Në Tiranë, Prishtinë dhe në të gjitha qytetet e tjera shqiptare bëhen shumë ndërtime, me arkitekturë të spikatur moderne, po dhe pa kurrfarë rregullsie, ashtu si në male e lugina lartohen vila të hijshme e të pahijshme, ndërsa nuk na hiqen nga mendja kullat e vjetra të Rrafshit të Dukagjinit (rreth 700 të tilla), kullat e Malësisë së Gjakovës, Lumës, Dibrës, Këlmendit, Dukagjinit, Mirditës, Matit, Kurbinit, Kurveleshit etj., secila më monumentale se tjetra, që tashmë janë rrënuar. Si është e mundur që i humbëm kullat masivisht, pa më të voglin merak për to? Perandoria e gurit, krahas qytezave antike, kështjellave, urave, kishave të moçme, e ka fytyrëzuar veten të gdhendja e qosheve dhe portave të kullave, jo më pak se te guri i mullirit me të cilin bluhej buka e përdishme. Kulla ka qenë e luftës dhe e paqes, e pushkës dhe lahutës, e dashurisë, po dhe e ngujimit. Realiteti historik i saj ka qenë unik për nga mbijetesa dhe duhet kuptuar si i tillë e as përçmuar, as rapsodizuar. Nuk mund të kishte epos, kanun, kuvend, rend, pleqësi dhe aristokraci të maleve, kushtrime çlirimtare të malësorëve pa kullën. Kulla ishte selia e vetëqeverisjes dhe e prijes. Vetëm në një kullë malësie mund të shqiptohej formula hamletiane “hall me rrue e gjyq me vdek”. Kulla ishte e vetmja fortesë që nuk ra dhe kur ranë kalatë e qyteteve dhe kultura e orientit gjeti terren për t’u zhvilluar, duke e stërfarë jo pak traditën autentike shqiptare dhe ndërruar besimin.
Shqiptari ka qenë artist në shpirt dhe kur ka jetuar në maje të malit. Nuk kishin rëndësi katet e kullës, dy, tre apo katër, por pesha e fjalës që maturohej aty. Mjafton të shohësh se si ai e gdhendte gurin apo drurin. Edhe bariu që mund të mos kishte rënë kurrë në qytet ishte artist i lindur, këndonte këngë akapelo (pa shoqërim muzikor), gdhendte furka, blixha e boshte për të tjerrur perin dhe i shiste ato vegla dekorative në pazarin e Milotit apo të Prizrenit. Në shumë shtëpi mjeshtrit kishin atelienë e tyre të punimit të çiftelive, djepave, arkave të teshave, rafteve etj. Enët e dheut, të formave dhe madhësive të ndryshme, tullat dhe tjegullat gjithashtu i shkrolonte gjithë ojna para se t’i shtinte në furrë. Gratë nuk e piqnin bukën pa e “qendisur” përsipër me lule dhe forma të tjera dekoruese. Gjer kryqet e varreve ishin plot me stilizime fytyrash, shqiponjash dhe simbolesh pagane, ilire e arbnore. Qytetërimi i ka lënë prapa forma të tilla të artit klasik aplikativ, dhe pse ndërtuesit e bujtinave alpine përpiqen ta përfshijnë kullën në ngrehinat e tyre turistike, si Përparim Laçi në “kullën” e tij në kodrat e gjelbërta të qytetit të Pukës, ku pisha është mbretëresha e bjeshkës, aq e pasur nga natyra dhe aq e varfëruar nga njeriu i pamëshirshëm i tranzicionit.
Kulla ka patur spektaklin dhe teatralitetin e vet. Mund ta harronte mikun, të ftuarin e të paftuarin çdo protokoll shtetëror, por jo kënga e dasmës që rendiste “desharët”, ata që venin me dash përdore në dasma, apo çonin dhurata të tjera, por sidomos i pagabueshëm ishte vaji i grave, kryekrejet atyre mirditore, i përpiktë dhe në rreshtimin e njerëzve sipas afërsisë së tyre me të vdekurin po dhe gradës shoqërore. Padyshim kulmi i ritualit mortor ishte rasti kur i vdekuri (bëhet fjalë për burra në zë të rënë nga pushka) vendosej në karrige si i gjallë. Buzmi bujar ishte një tjetër shfaqje e mahnitshme e botës malësore lidhur me pjellorinë e tokës dhe të bagëtive. Kjo ishte kulla shqiptare, në fillim një ngrehinë prej druri, e qysh nga shekulli XVII, ndokund dhe më parë, prej guri. Thënë ndryshe kulla nuk ishte thjeshtë prej muresh, frenxhish dhe gjamësh, por prej një shpirti të pasur artistik, që më parë se këngët e vajit kishte krijuar ninullat e djepit. Ndaj kur themi sot se po bien kullat, pikësëpari është fjala për bjerrjen e këtij visari shpirtëror kulturor autentik. Kulla ka folur shqip dhe është një alfabet i gurtë i kujtesës që na bën nder sot e gjithmonë.
E vërteta është që kullat nuk kanë rënë sot, por gjysmë shekulli më parë, me vitin 1967, kur dhe ato filluan të shiheshin si relike të së kaluarës. A nuk ishin thënë aty uratë e shqiptuar lutje? A nuk ishin mbajtur aty kuvende të odave? A nuk kishin ligjëruar aty kapidanë e bajraktarë? E, pra, si mund të ishin ato prapë shtëpi të kohës së Partisë? Shtëpi të kohës “socialiste” ishin shtëpitë e thjeshta katrore model elbasançe, të gjitha uniforme. Këto ishin tashmë shtëpitë popullore të kohës së partisë. Të tilla ndëtoi qeveria dhe kur ranë tërmete. Nuk mund të ndërtonte më malësori kulla dy e tre katshe, pasi për regjimin ato ishin shfaqje të së kaluarës patriarkale. Kishte rënë e vetmja arkitekturë e gurit dhe e skalitjes nëpër shtëpia, përpos rrudhjes së funksioneve të banesës. Por kjo tashmë është një çeshtje që u përket studimeve, problemi sot është tjetër. Natyrisht që nuk mund të ruhen e të kthehen në identitet të gjitha kullat, pasi janë qindra dhe jo të gjitha e kanë kaluar cakun e të qenit thjeshtë banesë e zakonshme. Por janë ca kulla monumentale që kurrësesi nuk duhej të kishim lejuar të shuheshin si të mos kishin qenë. Dy-tre muaj më parë specialistët e degës së monumenteve të kulturës Lezhë u fokusuan të kryekulla e Trojës në Përlat, monument i kategorisë së parë qysh prej vitit 1973, një kryevepër e llojit. Në strukturat e saj murore ata veçojnë portikun madhështor, në harmoni me gjithë elementët e tjerë arkitektonikë, si harku ose qemeri monolit me motive dekorative, punuar në mënyrë të rafinuar në formë të dhëmbëzuar; gjithashtu në anën e majtë të kësaj porte spikasin dy basorelieve me motive pagane dhe ilire, që paraqesin diellin e stilizuar dhe gjarpërin, ndërsa në anën e djathtë vërehen konturet e një kali me shalë. Një monument jo i zakonshëm, që na fajson të gjithëve ngapak, edhe pse kambanat për të kanë rënë para më shumë se dhjetë vitesh në shtyp, në gazetën “Shekulli” etj. Të parët tanë i ndërtuan me mjeshtri të lartë kullat e tyre princërore, ne pasardhësit e tyre nuk i mbajmë dot as në këmbë. Ky është më të vërtetë një alarm i madh! Për institucionet shtetërore, për shoqatat e fondacionet e ndryshme që merren me trashëgiminë kulturore. Si do t’ua provojmë brezave që vijnë se kemi patur një kulturë materiale dhe shpirtërore të shënuar? Se kemi qenë jo vetëm poetë të folkut, por dhe artistë të gurit e drurit. Apo, ku do t’i çojmë turistët për të parë të kaluarën tonë? Në gërmadha…
Në këtë zgrip ku kanë rënë, a mund t’i kthejë shteti në identitet të gjitha kullat monumentale të rrënuara këto njëzet e pesë vite, kur nuk po iu del përzot sa duhet as kalave dhe rrënojave të qytezave ilire? Asesi jo! Por ka disa mënyra ndërhyrjeje, nga disa aktorë. I pari është vetë i zoti i kullës, ai që ia di vlerën më shumë se askush asaj. Në Spaç është një 70-vjeçar që e mban gjallë kullën e tij dyshekullore, pasardhësi i kreut tradicional të bajrakut, Zef Ndoci, ndër të rrallët burra zakoni e njëherësh intelektualë të kohës, që priste në shtëpinë e tij Baron Nopçën, por shkonte dhe në Vjenë kur ia donte puna e prijes. Edhe në Selitë kullën e njohur monument të Gjikolajve e kanë restauruar familjarët. Pas dyzet bujtinave të vëna në funksionim vitet e shkuara në Theth, Valbonë e Pukë, me mbështetjen e GIZ, Ministrisë së Kulturës etj., ka filluar të ketë dhe nisma të tjera në kuadrin e zhvillimit të ekoturizmit. Pak ditë më parë në Rubik, nën kujdesin e bashkisë Mirditë, falë politikave të zhvillimit rajonal të Qarkut të Lezhës, u bë një takim përmbyllës i restaurimit të tri bujtinave për mikpritjen e turistëve, hap konkret për lëvrimin e turizmit malor. Ishte një projekt i menaxhuar nga Instituti i Kërkimeve Urbane, me mbështetjen e agjensisë austriake për zhvillim etj. Restaurimi i bujtinave, harta turistike e zonës, sinjalistika, guida turistike shqip dhe anglisht, trajnimi i banorëve, një dokumentar televiziv dhe koncerti i ansamblit “Mirdita” ishte e gjitha. Ky është një lajm i mirë, që nga zgjedhja e fjalës shqipe bujtinë dhe jo si në disa raste të tjera në veri kur gabimisht është përdorur fjala “han”. Projekte të ngjashme rivitalizimi të kullave të vjetra janë financuar dhe nga shoqata austriake e drejtuar nga Marianne Graf në Shul-Batër të Matit etj.
Po në fshatrat e largët ku njerëzit kanë ikur të gjithë, si do t’i bëhet? Gjithmonë ka zgjidhje, diçka mund bëhet dhe në këto raste. Mund të ketë kujdestari të degëve të monumenteve të kulturës, rrjet vullnetarësh punonjësish të kulturës, operatorësh turistikë etj. Mjafton të kuptohet se nesër është tepër vonë.