Perkth. Nga Agim Xh.Dëshnica
LI BO (701-762)
PI VETEM
Mes luleve vendosa poçen,
Kur nata ish e qetë
Dhe nisa shtruar të pi verë
Pa mik i mbetur shkretë.
Të pinim bashkë i thirra hënës,
Në orë të mirë mbi dhe,
I çova fjalë hijes sime
E tok u bëmë tre.
A mundet vallë të pijë hëna,
Pyes unë për një çast,
Dhe hija ime, që s’më ndahet
E shpesh më qepet pas?
Me hënën e hijen pa nguruar,
Në natë me qeti,
Gjer sa të vijë sërish pranvera
Të pimë rash në ujdi.
Ia mora këngës, pas avazit,
Lëkundej hënë e artë.
Kërcej, kërcen dhe hija ime
Pa zhurmë dhe e gjatë.
Gëzuam çakër qejf, të tre,
U dehëm bukuri.
E pasi paq u pimë, u ndamë
Gjithkush në fat të tij.
I mbetur vetëm prap,
më duhet t’endem nëpër jetë.
Gjer sa të shihemi ndër yje,
te Kashtë e Kumtrit vetë.
————-
VAN VEJ ( 701-761)
NE NJE KASOLLE MALI
Në mes të jetës mbërrita e tani
Në heshtje të vërtetën po kërkoj.
Maleve Zhunan jetoj në shkretirë
E paqe e dëshiruar më mbuloi.
I vetëm shkoj shetis në male thellë,
Kur vjen e më merr i ëmbli frymëzim.
Nuk paska qenë e kotë çdo trazirë,
Kujdesjet e dikurshme pa kuptim.
Shpeshherë atje mbi rrëpirë,
Prej nga buron lumi shkumë e valë
Ndalem, shoh si ngrihen nga luginat
Të bardha borë retë palë, palë.
E rastësisht takohem me druvarin,
Me të ia nis bisedës zemërhapur.
Pa bëj shaka e qesh dhe s’merret vesh
Se ora e kthimit për shtëpi ka ardhur.
LO BIN –VAN (640- 684)
NE BURG I KENDOJ BULKTHIT
I burgosur, plak nga jugu,
Kur në vjeshtë zbardh mëngjesi,
Përgjoj bulkthin tek këndon.
Ndaj mendimet më trazojnë.
O ti bulkth, më thuaj përse
Në frëngji vjen fluturim?
Pse me këngën e trishtuar
Mua plakun shqetëson?
Vesë e njomë nëpër krahë,
Të rëndon në fluturim.
Edhe era me duhi
Zërin tënd ta mbyt nën zhurmë.
Te kjo botë e ndyrë askush,
Çiltërinë s’ta beson.
Sado këngët të shpëthejnë
Thellë nga zemra jote e pastër.
———–
DU FU (712- 770)
KESHTJELLA BODI’
Kështjella e gurtë Bodi’
Mbi male kryet ngre.
Nga portat e saj
Dalin e ikin re.
Nën kështjellën
E zymtë Bodi’
Si me gjyma
Bie shi.
Teksa Lumi
Vrrullshëm nget
E brigjeve godet.
Hënë e zbehtë
Sipër pyllit tejmatanë
Shfaqet në mjegullnajë.
Këtu kuajve,
S’u pëlqen të punojnë,
Të kthehen mbrapsht,
Mesa shihet dëshirojnë.
Veç nga njëmijë,
afro njëqind shtëpi
Qendrojnë më këmbë
Edhe tani.
Gratë e shkreta
U sfiliten në punë,
Por vijnë e taksat
Ua marrin me dhunë.
Dhe në çdo shtëpizë,
Si gjithmonë më kot,
Gratë e veja derdhin lot.