1
Këta dy dhjetëvjetshat e fundit është bërë fort e vështirë të shkruash mbi gjuhën tënde, pasi po e bërë këtë ose je duke mbrojtur standardin ose je duke e sulmuar atë. Në të vërtetë, nëse flamurmbajtës të papërkulur të standardit ka patur, nuk dimë të ketë pasur dhe agresorë ndaj tij, të jetë shpallur ndonjë platformë për prishjen arbitrare të gjuhës së njësuar të 72-shit dhe krijimin e një tjetër njësorje më themel gegnishten. Pavarësisht kësaj debati për gjuhën ka zier shpesh me tone të ashpra polemike, kryesisht për rishikimin e normës drejtshkrimore, përmirësimin e ndjeshëm të saj, lehtësimin e gjuhës së shkrimit nga ë-të e dubël të-të që nuk përtypen lehtë e krijojnë kakofoni, duke mos u marrë e ngurtësuar norma as nga ata që kanë miratuar rregullat e drejtshkrimit dyzet vite më parë; por diskutimi ka qenë dhe në anën përmbajtësore, për çështje specifike, si rehabilitimi i paskajores, mbretëreshës së shqipes së vjetër të shkurorëzuar me pahir nga standardi etj. Një tjetër kahje e diskutimit do të kishte qenë ai i lëvrimit lirisht të gegnishtes në letërsi, publicistikë, eseistikë, si një drejtë e autorëve për ta shijuar pa kufizim muzën e gjuhës së tyre amë, pse jo dhe njësimi i gegnishtes në vetvete. Gegnishtja kishte treguar se nuk ishte shterruar as kur u ndërpre funksioni i saj, pasi në partiturat melodike gege, vazhduan t’i shkruanin veprat e tyre autoriale e editoriale Koliqi, Camaj etj., një provë e së cilës ishte dhe revista “Shejzat” në Romë. Ndër shqiptarë ajo nuk kishte qenë një dialekt periferik, por një gjuhë kulture, kishin ndodhur ngjarje historike gjysmëmijëvjeçare përmes saj, ndaj nuk po dinte e nuk po donte të dilte nga vetja. Fakti që dhe sot e gjithë ditën gegnishtja ushtron peshën e saj sociolinguistike dëshmon se asaj i rri ngusht prerja e standardit, thënë ndryshe nuk është bërë e duhura me të.
Përse atëherë gjithë ky merak se mos po prishet gjuha standarde prej disave, që u dashka ta ruajnë disa të tjerë? Për më tepër të thirret në ndihmë (në mënyrë patetike) identiteti kombëtar, që kinse u prishka, nëse preket gjuha standarde? Nëse diçka a shumëçka në ngrehinën e gjuhës nuk është përkryer, ku është e keqja që ky proces vijon pa u ndaluar e pa sforcim? Vërtet gjuhën e njësojnë në letër specialistët e fushës, gramatikanët, por mbi të është e barabartë e drejta e çdo shqipfolësi, edhe e njeriut të thjeshtë që nuk e ka idenë se ç’është një paketë normash për gjuhën, po që ama është përdorues i saj. Në këtë kuptim gjuha nuk ka nevojë për etër specialë dhe dalzotës të (pa)autorizuar, aq më pak për “nostalgjikë konservatorë ”, siç janë cilësuar ndonjëherë idhtarët e mosprekjes së standardit të 72-it. Hollë-hollë ka vetëm punëtorë të përvutë të dijes gjuhësore, ku për të tillë e mbante veten gjuhëtari ynë prijëtar, shkencëtari Eqrem Çabej dhe sivllaznit e tij të spikatur, nga Johann Thunman e albanologët e tjerë europianë, te gjuhëtarët tanë si: Naum Veqilharxhi, Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipa, Justin Rrota, Selman Riza, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Androkli Kostallari, Idriz Ajeti, Jup Kastrati, Kol Ashta, Fatmir Agalliu, Xhevat Lloshi, Gjovalin Shkurtaj, Tomor Osmani, Rexhep Ismajli, Kolec Topalli, Ardian Klosi, Ledi Shamku-Shkreli, Ardian Vehbiu; si dhe At Zef Pllumi, Ardian Ndreca, Migjen Kelmendi, Primo Shllaku, Ledia Dushi etj., që lëvrojnë një shqipe autentike.
Kushdo e di se dukuritë gjuhësore, dhe nëse nuk i përfillim si duhet në një kohë, ato u binden vetëm ligjeve e ligjësive të brendshme të gjuhës, e cila si superstrukturë që është, në çdo fazë të zhvillimit njerëzor ka ravën e vet. Kështu, diftongu ue është një element zhvillimor i volitshëm i shqipes, me të cilin përftohet natyrshëm dhe paskajorja: me mësue, me krijue, me kryesue etj. Secili mund të vë oroe se cila formë tingëllon më shqip: dua të të ndihmoj apo due me të ndihmue, ku e dyta është mbi bazën e paskajores së mirëfilltë. Për shkak të vjetërsisë, origjinës, pjellorisë duhen shkruar si në gëgnishte: nanë (nanloke), amë (amtar), ranë (ranore, ranishte), kangë (kantus), andërr (zhgjandërr), shtatzanë, njëlloj si zanë, anzë, zanore, që nuk mund të shkruhen në ngjasim të standardit me ë (pasi do të kishim: zërë, arzë, zërore.) Nuk mund të jetë tjetër veçse anomali “normative” të kemi edhe ranore edhe rërore (!) Gjuha e njësuar na e tret fjalën amë për e ëma, paçka se e para na ka dhënë amtar, që nuk na përftohet me të dytën. Teksa nga rotacizmi i sforcuar kemi përdorime të panatyrshme fjalësh, si Gjormë në vend të Gjonëm, rriqrat në vend të rriqnat, plotëri në vend të plotni, të ngrerë dorën në vend të ngrejë dorën etj. Gegnishtja ka për të marrë e ka për të lënë prej saj. Nëse paskajorja është gur themeltar, pasi nuk ka pushuar së gjalluari, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për hundorzimin, theksat e fjalëve dhe shenjat e tyre diakritike. Por le ta kundrojmë problemin në parim, pse na duket se gjuha letrare kombëtare ende nuk ka përfunduar së formuari.
Shoqëria e sotme, pa mure ideologjike, ka shtruar nevojën e ridimensionimit të shumë vlerave të trashëgimisë shqiptare, si rishikimi apo rishkrimi i historisë, ku lexuesi i di tashmë disa nga pikat më të debatueshme në këtë lëmë; për një qasje tjetër nga ajo moniste ndaj religjionit, kanunit, parisë tradicionale, shtetit dhe figurave shtetbërëse, vlerave të aristokracisë shqiptare, disidencës etj. Po dhe pa këtë kundrajë sociologjike dihet se asgjë nuk mund të jetë përfundimtare përsa i përket “teknologjisë” së komunikimit me anë të fjalës, njësimi i një gjuhe shkrimi nuk është si një zbulim shkencor, si një ekuacion që pasi zgjidhet nuk ka më të panjohura; gjuha si një krijesë e gjallë zhvillohet e pasurohet, pavarësisht asaj që është normuar, jo vetëm me 1972, po qysh nga Kongresi i Manastirit, çka do të thotë se ka nevojë të ndiqet në vazhdimësi ritmi i saj i brendshëm. Ajo nuk është një përmendore e bronztë, që vetëm mund ta soditësh a bësh fotografi përnderimi para saj. Aq më pak një faltore. Është përditshmëria jonë e shqiptuar dhe e shkruar, që kemi për barrë ta përkryejmë (kryekrejmë) pa prâ, pa i marrë leje ndokujt dhe pa patur frikë se po shkelim në ndonjë tabu.
