NË NJË ODË DIBRANE, ME AZIS NDREUN…
(Nëpër faqet e librit, kushtuar këtij artisti të shquar popullor)
Nga: Viron KONA
V.Kona, flet në përurim…
Këto ditë, në Muzeun Historik Kombëtar të kryeqytetit Tiranë u përurua libri i Xhezair Abazit, kushtuar artistit të shquar popullor dibran, Azis Ndreut-”Mjeështër i Madh”. Më poshtë është recensioni i paraqitur para pjesëmarrësve, nga shkrimtari i njohur, Viron Kona.
x x x
1.
Faleminderit, autori i këtij libri, Xhezair Abazi, si dhe juve përfaqësues të shtëpisë botuese “Onufri”, familjarë e miq të Haziz Ndreut, që sot na keni ftuar në këtë “odë të madhe dibrane”, këtu, në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, për të bashkëbiseduar vëllazërisht për veprën kushtuar njeriut simbol të kulturës dhe artit shqiptar, dibranit të mençur dhe të ditur, folkloristit dhe rapsodit, valltarit, recituesit dhe poetit popullor, për të cilin, gjithkujt ia ka ënda t`i thotë sot dy fjalë.
Është meritë e vetë Hazis Ndreut, e veprës së tij të madhe, që ne jemi mbledhur, por është edhe meritë e padiskutueshme e autorit të librit, personalitetit të kulturës dibrane dhe shqiptare, Xhezair Abazi.
Kemi përpara një libër të titulluar “Ezopi i Dibrës”. Krye-personazhi i këtij botimi kaq origjinal, është jo vetëm figurativisht “Ezopi i Dibrës”, por ai është “Azisi i Dibrës”, njeriu që do ta krahasoja me shumë mendje të shquara dhe, më shumë, me veten e Tij.
Azisi kishte zërin e tij në recitim, në bisedë dhe në poezitë e tij. Ai ishte vazhdues i denjë i traditave më të mira të artit, kompozimit, kulturës, valles dhe koreografisë dibrane, ashtu siç është vazhdues i lumit të kristaltë, përroi që vërshon i pastër dhe i rrëmbyeshëm nga malet e, pastaj, duke “kënduar” zë-ëmbë,l zbret në lugina. Ai ka gurgullimën, freskinë, dallgët dhe jehonat e tij.
Kopertina e parë e librit…
Art,i që ka bërë Hazis Ndreu, ka qenë vazhdimisht i ngjashëm me freskinë e flladeve të pyjeve dibrane. Vallja dhe rapsodia e tij, kanë edhe jehonën e krismave dhe gjëmimeve për mëmëdheun; kanë krismën e daulleve, muzikës dhe ritmit dibran, që ka tingëlluar e jehuar fort, bukur dhe ndjeshëm, që në kohërat e lashta të Iliriadës, në kohën e lavdishme të Skënderbeut, në kohërat e ekzistencës dhe mbijetesës, betejave të pandërprera për liri e pavarësi.
2.
Shfletojmë faqet e këtij libri dhe na bëhet se e shohim Hazis Ndreun në skenat e Dibrës dhe të Shqipërisë, në sheshet e fshatrave dhe qyteteve, në festivalet e Gjirokastrës, në skenat e kulturës ballkanike dhe europiane e, deri me bashkëkombësit, vëllezërit tanë, në Kontinentin Amerikan.
Xhezair Abazi e ka njohur për shumë vite nga afër njeriun, të cilit ia thuri me dashuri dhe respekt këtë libër, duke na treguar sesi Hazisi ka vozitur me ekuilibër dhe trimërisht, që 8 vjeç, në odën e burrave, që 16 vjeç partizan dhe, më pas, duke përballuar dallgët e turbullta të kohës, që kaloi.
Xhezair Abazi, ka ditur ta paraqes me shumë vërtetësi këtë njeri fjalëbukur dhe zemërbardhë dhe ne sikur e kemi sot fare pranë, i dëgjojmë zërin rapsodik, ndjejmë tempo-ritmin e valleve dhe të recitimeve poetike, ku shfaqeshin ndritshëm epitete, krahasime, metafora dhe deti i thellë i alegorisë dibrane.
Fjala poetike, kënga dhe vallja ngrenë peshë zemra, ndezin flakë atdhedashurie, transmetojnë ndjenja të fuqishme dhe të ngrohta për jetën. Prandaj ato ruhen përherë si vlerat më të çmuara, në arkivin e kujtesës popullore. E, mes tyre, ndriçon edhe vepra poetike dhe artistike e Haziz Ndreut, i cili është gjithnjë me më të mirët, gjithnjë me më të mëdhenjtë, sepse vepra e tij është e krahasueshme dhe e ngjashme vetëm me më të mirët, vetëm me më të mëdhenjtë. Ajo është krenari e Dibrës dhe e Shqipërisë.
Kam lexuar edhe libra të tjerë biografikë, por jo një të tillë, si ky që na dhuron sot Xhezair Abazi. Me libra të tillë, Shqipëria artistike, jep sinjale dhe mesazhe të një letërsie, që do ta kishin zili edhe penat e shquara.
Haziz Ndreu e ka ngritur monumentin e vet me veprimtarinë e tij krijuese, tërësisht origjinale. Kurse, Xhezair Abazi, me këtë libër, i ka ngritur atij një monument të mrekullueshëm shkrimor, dokumentar dhe artistik. Urime Xhezair Abazi!
3.
Edhe si vlonjat, që jam, më vjen mirë që në këtë libër del se Azis Ndreu ka pasur pika të fuqishme lidhjeje me vlonjatë, me komandant Vehbi Hoxhën, me artistin e shquar të skenës Myqerem Fera dhe të tjerë. I kam njohur ata burra të urtë, mendjendritur dhe zemërmëdhenj, por sot më bëhet se i shoh tek nderojnë dhe respektojnë veprën, që flet për vëllain e tyre, dibranin e shkëlqyer, Haziz Ndreu.
Emri i Hazisit e meriton një nderim të tillë, kurse ne ndihemi të privilegjuar, sepse, me veprën e Xhezair Abazit, e kemi sot atë dhe veprën e tij fare pranë, ndjejmë rrahjet e zemrave tona; heqim së bashku vallen dibrane, kuvendojmë e bashkëbisedojmë, kujtojmë dhe respektojmë bashkërisht veprën e Tij, e, njëherazi, edhe kolegët, kulturën dhe artin e Dibrës. Në një shtëpi dibrane ku shkonte Hazizi, oda ishte plot. Edhe tani, kur kuvendojmë për Azisin, salla është plot.
Populli ynë nuk i lë të kalojnë në heshtje figurat e tij të ndritura, ai i pasqyron ato në biseda dhe tregime gojore, në tradita dhe zakone, në këngë dhe valle, i ruan të vyera në arkivin e kujtesës së tij. Teksa, sot, gjerdanit të artë të kulturës, folklorit dhe letërsisë shqiptare, i bashkohet edhe kjo vepër e rrallë, e shkruar mjeshtërisht dhe me zemër, nga Xhezair Abazi.
Tiranë, më 9 dhjetor 2013