Pse unë e përkrahi Komisionin e 5 tetorit 2019 të Vatrës?*

Doktor Gjon Buçaj, ish Kryetar i Federates Panshqiptare “ VATRA”

6 dhetor 2019

PËR SHTYP

Në mbledhjen e datës 5 Tetor 2019 të gjithë të pranishmit i premtuen Komisionit ndimën dhe përkrahjen e parezervë për kryemjen e detyrës jo të lehtë, por të nji randësie thelbësore për jetën e Vatrës.

Asht e nevojshme dhe e dobishme që të shtoj këtu disa fakte e sqarime, për vatranët që mund të mos i dijnë mire dhe për opinionin e gjanë, që të kenë nji pasqyrë të kjartë të zhvillimeve, sidomos në këto dy vjetë e disa muej të fundit.

Mbasi unë këtu baj fjalë për fakte, po sjell nji definicion të Faik Konicës, sidomos për ndonji përson, të cilit mund të mos i pëlqejnë këto fakte:

“Faktet janë fakte. Çfryj, ulëri, hith këlbaza, qesh, qaj, përkëdhel, gris, vrit botën, vrit veten, faktet të thata dhe të ftofta, s’luajnë nga vëndi dhe mbeten fakte”.

I

Së pari, disa nga faktet që spjegojnë se si erdhi Dritan Mishto në krye të Vatrës. 

1 – Si konsull i Qeverisë Demokratike, z. Mishto gëzonte njifarë respekti në komunitetin shqiptaro-amerikan, sidomos tek nji pjesë e konsiderueshme vatranësh që njihen si simpatizues të atij krahu politik. Për të përforcue përshtypjen se kishte përkrahjen e Partisë Demokratike, shërben rasti i mbledhjes së Këshillit Drejtues të 3 marsit 2018, që dihej paraprakisht se do t’ishte shumë problematike për Mishton.  Në mes të mbledhjes, ku kritikohej dhe kërkohej dorëheqja e tij, ai mori nji thirrje në celular dhe njoftoi të pranishmit se në telefon ishte Lulzim Bashha dhe se ai i përshëndeste dhe u uronte sukses.  

2 –  Vatranët, së pakut shumica, nuk e kanë dijtë se ai ishte i biri i nji prokurori të diktaturës komuniste që kishte kërkue denime me vdekje në Shqipni.

3 – Nuk asht dijtë, së pakut nga shumica, se bashkëshortja e tij ishte sekretare e nji organizate të grave greke në Amerikë (dihet se organizatat greke në këtë vend kanë platformë politike antishqiptare: Vorio Epiri!).

4 – Z. Mishto asht propozue dhe përkrahë nga disa antarë, “Pishtarë të Demokracisë”, por që njiheshin edhe si vatranë të përkushtuem, kështu që ishte e natyrshme të besohej se ata do t’a njifshin mirë për ta propozue për kryetar të Vatrës.

5 –  Disa nga përkrahësat e z. Mishto ushtruen militantizëm agresiv në Kuvend, manipuluen haptas numrin e delegatëvet dhe deklaruen se Mishto ishte anëtar i VATRËS prej 5-6 vjetësh, nji e pavërtetë që Mishto nuk e mohoi (simbas Amendamenteve të Kanunores së Vatrës, kandidati për kryetar duhet të ketë qenë së pakut 5 vjet anëtar i rregullt).

 

6 – Nuk asht dijtë, së pakut nga shumica, se Mishto vetë mban qëndrime progreke.

 

7 – Unë, për të tregue paanësinë si kryetar para dorëheqjes dhe tue u mbështetë verbnisht në besimin tek përkrahsat e tij dhe në objektivitetin e delegatëve, e kam trajtue kandidaturën e Mishtos njisoj si atë të kandidatit tjetër, z. Mithat Gashi, pedagog universitar, me prejardhje nga nji familje e nderueme e shtesës së përsekutueme dhe vatran i përkushtuem për ma se 30 vjetë. Ky ka qenë gabim i randë nga ana e ime dhe kërkoj ndjesë profesor Gashit dhe vatranëve. Nuk e kam thirrë Mishton “eja dhe banu kryetar i Vatrës” dhe nuk e dij kush e ka përhapë këtë fjalë, a Mishto vetë apo tjetërkush, ndoshta për të arsyetue përkrajen për te, por kjo nuk më liron nga faji që nuk e kam kundërshtue kandidaturën e tij, edhe pse nuk kam mujtë me i parapa intrigat që janë luejtë në ditët para Kuvendit as manipulimin e numrit të delegatëve, militantizmin agresiv dhe falsitetet e shfaqun në Kuvend dhe ma vonë. Më kanë befasue sjelljet arrogante të Mishtos me vatranët dhe shkeljet e randa të Kanunores; nuk e dij në se janë befasue deri dikund edhe disa nga përkrahsat e zjarrtë të tij, por kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyne.

 

II  

Veprimet e Mishtos që damtuen dhe vazhdojnë të damtojnë Vatrën  

 

1 –  Që në Kuvend, kur u shpall fitues dhe u ftue te mikrofoni, ai i tha kryetarit të kuvendi të largohej dhe, mbas përshëndetjes triumfaliste, deklaroi kuvendin të mbyllun, tue thye kështu rregullin e mbledhjes, me qellim për të ofendue kryetarin e kuvendit, i cili, gjatë kryemjes me korrektesë të detyrës, kishte kërkue me dijtë se sa vjet kandidati Mishto kishte qenë antar i rregullt i Vatrës. Ky gjest nga ana e kryetarit të ri Mishto u interpretue si shej i parë i intolerances që do t’a cilësonte sjelljen e tij gjatë gjithë kohës si kryetar, me nji nga pasojat përçamjen e thellë në Vatër.

2 –  Veprimi i parë, 2-3 dit mbas kuvendit, ishte publikimi i dy deklaratave, nënshkrue me dorë dhe publikue në gazetën “Dielli”: “Në bazë të vendimeve të Kuvendit dhe simbas Kanunores, vendosa…..”, ku njoftoi formimin e “Kabinetit të presidentit”(sic!), me emna për shefa të kabinetit, të protokolit, të marrëdhanjevet me media (ma vonë edhe shefa të tjerë), si dhe formimin e  “Komisionit të garancive të Kanunores”. Pohimi “Në bazë të vendimeve të Kuvendit….” nuk asht i vërtetë, kurse “….simbas Kanunores vendosa……”, asht pikërisht e kundërta; smbas Kanunores nuk vendosë kryetari për struktura të reja që ndryshojnë Kanunoren, por ai ose çdo antar mund propozojë, Këshilli Drejtues duhet të aprovojë propozimin dhe vetëm Kuvendi mundet me vendosë.

Strukturat që ai krijoi, nuk kanë ekzistue kurrë në Vatër dhe janë jashtë

Kanunores. Ia vëlen të përmendet se shefi i emnuem i protokolit, z. Sejdi Hysenaj, e pat refuzue emnimin me shkrim dhe ia pat dërgue edhe editorit të “Diellit” për publikim, por letra e tij nuk u botue dhe ky fakt asht mbajtë i mësheftë, kështu që shumica e vatranëvet nuk e dijnë. Gjithashtu ai shpalli listën e kryesisë, tue përfshi edhe persona të pa qenë ma përpara antarë, në kundërshtim me Kanunoren që përcakton së pakut dy vjet kohë antarsie për çdo zyrtar; përjashtime mund të bajë vetëm Kuvendi.

3 – Me datën 24 qershor mbas kuvendit, ai thirri nji mbledhje të Këshillit Drejtues, ku morën pjesë edhe persona të pa qenë antarë të Vatrës ma përpara (edhe kjo në kundërshtim me Kanunoren).

Në atë mbledhje, në vend që të trajtoheshin shkeljet e Kanunores pët t’i ndreqë,  u shtue edhe nji shkelje absurde: me kërkesë të zotit Mishto u mohue raporti origjinal i përgatitun nga kyetari i kuvendit që pasqyronte në mënyrë korrekte zhvillimin e punimeve të tij, dhe u ngarkuen dy individët tjerë të ish kresisë së kuvendit që hartuen nji raport të ri. Ky u quejt raporti zyrtar edhe pse fals, me arsyetimin se autorët ishin dy me nji, sikur ndryshimi në mes të vërtetës e të pavërtetës të vendosej me vota. Edhe ky raport zyrtar u botue nëgazetën “Dielli”.

4 – Me 28 dhetor 2017, në zyre të Vatrës, z. Mishto mori në pyetje veteranin Zef

Perndocaj, për nji letre anonime të postueme pa adresë dërguesi. Ajo letër përmbante të dhana diskredituese për Mishton, i cili mendonte se ai mund të dinte kush ishte autori, por Zefi i qetë e me njerzi, siç asht karakteri i tij i njoftun nga të gjithë, e siguronte se nuk e dinte as nuk i jepte randësi, mbasi ishte anonime. Mishto, në stil hetuesi, qëndronte në kambë, i fliste me za të naltë kërcnues dhe, për ma tepër, përplasi karrikën përpara tij. Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të 3 marsit 2018, Zefi e ka përshkrue këtë epizod dhe ka grisë me indinjatë proklamatën si vatran i përjetshëm që mbante firmën e Mishtos. Në kronikën e mbledhjes botue në gazetën “Dielli”, shkruhej se Zef Perndocaj foli shumë por jo se çka foli dhe as nuk përmendej grisja e “proklamatës”, sepse ky gjest zbulonte karakterin e Mishtos dhe hipokrizinë që u bjen të gjitha proklamatave dhe mirënjohjeve të shpërndame nga ai, edhe pse shumica të meritueme.

 

5 –  Vatra e Mishtos bojkotoi ceremoninë e New York-ut të përcjelljes së eshnave të Mit’hat Frashërit në atdhe, me arsyetimin e pakuptimtë, se kjo ishte vepër e qeverisë së Ramës, kur dihet se propozimi kishte ardhë nga Instituti i Studimeve “Lumo Skendo” me drejtor dhe themelues historianin Uran Butka, i cili ishte arkitekti i krejt kësaj vepre. Ai nuk mund t’i sjellte eshnat e Mit’hat Frashërit në mënyrë klandestine në Shqipni.

 

6 – Ka sjellë frymën e korrupsionit në Vatër dhe ka krijue nji taraf të ngushtë rreth vetes, që të pajtohet me çfarëdo thotë ose vepron ai.

 

7 – Nuk e ka mbajtë remtimin me u kujdesë për realizimin e disa punëve me randësi të Vatrës, disa të përfundim e sipër, si shtypja e Kanunores dhe e shtesave (Amendments) dhe disa të projektueme; u ka thanë bashkëpunëtorëve se nuk merret me punët e ”kohës së dr. Gjonit”, si të mos t’ishin ato punë të Vatrës.

 

8.- Me injorimin e mbledhjeve tremujore të Këshillit Drejtues dhe të dy Kuvendeve vjetorë për 2018 dhe 2019, asht shkelë Kanunorja dhe tradita e Vatrës.

 

9 – Z. Mishto e ka heshtë Vatrën përsa i përket politikës antishqiptare të  ekstremizmit grek, në kundërshtim me traditën e saj 105 vjeçare (kjo ishte mosha e Vatrës kur ai e mori në dorë). Qe disa nga faktet që tregojnë heshtjen e Vatrës:

 

a -asnji deklaratë e Vatrës mbi memorialet e ushtarëvet grekë të ramë si okupatorë në tokën shqiptare, kur ky skandal ishte tema e ditës në median shqiptare nga fundi i vitit 2017;

 

b – në dhetor 2017 Janullatos mori shtetësinë shqiptare dhe fotografia e tij botue në faqen e parë të “Diellit”, ndërsa gazetat tjera në diasporë e kan publikue si lajm në faqet e mbrendshme; në vend të nji deklarate mospajtimi të Vatrës, z. Mishto iu përgjegj pyetjes se ç’asht qëndrimi i Vatrës me këtë rast: “duhet të ruhet autoqefalia e Kishës Ortodokse” dhe përsëri, pyetjes se cili asht qëndrimi i kryetarit të Vatrës, përafërsisht “me doemos duhet të ruhet autoqefalia me të gjitha fuqitë”, përgjigje që mund t’a kishte dhanë edhe Janullatos;

 

c – asnji deklaratë nga ana e Vatrës në lidhje me vrasjen e terroristit Kaqifas në Bularat të Gjirokastrës në tetorin e vitit 2018;

 

ç – me urdhën të tij, gazeta “Dielli” ka botue nji shpifje që shkelë edhe kodin ligjor, me titullin abuziv “Njoftim nga Federata Panshqiptare Vatra”, sikur t’ishte ai njoftim i dalë nga nji kuvend i Vatrës.

 

d – me 9 dhetor 2018, organizata “Rrënjët Shqiptare” thirri nji protestë para nji lokali grek në Brooklyn, ku po zhvillohej nji aktivitet përkujtimor për terroristin Kaqifas, Vatra nuk e mbështeti as nuk mori pjesë zyrtarisht;

 

dh – në shkurtin e këtij viti, 2019, u zhvillue në Florida Kuvendi i dyvjeçar i Federatës Panepirotike të Amerikës, ku u fol kundër Shqipnisë dhe u ba thirrje Shteteve të Bashkueme të bajnë presion, me akuza se atje po vriten minoritarët. Zani i Vatrës nuk u ndëgjue;

 

e – Elena Kocaqi promovoi librin “Lufta e Trojës, Luftë Pellazgo Ilire” në Vatër, por aty nuk ishte z. Mishto, për të pritë këtë historiane me librin e saj të nji randësie të dorës së parë për historinë e kombit tonë; ajo nuk ishte e ftueme, por promovimi i librit në Vatër ka qenë nisma e saj, prandej Vatra ka vetëm meritën se nuk e ka refuzue.

 

III

 

Asht me interes të dihen disa përpjekje të mijat për të mos mbërrijtë deri këtu, të cilat kanë shkue kot. 

 

1 – Ditën mbas kuvendit, me kërkesë të z. Mishto, jemi takue dhe ai ka kërkue përkrajen time. I kam thanë se ishte e nevojshme që ai të dilte me nji deklaratë për vatranët, ku të distancohej nga agresiviteti dhe parregullsitë që ishin shfaqë në kuvend, dhe kështu do të më hapej rruga me u ba thirrje të gjithë vatranëvet që t’a përkrahin në ushtrimin e detyrës së kryetarit deri në zgjedhjet e ardhshme. I fola me sinqeritet dhe me bindje se ajo mënyrë ishte e dobishme për të mirën e tij dhe të Vatrës, që t’a drejtonte ate me sukses. Ai m’u përgjegj se nji gja të tillë nuk mund ta bante, sepse kështu do të pohonte vetë se nuk ishte legjitim. Ia kujtova se kuvendi ishte zhvillue publikisht, para vatranëve dhe para gazetarëvet me mikrofona dhe me kamera të hapuna. Megjithate ai vazhdoi në mënyrën e vet që e kam përshkrue ma nalt. Në atë takim i kam dhanë të shkrueme në nji copë letër, në mungesë të dorëzimit formal të detyrës, listën e punëve të Vatrës të nisuna ose të projektueme, me porosinë që të realizoheshin. Ai premtoi se do t’u kushtonte kujdes.

 

2 – Dy javë mbas kuvendit, para mbledhjes së Këshillit Drejtues të datës 24 qershor, i dërgova nji e-mail atij dhe antarëve të Këshillit, me porosinë që të respektohej Kanunorja dhe parregullsitë të këtheheshin në legjitimitetin e Vatrës.

 

3 –  Ma vonë u pa se nuk ishte ndreqë asnji nga aktet e deriatëhershme antikushtetuese, por përkundrazi, ishte shtue edhe tjera shkelje (shih Veprimet e Mishtos… faqe 3, pika 3). Me qellim që z. Mishto të vetëdijsohej për seriozitetin e veprimeve të tij, i shkrova nji tjetër e-mail me kopje antarëve të KD, ku ia kujtova se asnjiherë ma parë nuk kishte ardhë kush në krye të Vatrës me agresivitet dhe parregullsi si ai. Edhe kjo përpjekje shkoi pa efekt.

