Kreshnik Musolli: Baleti Kombëtar i Kosovës, 48 vite histori suksesi

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës tashmë ka deportuar në skenën kulturore ndërkombëtare duke mahnitur me çdo shfaqje të realizuar me mjeshtëri. Trupa është formuar nga Ahmet Brahimaj “Artist i Merituar” në vitin 1972 si Ansambli i Baletit. Ikona legjendare Ahmet Brahimaj shërbeu si Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës me shumë përkushtim dhe me dashuri, duke lënë pas një trashëgimi madhështore kulturore për Kosovën dhe për gjeneratat në vijim.

Gjenerata e Parë e Baletit të Kosovës përbëhej nga: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Ato njihen për realizimin e produksioneve me sukses si: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo and Juliet”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Quixote”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj.

Sot Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës drejtohet nga Kreshnik Musolli, i cili shërben si U.D. i Drejtorit të Baletit. Lindur në Prishtinë, Kreshnik Musolli ka përfunduar studimet në regji teatri në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në vitin 2013. Karrierën e tij si balerin e filloi në vitin 2007 dhe ka realizuar shumë shfaqe me sukses me balerinët e talentuar të Trupës së Baletit. Në rolin e koreografit Musolli debutoi me shfaqen “Andërr” (2019) me balerinët Sead Buniqi, Sinan Kajtazi dhe Aulona Nuhiu në rolet kryesore. Në baletet e tij, koreografi Kreshnik Musolli shquhet për inovacion, përmbajtje të thellë imagjinare dhe ekspresivitet dramatik.

Identiteti kombëtar i baletit kosovar vazhdon të forcohet dhe prezantohet me dinjitet në mbarë botën nga trupa e baletit, falë përkushtimit dhe punës së balerinëve të përkryer të Baletit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht: Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Liridon Mziu, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi,  Muhamet Bikliqi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Sinan Kajtazi, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Teuta Krasniqi, Vjollca Lugiqi, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Elmedina Berisha dhe Isa Beg Gjocaj.

Artistët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë krijuar dhe mishëruar personazhe fantastike në rolet e tyre interpretuese, duke krijuar një karakter masiv për imazhin e baletit dhe duke e pasuruar atë me forma dhe stile të reja. Ndër vite, balerinët kombëtarë të Kosovës kanë dhuruar performanca të jashtëzakonshme, që kanë mahnitur dhe entuziazmuar publikun. Trupa e Baletit Kombëtar është prezantuar jashtë Kosovës me këto shfaqe të suksesshme: “Dasma”, “Xhuljeta pa Romeon”, “Ngjyrat e Vallezimit”, “Një Legjendë për dashurinë”, “Newborn-SYN”, dhe “Recomposed”.

Me datën 3 Dhjetor 2020, e enjta, ora 16:00, do shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës premiera e dytë e  shfaqes shumë  të  kërkuar “Sisters”,  me koreografi nga i mirënjohuri Mehmet Balkan. Shfaqja i dedikohet ikonës legjedare dhe ‘babait” të Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj. Për më shumë mund të interesoheni të faqja zyrtare e baletit www.baletikosoves.com si dhe në rrjetet sociale: @nationalballetofkosovo (instagram) dhe @BaletiKombetariKosoves (facebook).

Intervistë me Kreshnik Musollin, U.D. i Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Balerin dhe Koreograf

Çfarë do të thotë Skena e Teatrit Kombëtar për ju dhe për gjeneratën tuaj të balerinëve?

Kreshnik Musolli: Skena e Teatrit Kombëtar të Kosoves ka një domëthënie të madhe për ne si gjeneratë e re e Baletit Kombëtar të Kosovës. Aty jemi rritur që nga mosha e re kur kemi filluar të merremi me këtë lloj arti dhe qysh herët kemi pas fat të angazhohemi në shfaqjet e institucionit tonë. Ne ende jemi në pritje të ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit ku do të kemi “shtëpinë” tonë pasi që është vështirë të ushtrosh veprimtarinë në objekt të huaj. Poashtu problem për ne është hapësira shumë e vogël si në sallë ashtu edhe në skenë, gjë që ndikon direkt në performancën tonë si balerinë.

Cilat tre shfaqe të trupës së Baletit të Kosovës që kanë qenë më të vlerësuarat dhe pëlqyerat nga publiku?

Kreshnik Musolli:
Në përgjithësi të gjitha shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës janë vlerësuar shumë si nga publiku vendor poashtu edhe në rajon e Europë në turne e festivale të ndryshme. Një nga shfaqjet më të pëlqyera por edhe më të reprizuara është shfaqja “Dasma” me koreografi nga Mehmet Balkan e cila është realizuar si premierë në vitin 2012 dhe është reprizuar deri në vitin 2017, diku më shumë se 38 herë.

Çfarë konsideroni si arritjet e juaja me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?

 
Kreshnik Musolli: Balerinët e BKK-së edhe pse në kushte tejet të tmerrshme të punës në sallën e ushtrimeve dhe provave që gjendet në bodrumin e Teatrit Kombëtar, nuk janë ndalur kurrë duke punuar me këmbëngulje e vendosmëri të madhe që të arrihen sukseset që i kemi arritur që nga ri-themelimi pas luftës. Që nga viti 2001 deri më tani janë punuar mbi 50 shfaqje premiera të  ndryshme me koreograf nga më shumë se 21 vende të botës duke bërë kështu që institucioni jonë të njihet jo vetëm në vend e rajon por edhe në të gjithë botën. Kjo patjetër që është arritë falë ish-Drejtorit Ahmet Brahimaj i cili është njeriu më meritor për ri-themelimin e Baletit në Kosovë pas luftës.

Poashtu ai e rriti gjithë grupin e balerinëve sikur të ishin fëmijët e tij, të gjithë duke funksionuar si një familje e madhe, kompakte dhe e disiplinuar gjë që ka bërë që të instalohet në mendjen e secilit që vetëm me punë të pandalshme mund të arrihen sukeseset në karrierën tonë pasi që në këtë profesion është shumë e limituar koha që mund të jesh aktiv në skenë. Për fat të keq në muajin Maj të këtij viti Ahmet Brahimaj “Babai” i Baletit të Kosovës u nda nga jeta dhe ne si gjeneratë e re e kemi obligim që të vazhdojmë tutje atë që ai ka nisur duke mos u ndalur asnjëherë me punë e suksese që institucionin tonë ta ngrisim edhe më lart në çdo aspekt.  

Së shpejti keni dhe premierën e re me 3 dhejtor, nën koreografinë e të mirënjohurit Mehmet Balkan. Mund të na tregoni për historinë e shfaqjes, dhe elementet që e përbëjnë?

Kreshnik Musolli: Me datën 3 Dhjetor do të kemi premierën e dytë për vitin 2020 me koreografi nga Mehmet Balkan nga Turqia i cili është një emër me renome botërore. Me të kemi filluar bashkëpunimin në vitin 2010 dhe është shfaqja e pestë që e realizojmë së bashku. Shfaqja titullohet “Sisters” dhe ka si temë dy motra të cilat dashurohen në personin e njëjtë dhe pastaj lindin situatat dramatike mes tyre me xhelozi e inate.

Është një shfaqje e jashtëzakonshme e baletit neoklasik me një muzikë të mrekullueshme të kompozuar nga Erim Ardal nga Turqia. Asistente e shfaqjes është Lale Balkan, Kostumet dhe Skenografia janë dizajnuar nga Tayfun Çebi dhe Video që shfaqet si skenografi virtuale në prapavi përmes projektorit nga Ahmet Şeren. Këtë herë është pak sfiduese puna e organizimit të premierës për shkak të pandemisë së COVID-19 ku masat e qeverisë janë që lejohet vetëm 30% e sallës të mbushet me publik, sepse zakonisht jemi detyruar që të fusim karrige shtesë në sallë për shkak të interesimit tejet të madh.

Sa e karakterizon qytetin tuaj arti i baletit apo arti në përgjithësi në lidhje me mbështetjen nga publiku apo instituiconet lokale? Dhe sa të ndërthurur keni qene në aktivitete jashtë Kosovës?

Kreshnik Musolli: Baleti si art është shumë i dashur për popullatën në Prishtinë e në Kosovë dhe interesimi është shumë i madh në çdo premierë e reprizë të shfaqjeve që kemi. Do të duhej të ishte një përkrahje edhe më e madhe nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për arsye që ne e kemi problem kyç objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, sepse siç e ceka edhe më lart është tejet sfidë e madhe të punohet në kushtet që i kemi momentalisht ku mungon hapësira e duhur, ajrosja e mjaftueshme e drita natyrale të cilat ndikojnë shumë negativisht çdo ditë në performancën dhe shëndetin e balerinëve.

Problem tjetër ose nevojë urgjente e jona është edhe Shkolla Kombëtare të Baletit që ende presim të themelohet. Vetëm përmes kësaj shkolle e cila do të jetë nën ombrellën dhe kontrollën e Baletit Kombëtar të Kosovës, mund të sigurohen e shkollohen gjeneratat e reja të cilat do ta vazhdojnë këtë art në Kosovë në mënyrë të mirëfilltë.

Sa i përket aktiviteteve jashtë vendit, kemi pas fat të marrim pjesë në shumë festivale e turne në shtetet e Ballkanit e Europës si: Shqipëri: Durrës, Tiranë, Vlorë, Elbasan; Maqedoni: Shkup, Tetovë, Manastir, Dibër, Ohër; Bullgari: Pravets, Sveti Vlas, Ruse; Zvicërr: Cyrih; Itali; Villapiana, Altomonte, Crotone, Napoli; Austri: Graz; Gjermani: Berlin, Hamburg; France: Paris; Finlandë: Tampere, Helsinki, Turku, Pori. 

A mendoni se keni lënë gjurmë artistike?

Kreshnik Musolli: Padyshim që Baleti Kombëtar i Kosovës ka lënë gjurmë të rëndësishme në artin e kulturën e shtetit tonë duke treguar një nivel tejet të lartë teknik e artistik në secilën paraqitje si në vend ashtu edhe jashtë Kosovës. Shumë herë është emëruar si Institucioni më i suksesshëm kulturor në vend. Kjo është thënë edhe nga secili koreograf që kemi bashkëpunuar për këto vite, ku secili prej tyre ka punuar e punon në vendet më të zhvilluara me Kompani tejet të sukesshme të baletit dhe janë në gjendje të vlerësojnë këtë punë në mënyrën më të drejtë.

Bashkepunetor i Revistes “ KUVENDI”

29 Nentor 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *