Detroit-i, kryeqendra e industrisë automobilistike të botës, ku jeton komuniteti më i fuqishëm shqiptar në Amerikë, priti Ditët e Letërsisë Shqipe,- Michigan 2015.
Reportazh nga Raimonda MOISIU
Detroit, qyteti i shtetit të Michigan ka histori të pasur dhe të larmishme 300 vjeçare. Ai njihet si Kryeqendra e Industrisë Automobilistike të Botës, që ka luajtur rolin jetik në revolucionin industrial të prodhimit të makinave Ford, Chrysler dhe General Motor. Detroit njihet po aq mirë edhe si vendi me histori komplekse në industrinë muzikore. Aty u themelua shoqëria e parë muzikore, Tamla Motoën, në vitin 1959 -të nga Berry Gordy, i rëndësishëm në popullarizimin e muzikës së shpirtit, nga ku kanë dalë artistë të mëdhenj me famë botërore si Stevie Wonder dhe Marvin Gaye apo grupi femëror, Supremes. Në Detroit-in historik, jeton edhe komuniteti më i fuqishëm shqiptar i Amerikës. Shqiptarët e parë ishin me origjinë nga jugu i Shqipërisë të cilët kishin emigruar fillimisht në New York dhe New England, por që nga viti 1910-të u zhvendosën grupe-grupe në lindje e veriperëndim të Detroit-it dhe Grosse Point-it. Komuniteti Shqiptar në Detroit është një faktor i rëndësishëm në prezantimin e identitetit kombëtar shqiptar mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të tjera në USA. Ditët e Letërsisë Shqipe Michigan, 2015, organizuar nga Revista Kuvendi, nën kujdesin e veçantë të botuesit të saj, shkrimtari e publicisti Pjetër Jaku dhe stafi botues i revistës, ndriçojnë kulturën kombëtare Shqiptare në Amerikë. Meritë të vecantë zë organizimi i këtij eventi, organizim që konkuron vlera të mirëfillta letraro-artistike, që për 14 vjet rradhazi është bërë simbol epoke duke prekur njerëzoren, dinjitetin dhe mundësi të barabarta me diversitetin e pasur kulturor dhe multikulturor, ku të gjithë faktorët natyrorë, njerëzorë dhe fizikë bashkëpunojnë dhe bashkëbisedojnë për të ndërtuar urat dhe realizuar mundësitë. Në unitet mendimi e veprimi, krijuesit “shëtisin” lirisht për tre ditë e tre net, në krijimtarinë e njëri-tjetrit, dhe kanë fatin për të ndarë bashkë eksperiencat dhe një pjesë të shpirtit të tyre krijues. Poetët dhe Shkrimtarët pjesëmarrës shprehin dhe debatojnë, idetë dhe mendimet, ata eksplorojnë dhe ndikojnë në rivlerësimin e vlerave letrare dhe artistike, jo vetëm me punën dhe kontributin e tyre krijues, qytetar e intelektual, por edhe nënkuptojnë të vërtetën e madhe se brenda forcës së krahëve e duarve, mendjes e dijes, ata tregojnë e përjetësojnë historinë, identitetin kulturor shqiptar, vlerat kombëtare e historike në Amerikë, njësoj si shkrimtarët pararendës të gjeneratës sonë dhe perspektivën e trashëgimisë drejt gjeneratës së ardhshme. Duke marrë në konsideratë këtë veçori të tyre në fushën e letrave, poetët dhe krijuesit shqiptaro-amerikanë janë tashmë të njohur jo vetëm këtu në Amerikën e largët, por nëpërmjet Periodikes Kuvendi, ata tashmë njihen matanë oqeanit, në tërësinë e trevave të Shqipërisë etnike, në Kosovë dhe në Ballkan. Të jesh poet, krijues, prozator, dhe pasionant i letërsisë, do të thotë të pasqyrosh një pjesë të padukshme të identitetit, në rastin që dëshiroj të shpreh, në këtë shkrim, -Traditën e Ditëve të Letërsisë Shqipe Michigan ose e thënë ndryshe Festa Letrare e Shqiptarisë Amerikane, e cila për gati një dekadë e gjysmë prezantohet me vizionin, pozitën dhe historinë e saj, e bukur dhe unike. Na ndodh që evenimente apo aktivitete të tilla të larmishme të na lënë mbresa të veçanta dhe përjetime të këndshme, që shërbejnë si një kumt për të shpalosur idetë, njerëzit që përpiqen me mënyra të ndryshme për të ndryshuar realitete në rrafshin personal por edhe botën që na rrethon. Sigurisht bëhet fjalë për realitet brenda librave dhe detyrimin që gjithsecili nga ne ka ndaj lexuesit. Në një vështrim të përgjithshëm evidenton personalitetin e shkrimtarit, apo të poetit, ku gjejnë vend e hapësirë personazhet, jeta jonë e përditshme, sfida dhe absurdi i jetës, dashuria dhe paradokset sociale, pra bashkëjetesa e udhëtimit të lumtur e të trishtë të jetës. Një organizim i admirueshëm, profesional e mbresëlënës me përkushtimin e vetë botuesit të Revistës Kuvendi, shkrimtarit dhe publicistit Pjetër Jaku, bashkëshortes së tij, poetja e talentuar Elinda Marku, në bashkëpunim me stafin e revistës, dhe komunitetin e shkrimtarëve, poetëve, artistëve dhe përkrahësve të tyre, që jetojnë, punojnë e krijojnë në shtetin e Michigan-it dhe rrethinat. Pavarësisht mundësive që ofron Amerika, ata përballen me vështirësitë që hasen në emigracion dhe kontributi i tyre është më tepër angazhim vullnetar ekstra prej punës e obligimeve të ndryshme familjare e ekonomike. Organizim që kërkoi sfida ndaj syleshëve skeptikë dhe sakrifica si nga ana morale, fizike e financiare, sepse vetë kushtet, koha, përkushtimi fizik e financiar janë të parat vështirësi që organizatorët hasin për evente të tilla letraro-artistike, por shpirti krijues, detyrimi moral dhe misioni i tyre fisnik, i thërret që të përcjellin të gjithë së bashku denjësisht zërin e atyre shkrimtarëve, poetëve, publicistëve e krijuesve, të cilët janë heronjtë e gjenezës shqipe, me penë e mëndje të shëndoshë.
Nata e Parë e manifestimit letrar-, metafora e një nate të bukur “romantike”
Mbas një ditë intensive dhe të lodhshme me pritjen në aeroport të kolegëve shkrimtarë, poetë e artistë, të cilët vinin nga shtetet e tjera të Amerikës, në mbrëmjen e 13 nëntorit, pikërisht në ambientet e Kafe “Kuvendi”, qendër mjaft e pasur me trashëgimi kulturore, historike, arsimore dhe me bibliotekën modeste të Revistës Kuvendi e pasuruar me libra të autorëve shqiptarë e të huaj, pikërisht aty në qendrën e artit, dijes dhe traditës shqiptare, u mblodhën shkrimtarë, poetë, publicistë, gazetarë, intelektualë, këngëtarë, aktorë, skenaristë, dashamirës dhe adhurues të artit e kulturës shqiptare nga të gjitha trevat e komunitetit shqiptar në Amerikë, nga Shqipëria e Kosova, Gjithashtu, ishin ftuar mendimtarë e intelektualë dhe aktivistë të çështjes kombëtare, studiues të spikatur në fusha të ndryshme të jetës social-politike dhe ekonomike të komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit, Çikago dhe shtete të tjera, media e shkruar e vizive, respektivisht AC TV, gazetarë dhe reporterë të shtypit të pavarur, dhe të Revistës Kuvendi. Megjithëse, nata e parë u ballafaqua me një incident jo të këndshëm, me tendencën për ta errësuar këtë festë të letërsisë, “një dorë e panjohur” hoqi dritat, incident, i cili u kalua me shumë sportivitet nga organizatorët dhe autorët pjesëmarrës, duke e quajtur natën e parë “ romantike”. Në fjalën e tij të hapjes nën dritën e qirinjve, shkrimtari dhe publicist Pjetër Jaku, i cili ishte edhe mikpritësi i natës së parë në ambientet e Kafe “Kuvendi”, pasi iu uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve, ai deklamoi hapjen e këtij manifestimi letrar, fillimisht shprehu ndjesën për tentativën e prishjes së manifestimit, -sikundër e vlerësoi ai.
“E filluam ndryshe nga çdo vit ashtu si dikur në Lezhë në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti, i improvizonim mbrëmjet letrare bash si sot më 13 Nëntor këtu në Kafe Kuvendi. Vinim ca qirinj të gjatë, të cilët na ndriçonin vetëm fytyrën dhe recitonim pranë tyre, duke na e bërë këtë mbrëmje më të fiksuar në memorien e secilit prej të pranishmëve. Poezisë dhe letërsisë në përgjithësi nuk i duhet dritë fizike, por rrezatimi i brendshëm frymëzues, ajo ndriçon në frymën dhe shpirtin e poetëve, ajo ndrit në frymën universale të shpirtit. Por që në fakt vetëm se ndërruan simbolikën e fillimit të festimeve me një natë romantike, nën dritën e qirinjve që Poeti Kombëtar Naim Frashëri i konsideron shkrimtarët “qirinjtë që shkrihen për kombin”. Letërsinë nuk e pengojnë njerëzit e territ! -do të përfundonte fjalën e tij, poeti Pjetër Jaku. Ndërsa shkrimtari i vlerësuar mes shkrimtarëve modernë e bashkëkohorë nga kritika e kohës, Ramiz Gjini do të shprehej: “Do më ngelen në mendje këto momentet e fillimit këtu te Kafe Kuvendi”, kur u fikën dritat dhe u ndezën qirinjtë mbi tavolina. Çfarë romantizmi! Çfarë shenjtërie! Ato çaste jo vetëm ne të ftuarit që gjendemi këtu , por edhe sendet për rreth sikur po marrin shpirt. Fytyrat janë më paqësore, më të ëmbla e njerëzore. Mbi librat sikur po derdhet një bekim, dhe shenjtërohen. Edhe bisedat po ngjajnë më intime a thua se jemi vëllezër të një nëne!” Poeti dhe veprimtari i njohur edhe për tekstet me shumë vlera në letërsi Gjovalin Lumaj, elegant dhe elokuent në varësi të rrethanave fizike e shpirtërore, i frymëzuar poetikisht ndaj këtij momenti spontan romantik, hodhi disa vargje meditative, mes ironisë e sarkazmës, të fragmentizuara me sqimë intelektuale, me forcën e dhimbjes e të dashurisë njerëzore, duke treguar se sa i bukur, i ndjeshëm dhe i madh është shpirti poetik: “ Qirinj. Poetë dhe shkrimtarë,/Gjithmonë të pandarë,/në luftë me errësirën qindravjeçare,/në shekujt e mundimeve shqiptare,/për të mposhtur errësirën e ditëve dhe netëve,/u dogj shtati i qirinjve, dhe shpirti i shkrimtarëve dhe poetëve,/ndaj i pashë vezullimet e përbashkëta në këtë natë-ditë,/respekt nderim, ju u “dogjët”,/por dhatë dritë!” Binte ndjeshëm në sy pjesëmarrja e poetit profilik, i talentuar, modest dhe babaxhan, Nexhip Ejupi, pena poetike e të cilit karakterizohet nga pavarësia e përgjithshme e mendimit filozofik dhe e shpirtit artistik, dhe një jetë e jetuar në harmoni me natyrën, beson në të vërtetën e jetës dhe dashurisë brenda çdo individi, dhe universit shpirtëror. Në natën e parë të manifestit letrar poeti Nexhip Ejupi ndau aspiratat, eksperiencat dhe përvojat jetësore, se si arrin ai t’i shprehë e rradhisë ato në mijra-mijra vargje, vetëm me punë, mendje të shëndetshme dhe përkushtim krijues. Poezia e Nexhip Ejupit, është epitoma, mishërimi i bukurisë shpirtërore dhe emocionit lirik, që e kanë bërë atë tashmë një emër të admirueshëm e të njohur në letrat shqipe. Me zërin e mrekullueshëm, të kthjellët, brilant, talent e mjeshtëri artistike, këngëtari Fran Gjoka, ndryshonte atmosferën herë pas here, duke e bërë më të harmonishme nën dritën e qirit, veçmas kur këndoi “Shqipëri o Nëna ime”, himnin e mërgimtarëve. Artisti Fran Gjoka, me punën e tij të palodhur e të vetëdijshme është një nga zërat më të admirueshëm dhe të talentuar, artisti dhe njeriu i rëndësishëm që i rrisin nderin dhe autoritetin kulturor dhe artistik, vlerave kombëtare, muzikës shqiptare, në komunitetin shqiptar në Detroit dhe krejt Diasporën Shqiptare. Ndërhyrja me humorin e tij të thukët dhe hokatar e reporterit Paul Palushi, do të shkaktonte të qeshura, momente të këndshme e çlodhëse në sofrën letrare. Impresion të veçantë ngjalli leximi i poezive nga gratë e poetëve dhe shkrimtarëve, të cilat shoqëronin ata në këtë manifestim letrar. Vilma Tafaj Mehmeti lexoi poezi të bashkëshortit të saj, poetit Adnana Mehmeti, ndërsa Fitore Ndreu, bashkëshortja e shkrimtarit Ramiz Gjini, përvecse fragmentit nga romani i tij botuar së fundi, ajo lexoi edhe poezi të çiftit, Pjeter Jaku dhe Elinda Marku, bashkëshortja e poetit Velaj, lexoi poezi të tij nga vëllimi poetik “Vertikalisht”. Gratë e poetëve deklamuan bukurinë shpirtërore, kujtimin, mallin, dhimbjen, dashurinë, ngazëllimin dhe entuziazmin, që karakterizon penën poetike të bashkëshortëve të tyre, dhe të jesh gruaja e një poeti është sentimenti më i ndjeshëm frymëzues, sentiment që poetët e kanë të nevojshme të dalin nga realiteti dhe modestia e jetës së përditshme. Vajza e shkrimtarit dhe poetit, Petraq Janko Pali, Jolanda Pali Kesari, piktore e talentuar dhe argjendare duartartë, lexoi vargje nga krijimtaria e atit të saj, vargje të cilat ngjallën emocion e gjallëri te të pranishmit për mençurinë dhe kthjelltësinë historike, disa herë rrëfyese, nën ritmin solemn, dhe artikulimin aq mirë të nostalgjisë duke e shpalosur nëpërmjet kujtimeve, për vëndlindjen dhe mallin në një dialog të dashurisë e përjetësisë. Publicisti, studiuesi dhe veprimtar i mirënjohur i çështjes shqiptare në Waterbury, z.Prend Qetta, lexoi një poezi të krijuar në çast, ndonëse në distancë të largët e të afërt meditative historike dhe elegjike, i adresohej brezave për mos harresën e atyre që bënë historinë, peshës së historisë e cila mbetet për dje, sot dhe nesër. Ndërsa poeti lirik i dashurisë, Gazmend Kishta lexoi një poezi lirike. Poeti Kishta guxon të drejtojë vetveten drejt tejdukshmërisë të një frymëzuesi, dhe e pasuron atë me imagjinata:“Ajo më erdhi me flokë të lagur./Kërkonte tharjen e tyre, hutuar./Papritur flakën i ndeza përflakur./ Mes flokësh të lagur…/Përmallur, buzë e gush përkapur/Sa s’ka !/Kur iku, s’i kish më flokët e lagur,/Të lagur më la!
Për heroin lirik-poetin Kishta-, dashuria është një formë e ekzistencës së qenieve njerëzore të dy të dashuruarve, që thithin ajër nga fryma e njëri-tjetrit. Shprehja lirike e Kishtës në këtë poezi, qëndron e fortë, goditëse, delikate, duke iu referuar dominimit të ekzistencës, njerëzores, të cilën e klasifikon këtë poet lirik , i ekzaltuar dhe tejet i sinqertë në ndjenjat e tij. Poezia e Gazmend Kishtës shquhet për një lirizëm të hollë në marrëdhëniet njerëzore dhe në aleancë me natyrën. Prania poetike e poeteshës së talentuar e të mirënjohur Elinda Marku, me vargjet poetike të saj, lexuar nga shkrimtarja Qëndresa Halili, i dhanë impuls oazit të botës femërore në artin poetik, mesazhiere e lirisë së shpirtit deri në shenjtëri. Sensibiliteti dhe figuracioni poetik, i Elinda Markut, janë të dominuar nga komunikimi ndjesor, subjektit lirik dhe i natyrshëm, mall e brengë, respekti ndaj më sublimes, dashurisë njerëzore. Poetë të komunitetit shqiptar në Detroit dhe ata të ftuar do të shprehnin mendimin e tyre nëpërmjet fjalës poetike, por edhe fjalës përshëndetëse dashamirëse. Në Kafe Kuvendi, do të ushtonin vargjet e poetit kombëtar Gjergj Fishta, të cilat u recituan nga aktori amator, dirigjenti, studiuesi i folklorit dhe gazetari, Ndue Gjekaj. Më duhet të theksoj se Ndue Gjekaj ishte edhe moderatori i natës së parë të “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan, 2015”, moderim të cilin e bëri me dashamirësi dhe profesionalizëm mbresëlënës. Presidenti i SHSHSHA-ë, poeti preshevar Adnan Mehmeti shprehu vlerësimin për këtë manifestim të botës shpirtërore, artistike, letrare, intelektuale dhe krijuese, dhe do e mbyllte fjalën e tij, për natën e parë me urimin për mbarëvajtjen e festës letrare dhe falenderimin e veçantë të mikpritjes shqiptare nga çifti Jaku & Marku në kafe “Kuvendi”. Biznesmeni i mirënjohur në fushën e kulinarisë dhe një nga aktivistët më në zë dhe i kudogjendur në komunitet, z. Marash Nucullaj, i njohur edhe si një mbështetës i fuqishëm i artit e kulturës në komunitet, në fjalën e tij përshëndetëse tha se të gjithë shqiptarët të bashkuar duhet të mbështetim shpirtërisht dhe financiarisht integrimin e artit dhe kulturës shqiptare, Festën Letrare të Shqiptarisë, sepse janë poetët, shkrimtarët, artistët, gjithë bota e artit që ndihmojnë në zgjimin e ndjenjës kombëtare dhe integrimin e identiteti historik shqiptar në Amerikë. Në të njëjtën linjë me fjalën e z.Nucullaj, ishte edhe biznesmeni i njohur i komunitetit në Michigan, z. Pal Berisha, një mbështetës dhe dashamirës i mrekullueshëm i letërsisë dhe i Festës Letrare të Shqiptarisë që prej viti të parë e deri në fund. Por, ndryshe nga vitet e tjera, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë iu bashkangjit “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan, 2015-ë” ose ndryshe Festa Letrare e Shqiptarisë Amerikane jo vetëm si një detyrim moral, shpirtëror dhe krijues ndaj letrave shqipe, dashamirësve të artit e kulturës shqiptare dhe audiencës së lexuesve, por edhe për të zgjuar jetën letrare në Diasporë. SHSHSHA-ë erdhi në këtë event më e kompletuar se kurrë, jo vetëm kryesia e shoqatës, por edhe një numër i konsiderueshëm shkrimtarë, poetë, studiues dhe historianë, sikundër; Presidenti i Shoqatës, poeti dhe publicist preshevar me banim në Stamford CT, Adnan Mehmeti, ish-kryetari i SHSHSHA-ë, për dy mandate rradhazi, shkrimtari e poeti Dalan Luzaj, shkrimtari dhe poeti Mëhill Velaj, shkrimtari Ramiz Gjini, shkrimtari e poeti, Petraq J. Pali, Kryetarja e SHSHSHA-ë, shkrimtarja dhe publicistja, Raimonda Moisiu, Bardhyl Mezini, shkrimtar dhe fabulist, Prend Qetta, publicist, historian dhe studiues, etj.
Festa Letrare e Shqiptarisë amerikane – zëri i korit të muzave shqipe.
Dita e dytë e manifestimit letrar ishte konceptuar, ditë e ngjeshur me aktivitete të ndryshme; vizita në vende historike të qytetit të Detroi-t dhe bisedë në studion e AC TV, e cila është akomoduar në ambientet e Imperial House, me Drejtor i TV-it, intelektuali dhe biznesmeni Eduard Aliko. Në panelin e studios televizive biseda u zhvillua me shkrimtarët e poetët, Dalan Luzaj, Ramiz Gjini, Raimonda Moisiu, Bardhyl Mezini, Petraq Pali dhe Mëhilll Velaj. Drejtues i emisionit, gazetari Ndue Gjekaj, ishte treguar i kujdesshëm dhe me stil të veçantë profesional në përzgjedhjen e pyetjeve që u drejtonte autorëve. Biseda u përqendrua në imazhin dhe mesazhin që përcjellin “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan”, imazhin e kulturës shqiptare dhe letrave shqipe në Amerikën multinacionale, kulturë e integruar tashmë në Diasporën Amerikane, aty ku ndërthuren dhe integrohen kultura të ndryshme, përpjekjet për të përhapur, ruajtur dhe trashëguar gjuhën, traditën dhe vlerat kombëtare e historike, integritetin dhe ruajtjen e marrëdhënieve mes komunitetit letrar, të dashamirësve, adhuruesve dhe lexuesve me botën e artit e letërsisë, si diçka të rëndësishme e jetike për identitetin kombëtar. Rëndësinë që ka botimi i revistës “Kuvendi”, që mbart në vetvete magjinë e ndryshmit të shpresës për t’i mëkuar ëndrrat me art që gjithsecili krijues dëshiron të arrijë në rrugën e krijimtarisë dhe përkushtimi i prurjeve të reja në letërsinë shqiptare, ndihma konkrete shpirtërore, materiale e krijuese për vazhdimësinë e botimit të revistës në fjalë, “Kuvendi”. Sigurisht gjetjet inteligjente të moderuesit Gjekaj, dhe idetë origjinale të autorëve në panel, spikatnin ndjeshëm përafrimin e tematikës së Festës Letrare të shqiptarisë amerikane, duke qenë pranë realistes e pragmatistes, shpërfaqën jo vetëm finesën letrare të thesarit shpirtëror të krijuesve, por edhe fuqinë shprehëse dhe frymën e kritikës letrare. Krijimtaria është synimi ynë, është misioni ynë që vazhdon e do të vazhdojë. Ky takim i sotëm synon të shpalos vlerat e veprave të autorëve tanë dhe njohjen e tyre nëpërmjet bashkëbisedimit të shëndetshëm, profesional krijues dhe të drejtpërdrejtë. Më shumë rreth kësaj bisede, mund të ndiqni në programin televiziv të AC TV. Mbas drekës me ushqime tradicionale shqiptare shtruar nga cifti Jaku & Marku në ambientet e kafe “Kuvendi”, pjesëmarrësit e manifestimit letrar, shkuan të çlodheshin dhe të përgatiteshin për mbrëmjen muziko-letrare në ambientet e Kishës së Shën Palit..
Me një program të mirëpergatitur letraro-artistik, spektakolar e mbresëlënës, konceptuar në formën e një mbrëmje solemne, edhe në përzgjedhjen e temave në gjinitë e poezisë, prozës, publicistikës, kritiks letrare dhe muzikë, të cilat u referuan nga autorë, kritikë arti dhe studiuesë të profileve të ndryshëme. Eksperienca profesionale këto, për të zgjeruar njohuritë dhe ndarë e shkëmbyer përvojat jetësore, akademike, krijuese letrare ura lidhëse midis kulturës popullore dhe artit, konceptit intelektual, qytetar dhe mençurisë për të bërë grintën e fuqishme shpirtërore.
“Mirëserdhët dhe Suksese në “Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan, 2015-ë, do të deklamonte moderatorja, Albina Palushi. Me qetësi të admirueshme, rrjedhshmëri në artikulimin e fjalëve, elegancë, profesionalizëm dhe inteligjencë moderative, e diplomuara për gjuhë e letërsi shqipe, Albina Palushi e fillonte me disa të dhëna nga këndvështrimi biografik krijues, që kanë të bëjnë me jetën dhe aktivitetin e çdo referuesi, të cilët prezantonin kumtesat e tyre sipas temave që ata vetë kishin përzgjedhur. Në fjalën e tij shkrimtari dhe publicisti Pjetër Jaku, dhe organizatori kryesor i këtij eventi, përshëndeti dhe falenderoi të gjithë pjesëmarësit dhe në veçanti ata dashamirës e dashamirëse, të cilët bënë të mundur realizimin e këtij aktiviteti, të quajtur “Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan”, aktivitet që zhvillohet për 14 vjet me rradhë. “Ju uroj suksese të mëtejshme dhe kështu u mbledhshim për çdo vit,-do e përfundonte fjalën e tij Jaku, për t’iu lënë vendin kolegëve dhe dashamirëseve referuesë sipas programit. Do të merrnin fjalën presidenti i SHSHSHA-së Adnan Mehmeti i cili mes të tjerave tha: “Ky aktivitet i njerëzve të letrave zhvillohet në Detroit çdo vit, duke u kthyer tashmë në traditë, falë punës dhe përkushtimit të zotit Pjetër Jaku, që bashkarisht me një grup bashkëpunëtorësh, përcjellin mesazhin për të gjithë ata që pëlqejnë dhe përkrahin angazhimet, dhe bëhen pjesë e këtij misioni, i cili merret me kulturën në këtë vend ku punojmë dhe jetojmë. Jam i bindur se shumica prej jush, e dini dhe jeni në dijeni për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e cila ka moshë përafërsisht me Revistën Kuvendi dhe Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan. Është fjala për bashkëbisedim, dialog dhe lëvrimin e letrave shqipe. Aktivitetet tona në rrafshin gjeografik, kanë një grafi të filluar nga Nju Jorku për të vazhduar në shtetet e Nju Xhersit, Kenerike, Masachusets, Pensilvani, Virxhini, Michigan, Ilinois, Kaliforni, Florida e deri në Teksas. Synimi i kryesisë së Shoqatës është të trokas në të gjitha shtetet amerikane ku ka shkrimtarë, të cilët shkruajnë shqip. Poeti Mehmeti bëri edhe një homazh, në nderim e kujtim të publicistit Zef Lleshi, i ndarë para disa viteve nga jeta: “ Ndërsa sot, sytë e mi kot e kërkojnë mikun tim të dashur, Zef Lleshin, njeriun bujar dhe të palodhur, i cili na vëzhgon nga lart, nga parajsa, aty ku e ka zgjedhur vendin përjetësisht”.Gjithashtu ish/ kryetari i SHSHSHA-ë për dy mandate rradhazi, shkrimtari e poeti Dalan Luzaj, mes fjalëve përgëzuese dhe vlerësuese në veçanti për Botuesin e Revistës “Kuvendi”, Pjetër Jaku dhe stafin botues të saj, u shpreh se është më e veçantë ngase, kemi bashkë vlerat dhe të arriturat letrare, kemi bashkuar edhe shpatullat e ndrydhura të atdheut tonë të copëtuar padrejtësisht vite me radhë. Vlerësoj këtë sofër letrare, që zgjon muzën e kuvendimit dhe oratorisë në tryezën e bashkëbisedimit dhe sot këtu dëgjohet zëri i korit të muzave shqipe. Dhe, të vazhdojmë kështu e më mirë nesër e në vazhdim, deri në bashkimin gjithëkombëtar, intelektual, qytetar dhe krijues!-përfundoi fjalën e tij poeti Luzaj. Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, znj. Raimonda Moisiu, pasi shprehu falenderimin për mikpritjen shqiptare nga ana e organizatorëve të aktivitetit, ajo vlerësoi anëtarësinë e shoqatës, kolegët dhe koleget, që e mbështetën atë, duke ju bashkangjitur eventit “Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan, 2015-ë”. Biles ajo nuk harroi të vlerësonte edhe faktin se shoqata që ajo kryeson, përfaqësohej edhe me çmimin në publicistikë, të emërtuar “Rozi Theohari” në nderim e respekt, të shkrimtares së shquar, e cila u nda nga jeta para një viti. Zonja Moisiu, e cila ka qenë disa herë në eventin “Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan”, e vlerësoi këtë manifestim letrar jo vetëm është historik e kombëtar, shkëmbim eksperience mes krijuesve në Diasporë, veçmas ajo e vlerësoi për rolin edhe kontributin e këtij manifestimi, duke e quajtur; kronikë të gjallë të letrave shqipe në ekzil, dhe në të dyja kahjet e Atlantikut, rolin e bashkëbisedimit atdhetar, të shpalimit të pasioneve, dashurive njerëzore, të atdhedashurisë e patriotizmit, të vlerave kombëtare, të shtegtimeve magjike nëpër të fshehtat e muzës dhe të opusit krijues, të jetës midis vargjeve e vatrave të kulturës, e mbi të gjitha, të integrimit të gjuhës, traditës dhe identitetit shqiptar në tokë të huaj” .
Këngët e kënduara nën interpretimin e këngëtarit të mirënjohur dhe të talentuar Shkëlqim Vojkollari, i dhanë freski e atmosferë artistike, shpërfaqën finesën muzikore të thesarit shpirtëror të gurrës popullore nga të gjitha trevat shqiptare, duke ngjallur emocione dhe mbresa të jashtëzakonshme për audiencën. Më pas e mori fjalën poetja dhe kryeredaktorja e Revistës Kuvendi, Elinda Marku, e cila i prezantoi publikut romanin e titulluar “Pëllumbat e rrugës”, botuar rishtas, i shkrimtarit bashkëkohor e modern, Ramiz Gjini. Znj. Marku, pasi shprehu këndvështrimin e saj dhe të kritikës së kohës rreth romanit në fjalë por edhe të krijimtarisë së autorit në tërësi, ajo lexoi fragmente nga libri. Duke i dhënë hapësirën e duhur u bë promovimi i veprës e krijimtarisë së Ramis Gjinit, në këtë eveniment. Është një libër tërheqës e me natyrë njohëse groteske për lexuesin, copëza dashurie, tolerance, humanizëm, diturie për vlerat njerëzore dhe natyrën e bukur. Libër me një ndjeshmëri të veçantë. Një nga vlerat kryesore është këndvështrimi dhe larmia e farsave sociale ndërthurja e tyre dhe shmangia e njëtrajtshmërisë, mirësisë dhe ç’ka përmbledh jeta e përditshme. Autori zhbiron mjeshtërisht anën psikologjike të personazheve, botën e brendshme dhe me penelata të shpejta ose nëpërmjet ngjarjeve të vëna në rrjedhën e subjektit jep botën e ngushtë “të përligjur” me ideologjinë sunduese të viteve në të cilat shtrihen ngjarjet e romanit, e njerëzve dëshmitarë dhe përjetimin e realitetit e përvojës, në përputhje me ëndrrat e tyre të çuditshme.
Në fjalën referuese e kritikut të artit prof. Gëzim Basha, e vlerësoi evenimentin “Ditët e Letërsisë në Michigan, ku mes të tjerave u shpreh: “Ditët e letërsisë janë një eveniment për të celebruar sëpari traditën tonë të pasur letrare; autorët që krijuan koleksionin e brilanteve të letërsisë shqiptare duke i dhënë dinjitet idiomës, Shqipe. Duke qenë se aktiviteti mbahet në ambientet e një Kishe Katolike, është momenti të përkujtojmë ata klerikë katolikë, që hyjnë në listën e shkurtër të lëvruesve më të shquar të Shqipes, veçanërisht Mjedën dhe Fishtën. Ndjeshmëria e tyre gjuhësore mahnitëse, dhe vargu virtuoz mbeten një provë monumentale e aftësive shprehëse të gjuhës Shqipe. Po ashtu të celebrojmë letërsinë e diasporës sepse historikisht, një pjesë e rëndësishme e letërsisë Shqipe është krijuar nëpër diasporat e shpërndara Shqiptare.”
Kësaj feste të bukur letraro-artistike i dhuroi emocione të dukshme e të forta audiencës, shkrimtarja Qëndresa Halili, teksa lexoi esse-në; “ Një grua universale”, dedikuar poetes Elinda Marku. E emocionuar, me fjalë shpirti, me lotë malli e gëzimi dhe artistike, autorja falenderoi dhe shprehu mirënjohjen për mikpritjen fisnike malësore, që ajo gjeti në familjen Jaku, në zëmër të Detroit-it historik. Kjo grua universale është poetja Elinda Marku, e cila dashuron jetën, vuajtjet e mija i bën të vetat, fal gjithçka nga gurgullima e shpirtit të saj dhe universit bukuror të dashurisë njerëzore, i fal në realitet e në vargëzimin poetik,-tha mes të tjerave Qëndresa.
“Sot, Je suis Paris! Çmimin e Parë në Publicistikë për Analizën më të mirë, ia dedikoj Parisit dhe Francës së të gjitha lirive, që më ka formuar, Atdheut tim të dytë! –kështu e filloi fjalën e saj, romancierja, essei-ste, publicistja dhe kineastja Klara Buda, -duke ju referuar ngjarjeve të dhimbshme, atentateve vrastare ndodhur një ditë më parë në zemër të Parisit. Më duhet të sjell në vëmendje të lexuesve se Klara Buda është një emër fort i njohur në botën shqiptare, e cila jeton dhe punon mes Parisit dhe Neë York-ut. “E ardhmja e shpëtimit të qytetërimit fillon në një akt kulture, sado i vogël qoftë ai! Ndaj, sot, të nesërmen e atentateve vrastare në Paris, fluturova prej New York-u në Detroit, të mbështes Ditët e Letërsisë Shqipe 2015-ë. Themeluesit e Revistës Kuvendi që prej modestisë së këtij periodiku, ngrihen e bëhen pjesë e “llogores” së kulturës perëndimore, dhe vënë gurin e tyre në ngrehinën e madhe të qytetërimit, të lirisë së shprehjes. Kultura mund të arrijë atë që forca e armëve nuk mund ta arrijë kurrë. Duke vlerësuar me çmimin e Parë në Publicistikë analizën time, botuar në KlaraBudaPost, ju vlerësoni lirinë e shprehjes dhe të shtypit të lirë. Nderoni një gazetari që kurrë nuk i ka bërë elozhe askujt, përveç të vërtetës, që e ka thënë mendimin e saj hapur edhe kur kjo bie ndesh me më të fuqishmit qofshin këta në botë, në Atdheun Mëmë apo në Komunitetin Shqiptar nga Europa në Amerikë, -do të përfundonte fjalën e saj znj. Buda, e cila u vlerësua edhe me çmimin e Parë në publicistikë në këtë event.
Aida Dismondy-i, e diplomuar Bachelor për gjuhën gjermane në Shqipëri dhe Masterin 2 vjeçar në SHBA-ës, e diplomuar në Jurisprudencë, ajo ka ravijëzuar profilin e saj në Diasporën shqiptare për kontributin, angazhimin shoqëror dhe atë të artit në veçanti, si poete, pikturiste, kritike letrare, publiciste, esseiste, bashkëpunëtore në shtypin shqiptaro-amerikan, përkatësisht te revista “Kuvendi”, gazeta Iliria, Dielli, Fjala e Lirë, Londër, etj. Shkrimet e saj publicistikë kanë paraqitjen e dukshme e të ndjeshme që prekin tema sociale: mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimet seksuale dhe dhuna ndaj femrave. Në dokumentarin me temë sociale shfaqur në New York para do kohësh, Aida Dismondy-i si shumë gra krijuese në mërgim, larg atdheut, rrezaton shkëlqimin e vet të brendshëm, vecmas si gazetare e temave sociale, dhe avokate e tyre. Në fjalën e sa, znj. dismondy-i vlerësoi Ditët e Letërsisë Shqipe “Michigan 2015, mesazhin që ato përcjellin, dhe si një kritike arti e letërsisë Shqipe, ajo i mëshoi faktit se duhet bërë më shumë në këtë drejtim., Urime e Suksese,-përfundoi fjalën e saj znj. Aida Dismondy-i.
Në këtë rivierë të bukur artistike, letrare-muzikore, do të thoshin fjalën e tyre poetike, Gjovalin Lumaj, si gjithmonë me perlat e tij patriotike e atdhetare, Ndue Gjekaj me poezinë; “Mall për vendlindjen”, ku fjalori i tij poetik monologonte me brengat e shpirtit të një mërgimtari; “M’ka marr malli për vendin tim/syr’gjynosur në mërgim/m’ka marr malli për shtëpi/. Vargu më i dhimbshëm ishte për nënën duke e vendosur me lulet e pranverës, mallet, fushat, valët e liqenit, aq sa është edhe malli për nënën e vendlindjen: “Me pa lulet e pranverës,/me pa nanën n’prag të derës,/me pa fushat me pa malet,/me i sodisë liqenit valët….”. Poeti e përkthyesi Ruzhdi Gurra lexoi vargjet; “Ndjesi Nëne”,
“Unë e ndjej që ti nuk ke shkuar,/Unë e ndjej që ti hapin nuk e ndal,/Unë e ndjej dritën e bekuar,Që vjen e kujdesesh përherë…..”. Me vargjet e kësaj poezie poeti Gurra përcjell mesazhin e qartë, të ndjeshëm e nga më shpirtërorët, të ekzistencës humane –sic janë nënat dhe ndjesia e nënës.
Raimonda Moisiu recitoi vargje lirike të poetit Pjetër Jaku, nga poezia e titulluar; “E shtunë”-Sot ka diell, (diell dhjetori),/Ditë e tij na jep të ngrohtë,/Shpresat e kësaj dite mori,/Shkoj e ftohta me të ftohtë!/Shkojnë ditët fluturuan,/Koha shkoi, po ne ku shkuam!?/Për së gjalli ç’u harruam! Një poezi intime lirike, fabulore, interesante, befasuese, dëshmi drithëruese plot dritë e diell, nga liria e krijimtarisë të poetit Pjetër Jaku. Klara Buda lexoi poezi të poetes Elinda Marku, poete që e gjen gjithnjë mes mëkatit të bukur poetik dhe bukurisë së marrëzisë poetike, përherë e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë në krijimtari, deri në kufijtë e naivitetit e çiltërisë; “Në asht e thanë të digjet bota,/le të digjet,/Mjafton të shpëtojë fjala,/Zjarr!/Në asht e thënë të zhduket bota,/le të zhduket,/Mjafton të shpëtojë fjala ,/Dashni! Dihet se poezia është një mënyrë dhe mjet shprehjeje komunikimi ndërnjerëzor, dhe poetja Marku monologon përmes këtij komunikimi poetik te poezia “ Fjala”. Poeti Gazmend Kishta lexoi një poezi lirike dedikuar mikut e kolegut të tij, poetit profilik Nexhip Ejupi.
“Shoku im është poet,/Shkruan poezi. /Nuk ëndërron të “kapi retë”/vec të pulsoj shpirtin e tij./Dikush mund të thotë:/”nuk di të shkruaj…”/Eh, ku di gjë ai !/Një laps, një letër dhe një grua…/S’i duhen shumë atij! Në këto vargje të poetit Kishta, lirika e dashurisë është lirika e ndjenjave universale, të bukura, lirika e emocioneve të fuqishme shpirtërore. Gazmend Kishta mendon se Poetët ekzistojnë si një jetë, konstantë, dialog të pasigurtë me shpirtin e tyre, të ndjeshëm, dashuri, të suksesshëm e gjithmonë cfaqen me botën e tyre të bukur shpirtërore. Më pas lexuan poezitë e thanë fjalën e tyre, Ragip Bacori, i palodhuri dhe i kudogjenduri Paul Palushi, etj. Mbresa të vecanta ngjalli fjala e Dom Fred Kalaj, i cili saktësoi rëndësinë e fjalës së lexuar dhe të shkruar, si dhe rëndësinë e leximeve në përgjithësi.” Të gjithë pjesëmarrësit u argëtuan me muzikë dhe vallëzim deri në orët e para të mëngjesit, nën interpretimin e këngëtarit të talentuar Shkëlqim Vojkollari dhe në organo, një nga organistët më të talentuar dhe i shumëkërkuar në komunitet, Gentian Cakorja.
Dita e diel, 15 Nëntor 2015-ë, që i binte të ishte edhe dita e tretë e manifestit letrar, vazhdoi me Panairin e Librit në ambientet e Kishës së Shën Palit. Shkrimtarë, poetë, autorë të ndryshëm, piktorja e talentuar dhe argjendarja duarartë, Jolanda Pali Kesari-paraqitën arritjet letrare, librat dhe punimet argjendare me dorë. Ky Panair i Librit kishte edhe simbolikën e vet, se zhvillohej në të njëjtën ditë me Panairin e Librit në tokën mëmë, Tiranë, Shqipëri, dhe ishte reflektimi dhe studimi që lidh pazgjidhshmërisht letrat shqipe këtej e përtej Atlantikut me historinë, kulturën, traditat, jetën e përditëshme dhe shkrirjen e tyre në art e kujtesë historike në letërsi. Bisnesmeni i njohur në industrinë kulinare dhe filantropisti z. Marash Nucullaj, sipas traditës së mikpritjes fisnike shqiptare shtroi një darkë solemne në restorantin “Johnny’Grill”, Belleville, në nderim e respekt të “Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan, 2015-ë”, shkrimtarëve, poetëve dhe dashamirësve të artit e letërsisë, organizatorëve dhe pjesëmarrësve të kësaj feste të bukur letrare. Si gjithmonë nuk mungoi edhe muzika, nën interpretimin e të talentuarit Fran Gjoka. Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan 2015-ë, evidentuan edhe njëherë vazhdimësinë e përjetësimit të traditës, kulturës gjuhës shqipe, historisë, letrave shqipe, ashtu sikundër kanë bërë në vitet e mëparshme, evidentuan zërin e shpirtit qytetar, intelektual, krijues dhe vetëdijen e cilësive shpirtërore të shkrimtarëve, poetëve, gazetarëve e publicistëve, me vizionin, pozitën dhe historinë e identitetit e kulturës shqiptaro-amerikane, dëshmuan potencialin e tyre intelektual, dijet, aftësitë krijuese, talentin e mrekullueshëm, vlerat dhe virtytet e tyre. Dhashtë zoti u takofshim edhe në vitet e ardhshme!
Në vend të epilogut!
Ditët e Letërsisë Shqipe Michigan, 2015-ë, mblodhi me krijimtarinë e tyre poetë, shkrimtarë, publicistë, gazetarë dhe analistë, të cilët konkuruan me krijimet e tyre. Mbas një pune disa mujore në leximin e veprave të paraqitura për konkurrim, juria e këtij manifesti letrar vlerësoi:
-Publicistikë –Çmimi i Parë-Klara Buda
Çmimi “Faik Konica”-Rovena Vata
Çmimi “Rozi Theohari”, -Valeria Dedej-çmim që u propozua nga kryesia e SHSHSHA-ë, në nderim të shkrimtares e publicistes së njohur, Rozi Theohari, e cila u nda nga ne para një viti.
-Poezi –Çmimi i Parë –Nexhip Ejupi
Çmimi “Gjergj Fishta”, -Enkelejda Kondi Mossaboeuf
Çmimi “Migjeni”,- Drita Ademi
Prozë -Çmimi “Petro Marko”-Petraq Janko Pali
Çmimi “Anton Pashku”, -Bardha Alimeta
Çmimi “Betim Muço”, Istref Haxhillari, -çmim që u mendua nga Këshilli Botues i Revistës Kuvendi, në nderim të poetit, prozatorit dhe përkthyesit, Betim Muço, i cili para pak kohësh u nda nga ne.
Ndërsa Revista Kuvendi do të nderonte me Çertifikata “Mirënjohje”: Iliriana Sulkuqin, Paul Palushin, Fran Gjokaj, Rush Dragun, Paul Berishaj, Marash Nucullaj dhe Klement Bardhin.
Si kryetare jurie shpreh një falenderim dhe iu them me gjithë shpirt të gjithë së bashku të vazhdojmë traditën e bukur të Ditëve të Letërsisë Shqipe në Michigan,të lidhura fort këto, me traditën e kulturën e trevave të Shqipërisë etnike, ashtu si kanë bërë gjeneratat e ndritura të pararendësve tanë, akt vlerësimi dhe të gjithë së bashku të shndërrohemi në më shumë se mesazhierë të ekzistencës humane e dashurisë njerëzore.
Shkruar nga Raimonda MOISIU
Detroit, 2015