Ku po shkon Shqipëria!?

Në vend të një letre të vonuar, Agron Tufes!

Pjetër Jaku

Me Agron Tufen te Kafe “Europa” ne Tiranë,21 shtator 2019 

U bënë disa ditë që e kam mësuar largimin tënd nga Atëdheu ynë, i dashur Agron! Nuk jam i sigurtë se për kë me erdhi keq, a për ty që të imponuan te largohesh, apo për Shqipërinë që ia sulmojnë djemtë më të mirë të saj.! Kush duhet të mbesë në Shqipëri, a më thua të lutem?! Të ikësh i detyruar nga vendi yt, është një fatkeqësi kombëtare. Një fatkeqësi që po vjen nga sistemi që të përsekutoi dhe, nga bijtë e tyre që vëllezrit tanë i votojnë për të shtypur veten! Le t’i votojnë deri kur të mos mbesë këmbë shqiptari në atë vend! Ti u largove, dhe dua te shpresojme, se ke për t’u kthyer në shtëpinë tënde, në profesionin tënd, në dashurinë tënde të përhershme, Shqipërinë, për ta thënë të vërtetën, atje ku nuk të rrezikohet jeta nga mendjebrokët si Zabiti, që ngrifet sikur flet nga kalatë imagjinare të partizanëve, që luftuan me njëri tjetrin, nga Fatosat, që nuk janë veç trumcakë të mërdhitur dhe të rropatur për të ‘vuajtur” nëpër ambasada e tendera, si babëzitës të pangopur, u largove për t’i parë nga larg monstra fytyrëzeza si pantoll-laguri, sakati spartak, që mbart një emër në antitezë me bëmat e tij dhe, mustafallarët e shkarrajargavitur. Por, a do të munden ata ta ndalin fjalën tënde! ? Kurrë! Por, a do të ndalojnë ata Agron Tufen të skanojë jetën shqiptare? Kurrë! Përkundrazi, Agronin do ta ndihmojë ky largim në aspektin e  tij përsonal, si një eksperiencë e re, por edhe në të mirën e detyrës që ka kryer me një përkushtim shembullor. Do ta kishin ndaluar Agron Tufen të ishte Drejtor i Institutit, por Agroni- krijues e njerëz si Agroni, janë Institute levizëse, ngado që të shkojnë e kudo që të ndodhen. Ata nuk do të mund ta ndalojnë Agron Tufen e shumë të tjerë si Agroni, ta prekin e të shkruajn çfarë të munden e të dinë për periudhen, që sistemi i tanishëm po u vë bariera “ligjore” e politikike. Njerëzit, ende jetojnë dhe e dinë fort mirë se 28 mije dëshmorët, ishin një sajesë mburavecash, të një populli demek trim ( vetëm nën udhëheqjen e komunistëve brahoianë, që i vrasin me pantollë nëpër këmbë). Periudha  e Luftës do të analizohet edhe pa institute parlamentare, biles me mire se në kohën e instituteve. Por, Instituti i Studimeve të Krimeve e të Pasojave të Komunizmit do të mbetet një vlerë historike dhe patriotike, për  vënien e historisë në vend, për saktësimin e padrejtësive që u janë bërë shqiptarëve nga komunistët e ardhur nga malet, të cilët u përpoqen për gjysëm shekulli, por edhe pas tridhjete vjetëve të tjera, medemek demokratike, të mbajnë nën terror, duke mos hequr dorë nga bëmat e baballarëve të tyre, biles duke u mburrur! Që ta fillosh nje pune nga koka, duhet nisur nga 41-shi. Që aty filloi projektimi i së keqës shqiptare. Një e keqe që mbante vetëm një emër, i cili atë ditë e sot u rri mbi kurriz shumë shqiptarëve, që i ka qorruar politika. Ti je një shkrimtar talent e kurajoz, rrebel dhe i urtë, që nuk mund e nuk duhet të durosh imponime përverse të një sistemi të degraduar e dënuar nga historia. Rrebelimi yt e tremb sistemin e instaluar vitet e fundit, ndaj përpiqen për të ndaluar  mediat, kur nuk e dinë se media ka secili shqiptar. Socialmediat dhe zhvillimi i tyre,  përcjellin live edhe sa herë spartakët e çitianistët enverist, broket e fatosat e minimizuar në minj të rënë lija, mustafat e hajdarat delirant, vjellin vrerin e kuq të kohës së tyre të pakthyeshme.

Do të vuaj Agroni, për te siguruar familjen, fëmijët e tij,  por le të kujtoj se shumë shkrimtarë e artistë kanë jetuar e krijuar në eimgrim, si: Isabel Alende, që 15 vjet i kaloi në Venezuel, Sigmund Frojd-austriaku që jetoj në Angli, Bertolt Breht, 15 vjet në Amerikë, Milan Kundera në Francë , Viktor Hygo, arratiset në moshën 49 vjeçare në Belgjikë dhe Angli e shumë të tjerë, pa përmendur shqiptarët, që gjithë fillesat kulturore kombëtare i kanë nga emigrimi. Duhet ditur  Agron, se ti nuk iu trembe terrorit, për më shumë se dy vjet nën kërcënime e shantazhe të përditëshme. Do s’do, ajo lloj jete të pengon të merresh me punë intelektuale, ndaj duhesh largimi, edhe pse ti kishe një detyrim më të domosdoshëm se yti personal, atë të familjes, fëmijëve. Largimi yt e tremb shumë ma tepër, se qendrimi në atdhe, sistemin diktatorial që po mundohet me u instalu, nëpërmjet hajvanëve politik dhe sharlatanëve të pa moral të socializmit komunist shqiptar. Kurajo dhe qendrimi Juaj ishte i mjaftueshëm për të treguar, se nuk i trembeshe asgjëje, para se vërtetës. Por, e vërteta, thotë populli, të prish edhe me vëllanë. E vërteta është shumë e padurusheme dhe, sidomos kur thuhet publikisht e me vepra, siç e thatë Ju dhe miqtë tuaj në Institucionin që drejtuat, edhe pse e dije se autorë nga më të njohurit në botë bënë edhe burg, si: Miguel de Servantes, Volteri bëri 11 muaj burg vetëm pse kishte shkruar vjersha satirike kundër aristokracisë, Aleksandër Solzhenicin vetëm për një letër që i shkroi një mikut të tij me pikpamjet që kishte për Stalinin, Oscar Ëilde, Borghes, Thomas More, O’Henri, Porter e shumë të tjerë, që sot krejt bota mburret me ta e, jo veç vendi i tyre. Ti u largove duke dashur vendin tend, si të gjithë shqiptarët, por jam i bindur se, shumë ma mirë do t’i shërbesh  Shqipërisë, prej aty ku je, pa përkujdesjen për të mbrojtur familjen nga skifteret e inatosur.

 Ti, je një luftëtarë i denjë, për kauzen e lirisë, jo vetëm tënden. E, bash për këtë, të kanë zili shkrimtarët e bllokut dhe shkrimtarucët servilë që i bëjnë këngë çdo pordhe qeveritare!  Ata janë të humur me këtë rast e jo Agron Tufa!  Liria jote i ka tmerruar dhe, pikërisht tani fillon fitorja jote! Më ka mbetur në mendje humori yt, edhe pse çdo ditë merrje kërcenime, kur pimë kafen e mengjesit te Kafe “ Europa”, në shtatorin e këti viti. Por, edhe një fakt i ati mëngjesi: dy tri tavolina larg nesh ishte një shkrimtar tjetër i përsekutuar, që pati frikë të na përshendeste, bëri sikur s’na pa, sepse Qeveria i kishte dhënë një post. Më beso, Agron, ai është ende i burgosur! Duke ndjekur veprimtarinë tënde, ndjehem krenar për miqësinë me një njeri si ti, një poet e shkrimtar si ti, njohës të letërsisë si ti, ndjeshmërisë ndaj padrejtësive si ti! Edhe pse ndodhi dhe e prisja të ndodhte, kur mësova largimin tënd, pyesja veten: ku po shkon Shqipëria!?

One thought on “Ku po shkon Shqipëria!?

  1. Pingback: Ku po shkon Shqipëria!?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *