-U botuan për herë të parë pas vitit 1990-
Nga Agim Xh. Dëshnica
VITI I RI
A të kujtohet vallë, ai çast?
Po vinte Viti i Ri!…
Deti i syve të tu
përshkonte sytë e mi,
hetonte shpirtin tim,
dëgjonte pulsin,
zemrën time!
A të kujtohet
si humbën festat,
oh, ato vite miturie
me ëndërra, fluturime?
Ai ylber mbi urë,
ato përcjellje
dhe ato ëndje?
Dëgjoja zërin tënd,
vështroja sytë e tu,
buzët, dlirësinë ,
por brengë e kohës më trishtonte.
Mos vallë po iknin yjet,
në gjurmë të Plakut?
E shenjta pafajësi,
yje të rinj ëndërronte!
Vitin e Ri, pa hënë shkretëtire!
Diellin e shpresës,
pa zhgënjime!…
- Tiranë, 31 dhjetor 1955
YJET DHE TI
A të kujtohet vallë?
Po shuhej dielli i skuqur
e humbte nëpër valë.
Me sytë drejtuar lart,
e flokët derdhur pas,
ngulmoje e rrëmbyer
me thirrma e plot gaz,
mbi hënë të vështroja
e yjet e shkëlqyer
me radhë t’i numëroja.
Por unë i hutuar
sodisja sytë e tu,
e ç’bukuri u mbetej
yjeve pa fund?.
Një poezi, më lusje,
për çka mban yjësia,
I lumtur pëshpërisja,
ti vetë je poezia!…
1952
VALET DHE TI
Ta dinje ti!
Sikur ta dinje!
Sonte mbi shkëmb
ndanë detit rri,
e ëndërroj veç ty.
I vetëm mbi shkemb,
përqark vjen errësira,
por valët sulen
nën dritë të hënës,
radhazi drejt bregut.
Shkumëzojnë e gjëmojnë.
Mendoj e shoh
ndër vezullime,
sytë e tu si Joni.
Dëgjoj të pafundmen
këngë të detit,
zërin tënd,
që vjen me valët,
errësira shkon
e mbetesh vetëm ti.
———-
ME VJEN NDER MEND
Më vjen ndër mend
kur prehem në qetësi,
e Jonin, një brilant të rrallë,
i mrekulluar e i magjepsur,
sodis nga lartësia.
Tek shndrin nën qiell jugor,
lodron me erën bredharake,
arrin në breg e shfryn e s’lodhet.
Gjëmon e shkumëzon.
Më vjen ndër mend,
ndërsa në largësi,
është veshur në të kaltërt,
e falet përëndimi.
Kur puthen me pasion,
të artat rreze shprese,
me retë që ndizen flakë
nga dashuri e diellit.
Më vjen ndër mend,
kur nata i ngjitet Çikës,
e hëna hedh mbi ujë argjend,
e dallgët radhë pas radhe,
vrapojnë drejt shkëmbenjëve,
me këngët shekullore.
Më vjen ndër mend,
po ti më vjen ndër mend,
pagjumësi e natës,
sy zanë e valëve…
———
Himarë 1960
MEDITIM YJESH
U shfaqën yjet
në qiell varg,
mbi detin e pafund,
në mjegull meditimesh,
ndër brigje lashtësish
mbi urë miqësish.
Po ti o yll, që shndrin më fort,
mbi flakë e vijë, në horizont,
ç’kërkon, ç’më thua,
me heshtjen dhe soditjen,
kur gjurmë e dritës tënde mbi ujë,
arrin këtu në breg
e hijen time përfton ?
O folmë !
Mos sheh atje në largësi,
në qiellin blu,
një flakadan,
që shndrin?
1960
JONI BLU
- Joni jonë nën breg, bruz e blu,
- hapet magjishëm me valë e zhurmë,
- qilim smeraldësh shtron në fund,
- në guva lahet me rreze e shkumë.
- Në gjoks shkëmbejsh suvalat varg,
- thyhen, rrëzohen me shfryrje të thella,
- shtyhen mbrapsht, humbasin larg,
- tundin, anojnë lundra e vela.
- Avuj, stërkala, stoli të dritës.
- Nga algat çohet ylberi hark
- mbi drurë e ajër, në maj’ të Çikës,
- shkëlqim e ngjyra shpërndan përqark.
- Rrëshkasin retë nga Llogaraja
- ndehen e shtillen në fluturime,
- ndërrojnë pamjet si në përralla,
- skuqen e digjen në flakërime.
- Thirrje të lashta, jehona, vozitje,
- larg brigjesh joshje, mirazh, habi.
- Gjëmim i mbytur, një çast fashitje,
- por diç në zemër, më sjell trazi.
- Liri e fllad, freski gjithkund,
- tisi i purpurt mbi gulfe e shkumë,
- n’ horizont diell e muzg, bruz e blu,
- ulen mendueshëm, bien në gjumë.
- ————-
ZERA NE JON
Ta dinje ti, sikur t’a dinje!
I vetëm sonte,
në shkëmb ndanë detit,
vetëm rri e ty të sjell ndër mend.
A fle a s’fle
e zëri i fshehtë i zemrës,
arrin në zemrën tënde?
Në shkëmb tek rri,
më ngjan se ty të shoh,
kur bredh me mjelmat e me valët.
Në ujë bien diamandë nga yjet,
shoh sytë e tu si Joni vetë.
Ndjej dorën tënde, kur vjen pranë meje,
ndër valë dhuratë më sjell nga hëna,
argjend e ar.
Përgjoj, mbaj vesh,
të pafundmin rënkim shkulmesh,
të ndrydhur guvash tek gjëmojnë.
Kap zërin tënd mes zhurmësh,
të fshehtin zë, nga buzë petalesh,
me përkëdheli, më fton për ikje…
Larg bregut, në krahë të shpresës
larg hijesh, në gjurmë të dritës,
larg dhimbjeve, drejt ëndjeve.
Shkreti e zulm i kotësive, më kot hetojnë,
kureshtjen, soditjen time, në vela e dallgë.
Si mundem thinjat, duart, bekimin,
fjalën e urtë, të shënjtërive të humbas
dhe shkretë të lë atë prag të dashur,
për lumturinë, larg mizorisë?
1960
FJALA
Shpërndahej poleni
nga lule pranvere,
trazonte flladi barin e blertë.
Fjala e ëmbël sillej mes nesh,
e pyet syri syrin kur ndesh.
Copëza ylberësh përmes shkëlqimit,
gurgull e gurgull uji i burimit.
Era rrëmbente gjethe ulliri,
shpirti harrohej në krahë zefiri.
Karaburuni hedh gurë e re,
rëndojnë degët, hijet mbi ne,
zemra rreh edhe fjala hesht,
fjala aq e dashur dhe e thjeshtë.
Vala puth bregun nën lartësirë
e ne shkëlqejmë në kaltërsirë.
Befas dëgjova nga buzët e tua,
përmes lotësh, fjalën të dua!…
Vlorë, Uji i Ftohtë 1954
SHI NE PRANVEREN E VONUAR
Re, re, re, hiqen zvarrë
në shtegun e humbur të yjev
me pelerinën e zymtë
të dimërimit.
Bie shi ëndërrimesh,
lot përmallimi,
kur tej dritares hetoj
pranverën e vonuar,
ndiej zhurmërimë oqeani,
zëra të largët,
kushedi se ku,
kushedi se ku…
Bie shi, bie shi, bora-akull
fle në skuta hijesh të ngrira,
rrjedhin ujra nëpër drurë,
çuditërisht të zhveshur!
Në gji gemash të lagur,
gonxhet struken e ankohen,
si ferishtet në djep,
asnjë lule, asnjë gjeth…
Shi, bie shi mendimesh,
mbi shtëpinë e ngrohtë,
muret e drunjtë spërkat,
si zog i hutuar çukit
në qelqet e dritares.
Mbrëmja troket në derë
me kujtime muzgjesh,
me trishtime, kur hëna
mbytej në mjegullnajë.
Bie shi, bie shi,
mbi shark bredhash e pishash,
psherëtijnë, kanë mall, presin
kthimin e bukurisë së luleve,
ashtu si unë erë vjollcash,
larg nga brigjet e dhimbjes sonë.
———
MBARIM DIMRI
Mbi kodër rri, mes hijeshive.
Mendime zgjimesh më mbulojnë.
Hapësirë e gjerë në tokë e qiell
zbulon magjinë e bukurinë.
Mbi fushe, nën Dajt, i vetëm rri,
vështroj e ndjek si grisen retë.
Nga majat poshtë dëbora shket
e rrjedh në hon.
Dimri po shkon, dimri po ikën!
Pranverë e bardhë e Perëdisë,
pranvera ime,
nga shportë e artë në fushë e kodër,
lule e bar e gjeth shpërndan.
Dimri po ikën!
Pranverë e blertë,
pranverë e mirë e verdhë e all,
e bardhë e blu,
i ngjitet malit në krah të dritës
me fluturim të erës.
Dimri po i kën!
Çohem më këmbë me brohori,
braktis vetminë.
Harboj i lirë,
pranë çiltërive
e shfrej mes bujës,
pranë burimesh, pranë magjive.
Sythet e ahut mos ulërijnë?
Po vjen pranvera e ndjej, e shoh,
në shpirt, gjithçka më vlon.
Po ikën dimri !
Pranvera, Pranvera…
Vallë ditë e bardhë,
po vjen e botën zgjon ?
Tiranë, 1986
LULET DHE ILUZIONI.
Oh! lulet, sa i dua,
nën fllad e mbi përrua.
Me gonxhe e petale,
të bardha, portokalle,
të verdha, ngjyrë alle,
si deti. O ç’aromë!
Nga vesa, faqenjomë.
Po, janë të bukura,
a janë të lumtura ?
Kjo vjollcë e mbetur shkretë,
nën degë e ferrë e s’flet,
hepohet mbi përrua,
se dielli i ngrohtë u zgjua .
Kur rryma zbret e nget,
mbi gurë dredhon, zhurmon,
ah! vjollcë e lumturuar,
mbi ujë e pasqyruar,
si flutur valëvitet,
larg ferrash malit ngjitet.
Oh sa i dua lulet!
Lulet, lulet, lulet…
Tiranë 1961
ARRATISJA E HIJEVE TE NATES
Mos fli, lëre ëndrrën,
dil e veshtro lart,
mbi hënargjendën,
kurorën e artë
yjet fërfëritës ,
nga buron veç dritë
nëpër kaltërsitë.
Mos fli mbaj vesh
atje, në brigje
ku mbarrojnë shtigjet,
ujrat shkumëzojnë,
hidhen e gjëmojnë,
vorbull e vorbull,
gurgull e gurgull.
Hijet e murme po arratisen
rrëzohen teposhtë shpatit,
Malet e fushat u mërtisen
me vellon e lehtë të flladit.
Mos fli, çohu!
Toka u zgjua, merr frymë qetë,
agimi i shpresës i praroi retë,
mbi shpate, gryka e maja,
mbi pisha e bredhnaja
mbi repe e shkozë
i përskuqi avujt
tutje mbi lëbozë*
———–
1990
* Lëbozë-horizont.
RRJEDHA DHE KENETA
Rrjedha e pastër
arratisur nga kroi në agim
nën qiellin e kaltër
përçon hare
tek zbret e ndritur
në liri
ndër shkumëzime
nga guri në gur.
Diku me zhurmë
më tej oshëtimë.
Mandej jashtë pyjesh
nëpër natë, pa hënë e yje
ah! shuhet, hesht dhe humbet,
në zymti, trishtim,
tutje në kënetë…
1997
U R A T
Mbi urë hapet harku i ylberit.
Shtatë harqe mbajnë në shpinë
një urë të gurtë.
Shtatë ngjyra lozin
ndër harqe lashtësie.
Brofin valët, shtyhen e ikin,
me murmurimë e uturimë,
me frymë gryka malesh,
me pasqyrime rrepesh,
bedenash e muresh epikë.
Me ritme kohe kalon në urë,
grupi i ndërtuesve
ngarkesa e këmbimit
varg i dasmorëve.
turmë qytetarësh,
karvan fshatarësh,
studentë e dijetarë.
Për miqësi u vemë të mirëve,
na mbrrin shpesh
ndihma e bujarëve.
Çdo urë.
lidh brigje dashurish,
si breg i zgjatur ngjan.
në tokë e ajër, jug-veri,
Ndaj sundimtari urat shemb,
kur vjen një çast paniku,
por rishtas ngrihen hijshëm lart
më lart se ngjyrat e ylberit
e marrin trajtë flatrash,
drejt dritës mbi tokë e oqean.
2005
NE VETMINE E HESHTUR
Në vetminë e heshtur,
më zu malli
për mikeshën
poezinë,
arratisur
matanë valësh
tej përflakjesh
në kërkim të krojeve
në gjurmë zanash
e sokolash.
lugjeve e maleve.
Çel dritaren e përgjoj,
befas era me duhi
largon perdet
hyn me yjet e thëllimin
shpërndan fletet,
rrëzon penën
shuan ëndrrat
ndez mendimet
mbush vetminë
me zëra largësish,
e fjalë mirësish.
Urime poetit Agim Dishnica, qe ka sjelle per lexuesin e revistes Kuvendi, CIKLIN E RINISE,
Duke lexuar kete cikel me poezi, ndjehesh i mbeshtjelle nga vargje te sinqerta, te ngrohta noton si ne ujrat e pastra, te ngrohta, te kripura, gjithe shije te Mesdheut.
Ndjehesh i mbeshtjelle nga nje Ylber Shumengjyrash, pasioni magjik romantik i rinise,
Rinia, kjo periudhe e cmuar ne jeten e njeriut, shkarkon emocionet te forta.
Padyshim kjo kenge e rinise ze vend ne themelin e keshtjelles se krijueseve edhe z . Dishnica e ka zene vendin e vet, i urte , pa bere zhurme, duke punuar pa u lodhur per te percjelle mesazhe te jetes.
Me respekt, Julia