ANTON ÇETTA, 100 – VJETORI I LINDJES – VJETI JUBILAR ( 1920 – 1995)

Prof. Nikë Gashaj

Qeveria e Republikës së Kosovës e  ka shpallur nëntorin “ Muaj të Anton Çettës”, në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e ndarjes nga jeta, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve-pajtimit të gjaqëve, të cilit i printe. Profesor Çetta, ka qenë pedagog, studiues, shkrimtar, folkloristë, humanistë dhe një ndër kontribuesit e pashoq në pajtimin e familjeve shqiptare.

Gjatë aktivitetit  letrar, profesional, hulumtues dhe studiues, ai kishte vizituar shumë treva shqiptare, duke fituar kështu respektin dhe dashurinë e popullit.

Në vitin 1990 është zgjedhur kryetar i “Këshillit Qendëror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqëve”. Ai me një mençuri të lartë, vizion dhe taktikë të veçantë, si dhe dashuri të madhe ka arrijtur  të pajtonte me mija familje shqiptare të ngatërrura dhe të hasmuara. Anton Çetta arriti që të pajtoj shqiptarët në mes të veti, duke i dhënë fund kështu një periudhe të kobshme të vëllavrasjes. Prandaj, Anton Çetta është ndër figurat më unike të kombit shqiptar.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Programin e aktiviteteve gjatë nëntorit në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çettës, disa prej të cilave do të mbahen edhe në Shqipëri: Përurimi i veprave të Anton Çettës; Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq, investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Këndi i Anton Çettës-ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës; Emisione Televizive -RTK, shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri; Simpoziumi shkencor në Prishtinë dhe Tiranë; Ekspozitë e fotografive në Prishtinë dhe Tiranë-Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik në Tiranë; Themelimi i Çmimit “Anton Çetta”.

Anton Çeta ka lindur më 3 janar 1920 në Gjakovë. Babai i tij Lazër Çetta, në tetor 1920  transferohet në Tiranë, ku dhe punësohet. Andaj, Antoni  mësimet e para i mori në Tiranë. Po ashtu shkollën e mesme e nisi në Tiranë, e vazhdoi në Liceun Francez të Korçës dhe tre katër vitet e fundit të Liceut-drejtimi klasik-në Milano të Italisë. Në vitin 1941 u këthye në Kosovë, në periudhën e sundimit italian.

Në vitin 1945, Anton Çetta është inkuadrua si profesor në Gjimnazin e Prizrenit. Me 1946, regjistroi studimet në Grupin e Romanistikës-Dega e Gjuhës Frënge, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit të cilin i mbaroi në afatin rekord brenda katër vitesh. Meqë ishte shquar në studime, pas diplomimit, pedagogët e tij e emërojnë asistent në Seminarin e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik të Beogradit, ku punoi rreth dhjetë vite. Anton Çetta ishte studiues i kulturës popullore, por dhe i kulturës sonë kombëtare në përgjithësi. Anton Çetta është njëri ndër intelektualët, etnografët dhe folkloristët më të shquar të kohës tonë.

Kontributin më të madh si intelektual ai e dha kur ishte profesor në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1961 nga Beogradi kthehet në Prishtinë dhe emërohet ligjerues në Degën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik, ku ligjëroi mbi shtatë vjet Letërsinë e Rilindjes dhe Letërsinë e vjetër shqipe. Njohuritë e tij të thedha klasike dhe moderne për letërsinë dhe gjuhën bënë që prof. Anton Çetta në Fakultet Filologjik të krijojë emër si njëri ndër profesorët më me autoritet të kohës.

Profesor Çetta, që në fillimin e organizimit të arsimit shqip, në vitet 50 merret edhe me hartimin dhe përpilimin e teksteve shkollore për letërsi dhe gjuhë shqipe si dhe të doracakëve të ndryshëm si koautor me Idriz Ajetin, Gani Lubotenin, Mark Krasniqin, Rexhep Hoxhën etj.

Nga viti 1967 e vazhdoi punën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku kaloi si studiues në Degën e Folklorit. Tani e tutje me tërë qenien e tij intelektuale ai do t’i  përkushtohet krijimtarisë folklorike, mbledhjes, botimit dhe studimit të saj. Në Institut, si përgjegjës kryesor i Degës së Folklorit, profesor Çetta përgatiti strategjinë dhe projektin e madh të regjistrimit të krijimtarisë gojore. Anton Çetta ishte jo vetëm organizatori kryesor i kësaj pune kolosale, por edhe mësues i kuadrove për folklor. Pjesën më të rëndësishme të këtyre materialeve folklorike arriti t’i botonte Instituti Albanologjik, kurse një pjesë e konsiderueshme e materialeve të pabotura gjenden në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, themelues i të cilit ishte ai vetë. Krahas materialit folklorik, ai  la në trashëgim edhe një lëndë të pasur etnografike nga fusha e pleqnive, apo tregimeve juridike popullore(pleqnive), dhe tregimeve etnografike etj.

Anton Çetta bëni një ndihmesë të madhe për mbledhjen dhe botimin e eposit të kreshnikëve, në troje të shumta shqiptare: Shalë, Bagorës, Rrafsh të Dukagjinit, Llapushë, Drenicë, Rugovë dhe Malësi të Madhe.

Anton Çetta, në historikun e mbledhjes së eposit tonë në Malësinë e Madhe, është vijues i Nikollë Ivanaj, publicist, shkrimtar dhe atdhetar i përmendur nga Trieshi i Malësisë së Madhe, i njohur si mbledhës dhe botues i këngëve të kreshnikëve nga Malësia e Madhe, në fillim të Shekullit XX.      

Sikurse e kemi cekur dhe më lartë, Anton Çetta ishte në krye të Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve(1990-1992) dhe fitoi famë të madhe. Në moshë të shtyrë, duke e njohur në thelb shpirtin e popullit, ai e nisi këtë mision sa human, po aq të rëndësishëm për momentin historik në të cilin ndodheshin shqiptarërt në ish-Jugosllavi.

Duke pasur njohuri mbi kuvendet e mëparshme historike për ta falur njëri-tjetrin si parakusht i pajtimit dhe bashkimit kombëtar, për kundërvënie të sukseshme ndaj okupatorit, së bashku me intelektualë të tjerë i prinë këtij misioni që paralajmronte fitoren dhe lirinë e Kosovës të afërt. Me ndihmën e qytetarëve shqiptarë ai arriti të organizonte tubime të mëdha që në atë periudhë kohore konsideroheshin format më të suksesshme të manifestimit të pakënaqësisë me gjëndjen e rëndë okupuese.

Para 30 viteve, në 1maj 1990, te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Besëlidhjes shqiptare dhe të nisjes së aksionit të pajtimit të gjaqeve, i cili në rrethanat më të vështira të okupimit, i ka bashkuar drejtë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Don Lush Gjergji, Anton Çettën e quan: “Babai i Pajtimit”. Më tutje ai shton:” Me shumë bindje dhe kënaqësi mund të them se, pata fatin, rastin, dhuratën dhe hirin e Zotit, që të isha një ndër bashkëpuntorët e prof. Anton Çettës në lëvizjen e madhe të pajtimit të gjaqeve. Kudo që shkonim dhe kalonim, Antoni ynë kishte ndonjë shok, mik, dashamirë, gjithnjë me ndonjë ngjarje apo përjetim nga e kaluara, me kujtime të freskëta dhe thënie popullore, me mençuri dhe butësi shembullore, me tregime tronditëse dhe mahnitëse, të cilat bashkëbiseduesit i detyronin në vëmendje dhe heshtje, në vrojtime dhe mendime, shpesh edhe në “dorëzime”, deri te shtrirja e dorës së pajtimit.

 Në shoqëri me Bacën Anton, si e thirrshim gati të gjithë me nderim dhe me dashuri, kishim çka të përjetojmë, dëgjojmë dhe mësojmë, sepse ai e krijonte ambientin e takimit, bisedës, ndejës, kënaqësisë së shoqërisë dhe shoqërimit ndër-njerëzor, aq sa çdo herë ishim të mahnitur nga arti i tij në komunikim. Ishte vërtet Mjeshtër i Popullit dhe për Popullin! “.

Anton Çetta e njihte fare mirë dhe për së afërmi, në brendi e thellësi shpirin e lënduar dhe të robëruar të popullit shqiptar nga  vuajtja, skamja, kërcënimi dhe robërimi shekullor, shpesh i stër-ngarkuar nga gjak-hakmarrja, i ndarjeve dhe përçarjeve, që për sundimtarët ishte arma më e lehtë e sundimit dhe robërimit tonë. Prandaj, ndër të tjerat thoshte: “Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes. Është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprusëse, sepse vëllain e shndërron në vrastar, mikun në armik, jetën në vdekje, dashurinë në urrejtje, lirinë në robëri…”.

Së bashku me rininë, me botën e kulturës, me intelektualë të profileve të ndryshme, me hoxhallarë dhe meshtarë, me një fjalë me të gjithë kishte krijuar një unitet për pajtimin e gjaqëve, të cilin ai e udhëheqte me shumë mjeshtri, mençuri dhe dashuri. Synimi ishte i qartë: Mposhtja dhe flakja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë, si parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të tashme dhe ardhmëri më të mirë.

Mirëpo, me pajtimin i gjaqëve tek shqiptarët u shqetësuan organet shtetërore të Serbisë. Andaj, më 3 maj 1990 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar pajtimin e gjaqëve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye: 1) Sepse populli shqiptar nuk ka traditën e faljes së gjaqëve( gjë kjo që nënkuptonte dëshirën e tyre: le ta vazhdojnë traditën e vrasjeve!; 2) Këtë lëvizje e udhëheq Anton Çetta, me “njëfarë” prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, dhe pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë; 3) E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë. Prof. Anton Çettën e kishin ndalur dhe burgosur, ndërsa Don Lush Gjergjin e kishin kërcënuar me vdekje, popullin e kishin keqtrajtuar në format të ndryshme, por kot, sepse tashmë Shqiptarët e shijonin pajtimin, vëllazërinë gjithëshqiptare dhe bashkimin. Me pajtimin e gjaqëve shqiptarët e përforcuan vëllazërinë gjithëkombëtare, krijuan kulturën e jetës dhe të qytetërimit e dashurisë.

Anton Çetta është nda nga jeta më 3 nëntor 1995 në Prishtinë. U varros në Prizren me nderime të mëdha. Në nderimet e gjithë kombit  u shpall Ditë zie në Kosovë nga Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, i cili e ka dekoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike. Po ashtu, Anton Çetta është dekoruar edhe nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm- Dr. Ibrahim Rugova”, në 30 prill 2010-20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit të Verrat e Llukës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *