1.
Ma e para shkollë fillore në krahinën e Plavë-Gucisë shenjohet më 1854 në fshatin Velika, në kohën e princit malazez Danilo I, pothuaj një çerek shekulli para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishte në gjuhën serbe. Shkollë private, në shtëpinë e Arsenija Tatića Jokiq. Fillimisht, ndoshta, gjysëm-ilegale. Një ndër mësuesit e saj të parë ishte Stefan Mihajloviç, i ardhun aty më 1867 nga Peja, me ndërmjetësim të Patriakanës së Pejës, pas kërkesës së popit Dhimitër Popoviç të Velikës.
Kjo shkolla e Velikës u hap edhe para shkollës fillore në gjuhën serbe e çelur në Guci (1868) apo tjetra pranë kishës prosllave në Brezovicë afër Plavës, etj.
Në vitin 1886, në kohën e princit malazez Nikolla I, fshati Velika e institucionalizoi shkollën e saj si shkollë fillore shtetërore në gjuhën serbe, nxënësit e të cilës shkonin për shkollim edhe në Çetinë e në Beograd. Ndër nxënësit e parë të kësaj shkolle të Velikës është edhe Ilija Vuçetiç – doktori i parë i shkencave në Malin e Zi.
Strategjia prosllave e Kishës Ortodokse Serbe, e Principatës të Malit të Zi në Çetinë, diktati i Vasojeviçëve fqinjë, veçanarisht hapja e kësaj shkolle në gjuhën serbe, ndikuan në asimilimin e shqiptarëve të Velikës, në kthimin e tyre nga katolikë në fenë ortodokse, në tjetërsimin në etni malazeze, u banë shkije. Dy nga faktet: Vllaznitë (barqet) e para ma të hershme në Velikë ishin Zhivaleviqët dhe Petroviqët, fatkeqësisht – shqiptarë të asimiluar, të origjinës nga fisi i madh shqiptar i Piperit. Gjysma e velikasve, 153 shtëpi, janë të origjinës shqiptare shaljanë, si Bërkoviqët, Gojkoviqët, Golluboviqët, Jokiqët, Knezheviqët, Kasumoviqët, Mikiqët, Llakiqeviqët, Radulloviqët, Simonoviqët.
Kaq i madh, i thellë, tragjik, ishte ky asimilim i shqiptarëve të Velikës sa që ata në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Luftën legjendare Nokshiq-Pepaj-Murino (1879-1880) ishin tejet aktiv në krah të malazezëve të ushtrisë të Mark Milan Popoviçit, ishin pararojë gjakatare kundër shqiptarëve, kundër vllaznëve të vet shqiptarë të krahinës së Plavë-Gucisë, të Rrafshit të Dukagjinit, të Malësive të Veriut, etj. Velikasit e sllavizuar, në formacione të ushtrisë malazeze, në çeta harambashësh, e kanë msy shpeshtas e açik vendlindjen time, Malësinë e Gjakovës, në vrri e në bjeshkë, tue i grabitë e vrarë, tue ua djegë shtëpijat e stanet, tue krye terror e masakra, aq sa dikur ndër malësorët e mi alpinë lëshohej thirrja përveçuese për keq: “ik, o shká Velike!”.
Në histori Velika nuk ceket astenjiherë para fisit të Hotit skej liqenit të Plavës. Përkundrazi, Krisobula e Manastirit të Deçanit e vitit 1330 i cilëson njëkohësisht edhe fisin e Hotit, edhe vendbanimin e Velikës.
Ndër shekuj fisi shqiptar i Hotit ishte e mbeti kompakt në territor-gjuhë-etni, krejt trojenik, pa e përzie gjakun e trollin e vet me serbë apo malazezë, ndërsa Velika ishte fshat i madh me disa fise shqiptare të ardhuna aty, si Piperi, Berisha, Vasojeviçët, Shaljanët, etj., të cilët u asimiluan nga bashkëvendasit e parë të atyshëm, e asimiluan njëri-tjetrin.
Në Velikë mund të ngrihej edhe shkollë në gjuhën shqipe, pasi atëherit kishte shumë shqiptarë, po u ngrit kjo shkollë në gjuhën serbe më 1854, pasi donin t’i kthenin edhe shqiptarët në sllavë. Siç ndodhi në të vërtetë.
Në Hotin e Vendit mbi Plavë po të ngrihej shkollë në gjuhën shqipe do t’i bante hotjanët e atyhit edhe ma shqiptarë se ç’ishin, edhe ma të ditur se ç’ishin. Dhe Hoti nuk do ta kishte doktorantin e parë të saj, Ukshin Hotin e Markëve të Hotit në gjysmën e dytë të shek. XX, nuk do të priste doktorantë të saj të rinj në shek. XXI, po do ta kishte doktorin e parë të shkencave edhe para Velikës, qyshce në shek. XIX.
2.
Shkolla, në Hotin e Alpeve, skej liqenit të Plavës, çelet për herë të parë në vitin shkollor 1946-1947, në kohën e Jugosllavisë së Tretë të Titos, rreth një shekull pas shkollës serbo-kroate në Velika. Ajo ishte katër klasëshe. Aty mësohej në gjuhën serbo-kroate dhe askush nga hotjanët – atdhetarë shqiptarë nuk mund të fliste në gjuhën shqipe.
Kisha kundërshqiptare Ortodokse Sllave, dy perandoritë e mëdha prosllave Rusia e Franca, me diktatet e tyre ndaj Portës së Lartë, me veprimet e tyre edhe në Kazanë e Gucisë, kërkonin zgjerimin e territoreve shtetërore të Malit të Zi e të Serbisë me toka etnike shqiptare, asimilimin e shqiptarëve në fenë Ortodokse Lindore, në etni të Sllavëve të Jugut.
Në burime dokumentare historike gjejmë fakte të pranisë në kohë të ndryshme të disa shkollave fillore serbe në Plavë-Guci, si më 1854, 1868, 1896-’97, 1909-‘10, etj. Ato ishin ngritë në një shtëpi private në Velika, në qytetet Plavë e Guci, në Brezovicë tek kisha ortodokse, etj.
Në këto shkolla fillore serbe u ndërpre përkohor mësimi në gjuhën serbe vetëm në vite të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kohën e Austro-Hungarisë (1916-‘18), në “Koha e Shqypnisë” (1941-‘44), por ka pasë raste që ndonjë prej tyre nuk ka punuar rregullisht përgjatë Kryengritjes së vitit 1893 në Kosovë, Kryengritjeve Kundërosmane të viteve 1910, 1911, 1912; Luftës së Parë Ballkanike (1912-’13), Kryengritjes Kundërserbe të shtatorit 1913, Kryengritjes së Rrafshit të Dukagjinit më 1919, etj.
Porta e Lartë nga gjysma e parë e shek. XIX e ngriti një shkollë në gjuhën osmane në Plavë-Guci, e njoftun si “Mejtepi i Vuthajve”, me vendndodhje diku në afri të xhamisë së Gjonbalajve.
Prapë, asnjë shkollë në gjuhën shqipe.
Ali Gucia, për sa kohë ishte Beg e Nënprefekt në Kaza të Gucisë dhe Pasha e Prefekt në Sanxhakun e Pejës, ndoshta mund të hapte një shkollë të vetme shqipe, por me sa duket e zgjodhi një tjetër rrugë: i çonte për çdo vjet në shkolla në Stamboll deri në mbi dhjetë të rinj nga Plavë-Gucia për t’u arsimuar për Perandorinë Otomane, ku disa prej tyre kur u kthyen në vendlindje dhanë kontribute të çmuara jo vetëm për arsimimin e shqiptarëve edhe në gjuhën shqipe, por edhe për Liri e Pavarësi të Shqipërisë Etnike.
Ndër shekuj, Perandoria Otomane në vend që të ndërtonte shkolla shqipe, u dha qëllimshëm pas ndërtimit e funksionimit të institucioneve të kultit islam, xhami për besimtarët muslimanë shqiptarë, si Xhamia Mbretërore ose e Vjetër në Plavë (1471), një xhami në Guci (1617, e djegë më 1764), xhamia e Çekajve në Guci (1687), xhamia e Vezirit – e Mehmet Pashë Bushatit të Sanxhakut të Shkodrës (1765), xhamia e Rexhepagajve (1774), xhamia e Gjyl Beut të Gucisë (1883), xhamia e Ali Pashë Gucisë (1899), etj.
Pra, u çelen shkolla në gjuhën serbe e otomane, por asnjë shkollë në gjuhën shqipe për arsimimin e shqiptarëve trojenikë në krahinën e Plavë-Gucisë, ndërkohë që në kazanë e Gucisë sipas vet statistikave turke në vitet 1908-’09 ishin shqiptarë etnikë 82.6 për qind e banorëve të saj.
3.
Shkolla e parë në gjuhën shqipe në Hot u hap në vjeshtën e vitit 1970. Në një shtëpi private. Ishte derëçelun për arsimimin në shqip në tre vite shkollore. Deri në fund pranverë 1973.
Kësokohe, kryekomunar ishte Hasan Meli Vuçetaj, me identitet, qëndrime e veprime shqiptare, që pati rol për mirë në arsimimin shqip të plavë-guciasve.
E para mësuese e kësaj shkolle në Hot ishte 21 vjeçarja këlmendase, Dushe Gjonbalaj, çika e Ramë e Gjyle Gjonbalajt të Vuthajve, që sapo kishte krye të Mesmen – Normalen në qytetin e Pejës të Kosovës. Ajo konkuroi e vetme për këtë vend pune mësimdhënëse në shqip, pasi ndikonin numri i të dilpomuarëve për mësuesi, largësia e shkollës, kushtet e punës, etj. Ajo, prej nga shtëpia e saj në Vuthaj, e kishte 20 km larg me rrugëtim në këmbë shkollën e Hotit.
Emri e puna e kësaj mësueseje shqiptare dhe shkolla fillore shqipe e Hotit morën jehonë në dy republikat jugosllave të kohës: në Mal të Zi e në Kosovë. Shkruanin gazetat e Prishtinës e të Podgoricës. Flitej gjithandej, edhe në radio. Ajo e donte shumë profesionin e mësueses dhe nxanësit e saj hotjanë. Edhe kullat e Hotit, burrnia e grania e Hotit, e vlerësonin e nderonin shumë mësuesen e fshatit të tyre, të fëmijëve të tyre. Hotjanët e Plavë-Gucia, mediat e atëherit, e thirrnin: “Afërdita e Hotit”. Ky emër e mbiemër lartësor i mbeti atë ditë e sot. Ndoshta, si çmimi ma i mirë i punës së saj të mësuesisë në Hot e në Plavë dhe në Malishevë e Rahovec. Dushe Gjonbalaj-Krasniqi, teksa jetnon në Gjakovë, nanë e tre djemve, mësuese në dy shtete, dituridhënëse për shkollat shqipe, e kujton me nostalgji e krenari Hotin e Alpeve, në ato lugina e male të komunës së Plavës.
E përdyjavshmja “Shkëndija”, gazetari i saj Jusuf Ferizi, e dveti në vitin 1971 mësuesen Dushe Gjonbalaj: “Më fort të duan nxënësit ty apo ti ata”?. E, ajo, i kthen përgjigje në atë intervistë shtypi: “T’ju them të drejtën sa i dua unë ata. Dashuria ndaj profesionit është moment më vete. Sentimentalizmi ndaj një fshati, që për herë të parë mëson në gjuhën e vet, është faktori i dytë i rëndësishëm. E fakti se unë jam mësuesja e parë e kësaj shkolle të re, më bën që përmbajtjen e jetës ta kuptoj më së miri kur gjendem në mesin e 38 luleve të mira”.
4.
Shkolla shqipe në Hot u hap tepër vonë: mbi një shekull pasi u çel në Velika shkolla në gjuhën serbe, mbi një gjysëm shekulli pas çeljes të shkollave të para shqipe në krahinën e Plavë-Gucisë.
Në “Kohën e Nemces” (1916-’18) kur krahina Plavë-Guci hyni nën pushtimin Austro-Hungarez, sipas Kushtetutës Perandorake Austriake dhe me kërkesë të shqiptarëve etnikë, qyshse më 1916 i hapën për herë të parë dyert shkollat shqipe në Guci, Vuthaj (në shtëpinë e Rexhë Fasli Ahmetaj e me mësues të parë arbëreshin Josip V. Rela nga Zara e Kroacisë), Plavë, Martinaj, etj. Këso kohe, thuhet se djemë hotjanë i kanë ndjekë mësimet në gjuhën shqipe kryesisht në Plavë e në shkolla të tjera tek të afërmit e vet, po nuk kemi ende të dhana të sakta, pasi disa prej këtyre edhe janë shpërngulë ndër treva të Kosovës e deri në Maqedoni. Njejtësisht, si në raste të tjera, kur pati gjithata hotjanë që ndoqën shkolla në gjuhën otomane dhe shumë sish ikën në Sanxhak (Tregu i Ri) e gjetkë, ndokush deri në vise të Anadollit.
Në “Koha e Shqypnisë” (1941-’44) në Plavë-Guci hapen disa shkolla shqipe, si në Guci (1941-’44), Plavë (1941-’43), Arzhanicë, Vojnosellë (Hakaj, 1943-‘44), Martinaj, etj. Disa prej tyre, si ato në Plavë e në Guci, u ngritën edhe në godina ku kishte pasë në funksionim shkolla serbe. Në ndonjerën kishte dy paralele: edhe në shqip, edhe në serbisht. Në këto shkolla shqipe jepnin mësim në gjuhën shqipe emra të mëdhenj të diturisë e shkrimtarisë panshqiptare, si Esad Mekuli, Shaban Ferri, Ragip Rexhepagaj, etj.
Në kohën e Jugosllavisë së Dytë të Titos dukej sikur do të kishte ditë të mbara për arsimimin e shqiptarëve në gjuhën shqipe edhe në trevat shqiptare në republikat e tjera si në Malin e Zi, edhe në krahinën etno-historike të Plavë-Gucisë, mirëpo ndër vite e dekada pati histori hapjeje e mbylljeje të tyre (!) Me urdhër të Komandës së Vendit në Guci u hap shkolla fillore në Vuthaj më 1 tetor 1944, e cila në vitin tjetër 1945-’46 kishte një klasë me 55 nxanës shqiptarë (30 meshkuj e 25 femra), ndërsa më 1 dhjetor 1944 u hap shkolla shqipe në Martinaj. Në vitin 1948-’49 u çel në qytetin e Gucisë një paralele në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë prej klasës së parë deri në të katërtën, ndërsa më 1949-’50 çelet aty klasa e pestë në gjuhën shqipe, që në vitin shkollor 1962-’63 u ngrit në 8-vjeçare. Edhe në qytetin e Plavës u hap shkollë në gjuhën shqipe, e cila më 1962-’63 ishte 8-vjeçare, ndërsa në vitin 1978 u çel paralelja në shqip edhe në shkollën e mesme të qytetit. Në tetor 1968 u hap shkolla shqipe në Vishnjevë, edhe për vllaznitë trojenike shqiptare Hakaj, Kukaj, etj.
Në këto shkolla shqipe pati dhjetra mësues të dalluar në mësimdhënien e tyre, që po i veçoj sipas njohjes time disa prej tyre, si Jusuf (Isuf) Sylë Balidemaj, Ahmet Rexhepagaj, Sylë Buti Ahmetaj, Isa Elez Ulaj, Rexhep Gali Balidemaj, Rexhë M. Gjonbalaj, Dushe Gjonbalaj – Krasniqi në Hot, e të tjerë.
5.
-Më kujtohet si sot dita e parë e mësimit në shkollën e Hotit, – rrëfen së vomit në shtypin e Kosovës “Afërdita e Hotit”, e para mësuese e shqipes në këtë fshat, Dushe Gjonbalaj.- Një fëmijë m’u drejtua në serbisht “Uçitelice” dhe unë iu përgjigja me fjalën shqipe “Urdhëro”. Jo vetëm në fytyrën e atij nxënësi, por edhe te të gjithë nxënësit e tjerë vërehej një habi, e cila më pas u shndërrua në një gëzim të papërshkrueshëm”.
Jugosllavia e Titos, qyshce në të parat vite në pushtet, në vjeshtë 1946, e hapi shkollën e Hotit në gjuhën serbo-kroate, një çerek shekulli para shkollës në gjuhën shqipe në Hot në vjeshtë 1970. Shumkush ishte ambientuar me një realitet të tillë politik, arsimor, të shkeljes të të drejtave të shqiptarëve etnikë për mësimin në gjuhën etnike shqipe, në gjuhën e nanës e të trollit të vet. Kishte nga ata, ndonjë edhe nga Hoti, që thoshte: “Stace nama to”(!) që shqip ka domethanien: “Çka na duhet neve ajo”(!) ndoshta kjo po ngjet dukshëm edhe sot, gati një gjysëm shekulli nga hapja e shkollës shqipe në Hot të Alpeve, në Plavë.
“Afërdita e Hotit” ishte e dhanun me përkushtim të lartë pas shkollimit në shqip të fëmijëve të Hotit, të Jasenicës e Zabelit. Ajo iu kërkoi dhe shtëpive botuese, që çmimi i librave të ishte i arsyeshëm dhe i përballueshëm nga prindërit, të cilët dëshironin t’i shkollonin fëmijët e tyre në gjuhën shqipe. Dhimbje e madhe e kësaj mësuesje ishte dhe fakti që rregjimi sllav i kohës dhe emigrimi i madh e i vazhdueshëm i hotjanëve e banorëve të tjerë të rrethinave të atyhit, kryesisht për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndikuan në mbylljen e mësimit në gjuhën shqipe në Hot.
Ajo qëndroi në Hot në tre vite shkollore. Ndërkohë shkolla fillore e Hotit kaloi nga një shtëpi private në Hot tek një tjetër shtëpi private në Jasenicë, derisa u ndërtua shkolla e re kah gjysëm vjetori i dytë i vitit shkollor 1974-’75. Falë edhe interesimit të saj tek Sali Haxhaj i Hotit – referenti i Arsimit e Kulturës në komunën e Plavës, tek Hasan M. Vuçetaj – kryetari i komunës të Plavës, tek sekretari i Komitetit të LK të Komunës së Plavës, dërgimi i disa kërkesave në institucione të ndryshme, i dhanë shtysë faktit që në vitin shkollor 1974-’75 nxënësit shqiptarë të Hotit, Jasenicës e Zabelit të ndjekim mësimet në paralelen shqipe në shkollën e mesme të bashkuar të qytetit të Plavës.
Politikat gjeostrategjike sllave, kujdesi shtetëror malazez, emigrimet e nxënësve ndikuan që në vitin 1988, plot 18 vite nga hapja e saj, të mbyllet shkolla e Hotit, e cila fillimisht, në tre vite, ishte në gjuhën shqipe, pastaj e kthyen në dy paralele – dy gjuhëshe, në serbo-kroatisht e vetëm disa orë në gjuhën shqipe dhe, pastaj, vetëm në serbo-kroatisht. Tashti ajo shkollë është e shkatërruar krejtësisht edhe si godinë, si objekt arsimor e kulturor i hotjanëve të atyhit. Në rrjedhën e fundme të lumit të Hotit, tek bigimi i tij me lumin e Torkuzit, kam parë në një godinë të vogël njëkatëshe shkollen fillore e Jasenicës në gjuhë malazeze (serbo-kroate). Aty shkojnë fëmijët shqiptarë nga Hoti i Plavës dhe Lugina e Jasenicës.
Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë së Tretë të Millosheviçit, kah viti 1993, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Malit të Zi, e miratoi kërkesën e entuziastëve shqiptarë, kryesisht atyre që kanë jetuar në Hot, Zabel dhe Jasenicë, e tash banonin e punonin në Plavë dhe rrethinë, që fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën amtare si dikur në shkollën e Hotit, edhe pranë shkollës “Hajro Shahmanoviq” të Plavës në paralele me mësim në gjuhën shqipe.
Numri i shkollarëve shqiptarë në Plavë-Guci ka ra në 46.18 për qind krahasue me vitin shkollor 1974-’75. Sipas një statistike të vitit shkollor 2010-’11, të gjashtë viteve ma herët, në shkollat shqipe, në paralelet në gjuhën shqipe, rregjistrimi i nxanësve të klasës së parë e dëshmon një fakt të tillë të dhimbshëm për shqiptarët etnikë plavë-gucias, pasi kishte vetëm 25 fillestarë, nga të cilët: 10 në Plavë, 6 në Guci, 3 në Vuthaj, 4 në Vishnjevë, 2 në Martinaj.
6.
-Kena lyp shkollë shqip e ata dojshin me na mshilë burgjeve – po më kallxon 75 vjeçari Ahmet Murat Sinanaj i Hotit në shtëpinë e tij në Nju Jork të Amerikës, atë ditë të 5 shtatorit 2012. Ai folke e mendjen e kisha tek shkrimtari i madh frëng Viktor Hygo, tek thënia e tij e përbotshme: Kush hap një shkollë, mbyll një burg.
Ahmet Sinanaj më flet me mall të madh për shtëpinë e tij të parë në Hotin e Plavës. Njëherash, ndjen dhimbje edhe për shtëpinë e dijes në fshatin e vet, për shkollën e hapur përkohor në gjuhën shqipe në vitet ’70 të shekullit XX. Në kit’ gusht 2014 isha vet atje dhe pashë godinën e shkollës së dikurshme shqipe të kthyeme në gërmadhë. Si shumçka shqiptare në trevat etnike shqiptare nën Malin e Zi.
-Kur jam kanë shkollar në Hot e kena pasë një mësues të vështirë. Ishte i mbushun me urrejtje kundër shqiptarëve. Aleksa Arsoviç i thoshin atij. Nuk na lanke me fol shqip as me njani-tjetrin. Sapo ndijke nji fjalë shqip i rrehke nxanësit. Shpesh fyente me egërsi të madhe. Edhe në kofsh i mirë në mësime shpesh ta jepke Njishin, notën ma të vogël të asaj kohe, për me të mbajtë tek të dobtit. Malazezët donin jo vetëm me i lanë të paditur, po edhe me i trajtue si të paditur hotjanët. Edhe në qytetin e Plavës, kur e ndjekshim shkollën me plot sakrifica gjejshim shpesh të njëjtën gjendje e qëndrime ndaj nesh si shqiptarë e si hotjanë. A kanë plani i shkjaut me të mbajt poshtë si raja – e mbyll bisedën e tij Ahmet Sinani i Hotit.
Në kërkim të diturisë në gjuhën e nanës, hotjanët me sakrifica e përkushtim e kanë hapë një shkollë fillore pesëvjeçare në qytetin e Plavës, pranë shkollës qëndrore të atyshme ma të hershme dhe ka mbi dy dekada, prej vitit 1993, që e mbajnë gjallë, që frymon shqip. Tashti u hap klasa e nëntë në gjuhën shqipe.
Hotjanët mbetën gjithë jetën e vet duke sakrifikue për gjuhën shqipe, për shkollën shqipe. Sot, hotjanët në Hot e vise të tjera të Plavë-Gucisë e kanë rritjen ma të madhe të popullësisë në të gjithë krahinën e ndarë në dy komuna. Janë pothuaj 110 djemë e vajza nën moshën 25 vjeçare. Janë të dhanun edhe pas arsimimit në gjuhën gjuhën. Dhjetra të rinj hotjanë janë të diplomuar në dekadat e fundit. Ma shumë se gjashtë të rinj e të reja hotjanë i ndjekin studimet e larta si në Universitetin e Prishtinës e gjetkë. E njoh në komunikim elektronik nga larg njanin prej tyre: Grosh Sinanaj i thonë – student i Prishtinës. Tani ka ardhë koha që edhe në arsimim Hoti poi merr në duar fatet e veta.