TRASHEGIM
“Mbaje veten sit ë re!”
Më vështroi gjatë
e mbylli sytë përgjithëmonë
Babai…
“ kur të largohem unë,
Lulet mi rrit
Në ballkonin tënd!”
Pëshpëriti nëna.
Do të mbetem e re
Në ballkonin plot lule,
Ku mes luleve
Dy prindërit e mi.
GRUA FUSTANGJELBER
Befas
U shfaq para meje
Një grua fustangjelbër.
Dukej
Sikur me atë veshje
Kish larë çdo mëkat.
Sikur të ish
Kaq e thjeshtë,
Do të gjelbëronin garderobat.
STAMBOLL 2014
Mbi bosfor
Lundrojnë anije
Ngadalë ose me nxitim.
Disa rrinë në port
Presin, si unë
Me mendimin tim.
Pak zemër po lë këtu
Shprehur në ngjyra
E po nisem
Për në atdhe.
Një pulëbardhë
shkon tek një tjetër
ngrihen bashkë
në fluturim…
MONOPATET
Nën dritëhije
Drurësh
Duken, zhduken
Monopatet.
Cili prej tyre
Të çon
Tek dashuria?
Pyetja mbetet
“ e dehur” në brigje.
ZBARDHJE
Mendimet e turbullta
Të natës,
Zbardhen
Në agim.
Veç
Një prej tyre,
S’kthjellet dot
E le mendjen shtatzanë.
EMRI YT
I fshiva,
I fshiva të gjitha.
Mbi fletën e bardhë
Shkrova emrin tënd.
Si zog i vonuar shtegëtar
S’di ku të të bëj vend,
Përveçëse në zemren time.
TABLOJA
Dielli u zgjua edhe sot.
Pikturoi me ngjyra të arta
( si di vetëm ai)
Vjeshtën.
Kur të pikturoi edhe Ty,
Ia mora tablonë nga duart,
Ika me vrap.
Askush s’mundej
Të më kapte.