Nga Agim Xh. Dëshnica
Për shkak të vjetërisë që humbet në terrin e shekujve, ende nuk dihet viti i saktë i themelimit të këtij qyteti-kështjellë mbi dymijëveçar. Festat e tragjeditë, fitoret e humbjet në beteja me romaket e klithmat gjatë dyndjeve barbare e sllave , heshtin nën rrënoja nga kohë të zhdukura tok me zërat e këngët e banorëve. Flasin vetëm legjendat. Dijetarët kërkojnë emrat e qytetit, të lumit e maleve përqark, mendimet e tyre ndeshen njeri me tjetrin. Shumë syresh me ndihmën e gjuhësisë, ngulin këmbë se vetëm emri ilirian me ato dy zanoret kumbuese, Partha, i gdhendur në gurët e zbuluar nën tokë, ngjan me shqipen Bardha apo Qytet i Bardhë, me shtëpitë brenda mureve të kështjellës parake.
Me kalimin e shekujve qyteti doli jashtë mureve dhe u zgjerua mbi shkëmbinj, kodra e fusha pranë lumit. Emra nga më të ndryshmit, u zhdukën bashkë me pushtuesit. Qyteti për disa vite në liri u mbrojt nga prijësit arbër Muzakajt e purpurantët e Gjergj Kastriotit dhe u përtëri në kohën e Ali Pashë Tepelenës.
Adhuruesit e qytetit, poetët e shkrimtarët në përsihatjet e tyre e quajnë Qyteti i Njëmbinjëdritareve, Qyteti i Legjendave, madje Qyteti i Bardhë me çatitë e dritaret që mbajnë njera-tjetrën në shpinë e supe. Megjithatë për habi askush nuk flet për rikthimin e emrit të mirëfillë ilirian Partha, siç ndodh me Shkodrën, Krujën, Gjirokastrën, Athinën e Romën. Për ironi te fatit , ky qytet, edhe sot mban emrin e fermanit osman- berat të Sulltan Mehmetit II, i humbur nën hirin e Bibliotekës së Pashait e djegur nga rebelët në vitin 1914.
Ky qytet zbardh nën muret me 24 kullat e katër portat e gurta të Kalasë. Prej andej në një krah duket në qiell Tomori festeborë, tek zgjohet nga rrezet e para të agimit. Në krahun tjetër Shpiragu i shtrirë nga skaji në skaj, fle në muzg, i mbuluar nga tisi i përskuqur i reve, kur mbrëmja pak nga pak bie mbi kodra e fusha. Për disa çaste shumëkush mendon se dielli lind e lëviz vetëm në atë hapësirë, kalon mbi qytet e humbet prapa kreshtës së Shpiragut, ku në kohët e parthëve ndodhej qyteti Dimal. Kur hëna është e plotë, ajo shihet qartë e ulur në muret e Kalasë mbi humnera Me dritën e diellit ndriçon qytetin, rrugët, sheshet e oborret e shtëpive.
Ndër kohë lumi mbledh rrëketë e përrenjtë e maleve, ngjishet në faqet e thikta shkëmbore. Mandej i çliruar nga trysnia e kanioneve, zbret tatëpjetë e derdhet ditë e natë në zallishte e pellgje, herë-herë të përgjakur pas krismave. Dritat e shtëpive natën posi yje të këputur bien në lumë, vezullojnë në ujë e ikin bashkë me valët.
Lumi me uturimë a në heshtje, turbull apo i kulluar, shket nën urën me shtatë harqe, e dëgjon legjendat për ndodhi të dhimbshme. Më tutje shtyhet drejt një dige. Pak më tej nën urën prej betoni, që bashkon veriun me jugun. Hapet sërish drejt fushave, kalon nën urën me harqe të beut bamirës me emrin Hasan dhe takohet me lumin ujëplotë e kohëve iliriane, që zbret përmes kodrave e maleve nga liqenet e kaltër nën Shën Naum. Të dy tok posi vëllezër mërgojnë me diellin, zhyten nën dallgë në detin kaltërosh.
Kur vjen pranvera me lule, kthehen nga vendet e ngrohta dallëndyshet, rosat e patat e egra. Nga deti afër peshqit ngjiten drejt qytetit, duke çarë kundër rrymës së lumit. Ndërsa nga deti i largët i Sargaseve ngjalat shtegtare mbërrijnë dhe enden në ujëra pranë shtëpive.
Në Qytetin e Bardhë, lagjet, sokakët, portat, muret, dritaret, çatitë, pemët e hijet, flasin me larminë e emrave, ndërsa tempujt e faljeve me shkrimet e shenjta. Vite e vite më parë rrugët e pazaret e shtruara me gurë gjallëronin nga dyndja e blerësve, thirrjet e tregtarëve, zhurma e zejtarëve; nga ardhja e ikja e karvanëve me kuaj, të ngarkuar me mallra e shtegtarë. Papritur gjëmonin armët vrastare nga bedenat e frëngjitë e Kalasë dhe mbi urë dukej tek vraponte vargu i ushtarëve të huaj.
Nga lartësitë e ultësirat pamjet mahnitëse afër e larg ndryshojnë. Qyteti i Bardhë, ky muze i hapur i natyrës, i veprave të artit dhe i historisë, njihet si vendbanim mjeshtrash, artistësh e piktorësh të panjohur, i sunduar e i grabitur nga perandorë, mbretër, princesha e pashallarë. Gjithsesi mbijetoi i plotë deri ne kohët e reja. Rilindësit me penë dhe kapedanët me armë, me flamurin kuq e zi, punuan e luftuan për lirinë e tij. Dhe jeta vijoi si lumi me valë, ditën nën diell, kur ngriheshin themele e çati, e natën me hënë, kur shembeshin mure e harqe portash.
Kujtesa ruan emra romantikë në shqip: „ Rruga e Trëndafilëve“, „Lisi i Beçit“, „Mangalem“, „Shtëpia e Mëmës“, „Gjon Gjormë“, “Bishti i Urës“, „Hani i Fëshfërimës“, „Hani i Nushit“, “Shkëmbi Çek Beni“, „Shpella e Shën Mëhillit,“ “Shpella e Memecit“, “Pusi me Çati“, „ Balta e Kuqe“, „Te lundra“, „Pajtonët me kuaj“, „Burimet e ujarët“…Disa vende në lumë, ku laheshin djemtë e rinj mbanin emra: „Zarizana“, Shkëmbi i Goricës „Te pllakat„ „Te trarët“… Edhe pse, gjatë viteve të diktaturës qyteti u dëmtua dhimbshëm, emërtimet zyrtare apo fetare, tashmë janë ringjallur.Thuhet sërish: Prefekturë, Bashki, Gjykatë, Medrese e Sarajet e Pashallarëve, , Kisha Ortodokse e ringritur në qendër pas shembjes barbare, Katedralja e Shën Mërisë e Kisha e Vllahermës kryevepra arti, dhe Kisha e Shën Triadhës në Kala; Kisha e Shën Thanasit lart , mbi ullishta; Kisha e Shën Mëhillit me themelet në shkëmb, afër një shpelle, ndoshta strehë asketësh, në lagjen Mangalem. Ndersa matanë lumit Kisha e Shën Thomait, mbi kthesën e rrugës që merr përpjetë për në Dushkajë, ish Drobonik, dhe Kisha e Shën Spiridhonit, në qendër të Lagjes Goricë, dikur Gjon Gjormë. Tok me to në qendër të qytetit ndërtesat e bukura të faltoreve të vjetra: Xhamia e Beqareve, Xhamia Mbret, Teqeja e Helvetive, Xhami e Plumbit. Dhe lart në kala, Xhamia e Kuqe e Xhamia e Bardhë. Poshtë në lagjen Murat Çelepi Felbani austriak, tren-dekovil që vinte nga Shkodra me ushtarët e Luftës së Parë e udhëtarët vendas, Xhamia e Sahatit e ndërtuar në vitin 1663, Teqe e Rufaive, ku kryhej riti i faljes me shisha apo shtiza e thika dhe përtej lumit , Xhamia e Velabishtit. Duhet kujtuar edhe Xhamia e Dylibegës në hyrje të qytetit, tashmë e rrafshuar egërsisht. Xhamia e hijshme shërbente për faljen e besimtarëve, përpara se të merrnin udhën me kuaj duke kënduar drejt Vlorës e Pashalimanit për në Qabe. Në atë vend të shenjtë, shihet edhe sot gryka e ndryshkur e një mitrolozi!
Në qytetin e Bardhë, herë -herë kryeqytet, edhe gjatë viteve të luftës çdo vizitor nëpër lagje gjente ngjashmëri befasuese jetese me fshatin. Bahçe me perime e fryta gjithfarësh; rosa e pata në rrjedhën e remës, që shkëputej nga lumi në digën me trungje, me sovakët radhaz e sidomos çikrikët e ujitjes, me ato kërkëllimat e paharruara. Nëpër oborre endeshin klloçka e zogj me pupla ngjyra-ngjyra. Mbi të gjithë këndes larosh, i krekosur në degë apo mbi mure. Kënga e tij e zgjimit dëgjohej deri larg çdo mëngjes. Pastaj tërë ditën pipzat e gajdat e fëmijve, në breg të lumit.
Kush ka pasur fatin të kalojë disa ditë e netë i pritur me bujari në Qytetin e Bardhë mbi lumin me murmurima ujrash e në ajrin e maleve, as fjetur, as zgjuar, është ndier sikur flinte në qiell. Nga ato shtëpi, kanë dalë burra e gra, me shkollë ose me pak shkollë, të pasur e të varfër, mësues të përkushtuar, shkrimtarë e poetë të fymëzuar, piktorë e skulptorë, zejtarë-artistë të palodhur, guximtarë në tregti. Shumica nderonte çdo fe, por mbetej e ftohtë ndaj ofiqeve zyrtare. Ndër vite qytetarët i bashkonte shpirti romantik dhe dashuria për qytetin me bukuritë e rralla, pasuritë artistike e fetare. Ndër to pikturat me ngjyrën e kuqe të Onufrit, kodikët e purpurt e të artë, ikonat e ikonostasët e lashtë, epitafi i endur me fije ari, argjendi e mëndafshi, punim i rrallë artistësh; kuranët e praruar, sfera-kristal me fije nga flokët e Profetit Muhamed, shandanët e shndritshëm, qilimat, sexhadet me ngjyra lulesh…
Qyteti me ato pamje të kaltra ose të e zymta njihet kudo për legjendat, këngët qytetare, festat pagane e fetare: Ramzani, Bajrami, Shtegtimi i Shenjtë për në Teqen e Kulmakut në Tomor, Krishtlindjet, Pashkët, Hedhja e Kryqit në lumë, Karnavalet…
Në Qytetin e dritareve-yje, legjendat, rrëfenjat e përrallat e frikshme jetojnë edhe sot. Në krahun nga zbret dielli mbi Shpirag disa vjet më parë shiheshin pranë lumit Sarajet-rënoja të pashait, të rrafshuara nga një zjarr i frikshëm. Një mur i ulët me gurë e myshk, zgjatej më kot dhe e ndante truallin e shkretë, gjithashtu më kot, nga shtëpitë pranë. Porta e zymtë me hark të lartë, as hapej e as mbyllej. Pluhuri i tre shekujve mbulonte oborrin. As rosat, as patat e remës nuk hynin atje.
Në bahçenë e madhe, afër lumit, asnjë pemë, kumbull a fik, nuk hidhte hije. Asnjë shpend fluturak nuk ndalej kund. Nuk shihej asnjë fole. Nuk ndihej asnjë cicërimë harabeli e gushkuqi, as xhi-xhitë e gjinkallave. Zhapinj e nepërka jeshile lëvrinin nëpër ferra, shkurre, islla e në barin e egër.
Gratë e moshura në shtëpitë afër Sarajeve, rrëfenin me pëshpërimë, se natën dalin xhindet, vajza të bukura me veshje të bardha, e vallzojnë pa këngë e pa saze. Nuk dihet nga vijnë. Vallë mos dalin nga valët e lumit apo ulen nga qielli? Edhe për gurët që rrokulliseshin natën pas shiut rrebesh tatëpjetë nëpër sokakët e shtruar me gurë, flisnin nën zë për shpirtra të këqij.
Nga kohë që s’mbahen mend, endet edhe sot legjenda e dyluftimit të përgjakshëm, me fund tragjik, midis vëllezërve, Tomor e Shpirag, për vashën e bukur Kala. Njëri me shpatë, tjetri me topuz. Pas ndeshjes së dy luftëtarëve vëllezër me gjymtime të thella, një mallkim misterioz i kthehu në male. Në dimër, aty nga shkurti, natën vonë, kur thëllimi të pret si me thikë, kudo nëpër Qytetin e Bardhë dëgjohet vërfshëllima e stoçenit që vjen nga grykat e Tomorit. Jehon dhimbshëm nën hijen e Kalasë, aty ku rruga zbret përbri lumit, kthehet e hyn në Urën legjendare të Goricës. Pastaj merr djathtas përpjetë për në Shpirag.
Mos ndoshta atje dikush shtegton nëpër natë e në thëllim me kumtin e shenjtë të Baba Tomorit, për pajtim, falje e dritën e dashurisë?