1
Nuk e dimë se çfarë ka patur parasysh gjykata e Milanos kur ka vendosur që Silvio Berluskoni, ish-Kryeministri i Italisë, në pëmbushje të dënimit të dhënë ndaj tij për mashtrim, duhet të vizitojë një qendër të moshuarish një herë në javë dhe të qëndrojë aty për së paku katër orë, duke iu shërbyer personave të moshuar. Mund të ketë qenë thjesht një vuajtje dënimi e përshtatshme për moshën e kavalierit, ndryshe, ta zëmë, nga ujitja e trëndafilave në një park në natyrë a ndonjë punë më e rëndë. Por ne duam t’i bëjmë leximin tonë këtij fakti, në funksion të idesë së shkrimit. Për t’iu shërbyer të moshuarve secili nga ne duhet të “vuaje” një masë dënimi pranë e në shërbim të tyre, pa na e caktuar gjykata, por vetëdija si qytetarë të një vendi europian. Aq më tepër këtë përgjegjësi e kanë pushtetarët, për t’iu krijuar të moshuarve komoditetin e nevojshëm për jetesë normale. Mosha e tretë lyp një tjetër vëmendje nga deri më sot. Përditë, gra që mbushin 60 vjeç dhe burra që mbushin 65 vjeç shkëputen nga puna zyrtarisht, marrin librezën e pensionit dhe pas kësaj ata përfshihen në atë që quhet mosha e tretë. Por ç’ndodh me këtë kategori sociale? Si kujdeset familja? Çfarë bën shoqëria për t’i përfshirë, apo ata tash e mbrapa vetëm mund të luajnë domino në shkallët e pallatit? Ky është një problem i madh yni po që nuk duam ta shohim. Kohë më parë në Slloveni, në qytetin e vogël Nova Gorica, përkufi me Italinë, u zhvillua një seminar trajnues njëjavor me pjesëmarrës nga vende të rajonit dhe nga Shqipëria, Instituti i Shëndetit Publik Tiranë, këshillat e qarqeve etj. Plakja është një e mirë, pasi tek e fundit tregon jetë të shëndetshme të njerëzve, por mosha e tretë nuk duhet parë si një barrë e shoqërisë. Institucionet ndërkombëtare përpiqen t’u dalin përpara dukurive sociale në përvijim, para se ato të bëhen të papërballueshme. Sipas OKB-së, në vitin 2050, numri i personave të moshuar në vendet e zhvilluara do të jetë dy herë më i madh se numri i fëmijëve, dhe në vendet në zhvillim ky numër pritet të dyfishohet. Kjo do të ketë efekte të thella në shumë vende dhe individë, shprehet Ban Ki-Moon. Kambana siç shihet ka rënë e bo bie. Po te ne ç’ndodh? Përtej seminareve.
2
Nganjëherë është vetë njeriu që e sfidon moshën, plakjen, pleqërinë. Profesor Dhori Laci është 103 vjeç. Dikush me shaka thotë se ai tashmë është në moshën e pestë. E megjithatë e takuam në një promovim libri në Tiranë mes kolegësh, ku foli me pasion jo vetëm për bujqësinë, po dhe për pellazgët. Ai është një legjendë e bujqësisë shqiptare, njohës ndër më të mirët i saj, që ka studiuar jashtë shtetit, me disa gjuhë të huaja, një “ministër” bujqësie i pashpallur i të gjitha kohërave, sipas specialistëve të fushës, i njëkohshëm me Abedin Çiçin e mirënjohur, që mendohet të jetë agronomi më i vjetër i gjallë në Europë, se sa për në Ballkan nuk ka dyshim, thotë Marash Mirashi, gazetar i Televizionit Shqiptar, që sapo i ka marrë një intervistë. “Ky në këtë moshë vjen në takim me librin, kurse të rinjtë venë në kafe”, tha njëri nga miqtë e tij jo pa sarkazëm. Si të mos e admirosh këtë njeri, që një shekull e ka hedhur pas krahëve dhe ecën në të dytin pa iu dridhur qërpiku. Por nuk është vetëm Dhori Laci që përjeton një rini të bukur në një pleqëri të thellë, por dhe personalitete të tjera si Kristo Frashëri, që e kemi përditë nëpër faqet e gazetave me intervista e shkrime të spikatura historike, apo profesor Mark Krasniqi në Kosovë, që deri para pak kohësh ishte dhe parlamentar. Mos i pyesni këta njerëz për moshën, pasi në të vërtetë ajo për ta nuk ka një kufi. As një popull nuk i tret përvojat e fituara në shekuj, përkundrazi i ka gurë themeli. Dhe një plak që mbillte pemë në pleqërinë e tij, se do të hanin ata nesër, dhe një tjetër që ndërtonte kroje në Mokër, se do të pinin kalimtarët e jo si tash që “vidhen” burimet e çohen te shtëpia jonë duke i lënë të tjerët buzëtharë. Prandaj të moshuarit nuk janë kurrë të vjetër, ata janë udhërrëfyesit e brezineve të reja, nëse kemi vullnet t’i dëgjojmë e ndjekim nga pas. Çështja nuk është individi i moshuar, çfarë ai bën për veten, por shoqëria që e zbut pleqërinë e njeriut dhe e zbukuron plakjen. Veçse jo më me atë këngën “Në Shqipëri nuk ka pleqëri”, pasi pleqëri ka dhe shumë njerëz e kalojnë atë si s’ka më keq, në varfëri e pa njeri afër. Ka dhe statistika për këtë, por me siguri ato janë më shumë se të dhënat zyrtare.
3
Vetmia e moshës së tretë, braktisur nga fëmijët që janë në emigracion është drama e kohës sonë. Kjo u shkakton atyre mërzi, stres e gjer depresion. Ndihen të zhvlerësuar dhe pa ndonjë rol në jetë. Nuk ftohen të kuontribuojnë sërish në shoqëri me mundësitë që kanë. Mësuesit të hyjnë herë pas here ne mjediset e shkollave, ish-policët të ndihmojnë në rregullimin e trafikut në orët e pikut të nxënësve nëpër rrugë, siç dhe ka patur ndonjë përvojë. Ata duan dhe mund të shërbejnë pa shpërblim, kurse ne nuk i përfillim. Nuk ka kuptim që të mos jenë të socializuar njerëz që gjithë jetën kanë qenë të integruar në shoqëri. Në Tiranë kohët e fundit është hapur dhe ndonjë qendër e biznesit social, me frekuentim të përhershëm apo ditor të të moshuarve, përkundrejt tarifave të mundshme, me të gjitha kushtet, si “Shtëpia e Zotërinjve”, përgjithësuar për standardin europian të saj etj. Siç janë dhe disa qendra ditore të Kryqit të Kuq për të moshuarit. Një fillim i mbarë që do të pasohet nga të tjera qendra të ngjashme. Të moshuarit nuk mund të trajtohen më për “mëshirë”, por si zotërinj. Dita e të moshuarve është 1 tetori, kur iu drejtohen thirrje qeveritarëve për të shtuar kujdesin ndaj kësaj kategorie. Shumë retorikë në vite e pak vëmendje për të. Dhe se diçka po ndryshon. Kohët e fundit për këtë qëllim u mbajt një konferencë ndërkombëtare në Tiranë, po ku nuk na zuri syri asnjë ministër, dhe pse prindërit e shumë prej tyre janë në këtë moshë, e qoftë dhe për këtë duhej që dikuj nga ata t’i kishte tepruar koha për të qenë aty. Lë pastaj me ndonjë projekt kombëtar për moshën e tretë. Në Shkodër është zhvilluar një tjetër konferencë për moshën e tretë, organizuar nga Komuniteti Sant’Egidio dhe zyra rajonale e Shërbimit Social Shtetëror të qarkut. Fokusi i saj ishte “Pleqëria në shtëpi”. Aty u tha se personat e moshës së tretë në Shqipëri përbëjnë rreth 8-9 përqind të popullsisë, kurse në vende të tjera kjo shifër arrin në mbi 20 përqind. Sipas studimeve demografike, pas një dhjetëvjeçari e gjysmë, popullsia e moshuar do të zërë afërsisht 33 përqind të popullsisë në vendet europiane. Edhe nga kaq e kupton se gjendja është jo pak alarmante. Ndaj është në detyrimin tonë të bëjmë jo gjeste simbolike, por vepra humane ndaj të moshuarve, se ua kemi për borxh. Nuk është vetëm Karitasi që mund të ndihmojë, por dhe shërbimet sociale, bashkitë dhe komunat, biznesmenët etj. Në Rrëshen bashkia ka krijuar mjedise çlodhëse, lulishte me stola e gjelbërim për të moshuarit dhe jo vetëm. Biznesmenët shkodranë Paulin Radovani, Ferdinant Melgushi, Keti Bazhdari kanë ndihmuar të moshuarit dhe veprimtaritë publike kushtuar tyre. Por ende shembujt pozitivë nuk janë të bollshëm. Mbi të gjitha kërkohet një tjetër vizion social kulturor ndaj moshës së tretë. Duam apo nuk duam, ajo është e “nesërmja” e të gjithëve, edhe atyre që sot janë në kopshte dhe as që e perceptojnë dot se çdo të thotë një tjetër moshë nga ajo e tyrja. Ndoshta që këtu duhet të nisë sensibilizimi, se fëmijët vërtet i duan shumë gjyshërit, por dhe të dinë të përkujdesen për ta në shtëpi, rrugë e kudo.