Poezi nga Sadije Aliti

Sadije Aliti ( Tetove Maqedonia e Veriut )

 

NUK DESHI TË JETË DORUNTINË

 

Djemtë e nahijes

e ndienin veten të paaftë

Nuk pati askush guxim

për të kërkuar dorën.

 

Nuk ishte shumë e zonja

para kultit të nderit.

 

Pse ngjalli frikë

deshi shumë mirësinë

ecjen para me urtësi

Evropën e solli në Ballkan.

 

Inat kishte shtatë kodra,

shtatë male, shtatë detra e lumenj,

tani tretej duke mallkuar

fatin e Doruntinës.

 

Nënat e sodit

nuk lindin më Konstandinë

për t’u ngritur nga varri

e të mbanin fjalën e dhënë

nga mallkimi i nënës së madhe.

 

Nuk deshi kurrë fatin e Doruntinës!!

 

 

E tëra e re

 

Eja me flladin e erës

Eja, eja

Për të përkëdhelur fytyrën

Për të lëmuar gërshetin

Për të puthur buzën e pa puthur

Për të kënduar

Këngën e padëgjuar

Për të recituar vargun e saposhkruar

Për të rrënqethur lëkurën

E bardhë qumësht

Eja me flladin e agut

Dhe lindjen e ditës së re

Eja, eja

Le të jetë gjithçka e re

Ti e tëra gjith-herë mbetesh e re

 

 

S’të mbaj mëri

 

Flokut të mëndafshtë

Qerpik të mbyll

S’të mbaj mëri

Mbrëmë s’më the të dua

Nesër do t’më thuash këtë fjalë.

 

Belkëputura në dorë

Do t’më shkrihet

Natën do pushojë

E strukur krahërorit

Drita do të ketë frikë të del.

 

 

A  DO T’MË FALËSH NËNË

 

Kur duhej të dhuroja buzëqeshje,

Të dhurova vetëm dhimbje.

 

Kur duhej të puthja duart,

Ikja larg e larg,

Kur duhej të falja përqafime

Kurrë s’të erdha pranë,

Ndieja frikë e s’pata guxim.

 

Vuajtjet i pate pjesë nga unë,

Nuk të gëzova si të gjitha nënat e botës.

 

Edhe kur kam nevojë për ngrohtësinë Tënde

Copa akulli ngrihen mes nesh,

Kur kam nevojë për Ty,

S’të gjej e s’të takoj afër.

 

A do t’më falësh nënë?!

 

Eh, çdo herë më duket se nuk jam e falur

Barti ndjenjë faji

Sado që nëna të më thotë se më fal

Nganjëherë përsëri ndiehem se jam e pafalur.

 

Është shumë sentimentale

Sesa e arsyeshme

Nënës duhet në çdo çast

t’i shpreh dashuri

edhe fjalët t’i theksoj se sa e dua

edhe falje duhet kërkuar sa të ndiej nevojë

është frikë  vetëdijeje e gabimesh

që kam ndaj nënës.

 

Nëna është gjithmonë

nënë e një nëne që fal fëmijën

më mungon paqja në vetvete.

Pranoj se nëna është vetëm një

Që çdoherë e fal atë që e lindi

Atë që i dha dritë e jetë në këtë botë.

 

A do t’më falësh nënë

Për jetë të jetëve.

 

 

Duvaku

 

Dashuritë e mëdha
kurrë nuk vënë duvak
fatet e jetës mbeten
hije kujtimesh
pa kurorë…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *