Vatra e sotme – një projekt antishqiptar që synon vdekjen e saj

Bisedë me Majlinda Zenelin

Duke parë disa qendrime publike të  Majlinda Zenelit, kureshtja më shtyri të vizitoj profilin e saj, për publikimet në mediat elektronike. Në disa webe, por edhe në të përditshmen , pashë Mailinden, patriote, shumë të dhënë në çeshtjet kombëtare, një analiste deri në përfeksion në problemet e politikës bashkëkohore, si dhe në disa fenomene përçarëse dhe , ma e keqja ndikimet ekpsansioniste të fqinjëve tanë historik në punët tona.

Bash për këtë, lexova disa qendrime tuajat,  që kanë të bëjnë me Panfederatën “Vatra”, një organizatë afro njëqind e dhjetë vjeçare. Si e shihni sot këtë Federatë, etj…  Pa hyrë gjatë në historikun e saj që dihet, ka pasur disa zikzake, falë ndërhyrjeve serbo-greko-komuniste, le të bëjmë një bisedë për lexuesit, lidhur me zhvillimet e sotme të kësaj organizate.

Së pari, le të dimë cili është formimi intelektual i Majlinda Zenelit?

Diplomuar për Gjuhë – Letërs në 1986. Mësuese dhe drejtore në arsimin 9 vjecar dhe arsimin e mesëm. Në 1993 përfundon masterin për Shërbime Sociale. Nga 1993-2002 në emigrim. Mars 1995, libri poetik (me botues grek), dy gjuhësh, “Besomëni!”. 1996-1997, drejtuese për materialin shqip të gazetës kulturore: “Shkrimet bashkëkohore Greko – Shqiptare”. Botimet në shtypin e ditës dhe OnLine: “Duke kërkuar moderatorët”; “Për një raport të drejtë vlerash”. Gazeta “Shekulli”. “Shërbimi mediatik ‘proteston’ të rritet”; “Radikalizmi”. Gazeta “Koha Jonë”. “Rezistencë paralele”/Të mos lëshohet “Vatra” në duart e lojës greke!”; “Refleksion mbi mendjen e shëndoshë rebele”. Puls7.com “Beteja ekzistenciale dhe nevoja jetike e çtoksikimit komunist mbarëkombëtar” Publik Grup – Poshtë, 29 Nëntori 44 – Ditë e pushtimit komunist, etj…

  1. Si i shihni zhvillimet e sotme në Federaten Panshqiptare “ Vatra?

E gjithë drama kërcënuese e shpërbërjes së Vatrës, është një shfaqje në miniaturë e krizës shumë dimensionale të kombit tonë. Në themel të spektrit të gjerë të krizave, te ne, në Shqipëri, qëndron kriza institucionale, nga e cila burojnë edhe llojet e tjera të krizave: ekonomike, politike, legjislative e sociale.

Ilegjitimiteti i strukturave drejtuese të sotme, është burim i gjithë krizave të brendshme të Vatrës, si: mungesa e plotë e demokracisë së brendshme; anëtarësia fiktive, kaotike e në shthurje të plotë; injorimi dhe hedhja poshtë (pa miratimin e anëtarësisë), të Kanunores (“Kushtetutës”); funksionimi i Vatrës pa parimet tradicionale dhe zëvendësimi me të kundërtën e tyre.

Njësoj si çdo individ i përgjegjshëm edhe organizata shoqërore e mban ekzistencën e vet mbi parimet tradicionale, të cilat me të drejtë vlerësohen për parime ekzistenciale. Një nga parimet tradicionale që siguroi ekzistencën mbi një shekullore të Vatrës, është parimi i jetësimit dhe mbrojtjes së ÇËSHTJES KOMBËTARE dhe qëndrimi me fanatizëm jashtë angazhimeve politike të qeverisjeve të kohës.

Vatra është një pasuri unike, tejet e çmuar e Kombit dhe jo e partive. Këtë fakt e theksoj për Vatranët dhe ne shqiptarët, që e nderojmë aq fort Vatrën, se sa për shërbimin sekret grek e mercenarin e tyre, filogrekun Mishto ata janë edhe më të qartë për vlerat e Vatrës, ndaj nxitojnë ta “zvogëlojnë” në një organizatë politike, duke fshirë tinëzisht statusin e merituar të saj, “PANSHQIIPTARE”.

Çfarë është për Ju Komisioni i 5 tetorit 2019?

Në vlerësimin tim Komisioni i 5 Tetorit 2019 është Vatra TRADICIONALE, serioze dhe e besueshme, që siguron vazhdimësinë e të vetmit mision që ka Vatra, mbrojtjen e ÇËSHTJES KOMBËTARE.

  1. Si mendoni për Kuvendin e Vatres që u mbajt ne Detroitit dhe për organet drejtuese të saj shpallur disa ditë më pas?

Një kuvend ilegjitim, drejtuar nga një kryesi me funksion dhe mandat të përfunduara, që funksionon mbi dy vite e gjysmë jashtë Kanunores së Vatrës, duke shkelur hapur dhe me arrogancë “Kushtetutën” e Vatranëve.

Një kuvend fiktiv, ku mungoi deri edhe regjistrimi elektronik i anëtarësisë së VATRËS, një mosregjistrim i qëllimtë, që fshehu suksesin e misionarit grek, Mishto, në shpërbërjen reale të anëtarësisë në dy vite e gjysëm të uzurpimit të Vatrës prej tij.

Sa i përket vendimmarrjes rreth strukturave të Kuvendit të Michiganit, organikës së “fryrë” (dëshmi e drejtimit korruptiv), për një anëtarësi dramatikisht  të “tretur”, janë jashtë neneve të Kanunores. Përderisa Vatra ende njeh Kanunoren për “Kushtetutën” e vet, ajo duhet respektuar detyrimisht, në të kundërt çdo strukturë mbetet ilegjitime.

Nëse ka dorëzim e pranim të status quo-s që imponon Mishto përmes Elmi Berishës, “qokat” korruptive të pushtetit për mercenarët karrieristë të Balëve, Elmi Berishës, e kompani, të nisur nga Mishto, do shtohen shumë më tepër në të ardhmen dhe padyshim, që ky drejtim i ndotur dhe jashtë çdo parimi, e çon Vatrën në shpërbërje të paevitueshme.

  1. A duhet të ketë Vatra seksion politik, kur në Kanunore thuhet shprehimisht: “Vatra nuk është organizatë politike dhe nuk merret me politike”? Kush duhet të jetë në krye të këtij seksioni?

Jetëgjatësinë e vet unike, të mbi një shekulli, Federata Panshqiptare “Vatra”, e siguroi përmes respektimit të rreptë të parimeve të veta tradicionale (ekzistenciale), një nga të cilat dhe ndër më të rëndësishmet është parimi i refuzimit të çdo angazhimi e anësie politike, një parim i shprehur qartë në nyjen 5 të Kanunores.

Në 108 vite të jetës së vet, Vatra nuk lejoi krijimin e ndonjë seksioni politik, për më tepër të drejtuar nga një nënpresident. Çështja kombëtare mbeti i vetmi mision i Vatrës.

Këtë fakt e shpreh qartë Bahri Omari në shkrimin editorial të 1917-ës. “Vatra u bë shoqëria që simbolizon një politikë thjeshtë kombëtare, duke mos anuar as nga ndonjë anë dhe duke mos u bërë vegël e asnjë propagande të huaj. Cilado qeveri që ka pandehur ta bënte vegël për politikë të saj shoqërinë tonë, e mori vesh që i goditte sëpata më gur. Armiqtë tanë e kanë halë në sy se e çmojnë që, në ka një organizim që t’i japë jetë çështjes shqipëtare, është Vatra.”

Vendimmarrja e Kuvendit ilegjitim të Michiganit për krijimin e një seksioni politik, nuk është një “risi” e rastësishme. Përkundrazi! Misionari grek, Mishto, me dorën e Kuvendit ilegjitim, “moderon” Vatrën, ndërsa zëvendëson misionin Kombëtar me shërbesën politike (ndaj qeverisjeve të kohës). Entuziazmi shkallmues i Kuvendit ndaj themeleve strukturale të Vatrës shkon deri në formalizimin fuqishëm të strukturës politike (e drejtuar jo rastësisht prej mikut të Mishtos), e cila ka për detyrë zvogëlimin e Vatrës në një organizatë politike dhe largimin e pashmangshëm nga misioni Kombëtar, për të cilin u krijua. Një projekt antishqiptar që synon vdekjen e Vatrës.

“Vatra është si një gjeneral që komandon një ushtri, e cila, po të dalë fitimtare, nderin e math e merr gjenerali dhe jo ushtarët, të cilët derdhin dhe gjak, se ay është timoni i punës, ay është që bën plane për të dërmuar armikun”, – shkruan ndër të tjera në shkrimin e tij, Bahri Omari.

Nëse skenari i “seksionit politik” të filogrekut Mishto, do të ketë sukses, dhe nuk do të ndalet, padyshim, “Vatra politike”, e gjunjëzuar prej diktatit të skenarit grek, do të humb statusin legjitim, “PANSHQIPTAR”, autoritetin, respektin e “gjeneralit” të të gjitha shoqërive të diasporës, do të kapitullojë ushtrinë e vet (anëtarësinë), pasi do të humbasë misionin për të cilën u krijua, ÇËSHTJEN KOMBËTARE.

  1. A mund të  funksionoi Vatra me nje Kanunore 107 vjeçare, kur kohët kanë ndryshuar shumë?

Jetëgjatësia mbi një shekullore e Kanunores dëshmon se ajo është një pasuri që ëshë ruajtur e trashëguar nëpër breza. Pra tashmë është kthyer në një statut tradicional. Edhe vetë emri “Kanunore” (rregullore, statut), përcjell traditën.

Në fjalorin e Akademisë së Shkencave, fjala traditë ka këtë shtjellim: “Pasuri që ruhen, trashëgohen e zhvillohen më tej si një thesar i çmuar nga njëri brez në tjetrin.”

Në përkufizimin e akademikëve shqiptarë është edhe përgjigjja e pyetjes suaj. Po! Kanunorja duhet të zhvillohet (si çdo organizëm i “gjallë”), por krahas nevojës së zhvillimit të saj, duhet të mbrohen me vigjëlencë maksimale parimet më jetike të Kanunores. Janë parimet TRADICIONALE, që siguruan dhe mbajtën peshën e rëndë të jetëgjatësisë mbi një shekullore të Vatrës, duke dëshmuar largpamësi dhe aftësi për të përballuar me sukses sulmet e ashpra brenda vetes dhe ndërhyrjet e pabesitë e antishqiptarisë.

“Udhëheqësit e vërtetë të popujve janë traditat e tyre.” Gustav Le Bon. Përkufizimi i sociologut francez tregon se vetëdija popullore ia beson traditës, ekzistencën dhe prosperitetin e vet. Edhe sotmja na tregon se kombet më të suksesshme janë kombet që investojnë më shumë në ruajtjen dhe zhvillimin e traditës.

Për t’u shkëputur nga teorizimet po marr për argument njërin nga nenet e “vjetëruara” të Kanunores, tashmë ë shfuqizuar nga binomi Mishto-Grishaj. Sipas këtij amendamenti, çdo kandidat për Kryetar i Vatrës duhet të ketë 5 vite anëtarësim në Vatër.

Amendamenti në fjalë është substancial, madje jetik për Vatrën. Përse? Kohët që jetojmë si Komb janë kohë të rrezikshme, me kërcënime serioze deri edhe të sovranitetit territorial. Kombi ynë (Shqipëria dhe Kosova), jeton “monitorimin” intensiv të shërbimeve sekrete të fqinjëve tanë greko-sllav, në bashkëpunim të ngushtë me një pjese të elitës globale dhe shoqërive të tyre okulte (si Masoneria), që grabisin hapur pasuritë tona mbi dhe nëntokësore përmes kastës sonë politike tërësisht të shitur. Pjesë e “monitorimit” të shërbimeve sekrete greko-sërbe, padyshim është dhe diaspora, organizatat nacionaliste e vecanërisht Federata Panshqiptare “Vatra”, kjo organizatë me histori dhe jetëgjatësi unike. Rasti Mishto është vetëm “maja e ajzbergut” të “monitorimit” të skajshëm të diasporës prej shërbimeve sekrete të fqinjëve tanë dhe miqve të tyre Perëndimorë, që kërkojnë zhbërjen e Nacionalizmit Shqiptar në diasporë.

Po rreziku tjetër po aq serioz për Vatrën (por dhe për vetë diasporën), mbetet invazioni prej tri dekadash i Vatrës prej “njeriut të ri”, komunist, një krijesë kameleon (me gjithfarë maskash: të “patriotit”, “atdhetarit” e “demokratit”), dekadent, parazit e me vese të rënda, me personalitet të rrënuar, në çdo kohë i gatshëm të shitet në tradhëti.

E përballur me këto rreziqe (një nga arësyet pse VATRA sot rrezikon shpërbërjen), amendamenti i Kanunores, që lejon kandidimin për kryesinë e Vatrës vetëm pas 5 vitesh anëtarësim në të, jo vetëm nuk është i “vjetëruar”, arkaik, por mbetet një amendament jetik, i respektuar për largpamësinë e vet, një amendament që i jep kohë Vatrës të realizojë një “filtrim” cilësor të kandidatit për Kryetar të Vatrës. Nuk është aspak rastësi që ky amendament (e të tjera të këtij lloji, që sigurojnë mirëfunksionimin e VATRËS), e nervozuan dhe zemëruan filogrekun Mishto, deri në zhbërjen e këtij “trupi mbrojtës” dhe përmes së njëjtës arrogancë, realizoi “përmbytjen”e qëllimtë të Vatrës me gjithfarë vatranësh të pashkollë, me personalitet e familje të rrënuara (hajna, spekullatorë, të paarsimuar, pa moral personal e familjar dhe deri në fallcifikatorë).

Të tjera amendamente të “vjetëruara” të Kanunores po sjell për të kuptuar bindshëm respektin që duhet të tregojmë ndaj TRADITËS, vlerësim që na ndihmon ta kërkojmë zhvillimin bashkëkohor të Kanunores duke respektuar dhe jo shkallmuar historinë tonë, Vatrën TRADICIONALE.

Kanunorja e Vatrës është shumë dinjitoze. Në nenin 77, Kanunorja i përgjigjet sërish me largpamësi “padurimit” të sotëm për moderimin e statutit të Vatrës. “Ndryshimet në Kanunore prej Kuvendit duhet të bëhen me 2/3 e votave të përfaqësuesve të Kuvendit”, – thuhet në Kanunore. Pra Vatranët e kanë të hapur “udhën” për çdo ndryshim të Kanunores.

Amendamenti 16 i Kanunores kërkon që Këshilli Drejtues i Vatrës të mblidhet minimalisht 6 herë në vit. Një nga amendamentet e refuzuara dhe të injoruara prej Mishtos. Një nga shumë arsye të tjera që po e çojnë Vatrën drejt shpërbërjes së pashmangshme. Çfarë kërkon Kanunorja me këtë amendament? Përkushtim, përgjegjshmëri, angazhimin maksimal të kësaj strukture, së cilës i besohet mirëfunksionimi, vijimi i traditës, historisë unike të Vatrës, simbolit e krenarisë sonë Kombëtare.

Tri dekada pas përmbysjes së diktaturës monstruoze të Enverit, mësuam se qeverisjet tona në të shumtën e rasteve na i “përzgjidhte” antishqiptarizmi, edhe pse dukej se vinin nga votimi ynë. Të gjitha qeverisjet, pa përjashtim, veçanërisht kjo e fundit, Rilindja, e përqëndruan sulmin kundër traditës dhe jo rastësisht. Filluan më shembjen e asaj pak industrie që kishim, duke zeruar të gjitha fabrikat dhe uzinat ekzistuese (sot është dokumentuar se gjithcka ishte e dirigjuar prej antishqiptarizmit), me rrënimin e bujqësisë, për të mbërritur në zhdukjen, edhe si nocion, të Ekonomisë Kombëtare. Sot, Rilindja dhe Rama (që ka dal hapur me tradhëtinë), kanë ndërrmarë sulm ofensiv për ta lënë pa kujtesë historike këtë popull, duke intensifikuar në mënyrë të pashembullt goditjet ndaj historisë, traditës, arkitekturës, monumenteve (që po i con drejt rrënimit), arsimit dhe artit, ndërsa po kërkon forcërisht edhe rrënimin e Teatrit Kombëtar.

Sigurisht, intelektualët në Shqipëri kanë kohë që po rezistojnë dhe po organizohen edhe politikisht. Por e solla këtë realitet shqiptar për të kujtuar se jetojmë kohë të rrezikshme për identitetin tonë kombëtar. Në Shqipëri, pas këtij rrënimi të madh, prej grupimeve të intelektualëve po kërkohet gjerësisht e me vetëdije të plotë mbrojtja me çdo çmim e traditës e historisë sonë. Në mbyllje. Ndryshimet e Kanunores duhet të bëhen me shumë përgjegjësi dhe me pjesëmarrjen (siç e thotë dhe Kanunorja) e të gjithë anëtarësisë.

  1. A mund të qendroj Vatra në këmbë, pa u pastruar nga Kuvendi, nga Mishto që u bë kryetar përmes shkeljes së Kanunores, si dhe shkeljet e tjera të vazhdueshme?

“Kam analizuar dështimet e mia dhe kam vënë re se arsyeja kryesore e tyre ëshë se nuk kam qenë mjaftueshëm radikal!” Jean Pol Sartre.

Shkatërrimi dhe pasiguria janë karakteristikat të kohës që jetojmë, veçanërisht për kombe si i yni, të mbërthyer në kthetrat e një kolonizimi tërësor (pasoja që i vuan edhe diaspora jonë). Në këto kushte, projektimi i së nesërmes në marrëdhënie mirëbesimi, çon drejt dështimit të sigurtë. “Armatosja” me parime është jetike për individë apo shoqëri që i pëkasin veçanërisht kombeve si i yni. Vatra, simboli ynë Kombëtar, më tepër nga çdo organizatë tjetër nacionaliste, është e “dënuar” ta mbrojë ekzistencën (të kërcënuar) përmes mbështetjes unanime të Kanunores së vet. Edhe pse paradoksale, “stuhia Mishto”, është “fat”, pasi nxorri në breg tërë ndotësinë e grumbulluar në afro tre vite të heshtjes së “përmbajtur” e të paaftë të “Vatranëve Tradicionale”.

Sot, kur “llumi” precipitoi, RADIKALIZMI është domozdoshmëri, në të kundërt nuk do të ketë dështim (siç thot Sartre), por do ketë rrënim të pakthyeshëm të Vatrës.