Sot kemi de jure një gjuhë zyrtare, normative, standarde të administratës, shkollës, medias, botimeve enciklopedike e manuale, por de fakto kemi një gjuhë të shkruar të pa(për)plotë, me një abetare të mangët gjuhësorisht dhe mbase jo sa duhet përfaqësuese kombëtarisht. Ashtu si praktikisht kemi jashtë gjuhës normative një shkrimtar simbol të shqipes si Gjergj Fishta, vepra e të cilit ngërthen njëzet mijë fjalë, i cili nuk i përket epokës së Dantes dhe as ndonjë gjuhe të vdekur, dhe një bashkësi shkrimtarësh të tjerë gegnishtshkrues, që nuk duhet të venë te lexuesi me “përkthyes” brendapërbrenda shqipes, por përmes hapjes së standardit ndaj tyre. Nisur nga kjo përkthyesi i njohur gjerman i shqipes, Hans-Joachim Lanksch, shtron problemin se si do t’i quajmë veprat me vlera vërtet letrare që nuk janë shkruar në gjuhën standarde, si ato të Fishtës, Prendushit, Camajt, Lluka Peronës etj., apo prozën e shkëlqyeshme (gege) të Anton Pashkut “Oh”?
Siç shihet, nuk mund të shpërfillet ky korpus tekstesh letrare të gegnishtes, as të shtrëngohet një variant letrar buzukjan të rrijë sus para një standardi të pa(për)kryer.
2
Kongresi i Manastirit (1908) është kongresi shugurues i alfabetit të shqipes, i bërë me bekimin e elitës më të shquar intelektuale të kohës. Kurse në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) kishte dhe mjaft individë nga baza, sipas parimit të vijës së masave. Kongresin e Manastirit e udhëhiqte ideologjia kombëtare, kurse atë të Drejtshkrimit ideologjia politike. Nëse normat e një kuvendi gjuhe janë një tabu, atëherë përse nuk ndodhi kështu me gjuhën zyrtare paraardhëse, elbasanishten, që ishte në fuqi qysh nga Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës (1916-1918) dhe ku rëndom shkruhej: “Shqipnia” (shih: pulla postare e emtuar me 1937), “Mbretnia Shqiptare”, “Naltmadhnia”, “Këshilli i Naltë i Shtetit”, “Instituti Femnor Nana Mbretneshë” etj., që e parë si gegnishte ishte gjuha e dy të tretave të shqipfolësve, ku dhe raporti i mbledhjes themeluese të PKSH me 1941 ishte në gegnisht. E folmja e Elbasanit u zgjodh se në të ishin më të përafruar dy dialektet, konvergimi ishte më i dukshëm, politika gjuhësore e kohës e shihte elbasanishten si urë lidhëse mes dy dialekteve, çka zgjati deri në fillimin e viteve ‘50. Puna mund të vijë që të rishihet ndonjë grafemë dhe nga vetë Kongresi themelues i alfabetit, ai i Manastirit, që i ka kaluar njëqind vjetët provë, atëherë si të mos ketë rishikim, rivlerësim, apo ndryshim të normës drejtshkrimore e jo vetëm, pa ndodhur gjëma, tronditje a përmbysje në gjuhë, veçse bërja e këtij mjeti komunkimi më të përshtatshëm për funksionin që ka. Gjuha bën pa “gardën” e vjetër të saj, në Tiranë apo në Prishtinë, por jo pa paskajoren e hequr nga trungu i saj si të ishte një degë e tharë lisi.
Qendrat vendimarrëse të gjuhës përgjatë shekullit XX kishin qenë nga mbarë trojet shqiptare: Manastiri (1908), Shkodra (1918), Prishtina (1968), Tirana (1972). Gjuhëtarët kanë meritimet e tyre të mëdha në studimet e gjuhës, por vendimmarrja për gjuhën është më e gjerë se kolonia e tyre e nderuar. Kështu që askush nuk e ka të drejtën t’i tundë tjetrit para syve kartat e gjuhës, të bëjë apologjinë e saj të pjesshme. E vetmja kartë e çdo kohe është ndryshimi, që vlen dhe për gjuhën. Se jo vetëm Mjeda, Nikaj, Migjeni, Koliqi, Pashku e Camaj nuk e gjejnë veten në standard-in 40-vjeçar, po as Konica, Noli, Asllani, Kuteli e Lasgushi nuk përputhen me normën letrare, ani se këta të fundit i përkasin toskërishtes, ata janë më të pasur gjuhësisht se standardi dhe me më shumë kolorit gjuhësor se ai, me normën sikur ka humbur ajo letrarishtja e tyre mjaft origjinale; si dhe Kadare, që sa ç’është në standard, është dhe “jashtë” tij apo mbi të me prurjet dhe krijimin e tij gjuhësor të pandërprerë brenda letërsisë. I vetmi “standard” i palëvizshëm i shqipes (e formuar prej brumit të ilirishtes) është autenticiteti i saj, qenia gjuhë e veçantë në familjen e gjuhëve indoeuropiane.
Standardi nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, me e ruajt nga syri i keq, ai mjaft që të hapet ndaj gegnishtes, por dhe ndaj toskërishtes, pse jo, dhe ndaj arbërishtes, të jetë i ndjeshëm ndaj të gjitha prurjeve, ndryshimeve, risive gjuhësore. Rrugët gjenden nëse ka vetëdije shkencore, vullnet dhe jo paragjykime për zëdhënësit e ndryshimit, duke i etiketuar si gjuhëprishës. Askush nuk është i përjashtuari i gjuhës, por as i (vetë)përkëdheluri i saj, ndaj s’na ka hije të harxhojmë energji me replika të gjata e të tharta, kur krahas shërbesës për një standard të arrirë, mund të merremi dhe me lëngatën e gjuhës nga shpërdorimi që po i bëhet asaj nga të gjitha anët, nga ndotja dhe varfërimi i mjedisit gjuhësor, “gjuha” e cunguar e internetit, tradicionaliteti i shkollës në mësimdhënien e gjuhës etj. Shqipja ka disa sfida për të përballuar që kanë të bëjnë me identitetin e saj dhe atë shqiptar: si t’i mbijetojë emigracionit gjuhëshkatërrues, si të fuqizohet përmes pasurimit të leksikut (duke u çelur më shumë ndaj atij burimor etj.), si të vijojë pastrimin nga fjalët e huaja të panevojshme, si të rrisë nivelin e shqipërimit të letërsisë botërore, si të ketë fjalorët e saj cilësorë elektronikë etj. A e keni vënë re, po na bjerren parasysh, gjer në përdorimin shkresor, c-ja dhe ë-ja, kështu që do të na duhet të shkruajmë jo vetëm cerifikatë, por dhe Cabej (!) Ne nuk i dalim përzot gjuhës shqipe jo vetëm te shkollarët tanë në emigracion, por as kur këta kthehen në Shqipëri, sa fëmijë shqiptarë nga Gjirokastra venë e regjistrohen në shkolla në gjuhën greke në Jergucat (!) Këto e shkatërrojnë kollonën vërtebrore të gjuhës dhe jo pëpjekjet për të shkuar drejt një gjuhë sa më të përplotë letrare.
Gjuha është një bankë ku të gjithë kemi aksionet tona, ku mundemi me u sugjerue institucioneve akademike, këtu e në Kosovë, rreth bërjes së gjuhës sonë më vitale e më moderne dhe një ditë të mbërrinim te ndryshimet e domosdoshme të standardit. Veçse kjo bëhet me dashuri rilindasish e jo nga llogoret e vjetra. Nëse nuk e bëjmë ne sot, doemos që do ta bëjnë pasardhësit tanë nesër. Nevojën e ndryshimit e thonë dhe mëtuesit e standardit të “paprekshëm”, por besohet se ata janë për ndryshime sipërfaqsore dhe jo aq sa ka nevojë gjuha, që standardi të mos ndryshohet sa të preken bazat e tij. Por askush nuk mund të thotë se deri ku mund shkohet në këtë anë, ndryshime me pikatore nuk ka, një kopësht ujitet aq sa kanë nevojë bimët. Shqiptarët, kudo rrojnë, e kanë njëlloj të shtrenjtë gjuhën, i duan asaj më të mirën normative, kodifikuese, pikë së pari me rikthimin sërish në fron të mbretëreshës së shkurorëzuar, paskajores, që sipas ndonjë hulumtimi (Mehmet Elezi) është po kaq e vlertë dhe në traditën e toskërishtes. Gjuha është era jonë e vjetër dhe era jonë e re.