Ish Kryetari i Vatrës Dr.Gjon Buçaj u shkruan editorëve të Voal.ch: Vazhdoni ushtrimin e profesionit tuej me objektivitet e përkushtim në interesin e kombit tonë

By voal.ch | August 21, 2021

Midis editorëve të Voice of Albanians – VOAL.CH ( Elida dhe Skënder Buçpapaj) dhe gazetës Dielli, Vatra ka ngritur murin e censurës. Shkak u bë një opinion i Elida Buçpapajt për ambasadorin e Shqipërisë në Zvicër Ilir Xhelil Gjoni, i cili prej dy mandatesh keqpërdor postin si zyrtar publik. Por si pretendim Vatra nxori faktin se VOAL.CH ka botuar deklaratat e Vatrës tjetër (tashmë janë dy Vatra), iu ka marrë intervistë  dhe se Skënder Buçpapaj mori pjesë në një simpozium organizuar prej saj. Editorët e VOAL.CH nuk janë përzierë me asnjë palë, përveçse kanë ushtruar detyrimin ndaj fjalës të lirë, si botues dhe si gazetarë. Lirinë e fjalës e garantojnë të gjitha Kushtetutat e shteteve Perëndimore. Amendamenti i parë i Kushtetutës të SHBA garanton lirinë e shprehjes. Editorët e VOAL.CH nuk e kanë pritur kurrë këtë reagim të Elmi Berishës, të cilin e kanë respektuar pa asnjë rezervë për kontributet e tij duke besuar se kanë ideale dhe një gjuhë të përbashkët. Në një kohë kritike, kur përçarja ndërshqiptare është këlthitëse, nuk kanë dashur të dalin publikisht dhe janë përpjekur padobi të komunikojnë me Elmi Berishën. Ndaj të gjitha palëve editorët e VOAL.CH kanë mbajtur qendrime shumë korrekte dhe të ndershme, duke bërë thirrje që palët të gjejnë gjuhë të përbashkët. Vatra dhe Dielli censurojnë editorët e VOAL.CH, çojnë në gjyq Vatrën tjetër, ndërsa nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë ka gjetur një gjuhë të përbashkët me presidentin e Serbisë ! Qendrimi i Vatrës ndaj Buçpapajve është një akt i paprecedent dhe bjerrje majtas e kësaj shoqate panshqiptare që ka në themel parimet demokratike dhe luftën kundër komunizmit. Editorët e VOAL.CH nuk do të rreshtin së kërkuari që Dielli të heqë censurën dhe të ketë një drejtim serioz, si të etërve dhe elitës që e ka drejtuar këtë gazetë, prej themelimit. 

Në këtë kontekst, po botojmë letrën që Ish Kryetari i Vatrës Dr.Gjon Buçaj u shkruan editorëve të Voal.ch:

Editorë të nderuem dhe miq të dashtun të fjalës së lirë,

si gazetarë, intelektualë, atdhedashës dhe dalzotës së fjalës së lirë, ju keni qenë për shumë kohë dhe jeni gjithnji objektivë në vlerësimin e Vatrës si institucion mbi korrentet politike, e frymëzueme dhe e mbështetun në interesin kombëtar.

Mjerisht Vatra sot asht e ndame në dy, si rrjedhim i manipulimeve të Dritan Mishtos dhe i kokëfortësisë të pakuptueshme të Elmi Berishës që ruen trashëgiminë e tij, Mishtos, të përçamjes dhe të ecjes krejtësisht jashtë Kanunores dhe traditës Vatrane.

Për herë të parë në historinë e kësaj organizate 111 vjeçare Elmiu me grupin e vet e kanë paditë në gjyq Vatrën që e kryeson patrioti çam, Ahmet Xhafo, që të mos i lejohet të përdori emnin dhe emblemin e Vatrës, por si thotë fjala popullore, “ço nji kashtë e gjen gjashtë”, ai ka provokue publikimin e ilegjitimitetit të tij dhe të gazetës “Dielli” që prej moshës 108 vjeçare të saj ka shkelë etikën dhe traditën, tue publikue deklarata false dhe shkrime shpifëse me vetëdije, në të njejtën kohë tue cenzurue shkrime me vlerë të përshtatshme për faqet e saj. Shpenzimet për avoketën që nuk janë të pakëta, do të kishte qenë ma mirë të shkonin në dobi të veprimtarisë kulturore si ka qenë tradita e Vatrës dhe e “Diellit” ose për të ba gazetën së pakut javore.

Nuk asht aspak çudi për kaosin që kanë krijue vetë. Kanë dalë jashtë Kanunores, prandej nuk mund të orjentohen. Dikush merr anën e Majkos e dikush ban deklarata, gjoja për të ndihmue Sali Berishën, i cili e ka thanë publikisht se nuk don ndimë as nga deputetët e partisë së vet, e jo ma prej Vatrës që nuk asht punë e saj. Prandej mos u çuditni për asgja që mund të vijë nga grupi në fjalë. E vetmja çudi mund të ishte nji qëndrim harmonizues, nji përpjekje për të shërue skandalin e turpshëm në të cilin e kanë futë Vatrën dhe përpiqen me ia lanë fajin tjetëkujë. Ndoshta shpresojnë se gjyqi do të marri anën e tyne.

Ju dëshiroj shëndet dhe energji të vazhdoni ushtrimin e profesionit tuej me objektivitet e përkushtim në interesin e kombit tonë që ende vuen nga pasojat e së kaluemes tragjike.

Miqësisht i jueji,

Gjon Buçaj

P.S. Për ata që nuk e dijnë, në aktakuzën e Vatrës së Elmiut, janë katër emna: Ahmet Xhafo që asht kryetar i zgjedhun përpikmënisht simbas Kanunores, Dr. Nexhat Kaliçi i cili drejton Fondacionin “Vatra Foundation, Inc”, z. Armin Zotaj, kryetar i degës Washington DC, i cili u përpoq të lëshonte dritë mbi çka po fillonte me ndodhë me Vatrën qyshë në kuvendin e qershorit 2017, dhe Gjon Buçaj, ish kryetar i Vatrës por tash katër vjet antar i thjeshtë. Ndoshta pse unë përkrahi Vatrën që organizoi Kamisioni i 5 tetorit, tash më padisin pse ushtroj të drejtën e fjalës së lirë dhe shpresojnë se nji gjygj në vendin ma demokratik të boës do të thejë Kushtetutën për qejfin e tyne? Në se ndokush di me ma spjegue, do t’i jem mirënjohës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *