Shprehje frymëzuese nga nobelistja Nadine Gordimer
- Asnjë fakt që shkruaj apo them nuk do të jetë aq i vërtetë sa trillimi.
- Të shkruash është të kuptosh jetën. Njeriu punon gjithë jetën me shpresën se mund të ketë kuptuar një pjesë të vogël.
- Kam dështuar në shumë gjëra, por kurrë nukjamfrikësuar.
- Jam flaka e një qiriu që lëkundet nga rrymat e ajrit që s’mund të shihen.
- Të gjithë përfundojnë një ditë vetëm dhe në kërkim të vetes.
- Është më e thjeshtë për ish-padronët të lënë mënjanë maskat që fshehin humanitetin e tyre sesa për ish-skllevërit të njohin fytyrën poshtë maskave. Apo të besojnë se ata nuk po mbajnë një maskë të re.
- Njerëzit i dhurojnë njërit-tjetrit gjëra që s’mund të mbështillen me ambalazh dhuratash.
- Censura nuk mbaron kurrë për atë që e ka përjetuar. Është një shenjë në imagjinatë që e ndikon gjithnjë individin që e ka vuajtur, përgjithmonë.
- Nuk mund ta ndryshosh një regjim bazuar në dhembshuri. Duhet të jetë diçka më e fortë se aq.
- Faktet janë gjithnjë më të pakta se ajo që ka ndodhur në të vërtetë.
Nadine Gordimer, fituesja e çmimit të parë “Nobel” për letërsinë në Afrikën e Jugut
Në moshën 90-vjeçare u nda nga jeta nobelistja me famë botërore, Nadine Gordimer, e cilësuar si një kolose e letërsisë dhe aktivizmit të Afrikës së Jugut
Shkrimtarja
Nadine Gordimer, e cila fitoi çmimin e parë “Nobel” në letërsi, shkroi kronikën e përditshme të ngjarjeve çnjerëzore të regjimit racist, nga mjerimi dhe izolimi i personave me ngjyrë, te mizoritë që personat e zakonshëm kryen mbi ta.
Në 15 romanë dhe tregime të shkruara gjatë shtatë dekadave, Gordimer përshkroi saktësisht fshatrat ku personat me ngjyrë u mbyllën gjatë sundimit të minoritetit të bardhë. Librat e saj shpesh përqendrohen në tensionet që qeverisja e aparteidit krijoi mes partnerëve, fqinjëve, punonjësve dhe sipërmarrësve.
Si rezultat, qeveria e aparteidit të Afrikës së Jugut – që institucionalizoi diskriminimin racial në valët e legjislacionit regresiv duke filluar nga viti 1948, i ndaloi Nadine Gordimer tre nga librat që botoi.
Një firmë ligjore që përfaqëson vajzën dhe djalin e shkrimtares, deklaroi se 90-vjeçarja, fituese e çmimit “Nobel”, u nda qetësisht nga jeta të dielën, në shtëpinë e saj në Johanesburg. Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC) që drejton Afrikën e Jugut, ku Gordimer ishte anëtare, e vlerësoi atë si një shkrimtare dhe aktiviste të shquar. “Vendi ynë ka humbur një kolose të letërsisë, puna e së cilës ishte pasqyra jonë”, u shpreh një zëdhënës i ANC-së.
Profili i shkrimtares Nadine Gordimer
Gordimer mori çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 1991, që përkoi me një moment të shpresës dhe dhunës së madhe në Afrikën e Jugut. Nelson Mandela ishte liruar nga burgu, por lindja e Afrikës së lirë të Jugut ishte akoma larg.
Pasi Mandela u zgjodh presidenti i parë i Afrikës së Jugut me votë të lirë në vitin 1994, Gordimer e zgjeroi vëmendjen e saj në padrejtësitë jashtë vendit. Ajo dha kontribut në artikuj opinionesh për gazeta lokale dhe ndërkombëtare për të dënuar kërcënimin ndaj fjalës së lirë në shtete si Kina dhe Bangladeshi.
“Fjalët e shkruara e kanë ende fuqinë e mrekullueshme për të nxjerrë më të mirën dhe më të keqen nga natyra njerëzore”, i shkroi ajo Salman Rushdies, pasi lideri fetar, Ruhollah Khomeini, kërkoi vrasjen e shkrimtarit. “Ne kemi për detyrë t’i trajtojmë fjalët ashtu siç trajtojmë energjinë bërthamore apo inxhinierinë gjenetike, me kurajë, kujdes, vizion dhe saktësi.”
Si të donte ta jepte këtë shembull, Nadine Gordimer u bë një kritike e ashpër e Kongresit Kombëtar Afrikan kur ky erdhi në pushtet. Ajo e akuzoi qeverisjen e këtij të fundit për paaftësi në përballimin e krizës së AIDS-it në Afrikën e Jugut dhe për censurë të fjalës së lirë, duke qenë se nxjerrja e sekreteve shtetërore mund t’i fuste reporterët në burg.
“Rikthimi i censurës është i pamendueshëm kur analizon sesa njerëz kanë vuajtur për të hequr qafe censurën në të gjitha format”, tha Gordimer për një gazetë afrikanojugore muajin e shkuar. “Çfarë po presim? Duhet ta shohim! Ta luftojmë!”
“Shumë vite më vonë e kuptova se nëse do të kisha qenë një fëmijë me ngjyrë, mund të mos isha bërë një shkrimtare, pasi biblioteka nuk ishte e hapur për fëmijët me ngjyrë”, tha Gordimer në fjalimin e saj të pranimit të çmimit “Nobel” në vitin 1991.
Gordimer e botoi romanin e saj të parë në vitin 1953. Reputacionin ndërkombëtar ia fali libri “Konservatori”, i cili fitoi çmimin “Man Booker” në vitin 1974. “Është një kryevepër”, shkroi Chinua Achebe, shkrimtari i njohur nigerian.
Nadine Gordimer pati një marrëdhënie të vazhdueshme me shkrimtarin e dytë afrikanojugor që mori çmimin “Nobel” në letërsi, J. M. Coetzee.
Ajo besonte se përshkrimi i ndikimit të aparteidit në jetën private ishte më i rëndësishëm se aktivizmi politik dhe këmbënguli gjithnjë se nuk ishte e ndonjë partie politike, por kishte vetëm bindje morale.
“Nuk kam fe, nuk njoh dogma politike”, i tha ajo një intervistuesi në vitin 1965. “Kam qindra dyshime mbi gjithçka, por bindjen e plotë se ngjyra e lëkurës nuk i kufizon askujt të drejtat e barabarta.”
I.D.