Erenestina Gjergji Halili (Poezi per konkurs)

Zefit prej Fishte

 

Jam ati,
tuj kênë biri yt e i Atit tand,
jam biri,
tuj kênë ati yt e biri Atit tand.

Zdrukthtari,
qi mâ s’pari gdhenda erzin tem.
M’suesi
qi m’sova prej gjakut tem.

Jam Jozef!
Jam Gjergj!
Jam Zef!

I mbrami nder t’parmë.
I fundmi mocanik.
Jam gegë!
I tokës rrshâjve!

Kângë n’Lahutë t’parve!

 

 

Ejlli
(in memoriam Dom Mikelit)

Thirre ejllin tând, kur dita përhimë t’kâ deshë,
bani zâ, se ejlli merr f’tyrën e nânës, bâbës, dheut.
Thirre ejllin tând, kur mushknía t’ka prè n’besë…
Ora pro nobis, ora pro nobis…

Nânë do të jèsë,
Bâbë do të jèsë,
Atdhe do të jèsë.

Bàni zâ ejllit, kur kâmbë e huej, t’shklet mbi koc,
mbi shpinë tanden kryqin kâ lânë shèj,
se lodin tand e mbledh n’ Graal t’fildishtë,
m’u ngíjë sofra e njerzúere e dëshmisë .

Ora pro nobis, Ora pro nobis!
Nânë do të jésë,
Bâbë do të jésë,
Atdhe do të jésë.

E kur shkreptima t’rrâhin token nazike zhigâtun
e t’çilet porta nji bârrë dritë,
Ejlli difton krahët, ku rândesa yte, paditunie,
âsht bâ kryq e krane, prej dashnie.
Ora pro nobis, Ora pro nobis!

Nânë do të jésë,
Bâbë do të jésë,
Atdhe do të jésë.
Ejlli yt!

 

 

Oboe

 

Lilat e bylbylat gjallnojnë shkretinë e drekës,
ferishtat s’po ndijnë zânin e nanave n’porta,
mbetë kanë bosh, t’dall’ndysheve folezat,
n’thanë mbet ruba verdhuke e verës s’xetë…

 

Kah bjen vjeshtën, n’mall tretë…

 

Kris në oboe nji shi n’dashni t’magjepsun,
bylbylat, rankojnë trishtimit buzëmbramje,
lilat mbyllin qepenat me erë, kokëulun n’stil,
n’thanë kjan ruba e verës, n’shi nxanme…

Kângë e oboes, n’ ato kopshtí, n’drekë…

 

 

Pésë plâgë

I krintë njaj burrë qi qeshet nan mjekër,
kulmi i ka râ, po kullën e mbân n’sup.

Konόpin prej qafe s’kâ hjekë tânë jetën,

qeshet njáj burrë, din m’u mbledhë krrúp.

Njaj burrë qi qeshet,

pésë plâgë sh’llinë,
njà për tokën lânun,

njà për ândrrën nxânun,

njà për vedin kâllun,

njà për nânën kjâmun,

njà për kulmin râmun,

njaj burrë i mirë…

 

Njáj burrë i krintë, me zemër t’prushtë,

ngushtë ka râ, po kush s’e pa ngushtë.

 

Leka e Gjergji

N’Kuven’ t’Lezhës , Pal Dukagjini,

besën e burrit ka dhânë Gjergjit,

dukagjinas e djelmni Shalet,

kâmbën anmikut me e qitë faret.

 

Kish pa lé Leka i Palit…

Rrit’ n’Ulpianë , Raguzë e Lezhë,

me vlla Pal, Marí e Rozë,

páj ma i miri i kull’s t’vendit,

nip n’derë Aranit Komnenit…

 

N’dasëm t’Gjergjit, básh n’Krue,

thirr’ n’duel ka Lekë Zakarinë,

për nját t’bukrën e Dushmanve,

për nját fllanxë t’re, Jerinë.

Uj’ ma mrápa n’kohë ka rrjédhë…

Kur n’kry i vnój kunόrë,

tuj lidh’ besë me Gjon Muzak’,

tuj dhânë fjal’n e nderit t’burrit,

me má t’bukrën Teodorë.

 

N’Stefigrad âsht bâ e madhe,

Kastrioti thirr’ p’e kâ,

flut’ron Leka me ndih’ vllaun,

páj prej dékës, Gjergjin ka ndâ…

 

N’bukë t’sofrës, n’teh t’shpatës,

n’besë arbnore t’Principatës,

kryetrimat kanë lidh’ motin,

Leka njá n’ Gjergj Kastriotin.

 

Re zezona mbi Krue apet…

Ballaban Pasha, s’gjân’ gajret

As ushtri, as kockë ka mbetë…

Thirr e ka njáj Zot Gjergjin,

e ka lânë Lekën vetun,

thirr ká Leka n’oshtimë t’giatë,

bes’n e Gjergjit kush s’pe çârtë!

 

…Njéshtu puna n’at Principatë…

 

Gjergj e Lekë, ngát e ngát,

âsht’ thânë fjala dhè m’dhè:

-Kryetrimat s’mund me dekë,

jetë dhané, mandej kanë lé!

Erenestina Gjergji Halili- tetor. 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *