*Famullia e Gomsiqes, Selia e “ Kanunit” te Gjeçovit
*Jehona e Lugut te Drinit
*A po bien muranat e Ballkanit?
FAMULLIA E GOMSIQES, SELIA E “KANUNIT” TË GJEÇOVIT
NDUE DEDAJ
Gjeçovi ishte modeli i dijetarit shqiptar që rroi e veproi në provincë. Nëse shumë nga dijetarët e kohës merreshin me punë shkencore në Shkodër e Tiranë, pranë arkivave, bibliotekave dhe bërthamave shkencore, At Shtjefni e ndërtoi aty ku shkoi qendrën e tij kërkimore – shkencore, duke filluar nga skedat, gjetjet arkeologjike, eksponatet etnografike etj., ku ishin dhe librat në shqip e gjuhë të huaj. Famullia mes malesh ishte dhe objekt kulti i formimit shpirtëror të banorëve, edhe vatër e dijes shkencore.
Në të vërtetë asgjë e re nuk kishte ndodhur, po të kemi parasysh historinë e murgjëve në botën Perëndimore, të cilët luteshin, studionin dhe punonin tokën. Por lajmi është se kjo nuk bëhet në abacitë e manastiret e Francës, Anglisë, Spanjës, Italisë, Austrisë, Polonisë, Portugalisë etj., me traditë në këtë lëmë, por në Shqipërinë e varfër të Veriut, ku doket, këngët, përrallat e sendet e vjetra të visarit kulturor kombëtar po bjerreshin dita – ditës e po të mos mblidheshin e dokumentoheshin me hyrjen e shekullit XX, brezat që do të vinin nuk do t’i kishin më ato. Në kontekstin shqiptar, famullia si metaforë kulturologjike është shumë më tepër se gjurmimi dhe arkivimi i së vjetrës. Autori shqiptar, shkrimtari, ka dalë nga një kishë, nga famullia e përndritur e Buzukut. E para qe Fjala… e Mesharit, “tue klenë ma e para vepër’ e fort e fështirë për të vepruom mbë gluhët tanë.”
Që nga ajo ditë kur ky libër parak doli për së pari në vitrinë, autori shqiptar ka nënshkruar sipas stilit të patjetërsueshëm: “U Don Gjoni, biri i Bdek Buzukut…” A mund të kuptohen pa famullinë shkrimtarët e tjerë të vjetër: Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Gjon Nikollë Kazazi, Pali i Hasit? Apo ipeshkvi i Arbënisë Mark Skura, i Durrësit Rafaele D’Ambrozio, prelati i Pavarësisë Dom Nikollë Kaçorri etj? Nga një famulli malesh matjane kemi dhe dokumentin e parë të shqipes, “Formulën e Pagëzimit” të Pal Engjëllit. Ka një vazhdë shkrimore që nga lashtësia. Shën Hieronimi (340-420), autori romak me origjinë ilire është dhe prijëtari i kësaj race të ndritur diturakësh. Janë këta punëtorë të urtë të letrave që i konfiguruan si qendra studimore famullitë nëpër malshejte, kryekrejet Kuvendet Benediktine, ku punonin tokat e vreshtat, shkruanin, transkriptonin e arkivonin. Ndërkohë që rapsodët popullorë nxitonin të shqiptonin epet, këngët e kreshnikëve, të motmotit, të historisë, këngët e lindjes dhe të vdekjes, të cilat do t’i regjistronin në letër famullitarët kulturologë Bernardin Palaj, Donat Kurti, Aleksandër Sirdani etj. Famullia (mungada, abacia, ipeshkvnia) nuk do të rreshtte së krijuari dhe nënshkruari shqip thelbet e identitetit shqiptar.
*
Gjeçovi e ridimensionoi kuptimin e famullisë si qendër kërkimi e studimi. Ai kishte shkopin prej druri bushi si dëshmitar të adresave nga i shkeli këmba, nga Malësia e Madhe në Labëri, Mirditë, Pejë, Gjakovë, Elbasan, Berat etj., i cili niste me fjalët e skalitura “Rrnoftë Shqypnia”. Rreth 30 vite më atë shkop në dorë si një “plak” i dijes, arkeologu dhe etnologu i parë shqiptar. Shkopi emblematik i Gjeçovit, të cilit poeti Xhevahir Spahiu i ka kushtuar një poezi, ruhet në muzeun e Shkodrës, duke qenë udhërrëfyesi i çuditshëm i shtegtimeve të dijetarit heroik.
Harta misionare e Gjeçovit dhe e veprës së tij të jetës, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, rrok mbarë trojet dukagjinase e më gjerë trevat shqiptare: Kryezi, Janjevë, Troshan, Lezhë, Shkodër, Bogë, Pejë, Gomsiqe, Orosh, Kashnjet, Rubik, Laç (Sebaste), Vlorë, Zllakuqan, Zym etj. Në të gjitha këto, në rend të parë është famullia e Gomsiqes në Mirditë, urëlidhëse me Shkodrën, Pukën e Dukagjinin. Është Faik Konica, aristokrati i metropolit shqiptar-amerikan, që e skicon më pak radhë famullinë e Gjeçovit, i mahnitur prej asaj, si studio kërkimore dhe muze i eksponateve arkeologjike, etnografike etj., duke e quajtur Gjeçovin “një nga njerëzit më të lartë të Shqipërisë”, që asokohe “merrej me institutet e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arrin deri në ditët t’ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej At Gjeçovit në diturin e këtij Kanuni… Në kat të sipërm të famullisë, përmi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërirash greko-romane, të zbuluara e të mbledhura një nga një, me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora e vetë At Gjeçovit”.
Kjo ishte famullia shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX jo vetëm në Gomsiqe, por kudo. Shoqëria “Bashkimi” e Shkodrës e udhëhequr nga Abati Prend Doçi ishte një akademi kërkimore me filialet gjithkund nëpër famullitë e veta. Pas elitës kishtare të mesjetës, u përvijua një vazhdë e re prelatësh të penës e dijes në kohën e Rilindjes, si At Leonardo De Martino në Troshan, Dom Mikel Tarabolluzi në Stubëll të Epërme të Karadakut, Pjetër Zarishi në Orosh, Dom Ndoc Nikaj në Shkrel, Dom Ndre Mjeda në Kukël, At Gjon Karma në Pukë, Imzot Luigj Bumçi në Kallmet, At Bernardin Palaj në Dukagjin, Dom Nikollë Kimza në Kalivare, Dom Dodë Koleci në Ndërfanë, At Pal Dodaj në Rubik, At Pashk Bardhi në Vig, Dom Prend Suli në Kashnjet, Dom Nikollë Gazulli në Shkrel, Dom Nikollë Mazreku në Kryezi, Dom Zef Oroshi në Ungrej etj., famullitë e të cilëve ishin dhe çerdhe krijuese e studimore. Misioni kombëtar i famullisë shtrihet deri në Vlorë ku Dom Mark Vasa stilizonte flamurin kombëtar që do të ngrihej në qytetin historik më 1912. Fishta dhe Gjeçovi ishin dy nga majat e elitës françeskane që krijuan kulmet e korpusit kulturologjik, me “Kanunin e Lekës” dhe “Lahutën e Malcis”, duke mundësuar: i pari kalimin nga rapsodi anonim te autori i mirëfilltë letrar, që nuk shkëputet mënjëherë nga filli i traditës krijuese dhe i dyti – duke marrë mbi vete “autorësinë” e Kanunit, që deri atëherë e kishte populli. Prandaj janë dhe dy fretërit më të popullarizuar në gjysmën e parë të shekullit XX, me njohje dhe jashtë vendit.
Gjeçovi i bëri kullat e maleve pjesë të studios së vet. Dy nga bardët e shquar nga të cilët mblodhi lëndë të shumtë e të vyer kanunore ishin: Çup Kolë Skana i Oroshit dhe Palucë Prengë Gjoni i Kashnjetit, ashtu si dhe ndonjë kapidan nga Gjomarkajt. Këta bashkë me Ndue Prengë Nikollë Lleshin e Simonit, Pleqtë e Fanit e të tjerë ishin pleqnarë kanuni dhe Plak Kanuni ishte titull fisnikërie, i ndryshëm nga titujt e parisë së krahinës, flamurit apo fshatit, që ishin të trashëguar. Titullin plak kanuni e fitoje falë aftësive individuale në zgjidhjen e konflikteve dhe nuk e trashëgoje. Plaku i Kanunit ishte mishërimi i drejtësisë në sytë e publikut. Pleqtë kanunarë të dëgjuar merreshin dhe në krahinat fqinje për të pleqëruar. Askush më mirë se Gjeçovi nuk e ka njohur këtë racë siperane, prej së cilës ai “voli” Kanunin ditë pas dite e javë pas jave. Famullia e tij e Gomsiqes, ku qëndroi mbi dhjetë vite, dalëngadalë vjen e merr atributet e një instituti kulturologjik. Kishte ardhur një kohë kur famullitarët e maleve ishin njëherësh bashkëpunëtorë të organeve të shtypit kulturor – fetar, si Hylli i Dritës, LEKA, Kumbonma e së Dielles etj.
*
Në këtë kundrojë, shqiptari i sotëm një ndalesë duhet ta bëjë me doemos në Kuvendin e Arbnit (1703) në Mërçi (Lezhë), pasi ai tempull bekoi një kuvend historik shqiptar të përmasave kombëtare, për të ngritur aty një obelisk. Ashtu siç do t’i duhej ta zbulonte Prend Doçin, në të dy “abacitë” e tij, atë të Oroshit dhe shoqërinë “Bashkimi” (Shkodër), që i dha këtij kombi alfabetin e vet me shkronja latine, me të cilin shkruajnë dhe nënshkruajnë sot e gjithë ditën shqiptarët kudo janë. Ravës për tek autori shqiptar kemi për ta takuar patjetër Dom Ndoc Nikajn (në Dajç të Bregut të Bunës etj.), duke u marrë me Historinë e Shqipërisë (të parën histori të saj), Shkodrën e Rrethueme, Bukurushën (të parat romane shqipe), apo gjuhëtarin e përvutë me emrin pak të dëgjuar, Dom Dodë Koleci, që i ngulur në famullinë e Ndërfanës (Mirditë) hartoi Fjaluer i Ri i Shqipes (1908). Famullia kulturologjike ishte dhe në“Andrrën e jetës” të Ndre Mjedës, lirikat e qytetit të vet të Vinçens Prenushit, melodramat e Ndre Zadejës, muzikimet e At Martin Gjokës e Dom Mikel Koliqit, i pari kardinal shqiptar. Në një nga famullitë më të vjetra shqiptare, atë të Shën Demetrit të Kalivares (1154) të Dheut të Spaçit historiani Dom Nikollë Kimza shkroi artikuj të vlefshëm sidomos për historinë e Mirditës, por dhe të Tiranës, apo në famullitë e shumta ku shërbeu Dom Prend Suli mblidhte “kokrrat e vjetra mirditore”, folklor dhe doke të trevës, si dhe plot famullitarë të tjerë shkrimtarë, gjuhëtarë, etnologë, piktorë, muzeologë, arkeologë etj.
Një meritim të madh kulturor kanë famullitarët e vonë, dijetarë të shquar, Dom Simon Filipaj në rrethinat e Ulqinit, përkthyesi i Biblës në shqip dhe At Vinçens Malaj që u shkri si qiriri në bibliotekën e tij albanologjike në famullinë e Tuzit për të na sjellë përmes dëshmive arkivore të Vatikanit Kuvendin e Arbnit. Në një famulli të shuar mund të jetë dhe “monumenti më i rëndësishëm i Shqipërisë Veriore”, na thotë gjeografi i njohur Armao, për manastirin Benediktin të Shirqit në bregun e Bunës Shkodër, i ndërtuar nga ilirët në shekullin VI. Në famulli arbnore Shkodre, Mirdite, Stublle, Dhërmiu, Kurbini, Vele, Pllane, Blinishti, Oroshi, Gjakove, Prizreni, Shkupi, Zllakuqani kemi shkollat e para shqipe; misonarët shëtitës të pajtimit të gjaqeve Jungu e Passi në gjysmën e dytë të shekullit XIX, albanologët e shquar Zef Valentini, Fulvio Cordignano etj., parlamentarët e parë At Gjergj Fishta, At Ambroz Marlaskaj, Dom Ndre Mjeda etj.
Na duhet ta pohojmë e dëshmojmë me studime e publikime rolin kulturor të famullisë shqiptare veçanërisht në kapërcyell të shekullit XX e gjysmën e parë të tij pa u tutur se po shkasim në ndonjëfarë “religjionizmi” kulturor, ngaqë vijmë nga një botë ideologjike e paqëruar nga ateizmi komunist, nga një laicitet me deformime dhe shkojmë drejt një bote “vigjilente” ndaj qasjes dhe spektrit të besimeve etj.
Në stilin e meshtarëve të vjetër, veçanërisht françeskanëve, janë marrë një jetë me letërsi, gjurmime, shkrime e përkthime edhe intelektualë të tjerë larg metropolit, si Lasgush Poradeci në Pogradec, Jakov Xoxa në Apolloni, Ndoc Gjetja në Lezhë, Dom Frano Illiaj në Kurbin, Dom Simon Filipaj në Shëngjergj & Kllezë të Ulqinit, Dilaver Kurti në Mat, Fatos Mero Rrapaj në Myzeqe, Xhemal Meçi në Pukë, Shtjefën Ivezaj në Tuz, Prend Buzhala në Klinë, Gjon Gjergji në Krushë të Vogël, Agim Faja në Shijak, Gjergj Vlashi në Durrës etj.
Së fundi, në Gomsiqe, fshat mirditor i skajit perëndimor, do të ishte me vend të kishte një muze të Kanunit, ku të përjetësohej vepra e pashoqe kërkimore-shkencore e At Gjeçovit. Mjafton të shohim se si e ka ngjallë në Kukël të Zadrimës tempullin e Ndre Mjedës famullitari dhe historiani bashkëkohës Dom Nikë Ukgjini. Madje është bërë vonë për një muze të Gjeçovit në Gomsiqe, për më tepër në kohën e turizmit kulturor.
JEHONAT E LUGUT TË DRINIT
NDUE DEDAJ
1
Drini është “Danubi” shqiptar, që përshkon 335 kilometra gjatësi, i përbërë nga Drini i Zi që rrjedh nga Struga (Ohri) e Drini i Bardhë nga Peja. Ky lumë idilik, profetik nuk mund të mos rridhte njëhëresh nga Jugu dhe Veriu i trojeve shqiptare. Edhe kur kufijtë mes shqiptarëve ishin të mbyllur, Drini ishte i vetmi që nuk mund të pengohej nga qeveria e ish – Jugosllavisë ta kalonte kufirin amë. Asnjëlloj dige politike e Fuqive të Mëdha apo federative nuk mund ta ndalte turrin e tij drejt Adriatikut. Banorët e dy anëve të Drinit e kanë patur lumin pjesë të ekzistencës së tyre. Ai është vetë historia e tyre e pakëputur, që nuk mén asnjëherë. Nga “Adriatiku në Drin të Zi” është libri i një udhëtari europian në fillimet e shekullit XX, inxhinierit Karl Shteinmetz. Janë shkruar po ashtu shumë poezi për Drinin nga bregdrinasit, lugdrinasit, anëdrinasit, por vlen mbase sa të gjitha distiku lasgushian: “Duke nisur udhëtimin mespërmes në Shqipëri/ Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shën Naumi”. Lumi e ka lënë emrin e tij në disa toponime trojesh e trevash, duke filluar nga Lugu i Drinit e Podrimja në Rrafshin e Dukagjinit te Zadrima e Balldreni (Balli i Drinit) në rajonin Shkodër-Lezhë.
Ishte koha e kryengritjeve të mëdha të Pavarësisë në Kosovë e Isa Boletini promotori i lëvizjes kombëtare në ato anë. Kronikat shënojnë se nga Lugu i Drinit u mblodhën 400 vullnetarë, të cilëve iu priu At Engjëll Palaj. Nuk ishte hera e parë që një meshtar vishte rrobën e luftëtarit të lirisë e nuk do të ishte as e fundit. Rrethanat historike kishin qenë të atilla që këtë fat kishin patur dhe Pjetër Bogdani, Prend Doçi, Nikollë Kaçorri etj. Shqiptarët pavarësisht besimit ishin bashkë përballë pushtuesve. Edhe një emër tregon shumë, Lisi i Haxhi Zekës, në oborrin e kishës së Zllakuqanit. Ishte vendosur ndërtimi i kishës së re në vitin 1897, por nuk linin qeveritarët turq. Atëherë kësaj pune i del përzot kreu i lëvizjes atdhetare Haxhi Zeka, duke deklaruar se do të ndërtohej ai tempull i shenjtë dhe se do ta mbronte ai me luftëtarët e tij. Bash për këtë mirësi besimtarët katolikë mbollën lisin në emrin e tij. Drurët simbolikë i kanë ndjekur gjithnjë njerëzit në zë të kombit, ata kanë gjethuar dhe kur ata vetë kishin vdekur. Në emrin e Haxhi Zekës së Kuvendit të Pejës është kulla e tij e gurtë, një mulli i motshëm pejan e deri Univeristeti i Pejës në ditët e sotme. Një tjetër fugurë e përmendur e atyre kohëve është ajo e bajraktarit Sadik Rama nga Gjurgjeviku, për të ardhur më vonë te luftëtari Ndue Përlleshi i Klinës etj. Lugdrinasit rrëfejnë me emocion për pajtimin e gjaqeve në hijen e Lisit të Haxhi Zekës në Zllakuqan, në Lug të Beranit, Verrat e Llukës etj. Këtu u falen 36 gjaqe, paçka besimit fetar të atyre që falnin, pasi pajtimi ishte ideal kombëtar. Erdhën dhe nga Drenica e Rugova e bënë pajtimin këtu në Zllakuqan, tregon Antoni, njëri nga veprimtarët e pajtimit të 90-s. Është një histori për të cilën ata nuk mund të flasin pak. Përmendin emra, data dhe vende pajtimi. Anton Çeta. Ramiz Këlmendi. Dom Lush Gjergji. Ndër ngjarjet e bujshme ka qenë ajo e faljes së disa gjaqeve nga familja e nderuar Demaj (Klinë), ku luajti rol dhe profesori Marjan Demaj, sot rektor i Universitetit të Prishtinës.
Fshati Zllakuqan (me gjasë nga: Zalli i Kuq) është dhe qendra historike e Lugut të Drinit të Bardhë, i përbërë nga disa fshatra të komunës së Klinës. Diku në bllokun tënd të shënimeve ke shkruar: “Sa herë shkon mes krijuesve, studiuesve dhe arsimtarëve të Lugut të Drinit, është e pamundur të kthehesh pa një dorë libra dhuratë, një zakon i hershëm ky i njerëzve të letrave”. Por në këtë anë të Drinit ky gjest ka një kuptim të dyfishtë, jo vetëem të leximit, por dhe të nderit të librit. Na tregojnë se në dekadën e fundit të shekullit XX libri ka qenë heroi i rezistencës së këtij vendi. “Disa kamionë me libra në gjuhën shqipe u ngarkuan në libraritë e Lugut të Drinit dhe u dërgun në fabrikën e letrës në Lipjan”. Nuk ishte hera e parë që shqiptari gjendej i kërcënuar me zhbimjen e kujtesës së tij të shkruar. “Të digjet çdo letër në gjuhën shqipe”, ishin dikur fermanet e pushtuesve otomanë.
2
Është data 25 korrik 2017. Njerëzit e Lugut të Drinit janë mbledhur në një manifestim përkujtimor të veçantë. Kremtohet 120-vjetori i hapjes së shkollës shqipe të Zllakuqanit nga At Shtjefën Gjeçovi, asokohe famullitar i ri. Zbulohet me këtë rast një memorial në gur kushtuar shkollës pioniere të kohës së Rilindjes, në gjurmë të shkollave mesjetare të Stubllës së Karadakut, Gjakovës, Prizrenit etj. Të gjithë duan të thonë diçka në këtë ditë të shënuar. Artistët përmes aktrimit poetik, studiuesit përmes dëshmive të arkivave, rapsodët me anën e një këngë te re kushtuar “Pjetër Bogdanit”, fëmijët duke kërcyer ritmet e valleve popullore të trevës. Shkrimtari dhe studiuesi i njohur i letërsisë Prend Buzhala, 65-vjeçar, arsimtar i devotshëm që ka mbajtur në duar prangat serbe, është gjithnjë pikë referimi për organizimet kulturore në Klinë e më gjerë. Ai e mirëpriti propozimin e profesorit të gjimnazit të Klinës Pal Canaj për ta përkujtuar shkollën e dikurshme dhe kështu rrethi i të interesuarve për këtë veprimtari u zgjërua me studiuesin Mikel Gojani, veprimtarin Dodë Ndrecaj, publicistin Lekë Mrijaj, veteranin e UÇK-së Nik Frroku, poetin Don Bardhec Zymi, meshtarin e Gllogjanit Don Pal Tunaj, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të famullitarit të Zllakuqanit Dom Izak Doda, pasardhës i At Gjeçovit në kishën ku frati i shquar shërbeu atë fund shekulli XIX. Drejtori i Zyrës për Arsim i komunës së Klinës, poeti Hajdin Morina, në kumtesën e mbajtur në sesionin jubilar të organizuar me këtë rast, paraqiti kronologjinë dramatike të shkollës shqipe në kësaj treve përgjatë 120 viteve. Kumtuan dhe studiues të ardhur nga Prishtina, Tirana, Mirdita etj. Shumë “fise” të këtushme, na thonë, kanë lidhje të hershme gjaku me mirditorët, duke mbajtur të njëjtët mbiemra, aq sa Klina thirret ndryshe “Mirdita e Vogël”. Prekë Gjeta, historian dhe ish – kryetar i komunës, flet rreth këtij migrimi të ndërsjellë të Rrafshit të Dukagjinit me Mirditën etj. “Ishim tanët, të shtëpisë, sikur venim nga Klina e Gjakova e ngulnim në Orosh, Fan, Kaçinar etj., sikur vinim nga andej e ngulnim në kato anë”.
32 mijë banorë ka komuna e Klinës dhe vitet e fundit e ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukrurën e qytetit dhe të fshartave që lidhën me Pejën. Komuniteti lugdrinas bën një jetë kulturore aktive, falë dhe klubit të letrarëve “Vorea Ujka”, kryetar i të cilit është poeti Gjon Gjergjaj, i cili kullën e vjetër të familjes së tij në Krushë të Vogël e ka kthyer në një muze të rrallë të sendeve antike. Piktori Idriz Berisha hap ekspozita në Prishtinë, Lezhë etj., por nuk e lëviz studion e tij nga vendlindja. Ismet Krasniqi nuk i ndahet dramës dhe teatrit, pasionit të tij të hershëm, si dhe shkrimit të librave. Suzana Gergji, zyrtare komunale e Arsimit, kohë më parë ka qenë në një veprimtari në Rrëshen, kushtuar Ndrecë Ndue Gjokës, normalistit të Elbasanit, i cili në vitin 1041 emërohet mësues i shkollës së Zllakuqanit, ndër rreth 200 arsimtarë të ardhur nga Shqipëria, njeriu që pas Luftës do të bëhej i njohur për hapjen e 50 shkollave në vendlindjen e tij, Mirditë. Dikush kujtohet për arsimtarin veteran Frrok Gojani. Dikush tjetër për Dom Pjetër Berishën. Ngjarjet që i bëjnë krenarë njerëzit fisnikë të Lugut të Drinit nuk kanë të mbaruar. Në vitin 1982 Nënë Tereza viziton famullinë e Zllakuqanit dhe Prend Buzhala ka publikuar fotografi të bëra me atë rast.
Lugu i Drinit mbaron dikur si shtrirje, por Drini nuk ndalet në rrugëtimin e tij nëpër Rrafshin e Dukagjinit drejt Prizrenit. Si një kalorës i përjetshëm shtegtimtar mes Sharrit dhe Pashtrikut. Ti e ndjen se të duhet dhe një ndalesë tjetër gjeçoviane. Prej 45 vitesh në Zym organizohen çdo vit “Takimet e Gjeçovit”, nismë e gazetarit e shkrimtarit Frrok Kristaj, së bashku me studiuesin vendas Nikollë Kërhanaj dhe famullitarët e kohëpaskohshëm. Zymi gjithashtu ka një obelisk të gurtë me mbishkrimin “Abetarja e Zymit 1900”. Abetarja unike ruhej në Tiranë në Arkivin e Shtetit dhe falë interesimit të këtyre intelektualëve është botuar në vitin 2013.
Jehonat e largëta të buzëdrinasve vijojnë të dëgjohen, aq më tepër ato bashkëkohore.
A PO BIEN MURANAT E BALLKANIT?
NDUE DEDAJ
Në Ballkan ai që është hero për një palë, është armik për një tjetër. Historia e dronit “Autochthonous” të Beogradit vazhdon dhe pas tre vitesh. Ismail Morina kërkohet të shkojë i ekstraduar drejt Beogradit, sipas vendimit të gjykatës së Dubrovnikut. Përnjëherësh të vjen në mendje një mik i shqiptarëve, ish Presidenti kroat Stipe Mesiç, që të ushtronte ndikimin e tij që shqiptari që guxoi e bëri një “shaka” nacionaliste në stadiumin e Beogradit, të mos dënohet. Është thjeshtë një qytetar i “republikës” së futbollit dhe jo ndonjë diplomat apo politikan, që padashje po shndërrohet në një hero. Me lirimin e tij do të binte një “muranë” mes shqiptarëve dhe serbëve. Do të ishte një gjest qytetarie nga ana e Beogradit, aq më tepër kur Presidenti serb Vuçiç ka publikuar një refleksion politik ndryshe nga linja e përhershme, që mëton të jetë vija politike e shtetit të tij në kapërcimin e konfliktit me Kosovën dhe jo vetëm, çka, sipas tij, do të bënte që “rrugët e bashkëpunimit politik dhe të përparimit ekonomik për Serbinë të hapeshin, ashtu dhe dyert e Bashkimit Europian”. Ku më mirë se në këtë rast detajet bëjnë diferencën, e Morina është një “detaj” i vogël në dukje, por domethënës për sjelljen serbe ndaj fqinjit shekullor “problematik” kuqezi. Çeshtja “Morina” asesi nuk duhej lejuar të merrte përmasa ndërballkanike, duke u marrë me të dhe Presidenti serb, dhe Presidentja kroate, dhe Kryeministri shqiptar. Por ky është Bakllani, në kërkim të së nesërmes, duke ecur ende me këpucët e së djeshmes. Ndaj zyrtarët e lartë amerikanë e europianë herë pas here i këshillojnë udhëheqësit e Ballkanit të kenë kujdes nga “tensionet etnike” etj., edhe pse nuk duket në horizont ndonjë përpjekje serioze për ndryshimin e kufijve të rajonit. Ama janë ende ato gardhet e padukshme ballkanase, në vend të perdeve të hekurta, mureve ndarëse, muranave të gjakut. “Muranat” kundrashqiptare kanë qenë jo vetëm prej gjaku po dhe prej letre, si platformat shqiptarë-zhbërëse të Cubrilloviçit e Andriçit. Zgjatimet e këtyre të fundit vijnë deri te encikplopedia maqedonase disa vite me parë dhe ajo malazeze më vonë. Apo përpjekjet e qeverise turke për ta paraqitur historinë sunduese të perandorisë otomane si shpëtimtare dhe qytetëruese në vendet e Ballkanit.
*
Mjafton një vrojtim analitik i Ballkanit i kohëve të fundit për të kuptuar se muranat e shekujve janë aty, por gjithsesi jo si atëherë. Edhe pse ka kaluar aq shumë kohë në shoqërinë moderne, edhe pse Europa është një ftesë e hapur për Ballkanin Perëndimor, prapë korentet dhe tensionet nuk janë shuar. Ato janë tri farësh: etnike, nacionaliste, fetare. E s’ke se si të mos thuash se brengat e Ballkanit të një shekulli më parë, të cilat i përshkruante me aq stoicizëm Edith Durham, nuk janë sërish brenga, përplasje ndëretnike, ndonëse më të moderuara. Kërkohet preteks, kur nuk ka shkak. Mjafton të kujtosh se ende zyrtarisht janë në gjendje lufte, dhe pas 77 vitesh, dy shtete nga më të vjetrat ballkanike, Greqia e Shqipëria, njëri madje anëtar i BE-së. Janë fshirë e bërë të reja të gjitha ligjet e shtetit helen, por nuk është bërë “pluhur” ligji famkeq i gjendjes së luftës me Shqipërinë. A mund të imagjinohet kjo mes dy shteteve europiane jo-ballkanike? E, pra, edhe pse ligji është absurd, politika e BE – së nuk ka “vënë veton” në detyrimin e anëtares së saj, Greqisë, që ta abragojë atë ligj idiot. Kjo do të thotë se muranat mes këtyre dy vendeve janë aty, dhe pse formalisht.
Po ashtu prej vitesh janë në konflikt Greqia dhe Maqedonia për çështjen e emrit të kësaj të fundit. Nisur nga fakti që një pjesë territori në veri të Greqisë thirret Maqedoni, shteti grek nuk e njeh Maqedoninë tjetër si të tillë, por si republika ish-Jugosllave e Maqedonisë, çka do të thotë se e kaluara ballkanase vazhdon të peshojë në të sotmen. Me sa duket gjerat që lidhën me luftërat asnjëherë nuk harrohen. Se nuk është vetëm ligji grek i gjendjes së luftës, që nga koha e “kalendave greke”, por dhe ca ligje të pas 90-s, sipas të cilave ende janë në fuqi urdhërarrestet serbe të periudhës së Millosheviçit, që qarkullojnë prej njëzet vitesh nëpër Europë për liderë kosovarë, si rasti i Haradinajt, që u mbajt tre muaj i ndaluar në Francë, në fillimet e këtij viti, ndërkohë që Gjykata e Hagës e kishte deklaruar prej kohësh të pafajshëm për akuzën serbe të krimeve të luftës. Dhe pa u tharë ende boja mbi vendimin e lirimit të Haradinajt nga gjykata franceze, ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, iu ndalua hyrja në Serbi, si pjesëmarrëse në një veprimtari publike humanitare. Siç i kemi ende të gjalla pamjet rrëqethëse nga Parlamenti maqedonas i përfshirë nga dhuna, ku kandidati për kryeministër gjakoset në fytyrë, nëntë qytetarë përfundojnë pas hekurave dhe si të mos ketë ndodhur asgjë, pas pak ditësh i njëjti President, Ivanov, i jep mandatin për formimin e qeverisë të njëjtit kandidat, Zaevit, të cilin e kishte refuzuar për disa muaj, duke deklaruar se tashmë nuk ishin ato pengesat e mëparshme që ai të mandatohej si Kryeministër e të formonte qeverinë e re. Se çfarë kishte ndryshuar brenda javës askush nuk mund ta thotë, por krahas problemeve të brendshme nuk është e vështirë të kuptohet ajo hija e dukshme edhe e padukshme e “muranave” ndëretnike. Meraku maqedonas është ruajtja e (pu)shtetit për vete, kur shqiptarët po ngjisin përherë e më shumë nga një post të lartë në hierarkinë e vendit, kur njëri sosh u bë kryetar i Kuvendit e nesër dikush tjetër nga shqiptarët mund të bëhet dhe Kryeministër apo President. Pa iu rikthyer historisë së janarit 2017, kur nëpër një hekurudhë qorre, niset drejt kufirit Kosovës treni nacionalist serb me mbishkrime serbomadhe, si të mos kishin mjaftuar muranat e përgjakura të Mitrovicës që nga 1999-a. Ndodh kjo kur ti mendoje se muranat e vjetra ishin tretur në kohë dhe si Kosova si Serbia po përpiqeshin të kapnin trenin e Europës.
E nuk janë vetëm “ngatërresat ballkanike” tradicionale. Një muranë e re rreket të krijohet mes Ballkanit dhe vetvetes, Ballkanit dhe Perëndimit, rreziku i radikalizmit islamik. Sikur vetëm për këtë përpjekjet për t’u integruar në BE nuk duhet të rreshtin, duke u fokusuar së pari te bashkëpunimin rajonal. Ballkani Perëndimor e ka nisur komunikimin mes të vetëve, që do të çojë në shkëmbime tregtare, ekonomike e kulturore mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Mali të Zi, Serbisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës, edhe pse rajoni ende luhatet mes demokracisë dhe sjelljes autokrate të liderve të fortë, jo rrallë me gjuhë nacionaliste. Përqafimi sa më shpejt i europeizmit si filozofi dhe praktikë qeverisëse bëhet i domosdoshëm, sidomos kur synohet të shtrihet ndikimi rus në shtetet ballkanike sllave, për t’i patur ato si dikur “satelite”, aq sa mund të këtë kuptim sot ky term.
*
Ballkanasit nuk kanë bërë vetëm luftëra mes tyre, përkundrazi kanë jetuar në fqinjësi për shekuj e shekuj, me martesa të ndërsjellta mes shqiptarëve e sllavëve, por lëvizjet kombëtare të një shekulli e gjysmë më parë, duke i mëshuar vetëdijes së nacionalitetit, e tejkaluan veten duke shkarë në nacionalizëm, çka solli dhe konfrontime etnike etj. Kjo dëmtoi rëndë raportet historike, ku serbët kanë qenë gjithnjë “violina e parë” e nacionalizmit, gjer atij “mitik” mesjetar të kombit superior. Kjo është njëra anë e medaljes, ajo e ftohta, mospranuesja e tjetrit, me deklarata e kundërdeklarata politike, etnike, fetare etj. Para se të formoheshin kombet shqiptarët e sllavët kanë patur epose të ngjashme, ashtu si në betejën e Fushë Kosovës të vitit 1389 shqiptarë e serbë ishin bashkë kundra pushtuesit soman. Përtej perdes hijerëndë të shteteve, protokolleve, salloneve të ftohta diplomatike, populli bën një jetë tjetër me “armikun”, pa andrallat e politikës, apo dhe ato etnike. Jo pak personalitete politike, kulturore të Kosovës gratë i kishin serbe. Një realitet tjetër është krijuar tre dekadat e fundit mes ballkanasve, emigrimi masiv i shqiptarëve, më së shumti në Greqi, marrëdhëniet tregtare të ndërsjella e tani dhe ato turistike, njëfarë spektri shkëmbimesh kulturore (koncerte, botime, ekspozita), ndonëse jo aq sa do të duhej, shkëndijime politike moderne dhe dalëngadalë dhe profile të reja politikanësh, që gjithësesi nuk i lëshojnë nga mënga nacionalistët e vjetër të tipit Nikoliç, Gruevski etj. Shqiptarët dhe serbët nuk e shohin njëri-tjetrit si armiq, përkundrazi vazhdojnë mbase më shumë se më parë krushqitë mes tyre. Dihet tashmë se jo pak vajza nga malësitë e Shkodrës martohen me serbë. A nuk duhen përfillur dhe këto zhvillime etno – social – kulturore mes njerëzve të etnive të ndryshme. Ligji i gjendjes së luftës me Greqinë vjen e bëhet zero në realitetin e ri të marrëdhënieve shqiptare-greke, pasi mbi 600 mijë shqiptarë kanë emigruar atje.
*
Lidershipet Ballkanit janë ndërruar dhe në qeverisje kanë ardhur udhëheqës të rinj. Në një hark të shkurtër kohor, në më pak se një vit, janë bërë zgjedhje në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, që kanë prodhuar qeveri të reja, në Mal të Zi, Maqedoni, Serbi, Kosovë, Shqipëri. Serbia madje për herë të parë ka kryeministre, Ana Brnabiç. BE duket se e ka hapur derën, më shumë për vete sesa për këto shtete, si një “koalicion” të shumtish përballë ofensivës politike ruse në Ballkan. Veçse Europa ka vepruar jashtëzakonisht me vonesë, pasi kosovarët që dilnin në Perëndim që në kohën e autonomisë jugosllave kanë ende regjimin e vizave?! Mësuesja e Brukselit nuk është atje vetëm për të vënë nota qeverive, por dhe për të siguruar mbështeje të fortë ekonomike, pasi sfidat globale dhe veçanarisht lufta kundër terrorizmit nuk mund të bëhet pa rendin, sigurinë dhe stabilitetin e shteteve të tjera që ende nuk janë në BE. Po ashtu është përgjegjësi dhe e BE-së që në vendet e Ballkanit janë lejuar të shëtisin nëpër poste të larta shtetërore në vendet e tyre udhëheqës të korruptuar, përfshi dhe në Shqipëri. Dihet se shtëpinë tënde nuk ta rregullon askush përpos se vetë, po kur flitet në kuadrin e familjes europiane, një bashkësi e tillë nuk duhet të mbyllë sytë para atyre vendeve që në krye sjellin udhëheqës që nuk veprojnë sipas parimeve të demokracisë.
Gusht 2017