PRINDER… PRINDERONI!

Nga Inxhi Aliçkaj

Së pari, fëmijët tanë i kemi lëshuar ne, i ka lëshuar familja (me dashje e padashje), e pastaj gjithë zinxhiri, shkolla, shteti… “Shoqëria po na i prish”, themi secili, por kush e bën këtë shoqëri?!

FAMILJA DHE PIKE!

“Gjithçka ta kam plotësuar, çfarë dreqin ke?”, e dëgjojmë shpesh nga prindër, e mendojmë se kaq mjafton…. Dhe i kemi lëshuar fëmijët tanë në këtë kaos identiteti për ta, në këtë terren të dhunshëm verbal, fizik e psikologjik, që nis qysh nga komunikimi “normal” i mamit e babit në shtëpi, me ulërima, sharje, e fjalor rruge, që nis nga paaftësia për t’i dëgjuar e për t’u përfshirë nën lëkurën e tyre, sepse “s’kemi kohë”, në këtë fëlliqësirë që gëlon, në ato dreq rrjete sociale, që ua morën gjithë lirinë e fëmijës dhe i imponojnë të imitojnë modelet e të fortëve dhe degradimit, nga celularë që vet ua blejmë e që vet ua lemë t’i mbajnë që të vegjël, orë e pa orë, vetëm që të na lënë pak rehat… (nuk po flas pastaj për rastet kur prindërit mburren për “aftësitë çuditëse” të fëmijës në teknologji)!

Fëmijët tanë i kemi lëshuar ne së pari, para se t’i kërkojmë llogari mësuesit, të cilit shumë prej nesh ia kanë zeruar autoritetin, kur në sy të fëmijës së tyre, i kërkojnë llogari dhe e kërcënojnë… Kam 9 vjet që shkoj në mbledhje prindërish dhe, sa e sa herë vij e shokuar nga ajo që më dëgjojnë veshët, nga shumë prindër… “Kush je ti që i flet fëmijës tim ashtu?”… e mësues që kërkojnë falje, ose heshtin… Nxënës që kërcënojnë mësuesin: “ta tregon babi im ty”… Prindër, që mësuesit i thonë “hall i madh po s’mësoi, se nuk do e bëj shkencëtar”, e fëmijë që nuk dinë ç’janë librat e shkollës e larg o zot të mbajnë në dorë ndonjë libër artistik a historik.

Fëmijët tanë i kemi lëshuar ne së pari, për sa kohë i llastojmë me teprica luksi të shfrenuar, për sa kohë i veshim firmato, u mbushim xhepin me lekë që në 9- vjecare, pa e ditur ata vlerën e lekut e duke bullizuar shokun a shoqen. që nuk i ka këto mundësi, kur standardi që ata i vendosin shoqerizimit të tyre me moshatarë, është se cili nga baballarët e ka më të shtrenjtë makinën, shtëpinë apo vilën e plazhit. E të gjitha këto ata i quajnë vlera, për sa kohë shohin që edhe nga vet prindërit e tyre kanë këtë model, teksa fëmijët i shohin që turren pas kësaj jete, baballarë që sillen si të fortët e të pamposhturit lagjes, e mendojnë se me pare blejnë gjithçka, deri edhe fëmijën e tyre, e nëna që lahen, lyhen, zhgërryhen e tjetërsohen salloneve e honeve të impostimit të jetës së luksit, që harxhojnë orë pafund e nerva për një fasadë të bukur e nuk kanë kohë e nerva për të folur thellë me fëmijët e për të duruar edhe shpërthimet e tyre.

Fëmijët tanë i kemi lëshuar ne së pari, për sa kohë thjesht i rrisim, por nuk prindërojmë dot. Se “nuk kemi kohë, duhet të vrapojmë për t’i ushqyer”, justifikohemi… “Se ata kanë jetën para, po ne ku jemi me jetën tonë?, thotë dikush tjetër… a thua se të kërkoi fëmija ta sillje në këtë botë…

Fëmijët tanë sot nuk arrijmë t’i kontrollojmë dot, jemi të paaftë të flasim me ta, jemi të paaftë t’i orientojmë drejt vlerave, sepse po rriten nga prindër e familje që i kanë humbur këto vlera, duke rendur në vrapin e tyre. I kemi lëshuar në dorë të një ekrani telefoni dhe thjesht na ka mbetur të themi “Zoti na ndihmoftë!”…

I kemi lindur bebe të ëmbla, i rrisim mirë, por kur vallë i humbasim e nuk e dimë ç’bëhen e ç’bëjnë? Kur vallë na u bënë të fortë e të padëgjuar, kur u iku ndjeshmëria dhe njerëzillëku, e nisën të zihen, rrihen, të shajnë, bullizojnë, kërcënojnë e deri edhe vrasin disa prej tyre… E pastaj dalin ekraneve krenarë e triumfatorë? Kur ndodhi që devijuan? Kur u tjetërsuan? Kur nuk i njeh më as prindi i vet këta fëmijë, ende të parritur? Kur i lamë të na i gllabëronte e keqja? Kur e morën thikën e kacavidën në dorë dhe shkelën me këmbë librat?

Kthejeni së pari nga vetja refleksionin prindër! Fëmijën e humbet kur lëshon prindërimin në çdo aspekt, me dashje a padashje…Nuk përgjithësoj të gjithë, e as them se është e lehtë e kaq bardhë e zi, të prindërosh në ditët e sotme, por edhe pse në minorancë ndoshta, dua të besoj se jemi plotë që luftojmë të prindërojmë dhe jemi në kohë që të bëhemi shumë e më shumë… Jemi plot që vuajmë shpesh bullizimin tek fëmijët tanë, tek na vijnë në shtëpi mbushur frikëra dhe mërzi, por sërish, për asnjë moment, nuk ua nxisim gjuhën e dhunës, forcës apo zgjidhjeve ekstreme, por ju flasim për qetësinë, tolerancën dhe empatinë, luftojmë për të shuar mllefin e tyre dhe zbutur sedrën e tyre të lënduar fëminore, ju flasim për të mos u ndikuar dhe… sigurisht lusim Zotin të na ndihmojë në këtë mision.

E mund të kemi patur dilemat tona në ndonjë rast, nëse po bëjmë mirë me këtë formë prindërimi, në këtë turmë të dhunshme, por ngjarjet e fundit na përforcojnë mendimin dhe forcën se, vetëm kështu mund t’ua shpëtojmë fëmijërinë dhe adoleshencën fëmijëve tanë… Vetëm me forcën e familjes dhe të prindërimit…

Të tjerat, shkolla, shteti, qeveria, shoqëria, hallkat e tjera, kanë zullumet e mynxyrat e tyre, që veç Zoti ua lehtësoftë…! Nuk po hyj këtu sot…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *