Prishtina është një qytet që po shkatërrohet përmes ndërtimit. Prishtina nuk mund të shkatërrohet duke u shkatërruar. Sepse, Prishtina mund të rindërtohet. Mirëpo, Prishtina shkatërrohet pikërisht duke u ndërtuar kështu siç po bëhet – pa plan e kundër ligjit.
Mafia e ndërtimit është mafi e shpëlarjes së parave të pista nga kontrabanda e krimi i organizuar. Një pjesë e konsiderueshme e ndërtimit nuk është investim por shpëlarje parash sepse kemi aq shumë banesa të zbrazëta që as nuk i shesin as nuk i lëshojnë me qira. Natyrisht, nuk janë investime që kërkojnë kthim e fitim, por fitimi është vetë ngritja e tyre.
Pas ndërtimeve në Prishtinë kompanitë nuk duan të fitojnë aq sepse ato tashmë kanë fituar duke shpërlarë paratë. S’e kanë fort hall as legalizimin e ndërtimeve pasi që ndërtimet tashmë janë legalizim i parave të tyre. Rrjedhimisht, mijëra e mijëra banesa në Prishtinë janë të zbrazëta. Nëse në secilën prej tyre do të kishim familje shumë anëtarëshe siç është zakonisht tek ne, atëherë ja ku e kemi një qytet të tërë që mungon brenda kryeqytetit tonë.
Prishtina ka nevojë për urbanizëm me plan dhe ligj për ambient qytetar dhe jo për getoizim nga mafia ndërtimore. Dhe, komuna e Prishtinës ka nevojë për tokë bujqësore me subvencion për rendimente të larta e jo për ndërtime të egra që sajojnë djerrina betoni. Komuna e Prishtinës nuk ka tokë për të shitur, nuk ka tokë për të falur dhe nuk ka tokë për të lënë djerrë.
Në Evropën perëndimore shteti subvencionon qytetarët për blerjet e tyre private. Për shembull, në Gjenevë ka pjesëmarrje të pushtetit komunal për çdo biçikletë elektrike që blejnë qytetarët në masën prej një të tretës së çmimit. Kurse në Kosovë qytetarët participojnë për investimet komunale në të mirat publike dhe sërish ka korrupsion. Pushteti komunal nuk duhet të jetë luksi i sundimit me qytetarë por puna e shërbimit për qytetarë. Komuna duhet të jetë bankë për qytetarët e jo plaçkë e pushtetarëve. Duhet të jetë komunë me transparencë e llogaridhënie e jo me nepotizëm dhe arrogancë.
Prishtina është më shumë se kryeqytet dhe më pak se qytet. Sepse, në njërën anë, Prishtina nuk është vetëm kryeqytet i Republikës së Kosovës, por ajo ishte dhe vazhdon të jetë kryeqytet i gjithë shqiptarëve që jetojnë në trevat e tyre në hapësirën e ish Jugosllavisë. Ndërkaq, në anën tjetër, Prishtina është më pak se qytet, për shkak se kanalizimi dhe ujësjellësi, trotuaret dhe gjelbërimi, bibliotekat dhe transporti janë më shumë dëshira të qytetarëve sesa realitet i situatës së tyre. Teksa ecim nëpër rrugët e Prishtinës, në verë me pluhur e në dimër të vërshuara, dhe verë e dimër përplot zhurmë, ndjehet e shihet, kuptohet e dihet, që në vend se Prishtina të zgjerohej drejt paralagjeve të saj, lagjet e qytetit janë shndërruar në paralagje të një qyteti që mungon.
Ndonëse Prishtina është një kryeqytet që është më pak se qytet, në të njëjtën kohë, Prishtina është një entitet territorial dhe administrativ që është më shumë se Komunë: Prishtina është qendër e shtetit dhe e republikës, është vatër e dijës dhe e kulturës, dhe është themeli i publikes dhe i qytetarisë. Prandaj, beteja për Prishtinën është gjithçka përveçse betejë e zakonshme.
Kryetari aktual i Prishtinës Isa Mustafa pas gjashtë vjet qeverisje me Prishtinën ka nisur të propozojë projekte, si për shembull, për transportin publik. Ai po reagon ndaj Shpend Ahmetit; ai edhe mund të fillojë të flasë si Shpend Ahmeti, por kjo është tepër pak dhe tepër vonë. Mbi të gjitha, kjo dëshmon që Isa Mustafa tashmë po sillet si opozitë, kjo tregon se ai është i gatshëm të humb në balotazhin e 1 dhjetorit.
Nuk mund të presim ndryshime pozitive prej atyre që janë shkaktarë dhe përfitues të kësaj situate negative. Shumë zëra të njëjtë të qytetarëve të zhgënjyer duhet të bëhen një zë i bashkuar i qytetarëve për ndryshim.
Nuk është gabim ta ndryshosh mendjen për Isa Mustafën, por është dobësi të mos e korrigjosh gabimin; dhe, është fuqi të lëvizësh e të vendosësh vetë.
Prishtinë, 26 nëntor 2013