Nga Gjekë Gjonlekaj
(Me rastin e 500-vjetorit te vdekjes se Skenderbeu – Kjo intervistë u transmetua nga Zëri i Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968)
Zoti Gegaj,kur Fan Noli shkroi librin e tij mbi Skenderbeun më 1949, ai tha se vepra juaj frëngjisht mbi Skenderbenë ishte më e mbaruara qe kishte parë dritën gjer në vitin 1949,si nga forma,nga lënda dhe nga baza dokumentare.Përsa kohë punuat per këtë vepër dhe kur e mbaruat?
Gegaj : I mbetem mirënjohës Peshkop Nolit për laudërim që shprehi për veprën time “L Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle’ ose “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të “At Noli ka qenë një njeri me kulturë të gjerë dhe ishte po në të njëjtën kohë një ekspert i cështjeve të historisë meskohore të Shqipërise. At Noli gjeti në këtë vepër gjëra qe e interesuan si studioz kompetent të jetës dhe të veprave të Skënderbeut, prandaj si shqiptar i madh që ishte, ai cëmonte në kulm cdo gjë që ka te bëjë me historinë e popullit shqiptar dhe me lartësimin e tij si komb.
Për sa i përket veprës time “Shqipëria dhe invazioni turk në të XV-tin shekull” kam punuar dëndur dy vjetë. Kërkimet e para i bëra në vitin 1935 dhe vazhdova në kërkime dhe në përgatitje të librit gjatë vitit 1936. Në dhjetor të këtij viti libri ishte gati për shtyp,por duke qenë thezë doktorale ,m’u desht ta mbroj publikisht në një nga Aulat e Universitetit të Louvain,ku kisha kryer studimet e mia.
Libri u gjet interesnat dhe autoritetet e Universitetit aprovuan bitimin e tij. Libri në fjalë u botua më 1937 në Louvain-Paris dhe një Shtëpi Botuese e Parisit u ngarkua për shpërndarjen dhe shitjen e tij.
Ku i bëtë kërkimet dhe,në qoftë se i mbani mënt nën cilët profesorë?
Gegaj : Kërkimet e mia filluan në Paris për ca muaj,ku veçanarishtë në “Biblitheque Nacionale”të qytetit gjeta shumë material të dorës së parë. Kurijoziteti im u ngjallë vecanarishte kur për kombinacion,më ra në dorë një botim i të mirënjohurit profesor rumun,Constantin Marinesco,i shkruar frengjisht:”Alfonsi i V,mbreti i Aragonës e i Napolit dhe Shqipëria e Skënderbeut”,botuar në formë broshyre nga Shkolla Rumune në Paris më 1923.Libër i vogël po por një zbulesë për sa i përket historisë së Skënderbeut e relacioneve me Shqipërisë dhe mbretërkisë së Aragonës e të Napolit.
Nga Parisi kalova në Napoli, në Romë, në Firenze dhe në Venedik,duke u ndalua për ca kohë dhe në Milan. Në arshivat dhe në bibliothakat e këtyre qyteteve gjeta material të shumtë dhe fillova të përpiloi librin. Profesori im i mirënjohur,që e mbikqyri të tërë materialin më dha aprvovimin e tij për botim,ky ishte Adoph De Mayer i Universitetit te Louvain.
Si filluat të interesoheni për të shkruar një libër mbi Skënderebenë?
Gegaj : Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Aj është heroj i kombit tonë dhe një fytyrë ndërkombëtare që zotëron në historinë e Europqës në të XV shekull. Për më tepër Skënderbeu është aj personalitet që ka nderuar dhe nderon cdo kohë popullin shqiptar.
Po interesimi im për historinë ë Skënderbeut fillon atëherë kur isha student në Shkodër, dhe vecanarishtë kur arrijti nga Amerika “Historia e Skenderbeut” botua në Boston nga At Noli me 1921 me anën e Organizatës Vatra. Ky libër enthuziazmoi të tërë moshën e re shqiptare,sepse kishte meritën që jo vetëm se kishte shkrojtur në një gjuhë të bukur,por nga ana tjetër paraqiste heroin tonë në një dritë të re. Leximi i këtij libri më ka shoqëruar për shumë vjetë e më në fund më shtyti të kërkoi gjëra të reja për rreth heroit tonë,për t’i paraqitur, edhe botës së jashtëme Skenderbeun sipas nevojave të kritikës historike,duke ndarë në sa ishte e mundur fytyrën e tij gjigante nga legjendat.
Ç’ishin disa nga problemet që përballuat gjatë shkrimit të kësaj vepre?.
Gegaj : Problemet që m’u paraqitën në përgatitjen e kësaj vepre qenë të shumta. Më së pari duhej që unë t’u cveshja nga cdo simpathi e ndenjeë personale. Historia në këtë rast lipsej të ishte një histori kritike, e bazuar mbi dokumente të kohës, mbi botime, me vlerë kritike që në cdo kohë janë bërë mbi Skenderbeun. E qe një problem i rënde, sepse Skenderbeu, sin në cdo zemër shqiptare,ashtu edhe në mua,mbetej përherë heroj i kombit,që gjësend nuk mund ta shëebdrrojë ftytyrën e tij!
Nga ana tjetër kërkova me cdo mjet të konfrontoj historinë e vertetë me botime të panumrta mbi Skenderbeun. Këtu m’u desht të luftoj për të paraqitur një Skenderbe sipas dhënjeve historike;po në të njëjtën kohë kërkova ,me cdo kusht me cdo mjet,që Skenderbeu të mbetej dhe aj, që na e paraqet legjenda ose më mirë kronika e kohës. Për këtë gjë luftova,por kërkova të mbetem objektiv në cdo rast.
Cilat janë disa nga gjërat e ra,që nuk diheshin më parë, dhe që i vutë në dukje ju në librin tuaj?
Gegaj: Në përgjithësi nuk ekzistonte një vepër kritike mbi Skenderbeun. Botimet kritike ishin marrë me ca probleme të historisë së Skenderebeut, dhe ato që u paraqiteshin si histori kritike,kishin mungesa te shumta nga cdo pikëpaje. Merita modeste e veprës time është koordinimi i të gjitha këtyre botimeve,duke i konfrontuar me dokumenta të kohës. Merita e kësaj vepre prandaj mbetet në ndamjen e legjendës nga historia dhe në udhëzimin e ri të një studimi kritik të jetës dhe të veprave te Skenderebeut. Për këtë gjë gurrat e arshivave dhe aktetet zyrtare të kohës më udhëzuan të ndaj legjendën nga historia e vertetë e Skenderebeut.
Ç’është rëndësia e këtyre zbulimve?
Gegaj : Rëndësia këtyre zbulimve për reth historisë se Skenderebeut është kryekreje në methodën e re e kritkike që përdora për të paraqitur Skenderebeun në dritën e vërtetë të jetës se tij dhe të veprave të tija. Duke punuar në këtë mënyrë kërkova që Skenderebeu të mbetej aj që është. Dhe më vjen mirë të ju them se historia e Skenderbeut sa më kritike të jetë, aq më gjigante na paraqitet jeta e tij. Legjenda e lartësoi tepër,por historia e kritika,gjë që kërkova të realizoj me cdo mënyrë,nuk e vogëlsojnë fytyrën e tij si luftar, si strateg,si hero i një kohe dhe i një kombi.
Sipas mendimit t’uaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skëndërbeut për Shqiptarët në kohe të sotme?
Gegaj : Jeta e veprat e Skenderbeut janë nje shëmbell i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftat e orvatjet për liri, që bëri populli shqiptar gjatë shekujëve të robërisë deri në ditën e indipendencës së tij.
Jeta dhe vepra e Skenderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara,ashtu edhe sot,jeta dhe veprat e Skenderbeut janë te bazuara mbi vëllazerim te gjithe shqiptarëve,mbi lirinë e vendit nga i huaji,mbi të drejtat e barabarta te cdo qytetari,mbi respektin e cdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të besës, të burrërisë, të mikpritjes dhe të krenarisë kombëtare.
Për më tepër Skenderbeu na mëson se shqiptari nuk do të kursejë gjësend per t’i ardhur në ndihmë nje shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashktë shqiptar,ku secili të jetojë i lirë dhe të punojë për ate vend që na e lanë trashigim të parët tonë.Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve,ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon të jetojë me dignitet e në bashkim,ashtu sic na mësoi Skenderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë shqiptarëve.Këta do ta mbrojnë me cdo mjet e me cdo sakrficë për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdiset për liri,pa u bë skllav i huaj, pa perulur karakterin burrëror të popullit shqiptar.
Cili është shkaku që Skenderbeu vonoi të kthehet në Shqipëri për të rrëmbyer Krujën dhe principatën e tij nga duart e Turqëve?
Gegaj : Shkaku kryesor që Skenderbeu vonoi të marrë në dorë drejtimin e rezistencës shqiptare,qytetin e Krujës dhe principatën e atit të tij është njohuria e thllë e fuqisë Ottomane. Për më tepër ai, nuk shihte një fuqi tjetër në Evropë,që te ishte gati te përballjë ushtritë e sulltanëve,që po marshonin gadhenjyese në të gjitha anët.
Shqipëria ishte ndarë në principata,pothuajse të gjitha nën influencen e huaj, turke ose veneciane. Kishte për më tepër parasysh historinë e atit të tij,që nuk pati perkrahje, dhe sa herë ngriti krye,qe përulë nga ushtritia e sulltanëve. Me gjithë këta Skenderbeu ishte në kontakt me princat shqiptarë dhe ëndërronte të kthej sa më parë në Shqipëri për të drejtuar rezistencën shqiptare. Kur pa se nje fuqi e re,Hungaria po luftonte në brigje të Danubit,atëherë Skenderbeu gjeti kohen e volittëshme,u ktyhye në Shqipëri dhe organizoi vendin për të përballuar fuqinë Ottomane.
Decizioni i Skenderebeut të kthehet në Shqipëri dhe të organizojë vendin kundër fuqisë ottomane është një nga decizionet më me pergjësi të historisë. Vetëm një Skenderbe mund të merrte një decision të atillë!E për këtë gjë,ai është i madh dhe i pavdekshëm në historinë e popujve.
Cilët kanë qënë faktorët që Skenderbeu, me nje fuqi të vogël mundi të bëjë ballë forcave të mëdha e të armatosura gjer në dhëmbë të sulltanëvë të Turqisë?
Gegaj : Faktorët kryesorë që Skenderbeu me një ushtëri te vogël mund t’u bëjë ballë forcave të armatosura të Sulltanëve të Turqisë,sipas mejtimit tim,janë këto:Skenderbeu ishte strateg i përsosur,një komandant, që nuk dinte cka është frika,nje njohës i vendit dhe i zakoneve shqiptare; dhe për më tepër Skenderbeu nuk e la kurrë armikun që t’i impnojë planet e tija në luftë. Fuqitë shqiptare Skenderbeu i ndante sipas nevojave të rasteve; ky linte përherë një reservë dhe shtegun të hapur,që te mos rrethohej nga armiku. Më tepër Skenderbeu qe aj që e sulmonte armikun duke i dhënë ushtrisë së tij një shembull që ka mbetur një traditë burrërie shqiptare. Aj perballonte vdekjen si një ushtar i thjeshtë. Ku ishte rreziku më i madh aty ishte Skenderbeu. E nuk kishte ushtar shqiptar që të mos kerkonte të bëjë atë gjë që bënte Skenderbeu!
Më në fund Skenderbeu dhe kapetanët e ushtarët e tij luftonin për liri. Ai dhe ushtarët e tij e dinin se nuk u mbetej tjetër vecse vdekjes ose lirisë . Për këtë gjë Skenderbeu e trimat shqiptarë shkruan epopenë shqiptare të shekullit të XV.Kjo është epopeia më e bukur e cdo kohe.
Skenderbeu bashkë me mbrojtjen e Shqipërisë mbrojti edhe Krishterimin dhe qyteterimin e Evropës nga sulmet e Turqëve. Pra përse disa vende të Evopës,sidomos Venediku nuk i dhanë përkrahjen e duhur?
Gegaj : Nuk ka dyshim se Skenderbeu mbrojti qytetërimin europian dhe ua thej hovin fuqive ottomane që ishin gati të marrshojnë në Itali dhe në Europën qëndrore.Skenderbeu pati ndihma nga Alfonsi i V i Aragonës dhe i Napolit,si dhe nga papët e Romës që e kishin kuptuar mirë rrezikun ottoman. Sa për Venedik,sadoqë ishte një fiuqi e madhe detare kjo për shkaqe tregëtare kërokonte të mbante marrëdhënie të mira me Turqinë;dhe ishte rivale e mbretit të Aragonës e të napolit. Më vonë më 1463 e kuptoi rrezikun dhe përkrahi Skenderbeun,por qe tepër vonë.
Pas “Lidhjes së Kapedanëve”që u bë në Lezhë, e cila e vuri në krye Skenderbenë,c’farë forma administrative u shtuan asi kohe në Shqipëri?
Gegaj : Sipas Lidhjes së Lezhës,Skenderbeu mbetej kryekomandant i forcave shqiptare. Dalë nga dalë të gjithë i bashkoi për rreth vehtjes së tij,duke u lënë liri në administrimin e principatave të tyre.Këto principata ishin shumë të kifizuara e shpesh te okupuara nga Turqit ose nga Venediku. Secila principatë i jepte Skenderbeut përkrahjen me ushtarë,por shpezat e luftës i përballote Skenderbeu,shpesh herë i ndihmuar nga Mbreti Alfons,papët e Romës, nga Raguza dhe nga të ardhurat e kripës.Më vonë pati përkrahje dhe nga Venediku.Forma administrative në Shqaipëri në këtë kohë ishte ajo që zotëronte në Europë,duke mos harruar se deri qyteti i Krujës ishte qytet i lirë,prandaj forma administrative u mbështet në ligjet e vendit.
Sipas mendimit tuaj,c’farë drejtimi do të kishte marrë fati i Shqipërise sikur Skenderbeu të kishte jetuar më gjatë?
Gegaj : Po të kishte jetuar më gjatë Skenderbeu ,sadoqë ishte i shtytur në moshë, fatet e Shqipërise do të ndryshonin. Aj me 1463 bëri një marrëveshje me Republikën e Venedikut, i suguroi Shqipërisë përkrahjen e saj dhe ai vetë qe emëruar komandant suprem i ushtrive shqiptare veneciane. Për më tepër Skenderbeu do të kishte kohë të udhëzojë djalin e tij Gjonin,kështu që rezistenca shqiptare e përkrahur nga tjera fuqi europiane,do të mund t’i siguronte Shqipërise lirinë dhe indipendencën;këtë gjë e meritonte dhe ca fuqi të kohës kishin filluar ta kuptojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë.
Dhe qysh prej kohës që është botuar vepra juaj dhe ajo e Fan Nolit mbi Skenderbeun ,a kanë dalë në shesh dokumenta të tjera që nuk diheshin më parë rreth jetës dhe luftërave të Skenderbeut?
Gegaj : Studimet përmbi jetën dhe veprat e Skenderbeut nga koha e botimit të veprës time e pastaj kanë vazhduar. Më së pari është vazhdimi i botimit të Acta Albania dhe Acta Albanie Veneta;këto të fundit përgatitur nga Qendra e Studimeve Shqiptare të Italisë.Dhe At Valentini është duke botuar “Studi Veneti” te”Fondazionit Cini”,që kanë të bëjnë me historinë shqiptare gjatë shekujëve XIV-XV. 500-vjetori i vdekjes së Skenderebut nga shume pikëpamje shpresoj të jetë decisive përsa i përket epokës së Fatosit tonë kombëtar./FUND/
Shënojmë se 500-vjetori i vdekjes së Skenderbeut u kujtua me nderime të mëdha në Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare në ish Jugosllavi. Në këtë pervjetor historik në Prishtinë u organizua një simpozium ndërkombëtar për jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, ku u shquan historianët nga Shqipëria ne krye me Profesor Aleks Buda.Ky akademik I permendur në kumtesën e tij për Skenderbeun citoi vazhdimisht Barletin, Nolin dhe Gegaj. Kjo ishte ngjarja më e madhe kulturore që kishte përjetuar Kosova deri atëherë. Profesorët nga Shqipëria sollën ne Prishtinë filmin “Skenderbeu” dhe disa relike te tij.Një natë para se të fillonte simpoziumi në teatrin e Prishtinës u dha një shfaqje teatrale per Skenderbeun. Rolin e heroit tonë kombëtar e luajti për mrekulli Hasan Salaj. Në oborrin e fakultetit bashkë me disa studentë tjerë biseduam me profesorët nga Shqipëria. Ishin shumë të përzëmërt, sidomos Aleks Buda. Vlen për t’u shënuar se itervista e Dr. Athanas Gegaj dhënë Zërit të Amerikës u degjua me shumë vemendje sidomos nga familjaret e tij në Malësi të Madhe në Mal te Zi. Trieshi qe është edhe vendlindja e Dr.Athanas Gegaj e nderoi heroin tonë kombëtar në mënyrë të posacme me rastin e 500-vjetorit të vdekjes,duke i dhënë shkollës tetevjecare emerin Gjergj Kastriot-Skenderbeu që e mban me guxim e respekt për gati një gjysme shekulli,pavarësisht kërcënimeve të mundshme. Kështu veproi edhe Ostrosi i Krajës në Mal të Zi ,mbasi edhe ata para një gjysmë shekulli e pagezuan shkollen e tyre Gjergj Kastriot-Skenderebu. 500-vjetori i vdekjes së Kastriotit solli një ringjallje të vërtetë kombetare në trojet e tyre pushtuara nga sllavët e Ballkanit.(Gjekë Gjonlekaj)