Nje tregim nga Elida Rusta

  Zá

Tregim

Ishte ora katër e nji masditje të nxehtë maji. Diella po bahej gati me fjete siç bante rëndom ditëve plot rutinë të saj. Sa më pak e prekte atë  të bekuem telefon, aq ma shumë mbushej mall. Nji zile e shkurtë n’të ia prishi prehjen. Zgjati dorën me pa parë diçka të re.

“Kam ardh e du domosdo me të takue”
S’e kishte të rregjistruem atë numër, prandej rrëmoi për të qindtat e sekondës te fotografia në whatsapp.

U çue në kambë pa e mendue dy herë. Iu ba se thirrja erdh prej  katër anëve t’horizontit. Ishte si jehonë që kthehet mbasi ti i thërret vetes me sa fuqi ke në krye. E dinte si gjithnji  se nuk ish larg e kish ndje në heshtje e shpesh zgjaste duart e buzët drejt tij.

-Ku ishe deri tash? Për çka  dreqin erdhe me m’tallazue? Se kush e tha kur flet me veten quhet grindje, kur flet  me  tjerë  quhet debat. Po fliste me vete. Sillesh rrotull sa andej-këtej nëpër shtëpi tue lyp diçka me  vesh a ndonji make up me u lye. Në  përgjithësi  ishte  vajzë “acqua e sapone”, po at ditë donte me u  duk sa ma bukur.

Ndrroi  mendje. Buzët e lyeme s’janë gati  me u puthë,- mendoi. Njashtu si ishte  zbriti me turr shkallëve mbajtun  nëpër parmakë  si dikur shkallëve të pallatit të fëminisë. Ec e shkruej… Nji dorë n’biçikletë e tjetrën n’telefon.

“Ku je, me kë?”

I dinte huqet e  fjaltë  e njerëzve anipse as  pyeste fort për to. E mendoi qytetin e vogël të shkyem në komplekse. Kishte hala njerëz me zinxhir në gjak.
S’kam asnji justifikim për dashninë! – ngushëlloi vedin. Askush s’mundet me qenë mirë me tan botën. Lumtunia  asht  fat  veç i  asaj  o atij  që e ndjen. Shpejt u gjend ballas tij. U shtir gjakftoftë, po të rrahunat e zemrës i ndjeu  të dyfishta si kambanën e atij qyteti të madh. Grue  e brishtë, e pafat, pa takue  burrë të bukur tash e njiqind vjet.  Duert  i  kishin  djersitë  prej emocioni, ndoshta me tregue se e mbajnë  gjallë  flakën e zjermit  që  kishte ruejtë  mbrenda tan’atë kohë. E ngjeshi ftyrën për ftyrë të tij, e puthi lehtë në faqe kinse po takohej me dikë që e takonte përditë. U panë gjatë në sy.

-Më  ke mungue  gjatë shpirt, gati  s’të kam pasë  kurrë! – pëshpëriti tue e  puth në qafë.  Pak vonë, por jo  mos e mendue  si  dallgë  e  dytë  që  mbasi  të ka mbytë, me të shtymen e  fundit të  qet në  breg. S’ishte aq në flakë,  po  i   përulet  asaj  puthje  edhe sot. Tevona  e kuptoi se  ishte  njeri  me fat. Tue e dasht at’ krejt  burrat  i   duken  të  bukur. Tash asht  ma e  bukur  dhe vetë, ma e bukur se çdo qenie.

***

Ai s’e përfytyronte kurrqysh sa shpejt e thellë kishte hy  njashtu hapambël  mbrendë  saj. E kishte brenda në krye dhe e fshikullonte aq fort. Fminia, stinë në të cilën  hecet zbath, po luante me Diellën nji lojë që të pëlqen me e  luejt  edhe për s’vdekuni, nji lojë që të ndjek hap mbas hapi e të përplas gjithnji me personazhin që e dishron.

U rigjetën  mbas  aq  vitesh. Ishin puthë  në terr dhe vinin prej nji  bote të dhunshme po duheshin nalt ndër maja. Asgja  e lehtë  s’asht e bukur. Jo rrallë qeshin me dritën e asaj pafajsie, ndihen krenarë me gabimet, janë  mjeshtra të tyre. Ka njerëz që falin, ka  tjerë që i dënojnë. Punë e madhe! Gjithçka asht  fat dhe secili ka të vetin.

Ndërtuen  kadalë me grimca drite e zemre nji  kështjellë që nuk e kishin ndërtue atëherë; kështjellë që s’ke dëshirë me e pushtue  se të duket vetja ushtar i zoti, cinik bile . Beteja për të  asht e bukur.

Asht taman  si pikë uji në shkamb që ta shuan etjen, ndërkohë të torturon tue lëpi njashtu  gjunjzue.

Në telefon nji  mesazh e shkëputi prej toke prap.

-“Ndihem mirë që u puthëm, jo aq mirë që s’u puthëm siç  ti  meriton.”
Njashtu vinte ai  gjithherë si  prendverë  në jetën e saj.  E  njajo puthja në qafë e mor’ në qafë;  ajo  tashma  ia kishte prish   zinxhirin  e  mendimeve  dhe të  biçikletës.

***

Rruga e gjatë në drejtime të ndryshme e meritonte nji rreze lumtunie  të përbashkët sado jetëshkurt’. Nika ishte burrë i  pashëm, i ngrohtë, njerëzor,  shpesh i dyzuem.  Në fund të fundit  burrat e sigurtë janë  të pjerdhun këso toke.  S’asht e lehtë  me kapërcye  dekada e me i  hy fëminisë në gji.  Mali i pikpyetjeve  asht  i   naltë   e i thiktë, veç kur del n’maje e merr shpërblimin.

Në tavolinë ishin dy njerëz që janë zhvillue  ndryshe, në shtrat Diella qe e para hyjni e zhveshun e tij, xixë xixëlloje e zbehtë,e ngrohtë. Grueja që e niste për hanë. “Kam qejf  me t’puth në qafë, me t’ndie si pulson n’krahnor, si më puth e më ban burrë. Udhrrëfyese që ta humb rrugën në shtrat, oborri asht i madh- i thoshte shpesh Nika me të qeshun. E  donte çdo centimetër të trupit  e  centimetrat mbrendë  tij.  Puthjet  ishin rroposëse, nuk ngopeshin kurrë me njani- tjetrin.  At ditë që do të mbyllnin  panairin e ndjenjave e ngjyrave do hapnin rrugë tjetër, përmes qershive drejt e në andërr; pse andërr ishte dashnia e tyne e  aspak prej materie tokësore.

Ajo  lidhje i përkiste nji bote të epërme, rigjetje e vetvedit  t’hupun, s’kishte kurrfarë peshe për ta. Ishin thjesht fëmijë luenin  lojë të rritunish.

O perëndi çfarë rrënimi historik pësonin kur ndaheshin prej njeni-tjetrit! Rrënojat ma të  bukura në planet. Nika mbetesh i vetmi burrë që Diella kishte andrrue me e pa prap  qoftë edhe pak sekonda para vdekjes. Një burrë i tillë duhej gjet  me çdo çmim. Po hynte n’nji botë të panjoftun me nji njeri shumë t’dashtun dhe me ndikim të skajmë  pozitiv  te ajo. Në krahët e tij u ba ma e qetë, e shpengueme në çdo fjalë. E donte aq  pakufijshëm  sa po ta shqiptonte i bahej se e shndërronte në deklaratë dhe e vriste.

***
Diella ishte vajzë qyteti. Ajo  lante rroba si nimfë buzë ujnave e mureve n’nji  lumë pak metra larg hekurave të spitalit të qytetit. E njoh at vend të trishtë. Kam pa atje lotë e trishtim ma  shumë se në Burrel e në Qafë të Barit.  E kujtoj me dy – tre motra për dore si varg patash, nënë e bukur që kur ishte bebe. Kjo asht shpesh e randē.

Me ikjen prej  qytetit të  vajznisë, gëzimet   i  mbante larg. Helmi që kishte marrë  ato vite,  pa Nikën e kishte ba punën e vet.  Njerzia mendojnë se hyn n’kopshtin parajsor  tue thye  derën. Duhet me  ta hapë i zoti o e zoja e mbretnisë.

Diella  s’ishte aspak epshore, e donte at lojën hyjnore me gjininë e kundërt si nji lloj lidhje kozmogonike. S’e  pranonte kurrsesi nji  mashkulli pa koncept shpirtnor. Kishte  edhe do doza “sadizmi” ndaj naivëve i shpotiste dhe trazonte deri në kufij t’përbuzjes, sidomos ata: epshorët. Kishte intuitë se e meçme s’ishte hiç.  Me tri fjali e kuptonte përtejdetin e një burri. Ia ngushtonte shqigjet tue ia vu  murin  kinez qysh herët o e  gjuente  në malin e harrimit.  Ata që e meritonin i shndërronte në kujtes t’amël, i donte, i çmonte, po s’ju besonte.

Me tesha serioze  merrte  pamjen  e  nji zoje t’randë mediative, me veshje sportive dukej çikë,  plot energji mentale. Bijës së shehrit i pëlqente paqja e jetës ajo e trazuemja, lufta e  s’mirës  kundër të keqes s’përhershme. Me botën s’kishte  kurrë probleme, e stërpopullueme me vedin.

Kjo asht jeta!  Do s’do, je n’ring. Asht dikush ma i fortë se na. Quhet fat. S’mundesh me  krijue breg shpëtimi për të ndodhunën. Ajo  çka ndodhi la shenjin e plagës  së  madhe  mbrenda saj. E ka kuptue dhe beson se s’asht e thanë  me t’dashtë njaj që do.  Pajtohet me kët fakt. Nuk zgjidhen të tana përndryshe do ishim robotë.  Çdo dëshirë  e mohueme bahet ma e dishrueshme, kot përpushesh si zorra n’prush.

Pakujdesitë janë mësime, e pritshmënitë e mëdha lanë  gropa t’errëta zhgënjimi. Historitë ma t’bukura edhe nëse s’vazhdojnë, shkruhen mbrapa nën aromë  të kujtimeve e ndjesive. Ato shtrydhin gurin me  i     qitë lotin e mbas gurin ma të thjeshtë e memorizojnë me fjalën t’ndjeme.

Nika e Diella janë hala  fëmijë, munden me u dashtë edhe tue i mungue  njeni- tjetrit.  Toka u takon të tanve, qielli ka vend vetëm për disa.

Tinguj jazz  vijnë dikah  prej krahut të  bibliotekës së qytetit të madh. Imazhin e tyne ma përndrit me kumtin e çiltër të zemrës mitare, letra që Diella i kishte dërgue  Nikës:

Shpirt, më ka marrë malli!
Ti kurrë  s’ke me hike prej meje përgjithmonë, se  un kurrë nuk kam  me t’heshtë  n’kët zemër.  Për mue  nuk je burrë, je kah kam hecë  e ku jam druejtë me  hjedhë  hapin, i njajti fëmi që ma ndal frymën, “negativi” i jetës teme. Ti nuk mundesh me ikë  pa  e vrejtë sa i bukur asht ylberi mbas shiut të lotve, pa e kuptue se gjithmonë je njaty ku duhet t’ ishe. Unë jam e dashtuna jote e kjo më asht e  mjaftë. Pak  dekikë  kam pas pa gravitacion si kur isha n’krahët e tu. E dita  që kam m’u  copëtue prap, kisha nevojë për dhimbje.  Frymë je, fryma që  i  jep jetë ngurtsimit tem, kthjelltë si loti. Ti ban nji qiell për mue. Sado m’u  përpjekë  m’u  shfaq   ndryshe, s’mundem m’u mshehë. E kam shijue  kët jehonë të thellë kur të lypa  ndër këneta e sojë, nëpër atë diell çnjerëzor.  Atëherë kur të hika si ngjalë prej  duerve. Ji i gëzuem  që s’të gjeta shpirt, do ta kisha nxi jetën! S’kisha gjetë  t’dashtun as burrë kurrë ma. Me një dashni si jona bahen filma seksi pa organe hiç, na prin truni jo tuli. Askush s’ka histori dashnie ma të bukur se na. Puthja n’terr na qiti n’dritë  ma vonë, atëherë kur u lava në ar e flakë e erdha mbi ty. As unë s’e kisha besue po mos  t’kishte ndodh.

I meçmi jem!
Kursema edhe nji vuajtje, ma len  nji bosh diku për ma vonë! Ta dua zemrën, at që më bani vend.Të kam thellë në vedi si lkurën, s’kam ç’ka baj më! Jena puth herët n’ag të jetës, deri tash n’muzg të saj. Ti rri aq nalt n’nji sferë të trunit tem me prendverat e luleve n’sy dhe vjeshtat e krejt frutave n’lkurë, sa dridhem.  Mos i qit ujë zjermit kështu! Fshiji  njata rreshta  ku je  zemërue me mue! Ke punë me ba, duhet me m’dashtë. Un  kam gjak amazonash gati për luftë. S’po të gjuaj për dashnor. Më pate premtue se ke me ardh edhe po ra  tërmet në hanë, se  ke me m’dashtë deri sa të shkojmë te kuarci ynë. Kjo m’dha hijeshi e vetbesim. Siguria n’gjana  për të cilat isha e përzgjedhun m’bani m’u diftu e fortë e mendjembledhun, me  hutue e me   rrejt  vedin,  me fitue kohën e hupun. Ah, t’kisha afër me të thanë   sa të due! Kisha m’u duk  tridhjetë vjet më e re, idiote prap’ i po fmijë.  Kisha dashtë  mos me kenë  njaq përjetuese, se m’vjen  me mbajtë barrë  të randë n’shpirt. Njerzit e kuptojnë vonë çka hupin. E di sa i lodhun je dhe ti, unë të njoh e  më shkojnë lotët në zguer së mbrendshmi. E marrtë dreqi teknologjinë! N’ekran  ftyra jote ma hjek çdo dëshirë me t’humb. Në tru më ka hipë diçka shpartalluese si aroma e trupit tand. Mos m’hik ndër mendime sa kohë mundena  me kenë bashkë shpirt! Ti më shkëpute prej toke, barnave e sëmundjeve. Mbështetu në gjoksin tem e pusho, më duhesh për shpirtin.  Pshtuem çka mundëm.  Liria m’i vë prangat, asnji furtunë s’më zhvendos.  Eja puthena prap njashtu bukur, kështjella s’asht larg. Unë s’hiki prej kopshti edhe n’ardhsh  i vdekun. S’kam gjyqe me ty,  veç pak parajsë të humbun. T’kam të vetmen dritë prej kur isha fëmijë. Të di kalorës, burrë që më do. Burrë?  Jo! Për mue  s’je burrë, burrë zemre je ti. Je frymëzim, metafora  jeme, fminia jeme. S’mundem me t’harrue, tjerat i zgjidh. Je tjetër dritë qielli për mue. Ti m’djeg, m’ujit. Le t’na shërbejë kjo kohë si përcëllim!  Disa  gjana  duhet me i besue për  me  i  kapërcye.
Andej- këtej shëtisim të tan pa gëzime, pa rrugë, pa asgja. E keqja asht se nuk na mund as rrena e andërrt. Sa për mirë mendojmë, aq ma shumë na vret e vërteta. “Të tretët” janë mikrobe në arteriet e botës. Ata, jetë e mot kanë kenë si materia – të paasgjesueshëm. Tjetërsohen, por nuk zhbahen.
Unë humba në planetin rozë t’këtyne dy njerzve të bukur që enden qiejve si zogj të dehun.
Diella është rritur njaq sa me mbetë  fëmijë i adhurueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *