Liria
Ç’ka mbetur tjetër veç skutave,
Për zjarrin tim,
për frymën tënde?!
E verbër
prekja shket mbi duar,
si vello e pa hedhur…
Në shesh-betejë
Liria përplas krahët,
Pret plagë t’i hapen,
që t’ia shkrepë vajit.
Se nuk kupton në është e gjallë
pa një pëshpërimë,
pa gaz, pa vaj…
Për zjarrin tim,
për frymën tënde…
Një burg të gjendet!
Të zihet rob liria e t’ia plasë vajit!
Pa krahë, pa zë, pa dritë,
e nëmur të rrojë me plagë…
E gjallë!
E pamjaftueshme!
Më shtyp pamjaftueshmëria ime,
Si hapat e fundit në dëborën e prillit…
Përplaset dyshuese mungesa mbi mua:
-Nuk mjafton dëbora, apo gjurmët?
E pamjaftueshme jam unë për dimrin,
që kurrë s’mësova ta pranoj siç është.
Ia desha borën, (sa shumë)! Por e shkela…
Tani hakmarrshëm çdo prill më shkel ajo.
E pamjaftueshme për ty, për ne!
Nuk kam më borë të mbush paplotësinë tënde.
Tkurrem gjithë kohës të mbuloj zgavrat bosh,
Përmes zbrazëtisë shoh dashurinë që shembet!
Ajo heshti…
Sytë – Ujë dhe zjarr flakërinin.
Vrerosnin diejt – nxinin ylberet…
Ajo heshti!
Buzët – Digjnin shpresën dhe mynxyrën.
Përcëllohej i pa zë’ – Ngashërimi…
Ajo heshti!
Hapat – Kujën vrisnin në largim.
Trandej dheu – Fikej qielli…
Ajo heshti!
Ai po puthej…
Ai po puthej…
Ai po puthej?!
–
Jo me atë!
(C) Klejda Plangarica