“Vatra tredicionale” duhet të vijojë rrugën e nisur edhe me më shumë këmbëngulje, organizim, denoncim publik të palodhur e të padruajtur, si dhe zgjerim dhe vetëm zgjerim të rradhëve të veta, veçanërisht me të rinj. MBIJETESA, dalja nga kërcënimi ekstrem i shpërbërjes, rrënimit të Vatrës, ëshët misioni madhor i Vatranëve dhe Vatrës TRADICIONALE.

  1. A mendoni se Vatra e sotme duhet riorganizuar në themel, duke menduar se çfare do të ndryshonin, po të ishin gjallë Noli e Konica?

Përgjigjen e kësaj pyetje interesante po e nis nga fundi. Ndihem tejet e dobët të marr guximin të parashikoj për viganët e Kombit, Nolin dhe Konicën. Sa për citimin: “… po të ishin gjallë”, duke ju kërkuar falje, z. Pjetër, do korrigjoja frazën, për të nënvizuar se kolosët tanë: Noli, Konica janë ashti i ATDHEUT tonë dhe së bashku me VATRËN, emrat e tyre janë gjallë, duke luftuar fort për ardhmërinë e Kombit.

Në përgjigje të pjesës së parë të pyetjes, po sjell një fakt dramatik të ne shqiptarëve të Shqipërisë. Edhe pse jetojmë në atdhe, ndjehemi pa atdhe e të braktisur, pasi të gjitha institucionet (me pak përjashtim, Presidencën) janë në duart e antishqiptarizmit, që fatkeqësisht është kthyer burim fitimi vecanërisht për politikën, për shërbimin informativ shqiptar (i cili ka riaktivizuar sigurimsat e diktaturës komuniste dhe bijtë e tyre), për pothuaj krejt policinë, si dhe për drejtësinë e “re” të projektuar nga Soros e Masoneria e tij.

Duke jetuar në një burg me dyer të hapura (shkaku i largimit masiv të shqiptarëve), një pjesë në rritje e shqiptarëve, që kanë refuzuar mercenarizmin partiak, e kanë jetike jetesën me parime të “rrepta” (deri në ditën e LIRISË, në ditën e përmbysjes së sistemit dhe daljen nga prangat e neokolonisë së sotme).

Vatra tradicionale, simboli ynë Kombëtar, është e dënuar (si të gjithë patriotët e vërtetë), të jetë e rreptë me veten, të jetojë vetëm përmes parimeve të sintetizuara qartë në Kanunoren e vet. Vatra tradicionale duhet të jetë e përgatitur për të larguar pa hezitim makiavelistët, karrieristët, tërë mercenarinë e Mishtos. Qëndrimi i dobët për çështje numrash e llogarish mbetet kosto në rritje për Vatrën.

“Në 22 Dhjetor 2019, – sipas procesverbalit të Komisionit të 5 Tetorit 2019, – kryetari i Degës së Vatrës në Hudson Valley, Z. Elmi Berisha, merr pjesë në mbledhjen e Komisionit të 5 Tetorit 2019, qëndroi vetëm për pjesën e parë të mbledhjes, ndërsa u shpreh: ‘Ky Komision është i përbërë nga elita e VATRËS, që me punë dhe vullnet kanë punuar dhe punojnë vetëm  për të mirën e VATRËS dhe kjo konfirmon dhe njëherë seriozitetin dhe dedikimin e grupit të Komisionit VATRA 5 Tetor 2019’. Ai u largua nga pjesa e dytë e mbledhjes”.

Në 19 Janar 2020, më pak nga një muaj, i njëjti person, merr pjesë në Kuvendin e Mishtos dhe pranon detyrën e Kryetarit të ri të Vatrës. Shembulli klasik i një makiavelisti, pa integritet, që për interesa pushteti, “luan” në dy porta, edhe me Komisionin e 5 Tetorit 2019, edhe me Mishton. Vlerëson me superlativa Komisionin e 5 Tetorit, ndërsa brenda dy-tri javësh përmbys gjithcka, nën emër të pushtetit të ofruar, ndërsa përjashton nga “Vatra Mishtore” Vatranët me disa dekada kontribut në Vatër.

E solla këtë rast për të treguar me fakt konkret se çfarë kosto të rëndë ka kompromisi me krijesa të tilla të neveritura, madje dhe universitarë. Kjo figurë dhe shumë të tjerë si ky, duhet të bëhet mësim për “Vatrën tradicionale”, të mësojnë të jenë vigjëlent në mbrojtje të vlerave të Vatranëve dhe Vatrës tradicionale.

Sigurisht, ky pseudokryetar, i paintegritet, i pabesë, pa parime dhe pa idealizëm, një karrierist që ndryshon fjalë e pamje prej etjes për pushtetit, mundet t’i besohet “Vatra Mishtore”, por kurrësesi Vatra tradicionale, kjo organizatë me histori unike të integritetit të pashembullt atdhetar. Pranimi i bindur i një kryetari të tillë, mjeran në moralitet, atdhetari e intelekt (i paaftë e arrogant, që përjashton degë të VATRËS që në ditët e para si kryetar), nuk ofron besim e respekt të anëtarësisë, faktor që çon drejt misionit të Mishtos, në shpërbërjen e Vatrës.

Vetëm riorganizimi në themel ëshë rruga e sigurt e përballimit të invazionit të gjithanshëm të antishqptarizmit dhe siguron mbijetesën e Vatrës tradicionale të Nolit, Konicës e Kirkës.

  1. A mund të ringjallet Vatra dhe të bëhët funksionale?

Fatkeqësisht, si Komb, jemi të mallkuar të kemi fatin tragjik të feniksit, digjemi, shkrumbohemi, për t’u RINGRITUR sërish e sërish mes dhimbjesh e tragjedish.

Rrethohemi nga fqinjë të fuqishëm, ekspansionistë. Gjatë historisë edhe Perëndimi na ka injoruar, ndërsa me përfundimin e LDB -së na la në dorë të bllokut komunist, pa i mbështetur nacionalistët tanë. I njëjti qëndrim vijon edhe sot. Është kjo një arsye më tepër për të qenë më vigjëlent e dyshues (ndaj çdo oferte), në mbrojtje të ekzistencës dhe dinjitetit tonë Kombëtar.

Dikur në vitet e largëta të 1994-1995, botuesi grek i librit tim, në një moment fatlum (për mua), të nervozizmit, harroi buzëqeshjen “dashamirëse” të përhershme, ndërsa më paralajmëroi: “Ke hyrë atje ku nuk del dot më!” Ishte një paralajmërim i frikshëm, por që zgjoi thirrjen dhe alarmin e vetëdijes për “armatosjen” me parime.

E solla këtë moment të vetëm personal për të treguar se mbijetesën e derisotme (fizike dhe morale) e kam falë parimeve thelbësore. Dëshmi vërtetësie e kësaj copëze personale është edhe ndonjë ese filozofike e imja e shkruar afro para një dekade, ku filozofoj (madje edhe debatoj me Prof. Fugën), për vlerën jetike të parimeve nën diktataturën e sotme të oligarkisë dhe antishqiptarizmit.

Insistoj sërish se, RINGRITJA e Vatrës bëhet realitet si funksionalitet, vetëm nëse Vatra tradicionale mbron fort, madje me krenari parimet e veta TRADICIONALE (KONSERVATORE). Jetojmë epokën e fillimit të shembjes së globalizmit neoliberal. Bota Sovraniste po riformaton e identifikon të ardhmen përmes parimeve tradicionale, KONSERVATORE.

Modestisht po rendit shkurt disa nga parimet që Vatra tradicionale ka mbi një shekull që i jetëson përmes Kanunores së vet.

1 –Transparencë e plotë e hierarkisë me bazën dhe e kundërta.

2 -Zgjedhje e institucioneve të VATRËS (dhe degëve të saja) në mënyrë demokratike dhe me votë të fshehtë të gjithë anëtarësisë.

3 -Zgjedhje të reja të strukturave brenda një kufiri të përcaktuar kohor (sipas kanunores), një mundësi e qarkullimit të elitave brenda Vatrës.

 4 -Ngritja e një strukture brenda VATRËS, e cila të ketë në mënyrë specifike “filtrimin” e çdo individi që kërkon të anëtarësohet dhe pranimi i tij si VATRAN, vetëm pasi të verifikohet pastërtia personale e tij. Verifikim transparent e gjithëpërfshirës, vecanërisht i çdo Vatrani që kandidon si

 pjesë e hierarkisë së VATRËS.

5 – Diskutim i gjerë i njërës prej amendamenteve tejet të rëndësishme të kanunores: Anëtarësimi në Vatër vetëm pas pjesëmarrje së paku prej 2 vitesh. Kandidati të jetë i pranishëm në Vatër, por me pa të drejtë vote. Ky amendament ka rëndësi jetike për kohët e “rrezikshme” që jetojmë. Për kandidatët që kërkojnë të bëhen pjesë e hierarkisë t’u lihet koha e “filtrimit” prej 5 vitesh (siç edhe e ka Kanunorja).

6 -Diskutim i gjerë, në bazë, i Kanunores, i të gjithë amendamenteve të saja. Përshtatja e saj me kohën, por jo si qëllim në vetvete.

7- Një nga parimet bazë të Vatrës mbetet respektimi i kriterit (të paracaktuar) mbi nivelin arsimor dhe kulturor të individit që kërkon anëtarësimin në Vatër.

Vatra, si çdo organizatë tjetër, duhet të ketë programe (të miratuara nga strukturat), përmes të cilave mundësohet edukimi patriotik, politik e kulturor i anëtarësisë. Vetëm një anëtarësi e mirëarsimuar dhe me kulturë mund të jetë me integritet përballë sfidave që i ofron anëtarësimi në VATËR. Një mision që Vatra e kreu suksesshëm gjatë gjithë ekzistencës së vet.

Në shkrimin editorial të Diellit të 19 dhjetorit 1917, Bahri Omari paraqet me krenari legjitime punën e Vatrës në arsimimin, madje dhe edukimin e shqiptarëve të “çdo kollonie”:

“Vatra ëshë e vetmja shoqëri që ka përhapur arsimin midis shqiptarëve. Gjysma e atyre që dijnë të shkruajnë e të këndojnë këtu në Amerikë, padyshim janë mësuar nga pemët e propagandës kombëtare që ka përhapur shoqëria jonë në të katër anët e Amerikës. Edukatën që shqiptarëve iu mungonte nga Vatra e kanë marrë. Njëherë e një kohë shumë pak do gjeje shqiptarë që të dinin të shkruanin e këndonin, po sot ka me qindra, me mijëra.”

8 – Përforcimi edhe më fuqishëm i parimit dhe misionit të Çështjes Kombëtare, i përforcuar me nyjen 5 të Kanurores, që saktëson si parim më vete, refuzimin e çdo angazhimi e anësie politike.

Në rrugëtimin e mbi një shekulli, ka patur momente kur VATRA është përfshirë në anësitë partiake, kjo “humbje e busullës” ka rrezikuar edhe ekzistencën e saj.

 9 – Bashkëpunimi më organizatat e tjera të diasporës (vecanërisht me Nacionalistët, me histori të hershme), mbetet mision JETIK për Vatrën tradicionale, pasi këto bashkëpunime e ndihmojnë në daljen nga vetëizolimi asgjesues. Pasojën e këtij realiteti është edhe sektarizmi, të cilin VATRA e vuan prej dekadash.

Bisedoi: Pjeter Jaku

Fier më, 19.02.2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *