“Vatra”, një shekull në shërbim të kombit

Berisha: Ky 100 vjetor, homazh për ata burra që themeluan “Vatrën” , si vatër të lirisë së kombit shqiptar

“Vatra”, një shekull në shërbim të kombit

Vizita e Kryeministrit Sali Berisha në SHBA u mbyll me pjesëmarrjen e tij si i ftuar nderi në ceremoninë e festimeve të 100-vjetorit të Federatës panshqiptare “Vatra”, i cili përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Pikërisht në ditën e themelimit të kësaj federate historike 100 vjet më parë, u zhvillua një seminar shkencor, ku morën pjesë studiues e historianë nga trojet shqiptare dhe nga diaspora. Ata trajtuan tema me subjekte të ndryshme për pavarësinë, për “Vatrën”, për protagonistë dhe për rrethana të kohës e veprime që u paraprinë dhe që i pasuan këto ngjarje me rëndësi jetike për mbijetesën e kombit tonë. I shoqëruar në këtë aktivitet nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, Kryeministri shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në ditën jubilare të “Vatrës” për të përshëndetur në emër të qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve. Ky 100-vjetor, sipas Kryeministrit është një homazh i madh për ata burra, që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë, në vendin e madh të lirisë, “Vatrën”, si vatër të lirisë së kombit shqiptar. “Themeluan ‘Vatrën’, si vatër të dritës të kombit shqiptar, themeluan ‘Vatrën’ si vatër të shpresës së pashuar kombëtare. Ne nderojmë sot Fan Nolin dhe Faik Konicën, Paskal Aleksin dhe Lambi Çikozin, Elio Tromarën, Kosta Vasilin, Koço Kota e shumë të tjerë, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan këtu dhe themeluan organizatën, të cilën gjeniu i mendimit shqiptar Fan Noli do ta pagëzonte dhe do të përzgjidhte për të midis të gjithë emrave, më të bukurin, më kuptimplotin, ‘Vatrën’. Ne nderojmë sot këtu përpjekjet dhe kontributin e madh historik që kjo organizatë ka dhënë në pavarësinë e Shqipërisë. Nderojmë kontributin e madh dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që vatranët dhe diaspora në këtë vend dha, për themelimin e Kishës Autoqefale shqiptare, si bastion i fuqishëm i besimit të shqiptarëve, atdhetarisë së tyre. Ne nderojmë këtu kontributin e atyre qindra e mijëra shqiptarëve që erdhën në këtë vend një shekull më parë, një nga vendet më të varfra të botës, ndanë kafshatën e gojës me vëllezërit e tyre në Shqipëri, ndanë gjithçka me qeverinë e sapokrijuar shqiptare, derdhën gjak si luftëra lirie për konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë. Ne nderojmë sot kontributin e madh, që ‘Vatra’ dha gjatë Luftës së Dytë Botërore”, theksoi Berisha. Kryeministri kujtoi me nderim dhe mirënjohje themeluesit e saj, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan dhe themeluan organizatën e vlerave të mëdha kombëtare. Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm historik që “Vatra” luajti në momentet më deçizive për kombin shqiptar, përgjatë një shekulli. Gjatë këtij aktiviteti, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks dhe komunitetit bektashian, në fjalët e tyre iu lutën Zotit për të bekuar Shqipërinë, për të vijuar me këtë harmoni të shkëlqyer fetare dhe me patriotizmin që karakterizon shqiptarët, të cilët gjatë gjithë periudhës së historisë së tyre ndihmuan dhe bashkëpunuan në mënyrë vëllazërore me njëri-tjetrin, duke mbështetur njëri-tjetrin për të ruajtur gjuhën, kulturën, identitetin, pavarësinë. Gjithashtu aktivitetin e përshëndetën edhe zëvendëskryeministrja e Maqedonisë, zonja Teuta Arifi, ministri Makolli, ambasadori Arvizu e një sërë personalitetesh të tjerë, të cilët iu referuan ngjarjeve historike që nga themelimi i “Vatrës” e më pas me pavarësimin e Shqipërisë, duke bërë një bilanc të këtyre 100 viteve dhe i njohën të pranishmit me disa momente kyçe, me kontributin që ka patur “Vatra” për çështjen e kombit, rolin dhe ndihmesën e kësaj bashkësie për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, për zhvillimin ekonomik e kulturor të tij, ruajtjen e identitetit etj.

SHBA, mbështetje Shqipërisë në 100 vjet pavarësi

Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në 100 vjet pavarësi. Sipas Kryeministrit, SHBA gjatë kësaj periudhe ka dhënë kontribut të madh në ndërtimin e shtetit shqiptar, shkollat amerikane në Shqipëri u shndërruan në qendrat më të fuqishme të përgatitjes së inteligjencës teknike dhe në tërësi që duhet të vendoste Shqipërinë mbi bazat e dijes. Një kontribut të veçantë, Kryeministri vlerësoi edhe ndërhyrjen e SHBA-ve në çështjen e Kosovës. “Pas shpalljes së pavarësisë, projektet dhe planet e fuqive të mëdha koloniale të asaj kohe ishin për të shuar nga harta politike e Europës shqiptarët, por kështu nuk mendonin shqiptarët. Shqiptarët, kombi më i vjetër i rajonit, mendonin se ata duhet të kishin shtetin e tyre dhe ishin të vendosur të luftonin dhe luftuan, sigurisht ndaj një konjukture botërore që synonte inekzistencën e kombit shqiptar. Beteja e tyre ishte e dëshpëruar, shqiptarët fituan, sepse Presidenti i SHBA Willson, të cilin Noli do ta quante; ‘ky lis gjigant, në të cilin kombet e vogla ndërtojnë foletë e lirisë’, do të hidhte poshtë me përçmim ato klauzola të traktatit të Versajës, që synonin zhdukjen e shtetit shqiptar nga harta e Europës. Këto 20 vite janë vitet në të cilat shqiptarët pas luftërave të Skënderbeut dhe pavarësisë së Shqipërisë, kanë arritur realizimet më të mëdha. Qeveria e SHBA ndihmoi Shqipërinë dhe shqiptarët të ndërtojnë demokracinë e tyre. Presidenti George Bush i vendosi linjën e kuqe kasapit të Ballkanit në Kosovë, linjë të cilën do ta mbante Klinton. Presidenti Bill Klinton udhëhoqi Aleancën e Atlantikut të Veriut në luftën për çlirimin e Kosovës. Presidenti George Bush bëri gjithçka, që Shqipëria të anëtarësohej në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe të kishte të garantuar sigurinë e vet për jetë. Presidenti George Bush udhëhoqi përpjekjet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe Presidenti Barak Obama, Sekretarja e Shtetit Klinton, mbështesin fuqishëm Shqipërinë dhe Kosovën, në rrugën e tyre në ndërtimin e lirisë dhe vlerave të demokracisë”, theksoi Berisha. Kryeministri shprehu gjithashtu edhe vlerësimet për diasporën shqiptare në SHBA, që sipas tij shpalosën gjeninë krijuese të kombit shqiptar. Ne, u shpreh Berisha, jemi krenarë me arritjet e shqiptarëve në SHBA nga nobelistë siç është profesor Ferit Murati, tek artistë dhe personalitete të shquara të Hollivudit si vëllezërit Belushi, Eliza Dushku, Stend Dragoti, drejtues të suksesshëm korporatash dhe biznesmenë që bënë emër si Antonia Thanas, fotografi Xhon Mili, gazetarë të mëdhenj si Bill Kovach, Pier Lukas. “Dhe njëherë ju uroj ju dhe përulem me mirënjohje të madhe për gjithë kontributin që ju keni dhënë. Do t’ju rrëfej një gjë, nuk ka gjë më të dhembshme kur sheh bashkatdhetarët e tu, që largohen nga vendi i tyre, por asnjëherë nuk ndien dhembje për ata që vijnë në SHBA, sepse në këtë vend të madh ata mbeten ndër shqiptarët më të mirë, sepse në këtë vend të madh, ata i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve kontributin dhe ndihmesën më të madhe, sepse në këtë vend të madh, ata faktojnë atë miqësi dhe bashkëpunim me SHBA që ka pasur dhe ka një rëndësi jetike për Shqipërinë, shqiptarët dhe Kosovën, sepse në këtë vend të madh ata kanë të gjitha mundësitë që të shpalosin gjeninë e tyre në të gjitha fushat”, theksoi Berisha.

Buçaj: Berisha, mik i shqiptarëve në diasporë

E krijuar më 28 prill të vitit 1912 në Boston, por me qendër sot në New York, “Vatra” festoi 100-vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet ku merrnin pjesë drejtues të saj, Kryetari zoti Gjon Bucaj, zëvendëskryeministrja e Maqedonisë, zonja Teuta Arifi, ministri i Kosovës për Diasporën, Ibrahim Makolli, ambasadori amerikan, zoti Aleksandër Arvizu, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks dhe komunitetit bektashian, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të “Vatrës”, si dhe një numër shumë i madh shqiptarësh të diasporës nga SHBA, por edhe Kosova, Maqedonia, Mal i Zi e Lugina e Preshevës, përfaqësues të arbëreshëve të Italisë, studiues, historianë, intelektualë, personalitete të kulturës, artit, shkencës, si dhe shumë të ardhur enkas nga Shqipëria për të festuar 1 shekull të “Vatrës”. Në hapje të ceremonisë, Kryetari i Federatës panshqiptare “Vatra”, zoti Gjon Buçaj falënderoi me mirënjohje Kryeministrin Berisha, i cili me prezencën e tij në një ditë të shënuar për “Vatrën”, nderoi kujtimin e themeluesve të saj dhe të të gjithë atyre që me përkushtim dhe sakrifica e mbajtën “Vatrën” përgjatë një shekulli në shërbim të kombit. Zoti Buçaj e cilësoi Kryeministrin Berisha si një mik të madh të diasporës dhe një personalitet që ka kontribuar si askush tjetër në mbështetjen e diasporës. Më tej, zoti Buçaj theksoi se ky kremtim do të shërbejë si një frymëzim për vazhdimin e punës fisnike të “Vatrës”, si dhe të përcjelljes së këtij misioni tek brezat që do të vijnë. “Të parët e krijuan, shqiptarë të tjerë e mbajtën deri ditët e sotme dhe me atë idealizëm edhe këta ta përcjellin drejt së ardhmes”, u shpreh ai. Hapja e konferencës u bë nga vatrani i vjetër, zoti Frank G. Shkreli, një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, intelektual patriot në diasporë, i cili ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek “Zëri i Amerikës”, zoti Shkreli, ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në divizionin europian të “Zërit të Amerikës” dhe ka qenë drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar shqiptaro-amerikan – KKSHA. Në këtë 100-vjetor të themelit të “Vatrës”, i cili i parapriu pavarësisë së Shqipërisë, vatranët përkujtojnë dhe nderojnë themeluesit dhe ata të cilët vazhduan rrugën e tyre, duke dhënë kontributin historik për lindjen dhe mëkëmbjen e shtetit e të kombit shqiptar dhe për lidhjet e forta të miqësisë me popullin amerikan.

Rlindja Demokratike

01 Maj 2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *