MA KTHENI PËRRALLËN TIME
( cikël poezish )
KONKUBINA
Stratifikoj heshtazi,
kujtimet,
dashuritë,
zemra bën protesta
në heshtje,
pa pankarta,pa brohoritje.
Dashuri e zezë
e ngjyrose zi,
safirin e operetës,
si anakondë më shtrëngon,
helmi që më fale si dhuratë,
duhet të pres natën
për ta ndjerë veten
konkubinë të djallit.
Katrena e romansës
ka nevojë për katarzë,
unë për nektarin e trëndafilit të vdekur
alivanoset prifti i Nirvanës
nga rrëfimi im vampirikal.
Sot
ndihem bosh pa ankthin,
shënohen neumet
në pentagramin e padukshëm,
psallmet më trandin aerofobinë,
them Amen,
amen, amen
dhe shtrihem në kënd
për 180 shkallë.
ERDHA
Erdha
për ta zotëruar vibracionin
në korridorin e parakohës,
në kalldrëmin e sinapsave,
grafit i dhembshëm emri yt,
s’dua të shoh si po shënohet
e admiroja yllësinë e paprekur.
Erdha,
aty ku bren miza hekur,
aorta ndjej si më shkrifërohet,
athua a ndjehet si unë
një petale me prejardhje androgjene.
Rrugën e kam humbur
për në shpirtin tim,
strehimin e kërkoj te një i panjohur
deri më tani,
duke i hedhur poshtë këshillat ungjillore
zonja Herë, me duhet ndihmë…ndihmë.
Erdha
edhepse çirrem e bërtas
në spërdredhjen e një errësire,
një mendje unike pret kalimin e kufirit
e doganierët e mi janë shumë të ashpër,
pasaportat fallse tek unë s’pijnë ujë,
as premtimet e kota,
për qëndrim të përjetshëm, pa probleme
indoeuropianet u referohen
diasporës ilire në mërgimin e gravurave.
Erdha,erdha,
me hap të fildishtë,
më përqafo shumë,
digjem për një kryqëzim shikimesh,
dashuria është një verigë e artë
negacion i kurorës së Mark Antonit dhe Kleopatrës,
dashuria të tjetërson unin e mbrojtur me barrikada,
zemër
JOSHJA
Në sfondin e premierës së morfologjisë
etimologët u dashuruan në monodramat
e realizuara nga vetë ata,
është përparësi e madhe
kur joshesh nga vetvetja,
të paktën nuk ke rivalë
për ta bombarduar me replika të molikës.
Me nofulla të celulozës
ishin Eva dhe Adami
ngase nuk kishin për kë të flasin,
ligji asociativ i jetës
nuk funksionon pa personin e tretë,
ashtu si amviset që ankohen
kur nuk kanë material për thashethëme.
Parisiada me neps i bën marketing
eliksirit të rodeos së sepaleve,
repriza e alkimisë së Maria Magdalenës,
mbush zbrazëtirat ndërmjet dy jetëve
në fund të melodramës me ferexhe,
Haleluja!
Në bankën e lubive
depozitova lulesat e bisqeve,
dhe nje natë me hënë dënesëse.
Mora kredi dhjetë mijë lotë
për të ndërtuar hidrocentralin e dhembjes,
kamata është e lartë
një ditë do t’ua kthej të gjitha
ato që fitova duke humbur.
SHI NË ËNDËRR
Borima e parë e janarit
kishte mbuluar pullazet
e kolazhit Vicianum
afër pragut të shpirtit
lumi i tharë po ciklohej
eklogat e platinit duatrokisnin,
për pranverën e hershme të entitetit.
Nuk e shikoja
sytë më lëbyreshin,
vetëm e ndjeja
si parfumosej brendësia,
larg sallonit të zbukurimit.
Gurgullimat e rubinetës së vajzërisë,
dashuria e parë rinore
ruhen në muzeun e vjeshtës
të populluar me gjethe të freskëta,
me kalimin e viteve
një nga një po zverdhen,
si kalendari kur e kryen mandatin,
të gjithë sa jemi, me kujtime
historia na ka birësuar.
Apostrof i stolisur me kokos rubini,
intermexo qetësues i shpirtit
jeton bashkë me lëkurën time
gjakim symbyllur pasioni,
e ndrite shpresën time
për të katërtën herë.
Kam veshur petkun e Tatjanës,
me detaje të theksuara
kur ti ecën, marr pluhurin nga toka,
fytyrën e grimoj
për t’i përtharë aknet e mallit,
shi bie në Gang
edhe në ëndrrën time.
NE DHE PËRRALLAT
Tridhjetë e gjashtë herë e pashë hënën e plotë
imazhin e autoportretit tim dhe galaksitë e mavijosura,
sandekët e verërave u nisën në eksod
për në festivalin e bukurosheve të fjetura,
një gjë e di,
u lodha nga kërkimet fantastiko- shkencore.
Më quajtën nimfë nga Olimpi
përkundër karficës së hirtë që më dergjej në flokë
dhe luleve të imëta në fustanin tim imagjinar,
këpucët e Të Perhiturës janë mikroskopike
nuk më shkojnë, e di
se unë hapat dhe mendjen i kam me dimensione enorme,
prandaj
edhepse e njoh taketuken e realitetit
kam nevojë të ndjej hirin e përrallave me princër te fildishtë.
Për të tretën herë
kam nevojë, ah sa shumë
të lëkundem mistereve me drita të përrallave
që të kuptoj këto fabula që në mënyrë rutinore i jetoj
rolet u ndërruan
nuk dallohen më personazhet e fabulave e të përrallave
Vëllezërit Grim grinden mes vete,
për ndarjen e vilës shumëkatëshe të adhurimit,
Ezopi në heshtje lumturohet
për kurorën e dafinës që i është atribuar.
I dua përrallat
sepse në to jemi ne,
heorina subtile të përjetimeve yllësore,
secila nga ne është Borëbardhë
ndaj helmin mbajeni larg, sa më larg, në paskajësi
lejoni që horizontet t’i mbërthej me refleksin e aurës,
unë jam e Përhitura
nëpër këndet e vdekura të kësaj epoke të nemur
asnjëherë nuk kaluan vijat paralele të kordave të shpirtit tim,
ma ktheni përrallën time
dhe princin e sedeftë
ju njerka të urryera të këtij planeti grotesk,
ma ktheni përrallën time!