Enkelejda Kondi – Poezi per Konkursin

Kufiri i botes

Kufiri i botës është deri tek ti

Nëpër vijat e qiellit,

Nëpër imazhet e reve,

Në pafundësinë e oqeaneve,

Në udhën e bardhë të mallit

Është kufiri i botës që më sjell tek ti.

Nëpër fjalët e dashurisë,

Nëpër krahë avionësh,

Në aeroporte të braktisura,

Në fluturime të vetmuara,

Në trishtimin e ndarjeve

Është kufiri i botës që më ndan nga ti.

Le te hapet

Le të hapet, pra, qielli!

Këtë verë pres të hapet qielli,

Të bien muret e të shkëlqejë dielli,

Të mbahet mend se me ç’padurim e presim

Çastin kur buzët tona të shkrihen

Ne një melodi të ëmbël pasioni…

Të mbahet mend përqafimi

Dhe gëzimi si prej fëmije i zemrës në kraharor.

Më duhet të vij tek ti,

Më thërret malli,

E ndiej se duhet,

Ndaj pres të hapet qielli, të bien muret.

Me një puthje malli dua të vij tek ti këtë verë,

Le të hapet, pra, qielli e ta mundim së bashku pritjen.

Patjetër, këtë verë…

Pres të dalë dielli…

Në kujtim të saj

Në kujtim të saj

Do të vë në tryezë trëndafila të kuq

Për ta ngjallur sërish imazhin e saj.

Në kujtim të saj

Do të shoh ëndrrën më të bukur si në legjenda,

Ta ndiej shpirtin e saj të ngurtësuar në jehona mitesh.

Në kujtim të saj

Do të shkruaj data

Në brigje të largëta, në blu të frikshme.

Në kujtim të saj

Do të pushoj së shkruari, do ta përpij errësirën,

Do të hesht e do të shkrihem në vaj të përjetshëm.

Pogradeci

Dy mjellma mbi pasqyrën e liqenit

Dhe malet përreth përthyhen në syprinën e tij,

Shihen në të edhe dielli, edhe vete liqeni,

Dhe qielli i patrazuar e i paqtë,

Dhe jeta e njerëzit,

Dhe një varkë e braktisur në breg,

Dhe një tjetër tutje, larg nga bregu,

Dhe Lasgushi me Kutelin,

Dhe vjeshta dhe dimri,

Dhe vera me njerëz plot,

Dhe mbrëmja…

Dhe sot

Në këtë pasqyrë të madhe

Ka vend për të gjithë…

Në këtë pasqyrë

Pogradeci nuk fshihet dot…

Rruge

Ka rrugë në qiell,

Ka rrugë në det,

Ka rrugë në rrugë,

Ka rrugë në zemër,

Ka rrugë në shpirt.

Ka rrugë drejt jetës,

Ka rrugë drejt vdekjes,

Ka rrugë për te dashuria,

Ka rrugë për te ndarja.

Ka rrugë për tek ti,

Ka rrugë për tek unë.

Ka rrugë, ka rrugë pafund,

Rrugë që të çojnë te kjo botë

E përgjithmonë në botën tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *