyrat e tyre të qeshin.

Armela Hysi: Eva ti vetë, së bashku me familjen tënde shpesh mbështet edhe aktivitetet e ndryshme të komunitetit shqiptar, të Ambasadës Shqiptare etj. a mendon se është e nevojshme që gjithnjë e më tepër emigrantë të bëhen pjesë përbërëse e të aktivizohen dhe përse? Po shqiptarët klient a e mbështesin Evën dhe biznesin e saj?

Eva Manellari:

Po, Armela unë gjendem vazhdimisht në aktivitetet që zhvillon ambasada jonë për të mbështetur e krijuar ura lidhëse me emigrantët, po unë kam qene vetem si shikuese jo si biznesmene pasi di se shpesh janë kryer edhe takime të posaçme për biznesmenë shqiptarë me aktivitet ekonomik në Greqi. Shpresoj se tanimë e tutje do të kem edhe unë një ftesë të tillë, edhe në këto veprimtari specifike.

Sidoqoftë tërë këto kohë dhe me sa mundem përherë dua të jem pjesë e aktiviteteve që zhvillohen nga komuntiti shqiptar në Athinë, madje nuk dua te mungoj asnjëherë po puna ose dhe detyrime familjare më bëjnë të mos jem dot gjithmonë aty, tek të gjitha. Me këto aktivitete ne kemi ardhur afër njëri-tjetrit, unë kam njohur kaq shumë njerëz të përsosur, intelektualë, artistë, shkrimtarë, piktorë… Kam bërë kaq shumë shokë dhe miq të rinj këtu në Athinë. I japim pervojën dhe ndihmën njëri-tjetrit dhe edhe thjesht shoqërinë e ngrohtësinë duke u takuar. Kur mblidhemi të gjithë së bashku, për mua plotësohet diçka që është e nevojshme, dhe ndihem shumë bukur. Sa për mbështetjen në biznesin tim, ndihem shumë mirë dhe mirënjohëse, pasi e vërteta është se kam shumë klient shqiptarë dhe të gjithë shqiptarët që kam klientë të rregullt, janë nga klientët më të mirë dhe më mbeshtesin shumë.

Armela Hysi: Ke plane për të ardhmen?

Eva Manellari: Po, Armela unë kam dëshirat dhe ëndrrat e mia që dua të realizoj ditë pas dite. Plani për të ardhmen siç e mendoj unë ka lidhje kryesisht me rritjen profesionale. Dua, pra të zgjeroj biznesin tim, duke punësuar edhe persona të tjerë, dhe sigurisht të marr një dyqan tjetër më të madh. Dua të vazhdoj të nxjerrë nga duart e mia edhe koleksione të tjerë, sa më shumë dhe sa më të bukur! Të realizoj sa më shumë ëndrra princeshash në ditën e tyre të dasmës, apo në ditët që kanë ngjarje të gëzuara e të veçanta të jetës së tyre.

Armela Hysi: Eva, nëse do të ishe në këtë çast e ulur në tryezë me kryeministrin Kiriakos Mitsotakis të shtetit grek, ku ke ardhur vite më parë si emigrante, dhe atij shqiptar, Edi Rama, të tokës mëmë, do të doje t’u thoshe diçka? A ka ndonjë gjë që do të dëshiroje t’u kërkoje?

Eva Manellari: Faleminderit për pyetjen, Armela! Në radhë të parë do falënderoja shtetin grek, që na dha mundësinë të punësoheshim këtu, pastaj desha të thosha që ta njohin dhe mundin tonë, si në Shqipëri ashtu edhe këtu                                                                                                                                                                                                                     ku erdhëm shumë te rinj  dhe kemi dhene jo 100 %, por 200% të mundit tonë te jemi ne shqipetarët emigrantë, ura lidhëse per të dy vendet.

Do t’u thosha edhe diçka, ndoshta në lidhje me punën time nëqoftëse do ishte mundësia, nga te dy shtetet nëse do të nisnin ndonjë projekt për ruajtjen dhe evolouimin e kostumeve kombëtare, për fonde, etj. unë me gjith shpirt do të angazhohesha të bëja kostume kombëtare nga te dy shtetet, se këtë e kam të trashëguar nga gjyshja ime  dhe po ashtu i kam studjuar dhe këtu në Greqi te gjitha kostumet në tërë Greqinë, ndaj le të mbeteshin shumë nga ato prej duarve të mija.

Armela Hysi: Eva të falenderoj shumë. Do të takohemi përsëri, kur të kemi edhe të reja të tjera për të dëftuar.

Eva Manellari: Armela të falenderoj unë! Është kënaqësia ime! Gëzuar të gjithëve, për festat dhe fillimin e Vitit të Ri. Kalofshim bukur edhe këtë vit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *