Më gjeti një dobësi
oh, po më këput
sekonda të trëndafilta prej buzës
jam akull në gji
por prush, vetëm prush
më ndez yjësia e muzës
Më gjeti një pamundësi
po më rëndon
më shumë se gjithë dhimbjet e mia
në gji akullnaja buzëqeshje pikon
përreth saj avullon poezia.
Më gjeti nje mal
oh, më ftoi t’pushoj
në gjirin e ëmbël të ëndrrës
unë gjeth i pa-tokë, i pa-trung
veç lundroj
përmbi qiellin blu të këngës.
DIELLIT
Edhe pa m’i puthur buzët,
edhe pa më prekur ngrohtë,
edhe pa më përqafuar,
edhe pa më mbajtur fort,
edhe të më lësh mënjanë,
siç lë lulen në një kënd
edhe po të shkosh nxituar
unë vrapoj drejt kurthit tend
MENDIME TË SËMURA
I thyhet valës një dridhje, në thep të gurit
ndaj filtrin prej cigares dhe e vë ndër buzë
befas një stërkalë shkëndijon si shpuzë
u vë zjarr pejëzave të murit
ndizet cigarja në anëgojë,
tym thërrmijash shoh të mjegullojë.
Hyjnë varkëzat e peshkimit njëra pas tjetrës
të qeta, në portin hutuar, të ri
kapelen era ngjesh mbi flokë t’ujit
përplas dallgëve këmbët si f’mi’,
kre i molit herë pret herë përcjell
shira mërgimtarë, në vetmi.
Bie nga lart mes rremash, një udhë-zjarr
dërgon nëpër valë një sinjal të ngarkuar
një kosh plot peshk, nuk është faqe-mal
ti kthejë zërin fundditës, lëmuar
këmishë e bardhë reje valëvitet zbërthyer,
paqe, bukur-ëndërruar.
Ndërsa varkat lidhen në këpurdha të ftohta hekuri
e mëngjesi si mace shpihet,
latohen gurët e kre-molit te gjerë për dy,
nga shiu që prej qiellit nuk shtihet, një grua ndërsa shkrin,
mes rremash asgjë më, me sy shihet
nga kre-moli në horizont një urë,
një varkë ankorohet kurrë.
Fije nate drit-e-blu shoh të thurrin mbi trup t’qiellit pëlhura
shuhen ndizen yje, vala puth a lag, herë bregun herë buzët e mia.
Mendime të sëmura..
HESHTJE
Tastet po çmenden ti prek,
por unë dua ti mbështes mollëzat e gishtrinjve
përmbi tëmthat që më lexojnë fletë më fletë
ti rrëshkas përmbi rrudhat
mbanë syve të mbyllur
nëpër harkun e faqeve të lëmuara
as gurët e detit s’janë
kaq mirë të lëmuar.
Përmbi buzë,
sikur nuk i vë re që po pëlcasin zjarrit
si gështenja të plota,
ti kaloj sa për të thënë..
Në ekran
hije fjalësh shuhen një e nga një
si ushtarë vijëfronti
përballur me heshtjen time.
Llambat prej tavanit të qiellit
dorë më dorë të zhgënjyera,
e ndalin ritualin e ndezur
dhe e bëjnë me fjalë
ti djegin filamentet e karbonit.
Kjo heshtje vetëm hezitim nuk është.
Ja, i mbeshteta bërrylat mes rrëmujës se shkresave
përmbi tavolinë
e vendosa mjekrën në mes të dy duarve.
Mollëzat e gishtrinjve rrëmbyer u tërhoqën
e ranë përmbi tastet
në krahë të shakullave të shpritit,
hapur deri në fletën e fundit.
Brenda
gjaku i dehur në mungesën tënde
vrullshëm fërkohet faqes të enëve të veta,
ndez një rrjet dritash nëpër mua.
A më sheh se si digjem për ty?
DASHURISË
I
Vështroj përgjatë një bregu
një vijë të bardhë shkume
se si e lëpin parreshtur gjuha e detit..
Një vijë të padukshme
dëgjoj që e thërrasin horizont.
Një vijë, si dy gjinj t’shtrënguar mes duarsh,
djathtas e lakoj me sy,
edhe një vijë diagonale
që pingul hidhet në det
më shpon tejpertej në të majtë.
Dy kllapa i vijëzoj kokë me kokë
Mes përmes vatrës qe ngroh gjithë botën,
të cilës, rreth i shkoj gjithë jetën,
por nuk e vijoj dot.
II
Këtu të lutem vetëm, edhe sot më ler,
dhimbjen ta hedh përmbi flokë si shami,
mbi fytyrë të saj sy i qiellit të pushojë,
të thellohet ajo nën mbulesën e tij
blu;
s’po shkoj dot..
sepse brenda këtij trupi ka gjak
por më errët se nata ‘kush nuk di të sundojë,
ndaj të lutem,
edhe pak,
fare pak,
më ler të të pres
e të them, edhe pse unë vetë e varrosa,
e njoh natën,
e pa njohur ditën tënde nuk vdes..
III
E pi t’gjithë detin, e kaloj.
Jam hidhëruar. Nuk e di?
Si loti i nxehtë kur avullon, njësoj,
veç kripë mbetet kur unë shkoj,
ashtu, edhe në shtrat të tij.
Gjithëçfarë nuk shihja, me vete e marr!
Jam hidhëruar, nuk e di..
se s’mundem detit ti vë zjarr,
ti vë kufij, ta marr në varr,
më dallgëzon, më ngre stuhi.
E ndiej në t’ardhmen, fluturoj
e hidhëruar, perse, se di..
m’përkund në t’shkuarën, e takoj
në sy kur mbytemi zbuloj
kund nuk kam shkuar, as ai..
AG
E hodhëm krahëve lugun e pritjes,
këtë xhibox blu që bie fat,
fikur cdo dritë në bredhin e ëndrrës,
si per ta fshehur naten pa shtrat.
Unë hodha qafës shenjën e lindjes,
shall emeraldësh, prerë si diamanté,
ti fshehe gjithe ankthin e zbritjes,
flokëve të kohës, ndërsa na qante.
Duart prej syve shtegun e çanë
sheshuan malet, e shtruan me gurë,
e rikrijuan shtratin e vet,
përmbi përmbytje varën nje urë.
I prumë buzët ngjitur, mëshuar
pas njera tjetrës, puthjen e pimë,
s’gjendej kërrkund as epsh, as trill,
veç një nevojë për përqafim.
TANGO
Mbështes krahun
në supin tënd të butë,
faqja ime në tënden pushon
zemra rrjedh nga sytë
e gjitha shkrirë,
nën tinguj tangoje
qetë, ti, më rrotullon.
Mes tingujsh drite erdha
me ty te vallëzoj
gjeth i drithëruar
zgjuar,
heshtur,
derisa mëngjesi të agojë
fjalë zemre thuamë parreshtur..
Mbi degëzë magjie mbrëmja shtrirë,
një melodi,
si dritëzë mbaj veshur
veç më shtrëngo
si ëndërr, jepmë dlirë
një tango, prane, dridhur, ndjerë,
qeshur..
veç më pushto me krahë të frymës tënde
si një shkëndijë që ndrin
e ëmbël digjet,
e rrotullohet nëpër melodinë
që valët luajnë,
kur takojnë brigjet.
PLAGË MË TË BUKUR NUK KAM PARË
Prozë e shkurtër -Vijim
IV
Silueta e saj e errët zgjatej e hollohej. Papritur vura re t‘i mbërthente duart pas pulpave, ndërsa këmbët, si të çmendura, nisën t’i kërcenin me një ritëm të çuditshëm. Përdridheshin, si bisqet e degëve të rrushit, hidheshin përtej, lart e poshtë, si çiliminj të gëzuar, spostoheshin majtas e djathtas, siç bën krahu i makinës së shkrimit. Ç’forma mahnitëse nuk krijuan lëvizjet e pandalshme të atyre këmbëve. Këmisha e shkurtër e sikletit, që i ndrinte së largu, po i ngjitej lëkurës. Duart nuk i rreshtnin së mbërthyeri këmbët, hërë gjunjësh, herë pulpash, herë shputash. U përdrodh disa herë, aqsa me një vijë të trashë vertikale po më ngjasonte. Si një stilopapës, që lëvizte majtas me shpejtësi, bëhej erë përmbi fletën, që në paqe binte. S’di se si, por u binda që do të kthehej. Vesha rrobën e bardhë të zgjimit, lidha flatrat dy herë, poshtë gushës e poshtë gjinjve, i shtrëngova mirë dhe mbylla dyert e syve. I ndjeva të shtriheshin ekstremet e mia të lartme përmes skajeve të mbikresës së resë. Lart, aty përmbi re, i zgjova zogjtë e syrit, dhe i lëshova përmbi udhën që verdhonte. Pashë çfarë patën thënë këmbët e saj…
Tej, shtrihej nje bust me kokë, krahë, dhe gojë. I rridhnin kokrra të metalta egërsie prej sysh. Përtypej ngeshëm, diç hante. Duart nuk dinte ku t’i vinte e i valëviteshin, si rroba të nderura në supe. Në mbrëmje dola në kre të natës. Poshtë binin hektarë të mbjellë me yje. Gjoksi i ngushtë i rrugës vinte duke u afruar, e duke u hapur. Kolliste, tek tuk, ndonjë gur. Anë tij, krahët e pishave këpusnin fashë resh, e një shpend i rrallë villte melhem përmbi vrimat, që shponin dhëmbët e ndonjë zvarraniku që binte udha. Dita ishte e vogël në trup. U zgjata drejt saj një herë, mbaj mend që e putha aq ëmbël, saqë m’u hidhërua goja. Qysh prej asaj puthjeje nuk i rrihej pa ardhur deri lart. Ik-e -ardhjet e saj, janë ritmi i kësaj jete?!
Shpresa Ymeraj
Chadds Ford USA Tetor, 2018