…Dy të dashuruar…
Në një park krejt të bleruar,
Ata dy, takoheshin nën një qershi,
Për karshi një neon me kapel’
I’u buzëqeshte ngrohtë, si zotëri!
Po pas ca kohe nuk i pashë më
Në pemë mbetën vetëm inicialet
Neoni e ka humb’ kapelën,
Syri si spazmë – ndizet e falet!
Dhe pema ka vite që s’bleron
Ndoshta ndaj rri e pikëlluar;
Ëndërron t’i çel sërish petalet
Kur t’i shoh ata dy të dashuruar!
Sikur mbaj..
Sikur mbaj hallet e gjithë botës
Siç mban qielli supeve, retë si thas’
Për këtë s’di se me kë të zihem
Që as të më flasi dhe as t’i i flas!
Sikur kam mbledhur gjithë brengat
Dal’ nga honet, po memece – pa goj’
Është si të shihni majën e ajzbergut
Po trupin jo, ka turp ta tregoi!
Sikur kam mbledhur gjith’ dhimbjet
Që çajnë spirancat fundin e detit
Se s’jam Titaniku që në nje çast fatal
U shtri përfund streh’ për peshqit!
Megjithatë ju më shihni që buzëqesh
Mos u mashtroni, atë e kam maskë!
Po ju them se, me fatin e kam inatin
As dua të më flasi dhe as t’i flas!
Po mos mendoni se përkulem lehtë
Dhe në gurët e varrit kokën ta përpjek
Prapëseprapë do ngrihem në këmbë
Dhe gjithë të këqiat t’i çoj në dreq!
Veç për një gjë do t’i ngrija duart lart,
Natyrisht nëse do të ishte e mundur
Do të mbaja mbi supe krejt trishtimet..
Që bota të ish ca e lumtur!
Ajo ish’ e çmendur..
Ja ku m’u shfaq e njëjta rrugicë
Në t’dy anët pemë e drita neon
Përdore me mua dhe imazhi saj
Po hapi saj lozonjar mungon!
Ajo ish e çmendur, krejt e çmendur
Në jetën time si ajo kurr’ s’kam njohur
Ajo s’pranonte t’i jepje një këshillë
Pale pastaj për t’i folur!
Rreth vetes së saj ajo rrotullohej
Si smerald i rrëzëllente në sy liria
Sekretin e forcës ajo kurrë s’ma tregoi
Po me siguri, pasaportë ish siguria!..
Çdo ditë më dukej krejt ndryshe
Jo për veshje’ trendi, a lukun si yll
Po ish her’ e drojtur e her’ tunduese..
Si manushaqet që çelin në prill!
Ajo ish aq e butë sa dhe arrogante
Befas, kthehej në uragan a tërmet.
Kur qeshte ajo unë s’e dija ku isha
Ndoshta më merrnin me vete retë!
…
S’di ku ësht’ tani, rrugët m’i ka fshehur,
Ndoshta po eksploron një tjetër planet
Po di që ish’ krejt, krejt e çmendur
Dhe unë çmendurisht e dua vërtetë!