LIBËR QË HEDH DRITË MBI TË KALUARËN DHE TË TASHMEN HISTORIKE TË MALËSISË SË MADHE
Prof. Sherif Gjokaj: Malësia e Madhe në dëshmitë dokumentare (Nga Antika deri në Rilindjen Kombëtare – LIBRI I PARË) dhe Malësia e Madhe në faktet historike nga Rilindja kombëtare deri sot (Libri i dytë), botoi “ROZAFA”, Prishtinë 2019.
Mikel GOJANI
Profesori dhe studiuesi i shkencave të historisë, i cili jeton dhe vepron në Detroit të SHBA-ve, profesor, Sherif Gjokaj, këto ditë ka botuar një libër historik, i përbërë në dy pjesë, Malësia e Madhe në dëshmitë dokumentare (Nga Antika deri në Rilindjen Kombëtare – Libri i parë) dhe Malësia e Madhe në faktet historike nga Rilindja Kombëtare deri sot (Libri i dytë), i cili ka bërë një punë kolosale në hedhjen dritë mbi të kaluarën e thellësishme të Malësisë së Madhe, qysh nga Antika dhe deri me ditët e sotme.
Ky libër është një përpjekje e studiuesit Gjokaj, që ta plotësojë një vakum të rrugës historike të kësaj krahine të malësisë së madhe, një krahinë e njohur për të kaluarën e lashtë iliro-dardane dhe deri me sot.
Nga disa studiues të Malësisë edhe në të kaluarën janë bërë përpjekje për ta ndriçuar historinë e kësaj krahine, mirëpo studiuesi Gjokaj, sikur ka arritur që përmes shfrytëzimit të shumë arkivave dhe dokumenteve të plotësojë këtë historie me fakt dhe dëshmi autentike. Edhe këtij angazhim që ka bërë studiuesi Gjokaj, nuk i ka dhënë pikë, mirëpo ka hapur rrugë dhe shtigje të reja që studiues të rinj të vazhdojnë në plotësimin e kësaj historie që lidhet me këtë krahinë me fakte dhe dëshmi të tjera.
Autori i librit historik, “Malësia në dëshmitë dokumentare”, të prof. Sherif H. Gjokajt, përveç shumë ngjarjeve dhe rrethanave historike që i shtjellon në këtë, ai përqendrohet edhe në rolin e shumë figurave të shquara të historisë sonë kombëtare gjatë këtyre kohërave dhe periudhave të rëndësishme historike, të cilët kanë përfaqësuar si pjesëmarrës të atyre ngjarjeve historike, si dhe u kanë kontribuar zhvillimit të tyre gjatë një rrugëtimi të hershëm dhe të gjatë historik.
Libri, “Malësia e Madhe në dëshmitë dokumentare”, që i ndarë në dy pjesë: Pjesa e parë dhe Pjesa e dytë, duke u ndarë po ashtu edhe në 4 kapituj tematikë, që përbëjnë një strukturë unifikuese konceptuale.
Librit i prin në parathënie e autorit, përmes secilës studiuesi Gjokaj pasqyron shumë arsye që ka nxitur për t’iu qasur këtij studimi shumë të rëndësishëm, mirëpo edhe tepër kompleksiv.
Profesor Gjokaj, në fjalën e tij shprehet se Në kohën e ndritur të Antikës, në lidhje me këto penale të fragmenteve, mendojmë se është një saktësi që përcolli populli im, gjurmë pas gjurme, brez pas brezi, mendoj iu takon periudhës së gurthemelit të nismës në terren të krishterimit. “Mesazhe që na ofrojnë këto antroponime janë dëshmi dhe dëshmitare të veçanta të vërtetësisë pagano-krishtere, që flasin për krishterimin, luftën, vendin, koncilët (kuvendet krishtere), që marrin ngulitje në këtë regjion të veçantë, ku gjurmët dhe gjurmimet krahasuese flasin në sfidat e ndryshimeve mbi jetesën e re me plot përplasje edhe ngjarje, kudo dhe ngado e ndjekin regjionin në toponime apo patronime, ku ato na paraqesin informacione të gjetura drejtpërsëdrejti në tregimet biblike, të Biblës, Ungjillit e më vonë të Kur’anit. Ato që thashë më lartë hasim, mendoj që kanë të bëjnë me apostujt, Shën Palin, nga fjala etimologjike, P a ll, me domethënie
P a ll ë (vërtet shumë) ose në seizmatikën e të folurit të përdorur deri me sot mbeti fjala formuese, “po plastitë shumë”. Këto ndërlidhen me shumë segmente të tjera, si Maja e Malit të Pllatit, në fshatin Kshevë, e Kastrinën e Prokopit të Çezares. Këtë e dëshmojnë edhe shumë vepra kolosale, “Komilat e Kshevë” (e Madhe, e Vogël), me shumë toponime përreth, si Tezuli (Zaguji), qytezë me kishë, Gropat e Mbretit (Militis-mobiles-Miles), Maja e Mutilit, Maja e Anderut, Maja e Jusit (Justinjanit), Tri Tefurqët, që kanë të bëjnë me historinë e luftës së tre kapitullarëve, sipas Gaspër Gjinit në veprën e tij, “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekujt”, Zagreb 1992”. Duke vazhduar më tej, studiuesi Gjokaj, thekson se disa përpjekje të mia nuk kanë munguar në hedhjen dritë rreth organizimit fisnor – etnik të fiseve labeate, dinastëve, grebejve, albanëve, prej vitit 151 të erës së re dhe më vonë. “Në shtresën e dytë të renditjes, M. Shufllaj, përmend 13 fise, ndërsa në shtresën e tretë të këtij debati shkencor, që shkatërrohen principatat shqiptare, të vogla apo të mëdha shqiptare, formohet organizimi i vjetër i fiseve në jetën e tyre, siç janë Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati, Shkreli dhe shumë fise të tjera. “Në këtë pjesë të Librit të parë, po ashtu janë bërë disa përpjekje për të shpalosur fakte dhe dëshmi autentike rreth disa tezave akoma që nuk e kanë parë dritën, rreth së vërtetës së origjinës, përkatësisë së lashtësisë së Pjetër Bogdanit, i cili pohon se i takon familjes së Vojvodëve të Stefan Nemanjës. Pastaj, në veprën e cekur më tej kam pretenduar që ta shëndris vrasjen e Pjetër Budit, që akoma në historiografinë dhe shkencën tonë ka mbetur një enigmë e pazgjedhur dhe në kërkim të faktit se do të mund të kishte qenë vrasje aksidentale, apo e përgatitur. Udhëpërshkrimet e Evlija Çelebiut, në “Udhëpërshkrimet”, e botuar në Sarajevë, 1970, bazohem më tepër në qytetin e Podgoricës, Ulqinin, Tivarin, Kotorrin, deri në Herceg Novi, që ai e quan A l b a n i. Po ashtu, sipas autorit Gjokaj, emigrimet e popullatës malësore të Malësisë së Madhe, datojnë shumë më herët nga lashtësia, epoka e Skënderbeut dhe vazhdojnë deri në ditët e sotme.
“Libri i dytë, i titulluar, “Malësia e Madhe në faktet historike nga Rilindja Kombëtare deri sot”, është vazhdimësi e Librit të parë, duke ruajtur konceptin e vazhdimësisë të Librit të parë, që vazhdon me Librin e dytë, me Konferencën e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ku përfshihen të gjitha trevat shqiptare në rezistencë dhe kërkojnë një autonomi etnike shqiptare. Këtë e hasim edhe në dëshmitë turke me urdhrin “Talimat”, ku forcat osmane arrijnë që këto kërkesa t’i shuajnë dhe të vazhdojnë që dega e Lidhjes së Prizrenit të krijohet në Shkodër, ndërsa u vazhdua në Tuz të Malësisë. Kaptina vijuese të Librit të dytë, Dinosha në fokusin e ngjarjeve etnike, ndodhi bazament në mbrojtjen e territoreve etnike më Mal të Zi, prej 1878-1912. Si dëshmi tjetër e titulluar vazhdoj ta gjurmoj Komisariatin dhe Kanunin e Grudës, të sqaroj përbrenda përplasjet dhe konfliktet, siç thuhet me skansione, ata që ishin kundër trojeve etnike. Çdo nen i Kanunit të Grudës të cekur lidhet me dënimin e tradhtarëve, të cilët ishin rrymë e gabuar që punonin me okupatorin për gllabërimin e trojeve etnike, që na u kthye në bumerang të okupimeve. Në vijim të këtij libri, te kapitulli, Malësia e Madhe në mes të dy luftërave botërore, në disa raste dëshmojnë rrymat e lojaliteteve, dikush për Mal të Zi dhe dikush për pro kombëtaren. Këtë më së miri, në shumë dëshmi e përshkruan, Anton Harapi, në librin e tij, “Andrra e Pretashit”, e botuar në Romë, më 1959. Edhe Tuzit të sotëm, kemi bërë përpjekje t’i japim një hapësirë të meritura, sepse pothuaj i gjithë komuniteti shqiptar malësor, kudo jeton dhe vepron është i lidhur me këtë kryeqendër të tyre, e solla sot ka marrë statusin e Komunës. Me këtë rast, një fitore e madhe historike për popullatën shqiptare të Malësisë së Madhe, u sulbimua me formimit të Komunës së Tuzit, e cila sot po funksionon në mënyrë më të besuar dhe të dinjitetshme, u kurorëzua pas shumë përpjekjeve dhe angazhimeve të banorëve të kësaj krahine, që nga viti 1957 e deri me tash.. Formimi i Komunës së Tuzit ishte një fitore e madhe për shqiptarët e Malësisë së Madhe, sepse shqiptarët malësorë tashmë fatin e tyre e morën në duart e veta. Po ashtu, lirisht mund të konstatoj që në këta dy libra tematikë, janë bërë përpjekje maksimale që të hedh dritë për historinë, rezistencën dhe krenarinë e Malësisë së Madhe dhe popullit të saj. Megjithatë, jam plotësisht i vetëdijshëm që në brendinë e kopertinave të këtyre dy librave ka mbetur edhe shumëçka për t’u thënë. Mirëpo, mëtimi dhe qëllimi im qenësor ishte dhe është që studiuesve të tjerë, të cilët do të merren me historinë e Malësisë, t’u ofroj mundësi që këta libra t’i shfrytëzojnë për plotësim, përkatësisht studim të mëtejmë, më të plotë dhe më gjithëpërfshirës, është shprehur ndër të tjera studiuesi Gjokaj.
Prof. Mark Junçaj: ”Libri i Gjokajt ka shumë anë pozitive dhe ngërthen vlera shumë të rëndësishme dhe me interes shumëdimensional, duke dhënë informacione të reja për shumë fakte dhe dëshmi historike për Malësinë e Madhe”
Ndërkaq, studiuesi, njëherësh edhe recensuesi, prof. Mark Junçaj, në fjalën e tij hyrëse, shprehet se libri i Gjokajt, “Malësia…”, trajton periudhat e lashta historike, periudhën e antikitetit dhe të vetë mesjetës. Libri fillon me paraqitjen e fiseve ilire që banuan në viset e sotshme të Malësisë së Madhe, duke bërë paraqitjen e tyre të shkurtër, si dhe shtrirjen territoriale të atyre fiseve. Pastaj autori shumë rëndësi i kushton paraqitjes së gjurmëve të qytetërimit të lashtë ilir në viset e Malësisë, që edhe sot mund të vërehen, siç është fjala për kanalin e Dukianit, për të cilin na jep disa informacione me rëndësi, etj. Shumë vende të cilat i përmend, autori, vet i ka vizituar dhe, aq sa ka pas mundësi, i ka hulumtuar dhe i ka paraqitur rezultatet deri tek të cilat ka arritur. Për të dëshmuar se shqiptarët e Malësisë së Madhe janë popull autokton dhe se në këtë vend feja e krishterë ishte prezentë që në fillimet e saj, ai këtë mundohet ta dëshmoj, përveç me anë të mbetjeve arkeologjike, edhe me anë të onomastikës që është ruajtur në emërtimin e mikrotoponimeve të ndryshme të Malësisë së Madhe. Duke përfunduar punimet e paraqitura për antikën, dalëngadalë kalimi bëhet tek mesjeta, tek periudha e dytë sipas periodizimit të historisë, ku më së shumti rëndësi i jepet mesjetës së vonshme, ngase për mesjetën e hershme, e cila ka të bëjë me dyndjen e sllavëve dhe shkatërrimin e shumë arritjeve kulturore të Ilirikut, u humbën edhe shumë burime të shkruara. Autori nuk e lënë pa u marrë edhe me xhubletën, të cilën e vlerëson lartë dhe për të cilën thotë se është shumë e lashtë dhe se pa dyshim është trashëgimi nga të parët e shqiptarëve, ilirët, ngase në të nuk mungojnë elementet e parakrishtërizmit, si dielli, hëna etj., dhe se nëse vërehet mirë e ka formën e kambanës”, shprehet studiuesi Junçaj i cili në vijim shton në libër po ashtu trajtohen tema të shumta me rëndësi kombëtare siç është, p. sh. rasti i vdekjes së Pjetër Budit. Autori paraqet dyshimin se Pjetër Budit iu përgatit kurthi dhe, për shkak të veprimtarisë kombëtare, u vra nga armiqtë. Po ashtu, me rëndësi është se merret edhe me Pjetër Bogdanin, për të cilin mendon dhe mundohet ta argumentoj se është me origjinë nga Malësia e Madhe, duke ia nxjerr prejardhjen nga fisi i Grudës. Mirëpo, në këtë kapitull më së shumti rëndësi i kushtohet Malësisë së Madhe gjatë Rilindjes Kombëtare dhe fatit të saj tragjik që përjetoi me përfundimin e Luftërave Ballkanike. Nuk harrohet rasti i podgoriçanëve, as vendimet e dëmshme të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit. Në këto konferenca ndërkombëtare fillon edhe copëtimi i Malësisë. Një trajtim me rëndësi i jep edhe mbrojtjes së viseve të Hotit dhe të Grudës nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e në radhë të parë nga vetë malësoret ku spikasin emrat e Çun Mulës dhe të Baca Kurtit. Vazhdon duke paraqitur edhe periudhat tjera kohore dhe duke u ndalur tek Kryengritja e Malësisë së Madhe, me ç’rast vëmendje i kushton ngritjes së flamurit në Deçiq, Kuvendit të Greçës, por edhe financimit të saj. Kryengritjen e paraqet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Malësisë. Po ashtu, duhet cekur se nuk lihet anash as një nga ngjarjet më të errëta të historisë së këtij vendi, ngase një pjese e malësorëve, gjatë luftërave ballkanike, do të marrin pjesë në anën malaziase duke u ndihmuar që të marrin Tuzin dhe duke vazhduar deri në Shkodër. Ky kapitull përfundon me copëtimin e Malësisë së Madhe në Konferencën e Londrës nga ana e Fuqive të Mëdha, ashtu që gjysma e kësaj treve, e cila ishte kështjellë natyrore e Shkodrës, mbeti jashtë shtetit amë. Në vijim Gjokaj po ashtu pasqyron edhe dy vrasjet e figurave të rëndësishme historike, vrasjen e Dedë Gjo’ Lulit dhe e Isa Boletinit. Të dy këta do të vriten nga forcat sllave. Paraqitet historia e Malësisë, kryesisht e asaj pjese që mbeti në kuadër të shtetit sllav (Mbretëria SKS/e Jugosllavisë), ku kemi rastet e vrasjes dhe torturimit të shumë malësorëve nga ana e shtetit sllav. Historiku vazhdon me vuajtjet e Malësisë edhe mbas Luftës së Dytë Botërore, ku vazhdohet me politikën e vjetër sllave, së pari me rianeksimin e pjesës së Malësisë dhe vrasjen e shumë malësorëve, ku spikat edhe vrasja e patër Zefit dhe shumë e shumë të tjerëve. Pastaj, vazhdon në vijim studiuesi Junçaj, se me periudhën e prishjes së marrëdhënieve sovjetiko-jugosllave, ku, si pasoj, shumë malësorë u arrestuan, u torturuan dhe disa përfunduan edhe në kampin famëkeq të Golli Otokut. Autori për këto ngjarje, sipas materialit të grumbulluar në terren, na jep edhe shumë emra të malësorëve që i mbijetuan atij kampi. Gjokaj, ka pohuar Junçaj, nuk harron as aktin historik të Besëlidhjes së Malësisë të vitit 1970, e deri në ditët e sotshme duke u ndalur edhe tek angazhimi i malësorëve për çështjen e Kosovës, qoftë në mërgim me krijimin e fondacionit ,,Vendlindja thërret”, i cili grumbulloi mjete të shumta financiare për të ndihmuar kosovarët dhe vetë luftën e UÇK-së, si dhe brenda në Malësi, ku u krijua ,,Këshilli për ndihmë urgjente për të ikurit nga Kosova”, që u angazhua për t’i strehuar dhe ndihmuar kosovarët që kishin braktisur vatrat e tyre gjatë terrorit serbë. Paraqitet edhe aksioni i koduar policor ,,Fluturimi i Shqiponjës”, me ç’rast u arrestuan, torturuan dhe akuzuan malësorët si terroristë. Kjo ishte si një ,,mirënjohje” për kontributin që dhanë shqiptarët, pak muaj më parë, për pavarësinë e Malit të Zi. Te kapitulli i fundit, kemi disa vështrime, reagime, fjalime, përkujtime etj. të autorit, i cili i ka punuar dhe paraqitur gjatë viteve të ndryshme. Këtu kemi përkujtime të njerëzve të mëdhenj të Malësisë së Madhe, siç është fjala për Gjergj Dakun Gjokaj, pastaj shënime të pavarësisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, në të cilat raste autori mori pjesë me kumtesa të përgatitura etj. Libri, i Sh. Gjokajt, “Malësia e Madhe në dëshmitë dokumentare”, ka shumë anë pozitive dhe ngërthen vlera shumë të rëndësishme dhe me interes shumëdimensional, duke dhënë informacione të reja për shumë fakte dhe dëshmi historike për Malësinë e Madhe”, është shprehur ndër të tjera studiuesi Junçaj.
Dëshmi dhe fakte të rëndësishme historike për Malësinë e Madhe dhe malësorët
Kapitulli të parë të librit i prinë disa të dhëna dhe fakte historike që kapërthejnë periudhën të lashtë dhe akoma të pandriçuar thellësisht, atë të Antikës. Sipas autorit shumë fakte dhe dëshmi historike që ruhen dhe traditat fragmentare që në shekujt të parë I,II dhe III te erës së re, nga gjeneralët ilir u përqafua krishterimi ilir në shërbim të Perandorisë romake. Me këtë rast, autori Gjokaj po ashtu sqaron se kur kemi të bëjmë me këtë periudhë kohore hasim edhe ndërtimin e një kanali të Doklianit (Doklecianit në vitet 284 – 3016, që sot i gjejmë në hapësirën e Malësisë, ku fillon në lumin Cem dhe vazhdon deri në Dukël 12 mile ose 19, 3 km. Me këtë rast autori potencon edhe thellësinë historike të disa fortifikatave, si fortifikatën Laberion, Burgu i Dushiqit, Burgu i kuq, në Somobor të Liqeni i Shkodrës, pastaj fortifikatën në Nënhelm (Helcium), pastaj, si Medoni (Meduni) i Tit Livit, shek. V, Thessaoleniku (Shpishaniku), që hasim qysh në vitet e para të antikës, i gjemë në Epir, ndonëse me emër Nikopolisi te Tuzi.
Në vijim autori jep shpjegime rreth Kanalit të Dukianit, më tej rreth kërkimeve shkencore për Ulpianës, formës së përhapjes së krishterimit gjatë periudhës së Ilirisë. Autori Gjokaj po ashtu me shumë kompetencë dhe suke u bazuar në dëshmitë historike flet për fiset ilire në Malësi, Një vend të merituar studimor autori Gjokaj i kushton Malësisë së Madhe gjatë periudhës në kohën e Antikës. Kur flet për mikroregjionin e Malësisë së Madhe autori sqaron se në këtë periudhë kohore Malësia e Madhe shtrihej prej pjesës jug-perëndimore të Ballkanit, në vendbanimin e maleve masive dinarike. Kështu që, sipas autorit Gjokaj një vendbanim tipik i kësaj periudhe historike ishte Kalaja e Samoborit, Kalaja e Theosselanikut, Kalaja e Medeonit, Kalaja e Pipërit, Kalaja e Supzhës dhe të tjera pranë detit Adriatik. Kësaj natyre i takon edhe Kalaja e Danit (Bizerediumi) të Dinoshës dhe shumë kala të tjera të vogla në hapësira të ndryshme të fiseve në Malësinë e Madhe.
Edhe onomastikës së Malësisë së Madhe të kohës Antike autori Gjokaj i kushton rëndësi të veçantë. Me Mjaft kompetencë studimore flet për Albanopolisin (Burgu i Bardhë), Burgun e Zi, Pllati (Pllatium), Piloti, Pllana, Pulti, Pllanica etj. Po ashtu, toponimet, si Bucelza (Bucema), Mileshi (Militis, Mobiles, Miles), Dinosha, Urrela, Fortifikata e Nicës në Milesh të Malësisë etj., zënë vend meritor në penën studimore të këtij autori.
Duke folur për zanafillën e Ipeshkvisë në antikën e Malësisë, autori vë në pah edhe problemet me të cilat janë përballur dy ritet, riti i perëndimit dhe ai i lindjes, problem që kanë pasur pasoja edhe për një periudhë të gjatë kohore. E vërteta që ka munguar, mirëpo të cilën mund ta plotësojnë leksikun e fjalëve iliro-albane bazuar në antroponime dhe antro-patronime të krishterimit dhe kulteve të e apostujve, si Shën Palit, Shën Lukës, Shën Pjetrit, Shën Mërisë, Shën Gjonit, Shën Kollit, Deoklacionit, Konstantinit të Madh e deri në hapjen e koncilit (Kuvendit) të Nicës të vitit 313 të erës sonë. Selia e parë ipeshkvnore me sa dihet në bazë të gjurmëve ubikuese në Malësi që mbeten në mikrotoponime që shumta që u mbajtën shumë kuvende gjer me Nicën në vitin 313 te erës sonë ishte në Pilati-Piloti-Platum (Pllanica ndërmjet Kshevës, Mileshi dhe Dinoshës).
Edhe kapitulli i dytë ngërthen tema të një interesi të veçantë dhe të një rëndësia që ka vlera shumëdimensionale. Në këtë pjesë të këtij kapitulli autori në mënyrë mjaft kompetencë shkencore flet për organizimin e familjes në shoqërinë e Malësisë së Madhe në këtë periudhë kohore, për fiset, vëllazëritë, bajraktarët, vojvodët etj. Autoi Gjokaj me këtë rast prezanton edhe sërë dokumentesh arkivore për Shqipërinë e Veriut. Me të dhëna autori kryesisht bazohet në librin e I. Zamputit, “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme të shekullit XVII”, Tiranë 1963. Autori më pastaj flet për kullat në Malësi, funksionin e tyre, vlerat dhe rëndësinë e kësaj trashëgimie kulturore. Në studim që zgjon kureshtjen e lexuesve paraqet edhe studimi rreth enigmës së vdekjes së Pjetër Budit, që sipas autorit duhet të cilësohet si fatkeqësi pas vrasje e planifikuar. Pas shumë analizave dhe argumenteve të studiuara nga autori, shtron dyshimin që Pjetër Budi është vrarë qëllimisht apo është aksidentuar, shumë argument vënë në pah argumentin më afër të së vërtetës që Budi është vrarë qëllimisht. Enigma e zhdukjes së trupit të Budit është dëshmia më autentike se ky iluminist i shquar është vrarë qëllimisht. Zamputi vdekjen e Budit e nxjerr si një viktimë e përplasjeve të dy rrymave të ndryshme, kundërshtare njëra me tjetrën që kanë ekzistuar në atë kohë, mes dy rrymave krishtere, asaj katolike dhe ortodokse. Sipas autorit, rreth vrasjes së Budit, më bindëse qëndrojnë faktet se ishte një vrasje e përgatitur e asaj doktrine të cilën Budi e kundërshtonte në ndërrimin e priftërinjve që nuk dinin gjuhën shqipe në predikimin në masë te shqiptarët, e këta të fundit nuk e kuptonin gjuhën latine. Budi ishte ai që përkrahu që secili të predikojë në gjuhën e vet dhe në popullin e tij, pikëpamje kjo që i kushtoi me jetë. Megjithatë misteri, përkatësisht enigma e shuarjes së jetës së tij edhe sot e kësaj dite pas kaq shekujsh pa mbetur pa e parë dritën.
Dilemat e autorit mbi të vërtetën e origjinës është bogdanajve dhe të ngritjes së flamurit kombëtar në Malësi të Madhe
Autori Gjokaj, në këtë libër po ashtu shpalos edhe një histori që zgjon hap dilema e diskutime tek studiuesit dhe njohësit e historisë dhe të letërsisë shqipe. Fjala është rreth origjinës së Bogdanajve, ku autori hap diskutime studimore se origjina e Bogdanajve a është nga Gruda e Malësisë apo Hasi i Prizrenit, që prej shumë kohës flasin faktet dhe dëshmitë historike. Mirëpo, autori Gjokaj këtë tezë të së kaluarës historike e hedh poshtë këtë tezë historike duke shpalosur kundër argumentet tjera se origjina e Bogdanajve rrjedhën gjenealogjike e kanë nga Gruda e Malësisë së Madhe. Në vijim autori Gjokaj flet veprën antologjike të Bogdanit, “Çeta e Profetëve”, për rëndësinë për vlerat dokumentare që ngërthen ky libër, që paraqet një nga vlerat e para me të cilat njëherësh është bërë edhe bekimi i letërsisë shqipe.
Në vazhdim të këtij libri, autori paraqet edhe udhëpërshkrimet e Evlija Çelebiut, Shqiptarët dhe malazezët, Shqiptarët dhe malazezët sipas këndvështrimit të Mark Milanit etj.
Studiuesi, Sherif Gjokaj, në librin e tij të dytë, Malësia e Madhe në faktet historike nga Rilindja Kombëtare deri sot, kapërthen tema shumë të rëndësishme dhe tepër me interes historik të rrugës historike të Malësisë së Madhe duke përfshirë periudhën qysh nga Rilindja kombëtare deri me ditët e sotme, duke pasqyruar ngjarje, por edhe duke hedhë dritë mbi shumë figura dhe personalitete historike gjatë kësaj periudhe.
Kapitullit të tretë i prin një shkrim studimor që pasqyron fakte dhe dëshmi historike për këto ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Autori po ashtu flet për luftërat në periudhat 1908 – 1912, si ngjarje të rëndësishme për Malësinë e Madhe. Edhe kryengritjes së Malësisë së Madhe 1911 autori i jep qasje mjaft të qartë dhe i shpjegon me shumë kompetencë shkencore.
Edhe me këtë ngjarje historike, autori hap dilemën e ngritjes së flamurit që ngritja e tij a është bërë në 6 prill 1911 në majën e Bratillës apo në Deçiçit, siç historia ka folur deri me tash, meqenëse që të dy këto maja janë afër njëra-tjetrës. Ndërkaq, duke folur për kryengritjen e vitit 1911 dhe kryengritjen e përgjithshme të vitit 1012, sipas autorit kanë shumë dallime, sepse këto dy vite ishin përplot me ngjarje të rëndësishme historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të gjitha këto moment flasin për situatën në Vilajetin e Shkodrës, të Kosovës, Manastirit dhe të Janinës, për shkak të zhvillimeve në raport me kryengritjet që jot ë gjitha ishin të koordinuara në një komitet udhëheqës, që do të formonin një fronte të përbashkët në luftë kundër perandorisë osmane, e cila ishte në gërhimat e saja të fundit dhe të momentit historik të shqiptarëve për ta formuar shtetin e tyre. Të gjitha këto përpjekje u sublimuan me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912 në Vlorën historike.
Autori në vijim të librit jep të dhëna rreth figurave historike të malësisë së madhe Tringë Smajles dhe Sokol Bacit, sipas dokumenteve malazeze, të dhëna që përçojnë dilema që do të reflektojnë në mënyrë kundërthënëse. Autori Gjokaj po ashtu në libër pasqyron profilin historik të figurës së ndritur historike të Isa Boletinin (1864-1916), duke e përshkruar mënyrën e vrasjes së tij etj. Ndërkaq, duke folur rreth personalitetit të Dedë Gjo’ Lulit, profesor Gjokaj. Edhe me këtë rast, autori shpalos dilema rreth vrasjes së heroit të kombit Dedë Gjo’ Luli, ku akoma edhe pas kaq vitesh të vrasjes së tij, kjo vrasje paraqet ndjenja hamendësie dhe paqartësie rreth së vërtetës së vrasjes së këtij heroi kombëtar.
Një temë që paraqet rëndësi të veçantë është edhe pasqyrimi i Malësisë së Madhe dhe i malësorëve përgjithësisht në optikën e prezantimit në veprat e Edith Durhamit, “Brenga e Ballkanit dhe veprat tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Edith Durham, si një studiuese e spikatur me shprehinë e saj të jashtëzakonshme, pasqyron të dhëna historike për të bërë të njohur situatën në Ballkan, duke e përfshirë edhe krahinën e Malësisë së Madhe.
Periudha e re me perspektiva të reja dhe ambicie prosperuese
Duke folur për periudhën më të re të historisë së Malësisë së Madhe, autori Gjokaj, në mënyrë mjaft të mprehtë pasqyron disa ngjarje që do të mbesin në aureolën e historisë së kësaj krahine, si ngjarja e besëlidhjes së madhe, në Tuz, më 28 qershor 1970, që paraqet një ngjarje kulmore të kësaj pjese të historisë që lidhet me procesin e një besëlidhjeje që kishte për qëllim mbylljen e plagëve të gjakmarrjes në këtë krahinë, që ishte një plagë që pikonte gjak mes vëllezërve malësorë. Me mjaft kompetencë, po ashtu studiuesi Gjokaj flet edhe për proceset demokratike të zhvilluara në Malësi të Madhe, formimin e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, më 9 shtator 1990, pastaj Partia e Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi – UDSH, formuar më 21 nëntor 1993; formimi i Këshillit për ndihmë urgjente për të ikurit nga Kosova, më 14 qershor 1998 në Tuz etj., e deri te formimi i Komunës së Tuzit, e themeluar më 1 shtator 2018, kur Tuzi u formua si Komunë e pavarësuar, duke u shkëputur nga Komuna e Podgoricës.
Edhe kapitulli i katërt, ngërthen ngjarje të veçanta, që kanë të bëjnë kryesisht me jetën dhe organizimin e malësorëve të Malësisë së Madhe, por edhe të komunitetit të shqiptarëve të Malësisë së Madhe në diasporë, përkatësisht në Amerikë.
Përfundimi i këtij libri sublimohet me konceptimin e një fotoalbumi, në të cilin janë të kapërthyer fotografi të përzgjedhur të autorit, që kanë të bëjnë me jetën familjare, por edhe nga moment të angazhimit dhe veprimtarive të tij, arsimore, letrare dhe kulturore përgjithësisht.
Dhe, kështu, krejt në përfundim lirisht mund të konstatojmë se libri i autorit Sherif H. Gjokaj, është një libër me vlera të rëndësishme historike dhe tepër i nevojshëm për studiuesit dhe lexuesit, që iu ofron mundësi për t’u njohur nga afër për historinë, ngjarje dhe figura të shumta që lidhen me Malësinë e Madhe, por edhe më gjerë.