Arian Gruda
Ditët e Letërsisë Shqipe, që u zhvilluan nga data 26 deri 29 tetor 2018, për të 17-tin vit radhazi në Amerikë, në shtetin e Michiganit, nën drejtimin e botuesit te së vetmes Revistë të lirë e të pavarur “ KUVENDI”, intelektualit, poetit e shkrimtarit, tashmë të njohur në gjithë botën shqiptare, z. Pjetër Jaku dhe poetes së talentuar Znj. Elinda Marku, patën një pjesëmarrje të madhe, nga një pjesë e ajkes elitare të kombit tonë.
Ditët e Letërsisë që organizon Revista “ KUVENDI”, kanë një domethënie të madhe për të gjitha ata, që duan dhe e vlerësojnë artin e fjalës së shkruar, janë ditë kujtese, që duhet të na nxisin edhe më shumë drejt librit, si një psikologji shëruese, që sjell vetëm dije e paqe. Nga bota pafundësisht e madhe e letersisë, ku shumëçka është kthyer në një kulturë globale, duke e bërë kështu letërsinë hapsirën ku shkrihen aq bukur shekujt, kulturat, distancat.
Inisiativa e Revistes “ KUVENDI” për t’i sjellë ato në vëmendje, si kollonat që mbajnë lart kulturen e një kombi, iluminojnë mendjet dhe lartësojnë kulturen e librit, si një eksperiencë e pazëvendësueshme. Në këtë aktivitet kulturoro-letrar morën pjesë përsonalitete të nderuara si, shkrimtari dhe miku i Revistës “ KUVENDI”, intelektuali dhe poeti, z. Agron Tufa, legjenda e këngës shqipe, tashmë shkrimtari dhe poeti me disa vepra letrare, kushtrimtari që me artin e tij i thirri shqiptarët në luftën për liri, z. ILIR SHAQIRI, shkrimtarin e njohur Ramiz Gjini, poetin dhe intelektualin e njohur, Gëzim Basha, shkrimtarin Pierre Simsia, poetet dhe shkrimtaret Enkelejda Kondi, Margherita Stoja, Shpresa Ymeraj, Anita Varosi, Raimonda Moisiu – Kryetare e Shoqates së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, Reshida Çoba, Qendresë Halili, Erjeta Cufaj – aktore , këngëtarja e talentuar Aferdita Pepkola Gashi, Hana e Kol Nikprelaj, etj.
17 –te vitet e Ditëve të Letërsisë në Amerikë, janë vite të dobishme zhvilluar me dashuri, me pasion , këmbëngulje, me përkushtim dhe nderim për librin, për poezinë, për kulturen, për të gjithë ata që vlersojnë dhe besojnë në diçka të madhe dhe të shenjtë, siç është libri. Ditët e Letërsisë Shqipe janë gdhendur në formën dhe mënyrën më të ndritur e përfekte nga Revista “ KUVENDI” në Diasporë.