PERQAFOM, I DASHUR!…
Të lutem, i dashur, sonte përqafom fort
përqafom fort e me zjarrë, si të ishte përqafimi ynë i mbramë,
mu sikur atëherë, mu sikur atë natë
kur për herë të parë u përqafuam me sy
në momentin që u pamë
e zemrat tona i ngujuam me dry
e më kurrë s” u ndamë!…
Përqafom aq fort, i dashur, ti sonte,
mos thuaj asgjë, vetëm më përqafo,
këtë shpirt të zhuritur për dashurinë tënde
e si mëngjes pranveror mua prap më ago!…
Përqafom e me lotë malli të qajmë në heshtje,
sikur ky përqafim të jetë për lamtumirë,
lëre, le të pikojë loti si gjethe vjeshte
se të duash kaq shumë është shumë e vështirë!
Përqafom fort, sonte i dashur,
më dhuro lule e më përqafo
e tregoji gjithë botës së ligë e hileqare
thuaji…Zemra ime vetëm këtë e do!…
Përqafom si atëherë, kur dielli
me afsh e zili, prej së larti na shikonte,
kur urdhëronte hënën mbas reve të fshihej
e duke na lakmuar përtonte të perëndonte!
Përqafom fort, sonte i dashur, pashë t” Madhin Zot,
si të ishte për ne përqafimi ynë i mbramë,
që as ajëri mes nesh mos të depërtojë dot
e nga smira botë e ligë të lëshojë t” fundit piskamë!…
Mos vono, i dashur e mos më lë të pres,
mos harro kur dhamë një të shenjtin premtim,
…Për këtë Diell e Hanë dhe ditën që do vdes,
dua të jap shpirt në tandin përqafim!…