 

4 – Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të datës 3 mars 2018, ku kërkohej dorëheqja e tij, z. Mishto premtoi se, mbrenda nji jave ose 10 ditësh, do të ulej me bisedue me palën që kishte kritika të vazhdueshme qyshë prej kuvendit, për shkeljet flagrante të Kanunores. Unë i premtova kontributin tim për të lehtësue dhe gjetë menyrën e zbutjes së përçamjes që po rritej vazhdimisht. Mbas nji jave, i telefonova për t’ia kujtue premtimin, por ai tha se nuk do të bisedonte me njerëz që i japin ultimatume.

 

5 –  Tentativa ime e fundit me 3 nandor 2018. Nji përmbledhje të pasqyrës së masipërme ia kam përcjellë (dhe këtu po citoj):

 

 “…. zotit Lulzim Basha, sepse mendoj se do të jetë me interes për ate si kryetar i Partisë Demokratike, që të jetë i informuem në mënyrë sa ma të përpiktë, jo vetëm për vlersimin që ai mund të ketë për Vatrën dhe për mbarëvajtjen e saj, por sidomos për faktin se kjo gjendje ka ardhë me përshtypjen që ka krijue z. Mishto, se ai ka pasë dhe ka përkrahjen e zotit Basha ……” dhe “…….me gjetë ndimë për zgjidhjen e mundëshme të problemit; në mendimin tim, tashma, kanë mbetë vetëm dy zgjidhje.

   

E para dhe ma e mira do t’ishte dorëheqja e zotit Mishto për arsye përsonale, familjare ose angazhimesh tjera, simbas preferences së tij, por jo dorëheqje polemike. 

 

E dyta zgjidhje do të mbetej kërkesa publike që ai të largohet nga Vatra, për shkeljet e Kanunores dhe për veprimet e Mishtos që damtuen dhe vazhdojnë të damtojnë Vatrën…..”

 

Basha heshti, edhe kjo pëpjekje shkoi pa dobi.

 

IV

 

1 –  Përçamja e thellë në Vatër asht nji nga pasojat e veprimeve të Mishtos në kundërshtim me Kanunoren dhe me traditën e Vatrës. Në nji anë, anëtarët që kanë shprehë mospajtim të vazhdueshëm për ato veprime, qyshë prej Kuvendit 2017 dhe, në anën tjetër, anëtarët që e kanë përkrahë dhe vazhdojnë ta përkrahin. Ndoshta këta të fundit i kanë premtue përkrahjen me qëllimin e mirë në fillim, që ai të kryente si duhet detyrat e kryetarit deri në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor. Por përkrahja, edhe pse e premtueme Mishtos ose “miqvet” nga Tirana, e ka nji kufi, kur veprimet dalin jashtë Kanunores dhe rrugës parimore të caktueme nga themeluesat dhe të mbajtun nga vatranët me përkushtim e sakrifica për 105 vjet, që do të thotë deri në Kuvendin 2017;

 

2 –  ramja e numrit të antarëvet si rrjedhim i dobsimit të entuzjamit të antarëve dhe të degëve të krijueme gjatë vitesh me kujdes e përkushtim;

 

3 – diskreditimi i disa vatranëve të cilët, sado me qellim të mirë, i kanë dhanë përkrahje kryetarit që ka shkelë Kanunoren dhe frymën e kombëtare të Vatrës, në disa raste ka vuejtë edhe miqësia përsonale;

 

4 –  diskreditimi i gazetës 108 vjeçare “Dielli”  (kjo ishte mosha e saj në vitin 2017),  me botim shkrimesh që nuk duhej të kishin vend në faqet e saj dhe me refuzim e tjerash të nevojshme për t’u botue.

                                                                         V

Tue konsiderue faktet e masipërme, dalin disa përfundime, mbi të cilat duhet të mbështetet vemendja e vatranëve në këtë kohë krize.

 

1 –  Kuptohet shqetsimi i thellë i vatranëvet që formuen Komisionin 5 tetor 2019, me detyrë për të mbledhë Kuvendin e jashtëzakonshëm me 25 prill 2020.

 

2 –  Gjithicili nga faktet e masipërme e diskrediton zotin Dritan Mishto si kryetar, por janë dy fakte që e diskreditojnë edhe si antar të thjeshtë i Vatrës:

 

a –  sjellja skandaloze e datës 28 dhetor 2017 me veteranin Zef Perndocaj në zyren  e Vatrësë, akt i dënueshëm nga nenet disiplinore me përjashtim;

 

b –  paralizimi i zanit zyrtar të Vatrës në përgjigje kundër sulmeve antishqiptare të ekstremizmit grek, akt i dënueshëm me përjashtim nga nenet parimore të Kanunores.

 

3 –  Detyra e sotme e vatranëvet asht t’a nxjerrin Vatrën nga kriza, detyrë kjo e vështirë e delikate, por asht e kjartë dhe e domosdoshme për jetën e matejshme të saj.

VI

Porosi përmbyllëse: Vatra asht nji institucion historik që i përket kombit, jo vetëm shqiptarëve të Amerikës. Prandej vatranëvet në përpjekje “….për të këthye Vatrën në gjendjen normale të legjimitetit institucional” duhet t’u vijë mbështetje morale edhe nga tjerë shqiptarë, që me të vërtetë e duen Vatrën pa interesa vetjake, partiake a çfarëdo interesi tjetër qoftë, përveç atij të Vatrës që asht interes kombëtar.

Vatranët që i shërbejnë Vatrës në detyra të ndryshme, prej anëtarit të thjeshtë e deri te kryetari, janë vetëm shërbëtorë të saj dhe ruejtës e bartës të amanetit të paraardhësave, për aq sa dinë e sa munden. Ata shqiptarë që i afrohen kësaj organizate me vetëdijen e këtij parimi, do të jenë shtylla e saj morale e praktike që ia siguron jetëgjatësinë për brezat që do të vijnë. Kështu ka qenë në të kaluemen, kështu duhet të jetë edhe në të ardhmen. Çdokush që vjen me qellime tjera, duhet mbajtë larg saj!

************

*Vatranët, të shtymë nga shqetsimi në rritje për fatin e Vatrës, u mblohën me 5 tetor 2019 në New York dhe shqyrtuen, me kujdes, gjendjen e krijueme në këtë organizatë kombëtare qyshë prej Kuvendit të 10 qershorit 2017. Përveç shkeljeve të parimeve dhe të rregulave të Kanunores, u trajtue edhe fakti se Kuvendit dhe të gjitha strukturave të saj u ka kalue afati, simbas Kanunores qyshë prej qershorit 2018 dhe, simbas shtesavet (Amendments) të aprovueme në Kuvendet e maparshme, qyshë prej qershorit 2019.

Mbas analizash shkoqitëse të faktevet që njifen e përfliten tashma, jo vetëm në Vatër por edhe në opinionin e gjanë shqiptar, u pa e domosdoshme mbledhja në nji kuved të përgatitun me kujdes, ku do të bahet zgjedhja e organeve të reja në bazë të Kanunores. Mbasi u përcaktuen pikat e programit të punës për të këthye

Vatrën në gjendjen normale të legjimitetit institucional, mbledhja zgjodhi nji Komisionin të përbamë prej shtatë vetësh, të gjithë me kredenciale të padiskutueshme si vatranë idealista, pa ambicje a interesa tjera përveç të mirës së Vatrës:  Sergio Bitici, Ahmet Xhafo, Ahmet Hoti, dr. Nexhat Kalici, Kris Kirka, dr. Elton Mara dhe Armin Zotaj.

 (Nga deklarata e 23 nandorit 2019, lëshue prej Komisionit Vatra 5 tetor 2019).  

One thought on “Pse unë e përkrahi Komisionin e 5 tetorit 2019 të Vatrës?*

  1. Cdo te ndodhe me vatren tashti?
    Sikur e keni pru ne vater kete gjendje dhe keto njerez, ashtu, ne ate menyre, duhet t’i hiqni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *