GREIS

Nga Muç Xhepa

Natë. Heshtje. Përpara derës së kasolles ai ra në gjunjë. Ngriti kokën lart. Vështroi yjet. Të panumërt. Dritën hyjnore. Engjëjt. Ndriçimi i tyre udhëzim për ata që kërkojnë t’i ndjekin. Udhëtimin shpirtëror. Mbrojtjen. Yllin e Betlehemit, drejtimin e Perëndisë, e shihja përtej mureve të betonta të qelisë, me sytë e mendjes, kur kërkoja mbrojtjen, tha me vete. Yllin me katër cepa. Kryqin e Krishtërimit. Ia dërgoja dëshirat, duke shpresuar se Perëndia më dëgjonte. Nuk isha vetëm në varr.

Ashtu i humbur, në magjinë e natës, pa një yll të shkëputej. Engjëll. Është shenjë fati, një ogur i mirë, tha me vete dhe filloi të lutej. “Biri im”, iu bë një zë qiellor, “vëri emrin Greis, është dashuria ime, bekimi im për vuajtjen tënde”. U shkund nga gëzimi. “Perëndi, prano falënderimin tim…”. Fjalët iu mbytën në lot mirënjohjeje.

Dera e klasës së tretë fillore u hap me kujdes. Plot drojë bëri dy hapa brenda një nxënëse e re. Vajzë e bukur. E gjatë për moshën, e hollë, me sy kafe të lehtë, që shkëlqenin si guralecë të larë në dallgë deti. Flokë të gjata, bjonde, me onde, të krehuara me shteg në anë. Lëkurë të bardhë, këmbë të gjata, të holla, gishta delikatë e krahë të brishtë. Veshur me përparëse të zezë, akllazi, jaka të bardha që ia mbulonin flokët.

– Gresi ulu në bankën e parë, pranë Gugut.- i tha mësues Nepravishta. Atë ditë shoqja e bankës mungonte. Gresi zuri vendin bosh. Në pushimin e shkurtër e pyeta nga ishte. Uli sytë.

Llazar Papapostoli nga Ziçisti i Korçës kishte lënë Amerikën dhe ishte bashkuar me misionin e O.S.S. Të shpëtonte vendin nga pushtimi komunist. I riu inteligjent ishte shkolluar, në fillim në shkollën Teknike Amerikane, e më vonë në universitetin “Ilinois” në Amerikë, në degën e shkencave politiko-shoqërore. Por, fati, si me të gjithë patriotët e tjerë, do të sillej i pameshirshëm me të. Arrestohet në dhjetor të vitit 1946 dhe qëndron i burgosur për dhjetë vjet. I izoluar në qelinë numër një, në Brrakë, për tetë vjet, ku tre vitet e para hetuesinë ia bënte vetë Ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, një njeri pa pikë burrërie, palaço, i djallëzuar, intrigant dhe bandit pa principe. Kishte ditë që e godiste me shufër hekuri. Ajo i kishte hapur plagë në shpinë dhe këmbë. S’i kishte mbushur ende të dyzetat. Një natë, me gozhdën e ndryshkur të këpucëve preu damarët e duarve. Oficeri i shërbimit, që e ruante në mënyrë të rreptë, të mos kishte kontak me njeri, e gjeti të shtrirë në çimento mbi një pellg gjaku. I vdekur. Kur e sollën në jetë, ashtu gjysmënjeri, Xoxe i ulërinte:

– Nuk tregon agjent amerikan. Por, ne i dimë të tëra. Leri Post është emri që të kanë vënë. Zbulimit të vëllezërve serbë nuk ia hedh dot Amerika kurvë. Do të jem birë bushtre nëse s’të bëj t’i tregosh të tëra.

Nga sirtari i tryezës mori një copë druri të pazdruguar, ia futi me forcë në fyt dhe duke e rrotulluar ia coptoi kordat e zërit. Për vite të tëra Leri humbi aftësinë e të folurit.

– Liza, do të të kisha humbur.- Ledhaton bashkëshorten, që po i sjell në jetë fëmijën e parë. Ajo ia merr duart në të sajat, ku dallohen shenja të thella prerjeje dhe i vendoste në buzë.

– Perëndia më ruajti. Më nxorri nga varri. Dhe, ti po më dhuron jetë.

– Edhe po të kisha qenë në kushte të tjera, s’do të kërkoja dashuri më të madhe se kjo, që më jep ti Leri.

– Pak ditë dhe do të bëhemi tre. Ke meduar për emrin?

– Leri! Vendose ti. Amerikan.

– E kam në zemër. Nga Perëndia.

– Ma thuaj!

– Greis. Të pëlqen?

– Shumë. Cili është kuptimi?

– Dritë, hir i Perëndisë!

– Oh Lery! – Liza i hidhet në qafë. Ai e mbuloi me të puthuara.

Në mesinxher më thërret Luçi.

– Jemi mbeldhur në Rrogozhinë. Shokët e shoqet e klasës sonë. Na mungon ti. Po të nis një foto. Të përshëndet Gresi. U mallëngjeva. S’i mbajta lotët.

ne foto Gresi dhe Luçi

Gresi dhe Luçi

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe njerëz të ulur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *