Poezi nga Armela Hysi, Greqi

Dita e tetë

 

libri1

kohë e gërryer nga brenda

                        – mendime –

 

ka diçka nga unë ajo natë e enjtur që

largohet duke bredhur lodhtas rrugicës së përgjumur

me pamjen e një harrese fustan rrudhosur

e flokë të hutuar vetmie.

valixhia lidhur mëngjrazi

rëndon buzë më buzë

pasazhe të oksiduara

dhe në të djathtën

baulja e gjyshes që tërheq shkallëve të poezisë

që nga mituria

me gjithë gurët e mullinjëve blues që trashëgova

 

në njërën këmbë

ka ende këpucën që mbeti pa u shndërruar

pas klithjes së mesnatës së përralltë

e vetmja dëshmi ‘vallëzimit magjepsës

nën vello parfullimash.

 

gunga e madhe mes shpatullash

poshtë cipës deje-blu të lëkurës

tradhëton nyjen e lidhjes së çarçafëve të arratisjes

të zinj si velat e mynxyrës

meqë s’arriti kurrë t’i dalë ballazi vetvetes.

 

shkurt 2016

 

 

fytyra

 

më është e vështirë të qetësohem me këto tehe

që përplasen fluturakëve pëshpëritës të dhomës.

Matis* pret me gërshërë frëngëlluese letra sfilitëse

pranë veshit tim

edhe k’të natë

i zhyt në guosh blu dhe violetë intriguese

trupat e ledhatuar frojdjan

silueta bumbuese të

ngecur në zhurmërinë e trurit të tij.

në zallahurën e fëmijërisë sime.

 

tiparet e humbura nga fytyrat e tyre

ndoshta flenë terrenësh të pabanuar

ndoshta zhdukur për fare janë

 

të mos mbaj pengje borxhesh a hakmarrjeje.

 

mjaftojnë gjurmët në butësinë time amorfe.

 

11 nëntor 2014

*Henri Matisse (1869 – 1954) piktor

 

 

 

 

pas ikjes

 

 

ke ikur nga fotografia dhe në kornizë

tani shoh vetëm shatervanin parvaz-trishtuar.

njomështirën e puthjes si harresë të pllangët

copëza të shkërmoqura zhaurimë mekur

të gjetheve të shkelura.

currilat pritje-blatuar pluskojnë

përhumbjes dhe zogu që

mbaje mbi supë për të pozuar

sy-gremisur lëviz frymë sosur

puplat e pastërvitura

që s’mësuan kurrë të fluturonin

nën sigurinë tënde.

 

prill 2016

 

 

 

 

jetë muzeale

 

shiu stivosi një bezdi të verdhë hezitimi

parmakëve gëlqere-rrjepur të mërzisë

çdo gjë ndodh pas qelqeve të syve

dhe s’më përkasin.

 

mars 2016

 

kosovës

 

mos i shih dhimbshëm Ati im krahët

pendë-ndkura në shpatullat e mia

 

gjakun e kaltëryer bulza-mpiksur

të çjerrave

vragat e shigjetave dhe ciflave depërtuese

nga shpërthimet pas shpine të tradhëtisë

këto gungëzime që prek buzëdredhur me mollëza

si vargmale gjarpërueshe hartës plastike

me reliev – brenda lëkurës kith-mjelmtë – janë të

ngjiturat e kockave pas krisjeve

pas thyerjeve.

më të forta janë bërë kështu me shtresa

krenarie fitoresh.

të paepërshme.

tmerruese. më shih si heroinë

si legjendë

veç kujtimet

kujtimet dhembin tek treten.

 

shtator 2016

 

në tisin e mallit të saj

 

në qendër – fundit të filxhanit

liqenthi i errët

sy i një honi të thellë

i pëshpëriste të voglës në katedralet natyrore

të instiktit. rreth e rrotull gjurmët e lëngut të tharë

si vizatim me pastel vajor një syprineje poroze

kishin krijuar

kodra ngjyrë kafeje

ujvara të rrudhosura ngrirë në palëvizje

degëzme pyjesh fëshfërima ndjellëse

ku zanat ndernin vargje të kënduara

vetëm për timbanët e zgjuar të tre vjeçares së çudë.

 

– sot do ta lësh të gjej shtëpinë? pyet

duke lëvizur padurueshëm shputëzat e zbathura

tek

parketit të ngrohtë në ngjyrë arre

lëvrijnë endëzat e sapo ndezura degësh

dhe halishte të gjelbëruara bulojnë hajthshëm mureve

 

– e loze plotë! – i

thotë e gjyshja pa kuptuar se mania e të voglës

me filxhnin e saj të kafesë dhe gjurmët e lëna

në paretet e brendshme që i duken si

pyje përrallash ku do kaq shumë të ketë shtëpinë

është vetë malli i saj për

Bjeshkët legjenda-buluar të atdheut

që mbushte si esencë aromantike

dhomat e apartamentit të vogël të mërgimit

me impulset e imazheve

zënë si fluturtha të tulatura

rrjetave të meningjeve të së mbesës.

 

janar 2016

 

dialog i poetit me lumin

 

 

  • erdhën? riosh Diogjen më thuaj erdhën?
  • do vijnë o hyj-urtë! e sigurtë

do të vijnë

 

buzëve një fener xixëllonjë

gjeq i tymtë aure të kristaltë

ku s’mbesin dot gjurmët e gishtave

kalimtarsh kurjozë

a dishepujsh.

  • erdhën Poet? sikur vonohen
  • po vijnë o jetë

s’ka si bëhet

 

hiri i brengës thithëse zgjatet i qetë rrugëtim

është shpatë – është laps

gjymtyrë depërtuese në hullinë e mendjeve

 

  • pse s’merr diçka

ta kesh për luftë o shpirt

  • nuk më mposht dot e liga se

kthej faqen tjetër

o perëndi rrjedhëse në

mërgimin tim brenda vetes

 

një rrudhëz nën tëmtha

në këmbëzën e patës- poezimbarsur

nis të lindë

 

  • ke dhimbje o Bir?
  • mbahem o Atë i lashtë
  • po e meritojnë

o Ndoci im i mirë

  • s’mund të bëj ndryshe

i dua më tepër se veten

o Drini plak.

 

9 mars 2016   

 

padyshim ishte një njeri

 

veçanërisht i cekët dhe paideale

( dosje informatike për veprimet në flagrancë)

 

kravatat e tij të pangjyra mbi

fanellat e pangjyra e bënin të pakombinueshëm

me kahet dhe skuadrat

biles fiks për këtë term

komentonte se

është “cibuni skllavërues që kemi

veshur foshnjërisht

endur enkas për luftën e tyre

për paqen tonë dhe grupimin e gjithë

ç’pushkatojmë

symbyllurin në një korije

a pranë një muri të gropëzuar”

 

cremonitë e tij të ngritjes së flamujve

shpënarjes së medaljeve

qenë përpara një gote uji të qelqtë

përhershëm me vete. shihte gjatë

përtejshmërisë së saj

si mbushej ngadalë.  gëzohej me

britma të rrmbullta

 

mendime cipëdallgëzuara vizatonin një

bekim në boshllëqet e molekulave të padukshme

çdo gllënkë e prekte dashurisht me

tulzat e shtjerra të buzëve

e shijonte butëloshes së qetimtë të gjuhës

ndjer në rrudhëzat e drojtura të qiellzës

të depërtonte mishrat e godinave kaproçe tek

merrte zhurmërisht formën e gurrmazit

e përqafte paretet e ngrohta të stomakut

duke namatisur një ndjesi shushurimëse

malli të bukur brenda.

 

guxonte të thoshte se në ato pikëza shihte

gjthherë krijuesin

 

ç’njeri i cekët dhe cinik

desh i Madhi që s’është ngjitëse.

 

shkurt 2016

 

“trois morceaux en forme de poire”*

 

(qetësia ritmike

që i sillte fashitja e hapave

të zbritura pështjellshëm

digjte hijen që largohej

si cifla mikroskopike të qelqta

në lëkurë rrëzë qafës)

 

akoma qe aty dora e tij e zhytur

në ndrydhjen e shkulmët të ondeve pas veshit

ajo pakëz rreptësi ndjellëse gishtave mashkullor kur

e afronte pranë vetes

sytë e lëmyshqët me të bardhën e ajkët që

derdhej ende gjirit të rrënqethur

mbuluar me bottha të enigmta feksjeje

në qëndresën e saj të zhdromur*

si dëborë e harruar një rrëze të hijët

piskamës së marsit

 

ai nuk mundtte t’i paloste këto

n’ valixhen rrota-sertë në ngjyrën e buzkuqit

strikt të nervozes

që priste me thonjtë ritmik

timonit – motorr ndezur

 

as të fshihte një llojë pendese

që rripej nga  buzëqeshja e tij e shtirur

si shtresë kohe e djegur nga dielli.

 

tetor 2015

 

*Erik Satie (frëngjisht:“tre pjesë në formë dardhe”)

*thërmuar, gërryer

 

periudhë zgjedhjesh

 

mishi i kuq nga një kofshë e pagatuar pule

prerë përgjysëm mbi tastierën e pjanos

ishte karreja e fundit figurative

që i mbet nga ai

gjumë i zhabaritur kinematografijeje eksperimentale.

ndjesia se diçka i tërhiqte zorrët

deri në tingëllim muzikor

i pështirte gjendrat e pështymës rrëzë

kupolës gojore.

 

u mundua të përqendrohej sërish

në muskujt e fytyrës alegro ma non tropo

që duhej të vizatonte

mbi këshillat si bardhësi e pluhurosur brumit të tij

që kish shtruar tërë jetën i ati.

porositi sërish një gotë ujë me akull

duke shtënë dorën e djathtë

të bëjë një lëvizje gjysmëharkore për

t’i ndërprerë udhën shqetësimit që avitej si mjegull

vështrimeve të tyre pyetëse.

 

shtator 2015

 

njeriu i metropolit

 

petale lulesh elektronike

e ftojnë të provojë shampon e re.

ai ka një relacion tipik me jetën

përshëndeten në mëngjes dhe në mbrëmje

si me kushuririn e dytë nga i ati – të të shoqes

me të cilin takohen çdo mëngjes pune

në 7 e katërmbëdhjetë

tek kthesa e bllokut 27

bëjnë 30 – 40 hapa së bashku mbi pllakat

ngjyrë tjegulle me granit të venitur

ndërsa mbi duar mbajnë

të drejt peshuara me kujdes

etikën

kafetë dhe

një zhgënjim seksual të mbështjell me

daylie-free që tërheqin me xhest menefreg

në të nxituar e sipër nga stendat

e vendosura në stacionin e metros.

 

verë 2012

 

 

gërmueshëm

 

i tha pa mëllef si

shkarpat e mbledhura në të dalë të

pyllit që hedh pranë turrës së druve të dimrit

për t’u marrë me to pasdreke

kur t’qetësohen e të kenë hëngër vocërrit

 

por një bezhti e përhimë që

rrëshqiti majtas ballit e mbeti mollzës

së prashiturit me tejdukshmërinë e çapë-viteve

sikur Miruku t’kish hedhur lëtyrshëm dritë

portretit të tij buzëmbledhur

dëftonte se aty ku ndodhi artikulimi

i foto-kujtesës toksike

paretet qenë fshikulluar sërish

e bymyer

vragë e gropës së gurit të stërmadh

zhvatur nga rrëza e atij muri handarak

vjeshtësh të stivosura

që paraprin rrapëllimën.

 

shtator 2016

*Ali Miruku – piktor

(1954 – 2014)

 

një “ajo”-je në agsholin naiv të magjisë

 

Genisit

 

e reja qëmton mendimet e veta

si oriz devedish ngjyrë bakri

nën hijëzimin sensual të ngrysjes

imazhit të perifrazuar me hukatje

në qelqin e errur.

 

mbrëmja është ende kërthi

ende gjallërishëm të gëzueshme pranë veshit

thirrjet joshëse të sirenave.

fëshfërimat e vellove dehëse të hesperideve.

një mijë bijtë mitikë të Gjumit

gjurmëhumbur horizontesh.

 

gropthave të faqeve

mushkrive fije endura

rrëmihin

kolonitë thumbëza-ëmbla të miklimeve

flurudhës së vështrimeve imcake.

tulin e qershiztë të buzëve

prerësit çukisin

të trembin buzëqeshjet buluese

dhe dëbojnë kuqëlimin e mbi hundës.

 

tetor 2010 

 

me shumë ngjyra

           

 

me sytë e saj nën zabelët hiroshë

mund të ngjyeje

trapezin e bilardos dhe zhaurimën e

dritave mugëtuese që dëgjon të shkërmoqen

“Kafenesë së Vonë” të Van Gogut. gjithshka tjetër

përveç gjinjëve të pjepërt

ngjanin të shkara Botiçelit dhe figurave t’grunjta

si qirinjë të pikëlluar

mallit.

 

 

nuk qeshte shumë por tek

largohej

gjithmonë merte me vete

trishtimin tim

për të ma dërguar fjolltha-fjolltha

në reflekset e shpërqendruara qëmtonjëse

guaskash të harruara murekse

rërës së zbrazët

për të ngjyer kuqëlueshëm

imazhin e llohtë të vetmisë.

 

mars 2015

 

*titull pikture e Van Gogut

 

 

për emigrantin që s’i mësova emrin

 

në brigjet e Evros për vajzën 4 vjeçare që kaloi natën pranë kufomës së të atit

dhe për veten e pacipë që dua të bëj një poezi interesanteshkruar me gisht në xhamin e retinës

së të vdekurit

 

ndërresat brenda thesit me grimtha

foljesh në kohët e ndryshme të sintaksës

që mbante pas shpine

gazetarët thanë se qenë të sistemuara

kujdesshëm.

 

dhe flokët ende të lagur

të së bijës katër vjeçare

 

përpara se jeta pa pikë poezije

të shtrydhej mbi plloçkat e ftohta

të natës. natë e zakonshme.

 

29 korrik 2015

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *