Kur humbim gjurmet e moçme te trashegimise

-Nenshejt, kur po shuhej ultini 900 vjecar! –

Gjergj Marku

Ultini! Një pemë e magjishme, padyshim më e moçmja në Shqipëri, mbi 900 vjeçare. Kohëlindje që vjen nga tisi i mbështjellë me velin e legjendës. Por që ka ardhur gojë pas goje ndër brezni. Pat mbetur i vetmi deri më tash i mbjellur atje lart në shkallën e Shenjtit nga fretërit e bardhë benediktin si një dëshmi se një pemë mund t’i avitet mijëvjetëshit. Dhe fshati poshtë, që i rri si nën sqetull, ka emrin Nënshejt! Vazhdoi të jetoje pema e shenjte atje në majë të Bjeshkës së Oroshit të Mirditës, edhe pse i tharë rrënjë e degë por pa mos iu dorëzuar mot pas moti e shekull pas shekulli dimrave të ashpër që mbajnë në këto anë.
Deri para disa vitesh në këmbë ishte dhe një ulti tjetër moshatar, 900 vjecar si ky i sotmi dhe të dy kishin dhe degë më të njoma e gjethe karakteristike, por që njëri “binjak”, pas kaq vitesh, iu dorëzua sfidës me natyrën ndërsa tjetri vazhdoj të qëndrojë në këmbë deri para pak muajve. Për çudi askush nga sopatarët e pyjeve që e kanë shkretuar kurorën e mrekullueshme me pisha të larta të Nënshejtit, nuk i është afruar këtyre pemëve të stërmoçme dhe falë kësaj, deri sa ai “dha fryme” vete!

Kur u mbollën ultinjtë?

Nenshejt

Studiuesi i gjurmëve të krishtërimit ndër Tokën e Katedraleve, siç e ka perifrazuar Mirditën, Ndue Dedaj, sjell dëshmi autentike sipas një gojëdhëne të mbartur ndër brezni se këto datojnë dhe moshën e kuvendeve benediktine.
Janë pikërisht benediktinët, madje themeluesit e një kuvendi me ëmërtim të tillë, që sollën nga Roma fidanët e njomë. Ishte si një rit që nxitej me mbjelljen e besimit; mbillej dhe rritej ultini, mbillej dhe rritej edhe besimi ndër këto anë. Dhe në fakt fara e besimit zuri mrekullisht ashtu si dhe fara e këtyre ultinjëve duke ecur krah për krah për qindra vite. Në njëfarë mënyrë besimi përmes këtyre pemëve magjike sikur fitonte konkretësi. Dhe këto pemë mistike mbijetuan për qindra vite mes besimtarëve si mesazh i frymës së shenjtë.
Në njëfarë mënyre kjo tregon se njerëzit e fesë kanë patur kultin e pemëve, kumton Dedaj, ashtu si njeriu i parë ka patur kultin e diellit dhe të hënës. Kështu pas themelimit të Kuvendit Franceskan në Lezhë Shën Francesku e dishepuj të tij, duke u larguar nga Shqipëria, marrin me vete një pishë të egër që e mbjellin pranë kishës së kuvendit franceskan të ishullit Desereto afër Venecias, që u quajt pisha e Shën Franceskut. Deri vonë grimcat e trungut u shpërdaheshin besimtarëve për devocion. Ajo pishë simbolikisht shprehte njëkohësinë e përhapjes së Urdhërit Françeskan në të dy anët e Adriatikut.
Pemë të tilla kaq të vjetra, dhe sidomos Ultinj në disa vende e kisha në Itali edhe sot shpërndahen si grimca të një pemë të shenjtë për besimtarët, gjë që për fat të keq nuk ndodh në Shqipëri me këto pemë të rralla, që nuk kanë as dhe një tabelë sinjalizuese dhe matrikuluese aty pranë rrënjëve.
Tani qe Ultini i Shenjte iku, per fat te keq, per shkak te neglizhences absurde te autoritetit vendor per ta vene nen kujdesje dhe me tabela sinjalizuese, si ilustrim, thjeshte do na mbeten fotot e bera atje me shtegtare vendas apo te huaj, por pa mundur t’ua tregojme me kete kryemrekulli atje ne Mal te Shenjtit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *